Vazhdojnë vajtje ardhjet e papërballueshme të të interesuarve për t`u anëtarësuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ose për të ndihmuar logjistikën e saj. Sipas evidencës të cilën e shënojnë ushtarët që ushtrojnë roje, del se brenda ditës, kërkojnë të anëtarësohen mbi 100 vullnetarë. Ndodh që brenda ditës të lajmërohen për t u anëtarësuar edhe 200 e më tepër të rinj, kryesisht të fshatrave të Drenicës dhe të fshatrave të Rrafshit.
Vazhdon edhe ardhja e banorëve të zhvendosur sidomos të Drenicës Qendrore. Vijnë, edhe shumë pjesëtarë të familjeve të ushtarëve, sapo mësojnë se ata gjenden në vijat e frontit, kryesisht ushtarë të cilët iu kanë përgjigjur thirrjes së atdheut. Ata vijnë prej Zvicrës, Gjermanisë dhe shteteve të tjera evropiane, stërviten në kazermat ushtarake të UÇK-së në Shqipëri, dhe pasi veshin uniformat, me armatim ngarkuar kalojnë nëpër kufirin që ende i ndanë mes përmes trojet shqiptare. Fatet e tyre janë të ndryshme. Ata, i gjen në Drenicë, në Anadrin, në Dukagjin. Disa prej tyre nuk kanë arritur t’ i shohim më të dashurit e tyre meqë kanë rënë dëshmorë në zona të ndryshme të luftimeve.
Këtu, në shtabin tonë lokal në Krojmir dhe në Pjetërshticë kanë ardhur ushtarë të rrethinës së Kaçanikut, të Shtimes, të Karadakut. Ata, tash për tash janë në vijat e frontit në Zborc dhe në Carralevë. Në mesin e tyre është edhe Agim Bajrami, ish i burgosur politik dhe liridashës i përkushtuar.
Shumica prej tyre do të kalojnë në Zonën e Neredimës sapo të krijohen kushtet dhe të bëhen përforcimet e nevojshme me armatim dhe ushtarë.
Në odën e Vehbi Tafil Qeriqit që është bërë një qendër informimi rajonal për ushtarë, dhe për ndërkomunikim, kemi edhe një televizor satelitor përmes të cilit përcjellin zhvillimet e agjencive të huaja të lajmeve, por edhe programin dyorësh satelitor të RTSH-së.
Vërehet interesimi i rrjeteve të huaja informativ. Gazetarët e BBC-së, të CCN-it, të Zërit të Amerikës, të DW-ës, të Rojterit e të tjera, vazhdimisht japin pamje nga vend-luftimet apo nga zonat që i mbanë nën kontroll Ushtria jonë çlirimtare.
Sot në mesditë CNN-i, paraqiti një spot filmik të incizuar në qendër të Carralevës, ku vërehet ushtarët tanë duke ushtruar kontroll në rrugë. Në mesin e tyre hijerëndë dhe i gatshëm për të sulmuar vërehet Jetë Hasani, i veshur me rroba të zeza të Policisë Ushtarake, pastaj ushtari të cilin e quajnë Guri, ushtar Gjoni dhe Selatin Rizani. Spoti filmik paraqet edhe pamje nga shkatërrimi i vendbanimit që kanë bërë forcat serbe.
Një orë më vonë të njëjtin spot e shohim në të gjitha qendrat e tjera televizive, edhe pse ende nuk jemi parë me Jetë Hasanin dhe me ushtarët e tij. Duke qenë se spoti po përsëritet, bija e Vehbiut, Alberita e ka incizuar materialin televiziv në videokasetë.
Derisa qendrat botërore informative japin pamje të tilla, ne nuk arrijmë këto ngjarje t ia përcjellin as TVSH-së, meqë nuk kemi telefon dhe të vetmin që e kishin na e mori, Isak Musliu. RTSH-ja transmeton informata nga gazetarët, Ismet Sopi, Xhemë Binaku, Musë Kurhasku e ndonjë tjetër.
Informimi nga zonat e luftimeve, çalon.
Ndihem totalisht i bllokuar për të ndërmarrë diçka serioze.
