Jemi në përfundim e sipër për të filluar transmetimin e programit të Radios-Kosova e Lirë, E shtunë, 2 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Jemi në përfundim e sipër për të filluar transmetimin e programit të Radios-Kosova e Lirë, E shtunë, 2 janar, 1999

Herët në mëngjes, me Berat Luzhën, Nusret Pllanën dhe në përcjellje të ushtarit, Ali Mullini nga Pjetërshtica, jemi nisur për në Berishë. Në rrugë kemi takuar Idriz Hysenin, Komandant i Logjistikës. Edhe pse mendonin se Idrizi me xhipin e tij do të arrijë të ngjitet Grykës së Thatë, ai na la te akullnaja, sepse s bëri dot tutje. Pjesën tjetër të gjatë të rrugës e kemi kaluar këmbë, duke çarë dëborën e trashë nëpër rrugë dhe nëpër kthinat nga ku mund të depërtohet.

Në odën e Rizah Berishës na mirëpresin si kurdoherë. Tani jemi si të shtëpisë, sepse Riza tregon mikpritje tradicionale dhe me siguri se do të angazhohet në radhët e stafit.

Kemi bërë ushtrime dhe konsultime të caktuara, meqë nesër ose pasnesër duhet të fillojë transmetimi. Martin Çuni e ka incizuar një version të emisionit dhjetëminutësh që do të transmetohet ditën e parë. Kam dhënë një sugjerim që dhjetë minuta para fillimit të transmetimit të emetohet vetëm xhingla me tinguj autentikë të Radios, kompozuar nga Rauf Dhomi.

Fillimisht të gjithë pajtohemi që programi të paralajmërohet si program eksperimental, derisa të konsolidohemi të paktën për tri katër ditë.

Puna në agjenci realisht ka filluar.

Isë Krasniqi ka filluar tanimë shkëmbimin e informacioneve por kemi vendosur që publikimi zyrtar të bëhen të momentin kur të fillojë emetimin, Radio-Kosova e Lirë.

Kushtet tani për tani janë të volitshme, mirëpo vështirësitë do të ndodhin në terren. Nga zona jonë për Radion dhe Agjencinë do të raportojë Ismet Sopi, i cili herë pas herë raporton edhe për TVSH-në. Tani po bëjmë përpjekje që të marrim lidhjet telefonike  me përgjegjësit për informim nga zonat e tjera operative.

Në mbrëmje, na bëjnë me dije se Ramiz Qeriqi  me Nivën e tij  së bashku me mjekun Fatmir Xhelili dhe me Hilmi Ramadanin ka depërtuar në Rrafshnaltë, nëpër Grykë të Shalës deri në Kleçkë. E kam Lajmëruar që të mos më pres në Kleçkë, meqë sonte nuk e kam ndërmend të kthehem në Krojmir. Tanimë duhet të qëndrojmë këtu, ndërsa kuptohet në çdo të dytën ditë duhet të shkoj edhe atje, sepse janë shumë punë dhe angazhime të tjera që më presin.

Deri në orët e vona të natës kemi biseduar lidhur me probleme që  tanimë na lidhin konkretisht për informimin, për programin dhe përmbajtjen e programit të Radios, për lajmet që duhet të marrim sidomos nga terreni, për lidhjet që duhet t`i vendosim me të gjitha zonat por edhe me gazetarë të tjerë që shprehin gatishmëri për të bashkëpunuar.

Berat Luzha mendon se duhet bërë edhe një ftesë publike për gazetarët, mirëpo kjo më duket se nuk është e nevojshme për fillim, meqë ende nuk jemi të sigurt se si do të shkojnë punët, edhe pse ne jemi tejet të vendosur për të përballuar të gjitha të papriturat.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se prej momenti  kur do të fillojë transmetimi mund të pritet kundërpërgjigjja e armës së armikut, meqë kjo është një armë e veçantë e jona, me të cilën ata kurrë nuk do të pajtohen. Natyrisht se do të bëjnë përpjekje për të na asgjësuar. Ne, nga ana jonë i kemi bërë të gjitha llogaritë. Luftë është, andaj  do të bëjmë tutje.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …