Një vit më parë u nda nga familja, të afërmit, shokët e bashkëveprimtarët, Skënder Hamdi Ibishi, njëri ndër ish të burgosurit politikë nga regjimi i RSFJ-së në vitet 80-të, të shekullit të kaluar.
Ai kishte një natyrë të qetë. Ishte shumë i përmbajtur, jo imponues, në dukje i tërhequr, por mjaft i gjallë në komunikim dhe reflektim të problemeve shoqërore si ato të së kaluarës, por edhe aktualet.
Kam pasur rast ta njoh personalisht gjatë një vizite që më kishte bërë në Radion Kosova e Lirë disa vjet më parë. Asokohe kishte sjellë një shkrim vlerësues për demonstratat e vitit 1981 me theks të veçantë për organizatën PKMLSHJ dhe pjesëmarrjen e saj në demonstrata.
Ja si e kishte përkufizuar konkretisht Lëvizjen atdhetare të kohës, Skënder Ibishi.
Lëvizja jonë për barazi, pavarësi, liri kombëtare e shoqërore, ashtu sikur edhe çdo lëvizje tjetër e ngjashme ka kaluar nëpër faza të ndryshme, duke u përballur me sfida dhe rreziqe nga më të ndryshmet, pa përjashtuar edhe fërkimet e konfliktet e ndryshme, në njërën anë të cytura e të ndikuara edhe nga shërbimet e armikut pushtues, e në anën tjetër edhe nga ambiciet e personave e segmenteve të caktuara grupore e sektare, për dominim e imponim, të pikëpamjeve të tërë lëvizjes sonë.
Pa marrë parasysh këto fakte, disa nga protagonistë e këtyre ngjarjeve kanë ndërruar pozita, jo vetëm ideologjike, dhe nga revolucionarë të majtë kanë kaluar në të djathtë, që mbajnë edhe qëndrime armiqësore karshi aspiratave dhe forcave progresive aktuale, në vend dhe në botë.
Bashkimi i arritur në mes forcave të atëhershme atdhetare e revolucionare përpos bashkimit – për shkak të rrethanave – të detyrueshme, ideore, nuk rezultoi edhe me bashkim të mirëfilltë fizik, në një strukturë të vetme organizative e vepruese.
Mjerisht kjo nuk ndodhi as në kohën e pluralizmit politik te viteve te 90-ta në hapësirat shqiptare. Përkundrazi ky bashkim dhe Lëvizja jonë, përpos goditjeve nga ana e armikut dhe pengesat tjera të natyrës objektive, u përball pareshtur edhe me situata të luftës së brendshëm imponuese e dominuse.
Megjithatë, edhe si e atillë kjo lëvizje arriti të ruajë dhe ta zhvillojë një kontinuitet, i cili në fund rezultoi edhe me luftën e armatosur, intervenimin ndërkombëtar dhe shpalljen e pavarësisë vetëm të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa viset tjera shqiptare mbetën edhe më tej të ndara e të shtypura.
Në kohët e fundit, në shkrime të ndryshme dhe libra të publikuar, hidhen disa hipoteza që përpiqen të venë në pikëpyetje ngjarje e veprime të faktuara e të dokumentuara, të cilat mund të vërtetohen edhe nga protagonistë pjesëmarrës të tyre ende gjallë. Këta pretenduesit e të vërtetave të tjera, të paqena, të padëshmuara e të pa dokumentuara, edhe tani pas më se 30 e sa viteve, përpos interpretimeve subjektive, do të duhej të publikonin dhe dokumentonin, që paska pasur edhe ndonjë bashkim tjetër.
E shoh të rrugës, që sot këtu, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Skënder Ibishit, i cili ishte dënuar 12-vjet burg ndërsa kishte mbajtur afër tetë vite, ta them publikisht, pavarësisht se jemi duke e përkujtuar atë, dhe ndoshta dikush mendon se kjo çështje nuk do të duhej të hapej, por për hir të së vërtetës duhet pranuar hapur se jo vetëm njëherë është vënë dyshimi mbi këtë organizatë, por kreu dhe pjesëtarët e saj janë dënuar me burg të rëndë për vepra po ashtu penale, për atë që përkufizohej si bashkim dhe veprimtari anti-jugosllave në platformë të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.