Kam informacione se në zonat e luftimeve në Qyqavi, së shpejti do të vendoset një shtypshkronjë. Duhet të kontaktoj sa më parë me Jakup Krasniqin, me Shaban Shalën dhe me të tjerë, në mënyrë që sa më parë të aktivizojmë mjetet tona të informimit.
Nuk mjaftojnë vetëm komunikatat e shtabit dhe raportet tonike të dy tre korrespondentëve, në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kontrollon me shumë se gjysmën e territorit të Kosovës.
Informimi, arma më e fortë e luftës, është lënë krejtësisht pas dore. Duhet bërë çmos që sa më shpejtë të bëjmë gjithë ç’ është e mundur për të aktivizuar ato.
Ditë më parë te ne ka ardhur edhe nipi, Fadil Hetemi, nga Ferizaj. Fadili dhe Qamili janë nipa të kushëririt tim, Haki Qeriqi, i cili po ashtu na ka ndihmuar materialisht.
Fadili, ka shfaqë interesim të inkuadrohet në radhët tona.
Është i gatshëm të angazhohet kudo, por ka shprehë gatishmëri nëse është nevoja të shkojë edhe në Shqipëri, për armatim. Për rastin e Fadilit kam biseduar me Elez Durmishin, dhe duhet sa më parë t ia japim një pushkë.
Jetë Hasani rrëfen për spotin dhe për disa ndodhi të tjera
Në mbrëmje, në odën e Vehbiut vjen Jetë Hasani i Godancit, njëri prej ushtarëve më të hershëm të UÇK-së, luftëtari më i zhdërvjellët dhe më i përkushtuar i luftës çlirimtare në anën tonë. Jeta, ka një natyrë paksa të mbyllur dhe nuk imponohet. Dëgjon me vëmendje dhe shpeshherë i reflekton një pamje ndriçuese, sidomos kur rrëfen për aksionet e tij, deri tani të gjitha të suksesshme.
E ka parë spotin, pasi që e kemi incizuar por nuk duket se i bën gjithaq përshtypje. Megjithatë, e shikon me vëmendje dhe jep sqarime për gazetarët, të cilëve u ka lejuar incizimin.
Ai po ashtu na rrëfen, se ditë më parë në fshatin e tij në Godanc të Epërm dhe në Godanc të Ulët, ka depërtuar me njësitin e tij dhe i ka tubuar në qendër të fshatit shumë anëtarë nga familjet, të cilat, sipas dëshmive kanë qenë pjesëtarë të Partisë Socialiste dhe të Partisë Radikale serbe.
Të njëjtit i ka detyruar të marshojnë nëpër rrugë të fshatit duke brohoritur UÇK UÇK! Jeta, nuk e fsheh se disa prej tyre edhe i ka rrahur, duke i detyruar që të vrapojnë nëpër rrugë duke brohoritur për luftën e Ushtrisë sonë çlirimtare. Së bashku me të kanë qenë katër nga trimat e tij më të sprovuar.
Jetë Hasani, ka biografinë më të pasur nga të gjithë luftëtarët e anës tonë. Ai, duke qenë anëtar i një familjeje me tradita të shquara patriotike dhe qysh në rininë e tij të hershme ka rënë në konflikt me forcat e sigurimit serb. Policia vendore e Shtimes e ka burgosur dhe e ka maltretuar shumë herë. Nga rrahja brutale që i kanë shkaktuar më 1991, nga pasojat e torturave është shëruar në Tiranë. Gjatë asaj kohe e ka mbështetur materialisht stërvitjen e grupit të Drenicës, në Tiranë. Prej asaj kohe së bashku me Elez Durmishin dhe me Sylë Qeriqin, nuk e kanë ndërprerë asnjëherë veprimtarinë e tyre atdhetare.
Tani kur kanë shpërthyer luftimet, Jeta, është si vetë jeta në elementin e vetë jetësor.
Ai nuk pushon as ditë as natë, Gjithnjë është në lëvizje, dhe gjithnjë në vendin ku më së shpeshti sulmohet armiku. Jeta me militantët e tij janë bërë tmerr për bashkëpunëtorët dhe milicët serbë.
Jetë Hasani është bërë jetë e vërtetë, jehonë e veçantë dhe jehonë e gjallë për UÇK-në.