Jeton Kelmendi: TË KUJT JEMI UNË E TI, ATDHE?

TË KUJT JEMI UNË E TI, ATDHE?
Reflektime të një çlirimtari, kur atdheu i del kundër

Njëzet e pesë vjet më pas,
unë dhe hija ime ecim nëpër rrugët
që dikur ishin plagë dhe premtim.
Por tani, sytë e qytetit më shohin ndryshe,
me një heshtje të ftohtë që s’është as nderim,
as përbuzje – veç harresë e mohim.

Atdheu s’më detyrohet asgjë, them me vete,
fundja, as unë s’i kërkova ndonjë borxhi.
Por nëse nuk të përkas ty, atdhe,
atëherë i kujt dreqin jam unë?
Nëse ti më trajton për të huaj,
atëherë ç’kuptim ka emri im, kujtimi im, jeta ime?

Thonë se atdheu u përket të gjithëve,
edhe atyre që heshtën ndërsa vdekja mbillej si farë në dhe,
edhe atyre që dridheshin pas perdeve,
kur era e luftës rrëzonte çatitë si gjethe të thara.
Nuk të kundërshtoj,
se liria s’është privilegj i vetëm atyre që e mbrojtën me gjak.
Por, atdhe, mos më kthe në të huaj,
mos ma bëj tokën një hije pa diell,
një dhe pa emër,
një kujtim që s’ka vend as në historinë tënde.

Tani, ata që s’bënë asgjë për ty,
të kanë përvetësuar të tërin,
si një flamur pa histori,
si një tokë që njeh vetëm pronarët e rinj.
Unë, që luftova për të mos qenë skllav,
sot jam një i huaj në vendin tim.
Unë, që e mbaja këtë dhe mbi supe,
sot shoh se dheu më ka rrëshqitur nga duart.

Kur u bë atdheu një kështjellë,
ku vetëm të pasurit gjejnë strehë?
Kur u bë liria një mall tregu,
ku kujtesa shitet e blihet sipas nevojës?
Kur filluan të më shohin me dyshim,
si një gur që prish fasadën e historisë së tyre të re?

Më thonë:
mos u ankoni, mos kërkoni, mos guxoni të kujtoni.
Kujtesa është mall i kushtueshëm,
e drejta për të kujtuar i përket vetëm fituesve.
Por kush janë fituesit, o atdhe?
Ata që gati thyen qafë duke ikur?
Ata që u patriotizuan pas lirisë
për pushtet dhe suksese të reja?
Apo ata që sot na shohin si hije të panevojshme,
në një histori që duan ta rishkruajnë pa ne?

E unë pyes veten:
kur dreqin ndryshoi gjithçka?
Kur u bë atdheu një shtëpi pa prag?
Një tokë ku rrënjët nuk mbahen më,
ku fryma ime është e huaj,
e emri im është veç një jehonë në zbrazëtirë?

Ndoshta është koha të largohem,
larg teje dhe larg vetes.
Sepse ndoshta të humbas larg teje
është më mirë se të humbas brenda teje, atdhe.
Të bëhem pluhur i një horizonti tjetër,
të mos jem më as hije.
Se ç’vlerë ka të mbijetosh në një vend
që të ka shpallur të tepërt?
Ç’kuptim ka të qëndrosh në një shtëpi
ku e vërteta është e pavlefshme,
dhe të drejtën e fjalës e kanë vetëm ata
që s’kanë thënë kurrë asgjë për ty?

O atdhe, kush dreqin je sot?
Nëse jo i imi, i kujt je?
Dhe nëse unë nuk jam i yti,
atëherë kujt i takon kjo frymë?
Kujt i takon ky qiell që e mbulova dikur me shpresë?
Dhe nëse ne nuk jemi të tutë,
atëherë kujt i përkasim, ne
që të deshëm më shumë se veten?

Ah, atdhe…
Po shkoj ngadalë,
ashtu siç shkojnë të gjithë ata
që luftuan për një ëndërr
që nuk është më e tyre.
S’do të të mallkoj, as të të bekoj,
veç do të të shoh nga larg,
si një baba që sheh birin e vet,
të humbur në një botë që s’e kupton më.

Me 17 mars 2024, Prishtinë

 

 

UA RRËFEJ LIRINË SI E KAM ËNDËRRUAR
Kushtuar luftetarit pa emër 

Këtë trup e kam rritur pa liri,
Atë fëmijëri timen e kam kaluar pa e shijuar.
Ishte koha që reshjet më bëheshin plagë,
Dhe qielli i ulët një mallkim mbi kokë.
Por shpirti im, i fshehur në zemër guri,
Kurrë s’rreshti së ëndërruari.

Në terr kam mbjellë dritën,
E çdo hap timin e kam hedhur mbi hije,
Kjo ka qenë rinia
Duke kërkuar një agim që s’vinte.
Dhe ja, me fjalë që afrojnë pafundësinë,
Me zjarr, me dhimbje, me fluturime mendimesh,
E ndërtova lirinë në botën time.

