Jetë Hasanin e varrosim me nderime ushtarake në varrezat e Lagjes Qeriqi në Krojmir, Në Grykën e Kizharekës e varrosin dëshmorin, Fehmi Kastrati (E shtunë 17 tetor, 1998)

Jetë Hasanin e varrosim me nderime ushtarake në varrezat e Lagjes Qeriqi në Krojmir, Në Grykën e Kizharekës e varrosin dëshmorin, Fehmi Kastrati (E shtunë 17 tetor, 1998)

Jemi zgjuar më herët se zakonisht meqë jemi marrë vesh që për shkaqe sigurie varrime të kryhet sa më parë. Ka rrezik që grumbullimi i njerëzve të hetohet nga maja e Goleshit dhe forcat serbe të vendosura atje mund të na qëllojnë.

Pikërisht për këtë në orën 7.00 ka filluar ceremonia e varrimit.

Trupi i dëshmorit Jetë Hasani është përcjellë me nderimin e shumë ushtarëve dhe të të gjithë atyre që kanë ardhur në varrim. Kortezhi është nisur nga shtëpia e Sylë Qeriqit. Ka marrë pjesë në varrim edhe xha Azizi, i biri I Jetës, Avniu, e bija Myrvetja, vëllai Idrizi dhe të tjerë.

Meqë nuk erdhi askush nga Shtabi, fjalën e rastit e ka mbajtur ushtaraku, Naim Ismajli, ndërsa ceremoninë e varrimit me kërkesë të familjes e ka kryer Mulla Azem Olluri, i cili është përkujdesur që ceremonia të jetë krejtësisht e shkurtër.

Në fytyrat e ushtarëve vërehet pikëllimi por edhe vendosmëria për ta vazhduar rrugën e dëshmorit.  Humbjen e Jetës e kemi përjetuar rëndë sidomos ne që kemi vepruar një kohë të gjatë me të.

Varrimi është bërë në masa të veçanta të sigurisë…

Derisa ushtarët po parakalonin pasi trupi i dëshmorit ishte mbuluar me dhe, radhëve iu bashkohemi  së bashku me Berat Luzhën te i cili e vërej po ashtu një dhembje të thellë, meqë për pak kohë sa kishte qëndruar me Jetë Hasanin, ai i kishte lënë përshtypje të veçantë.

Ceremonia e ngushëllimit do të mbahet në odën e Sylë Qeriqit. Babai i Jetës, Aziz Jetë Hasani po mbahet burrë e shkuar burrit. Ai ende nuk i di rrethanat në të cilat ka rënë në detyrë Jeta.

Në hyrje të odës kemi vendosur një fotografi të dëshmorit dhe truprojen e nderit. Fillimisht me qëndrim në gjendje gatitu, rri ushtari nga Godanci, Arben Hyseni, apo hoxha sikurse e quajnë ushtarët këtë nxënës të medresesë.

Pasi kishte mbaruar ceremonia kanë ardhur dy ushtarë nga Kizhareka. Ata kanë lajmëruar se edhe atje në grykën e fshatit  te Mrizet e Berishës është varrosur dëshmori Fehmi Kastrati 19 vjeçar i rënë mbrëmë në luftime, në dalje të fshatit Lladrovc.

Pasdite për ngushëllime erdhën: Fatmir Limaj, Hysni Syla, Shaban Draga, Idriz Hyseni e të tjerë. Komandant Çeliku kërkon falje që nuk ka mundur të vijë në varrim meqë në të njëjtën kohë është varrosur edhe dëshmori, Fehmi Kastrati. Ai sjellë në kujtesë një moment heroizmi të nënës së dëshmorit, e cila pasi bashkëluftëtarët e mbulojnë trupin e djalit me dhe, kërkon nga komandanti që aty për aty pushka e të birit dëshmor t`i jepet djalit tjerët, Aliut.

-Të gjithë sa janë i qofshin falë Ushtrisë sonë dhe atdheut, ka thënë kjo nënë e një familjeje të varfër nga Kizhareka, e cila jeton në tendë me tetë anëtarë të tjerë të familjes.

Në prani të ushtarëve dhe të popullatës, Aliu e merr pushkën e vëllait dhe kordelen e kuqe, që kurdoherë e kishte mbajtur në ballë, vëllai i tij, tani dëshmori i kombit, Fehmi Kastrati.

-Po shkruhen faqe të heroizmit dhe të qëndresës, thotë komandant Çeliku pasi flet për Jetë Hasanin, për njërin ndër prijatarët e UÇK-së në këto anë si dhe për ushtar dinamitin, ashtu sikurse e quanin shokët bashkëluftëtarin e tyre tani dëshmor, Fehmi Kastrati.

Lavdi dëshmorëve!

Në mbrëmjen a ditës së sotshme të dhembshme, në odën e Sylë Qeriqit kanë ardhur edhe Naim Imeri, Vehbi Zeqiri, Ali Mullini pastaj Ajvaz Karpuzi, ndërsa nga Shtimja kanë ardhur edhe Famir Xhelili, Nusret Gashi dhe shumë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një marrëveshje e re për t` iu ikur provokimeve dhe prapaskenave (E shtunë 21 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një marrëveshje e re për t` iu ikur provokimeve dhe prapaskenave (E shtunë 21 nëntor, 1998)

Bora që po bie pa ndërprerë i ka vështirësuar tjemase mundësitë e komunikimit. Në shumë …