Pavarësisht se si ishin emërtuar këto organizata, emërues i përbashkët i shumicës dërrmuese të tyre, ishte mbështetja në konceptin marksist leninist për të drejtën e kombeve për vetëvendosje.
Të mos harrojnë se aso kohe, dy të tretat e shteteve të botës përshkoheshin nga kjo ideologji. Për regjimin jugosllav nuk ishte fare me rëndësi se si quhej organizata, qoftë OMLK, PKLMSHJ apo ndryshe, sepse të gjitha ato, pa përjashtim kishin përkrahur kërkesën plebishitare: Republikë-kushtetutë ja me hatër ja me luftë?
Po kështu, duk duhet harruar se në kuadër të kësaj organizate ishin dënuar disa grupe të rinjsh dhe të gjithë kishin mbajtur qëndrim revolucionar. Më 15 shkurt të vitit 1983 ishte dënuar grupi më i madh për nga numri i organizatave të deriatëhershme, 23 syresh prej 1 e deri në 14 vjet burg.
Fakti se disa nga krerët e organizatës kishin punuar legalisht në organet e shtetit, qoftë edhe në armatën e Jugosllavisë, në asnjë mënyrë nuk nënkuptonte, bashkëpunim apo përkrahje të regjimit. Në një moment të caktuar secili ka marrë qëndrimin e tij.
Skënderi ishte shumë konsekuent në mbrojtjen e së vërtetës, Ai ishte e ndërgjegjshëm se jo të gjithë të burgosurit kishin pjekurinë dhe njohurinë e duhur për të gjykuar drejt, sepse jo të gjithë ishin në nivel, arsimor dhe intelektual dhe në nivel moshe të kuptonin se një organizatë mund të kishte një qëndrim më liberal në dukje, sikur ishte kërkesa e PKMLSHJ-së për krijimin e një republike të Shqiptarëve në Jugosllavi, pa kërkuar fillimisht bashkimin me Shqipërinë.
Në parim dhe në veprim nuk kishte asgjë të dënueshme në atë koncept politik, edhe pse dihet se ajo nuk i kishte bërë fare përshtypje regjimit, përkundrazi kjo organizatë ishte trajtuar thellësisht armiqësore, nacionaliste e irredentiste, si gjithë të tjerat.
U zgjata ndoshta pak më shumë në këtë drejtim por kjo ka qenë brenga, që pa të drejtë e ka mbajtur mbi supe Skënderi, para, gjatë dhe pas luftës. Dhe, kjo do të thotë shumë, sidomos për ata që janë përfolur e përfolën pa të drejtë, pa fakte reale, por në stilin, po flitet, kam dëgjuar, e di unë, ma ka thënë filani apo fisheku, apo edhe shprehje të tjera që nuk e kanë vendin t i flasim me këtë rast.
Andaj sot, kur po e përkujtojmë Skënderin, duhet të kemi kujdes e mos t’i lëndojmë bashkëvuajtësit tanë, sepse i paskan takuar kësaj apo asaj organizate.
Jemi popull i vogël dhe kurdoherë në gojë të mega mujsharëve të globalizmit, që kanë vendosur dhe do të vendosin sërish për fatin tonë. Nuk guxojmë kurrsesi ta vëmë në dilemë qëndresën e atyre që e kanë kaluar pjesën më të mirë të jetës nëpër burgje, apo kanë qenë të detyruar të largohen nga atdheu dhe tërë jeta u ka shkuar në mërgim larg familjeve, larg Kosovës.
Skënderit i qoftë lavdi e përjetshme për jetën dhe kontributin që i ka dhënë kombit e atdheut, familjarëve dhe bashkëveprimtarëve të tij u qoftë përjetë i paharruar kujtimi për të!
Marigona, Fjolla e Taulanti përherë të jenë krenarë për babanë e tyre të dashur e të respektuar!
Ahmet Qeriqi
- 7. 2018
Prishtinë