E shoh si një fushë të pafundme,
Ku era përshkon shpirtin pa pengesa,
E asgjë nuk e lidh këngën e zogut me shpresën,
Dhe çdo lule është një fjalë e gjallë.
Liria është buka që nuk mbaron,
Uji që rrjedh pa kufij,
Është zemra që hapet në çdo frymëmarrje.

Një ditë e pashë atë në sy,
Ishte si një horizont që përqafoi detin,
Britur prej maleve.
Ishte zëri që thërret njeriun nga thellësia e shpirtit,
Duke e çuar atje ku asgjë nuk ndalon.

Oh, si e kam ëndërruar këtë liri:
Një qiell që nuk mbyllet nga re hileqare,
Një tokë që nuk ndahet nga kufijtë,
Kjo botë ku zemrat flasin si lumenjtë,
Duke gjetur rrugët që të çojnë gjithnjë më larg.

Eja, t’i hapim portat e mendjes,
Të ndriçojmë horizontet e së panjohurës,
Dhe të shohim se si rilind bota
Kur njeriu e sheh veten të lirë,
Të shtrirë në diellin e të nesërmes.

Në fund të kësaj rruge,
Kur gjithçka është prekur nga fryma e lirisë,
E shoh lirinë si një harmoni që këndon,
Një univers që na mëson të fluturojmë.
E shoh lirinë si një të vërtetë që nuk shuhet.

E nëse nëse ju pelqen kjo ëndërr,
Them padyshim se po.
Pra, mos më zgjoni nga gjumi,
Më mire të mos e shoh
Të zhveshur siç duket nga sytë e çelë.

Prishtinë me 14 Janar 2025

 

 

MOTIVE RUGOVE

Atje ku zanat këndojnë,
Miti dhe legjenda shpalosin histori,
Mbi bjeshkët ku gurët flasin qetësisht,
Dhe uji i krojeve shkruan poezi.

Në Rugovën time, heshtja ka zë,
Flet me puhiza që përkëdhelin lisat,
Çdo shteg është rrugë drejt vetes sime,
Dhe çdo shkëmb mban kujtimet e fisit.

Me shallin e bardh rreth koke mbështjell vdekjen,
Majave vë jetën në mbrojtje të dheut,
Në hije të lisit betohemi për atdheun,
Kështu na mësuan të parët tanë në betejën e gurit.

Aty ku dielli përqafon malin,
Dhe hëna pikturon hije mbi lum,
Koha ndalet për të dëgjuar zemrën,
Ndërsa era pëshpërit fjalë të lashta.

E njeriu, i vogël, përballë përjetësisë,
Pyet për qenien, për shpirtin e humbur,
Në Rugovë gjen udhën mes përjetësisë,
Aty ku fryma e natyrës
Shndërrohet në lumturinë e thjeshtë.

 

AS DJE AS SOT, NUK HARROHET AS NESËR

Në agun e ftohtë, kur nata fliste me zjarrin,
Unë isha ushtar, në tokën e plagës së rëndë.
Atdheu në rrezik, qielli i mbuluar nga re,
E liria, si yll, vezullonte në emrin UÇK.

Këngët e dhembjes përhapeshin nëpër male,
Flamuri qëndronte mes erërave që s’ndaleshin kurrë.
Gjaku në tokë, betimi në zemër,
As dje s’u harrua, as sot nuk do të shuhet.

Në ato ditë të errëta, shpirtrat u bënë një,
Një zë që thërriste: “Atdheu nuk bie!”
Liria s’është dhuratë, është rrëfim i dhimbjes,
Historia kërkon kujtesë, përjetësisht në mendje.

Mbi dheun e shenjtë, ne u betuam,
Për çdo hap të dhënë, për çdo jetë të humbur.
Në emrin e tokës dhe nderin e flamurit,
E nesërmja, sot, dhe dje, s’guxojnë të harrojnë.

E sot, frymojmë në liri, në paqe të çmuar,
Por hija e asaj kohe ende pëshpërit në tokë.
“Mos më harro”, thërret zëri i ushtarëve,
Në çdo pëllëmbë dheu, në çdo frymëmarrje.

Kujtesa është urë mes kohëve që lidh,
Të shkuarën me të tashme, me të ardhmen
Dhe liria që kemi, është testament i gjakut.
Ne, që shijojmë këtë frymë të shenjtë,
S’guxojmë ta harrojmë, as sot, as nesër.

Të rinjtë që vijnë, mësojeni këtë:
Çdo ditë e lirë ka çmim të lartë.
Mos e lini të harrohet as loti, as gjaku,
Historia është rruga, nëpër të cilen shkohet e vihet
liria është testament.

As dje, as sot nuk shuhet, as nesër nuk vdes,
Është drita që ndez kujtesën në zemrat tona.
Faleminderit, o luftëtarë të së kaluarës,
Fryma juaj jeton, në këtë dhe që sot frymon i lirë.

Kontrolloni gjithashtu

ISA FERIZAJ: Diell je, Enver, vlerë, i fal Ti, racës shqiptare

O moj shqiptari, më e larta kryemaja, vlerë; Trojesh tua linde viganëburra, të dhanë nder! …