(Fjala e mbajtur , në Kaçanik, në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve, më 24 mars 1999)
Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe martirëve
Të nderuar të pranishëm
Jemi takuar sot këtu, në nderim dhe respekt për më të dashurit tanë, të cilët 20 vjet më parë dhunshëm dhe në mënyrë barbare i ndau nga jeta pushtuesi serb.
Sot më të dashurit tanë i kujtojmë me dhembje e krenari, me dhembje sepse fizikisht nuk i kemi më në mesin tonë, por i ruajmë kujtimet më të mira, më të dashura e më të çmuara për ta.
I kujtojmë me krenari, sepse rezistenca shekullore dhe gjaku i tyre na solli këtë liri, të cilën e gëzojmë sot, ne pasardhësit e tyre dhe do ta gëzojnë nëpër shekuj të gjithë shqiptarët, që kanë jetuar dhe do të jetojnë në trojet e tyre, në vendet tona malore ku kemi jetuar gjatë shekujve.
Kotlina jonë e dashur u bë therore lirie, në një datë të rëndësishme të historisë sonë më të re, duke shënuar një kapitull të qëndresës, heroizmit dhe të martirizimit.
Përgatitja për krim e forcave serbe kishte filluar në orën shtatë e gjysmë të mëngjesit, të mërkurën me 24 Mars 1999. Kjo ishte një befasi e tmerrshme. Ata që kishin mbetur në Kotlinë ishin tmerruar kur ushtria serbe kishin vërshuar fshatin e tyre aq herët me tanket dhe automjete të blinduara.
Për dallim nga herët tjera, kësaj radhe në sulm ishin përfshirë edhe njësitë e forcave speciale. Me shpejtësi serbët tubuan 35 burra duke i rrahur dhe duke i shqelmuar në të gjitha pjesët e trupit. Pas një kohe relativisht të shkurtër, pasi dukej se ishin ngopur me rrahje dhe ofendime të tjera këtë grumbull burrash e larguan nga fshati në drejtim të pyllit për një gjysmë kilometri.
Po atë ditë, më 24 mars të vitit 1999, kur forcat serbe kishin treguar fytyrën më barbare kundër tërë një popullate këtu në Kotlinë, por edhe në vend-luftimet e tjera të UÇK-së në Kosovë, po atë natë në orën 20.00 kishin filluar bombardimet e Aleancës Ushtarake Veriatlantike kundër caqeve ushtarake dhe makinerisë vrastare të regjimit kriminal serb, në krye me kasapin e Ballkanit, Millosheviq.
Atë natë, dhe në vazhdim të 78 ditëve e netëve të tjera do të binte mbi Serbi breshëria e raketave, bombave, të fuqisë më të madhe ushtarake të botës. Atë ditë, sa të jetë Serbia dhe serbët do ta përkujtojnë të veshur në zi, sepse ishin populli ishte shteti i vetëm që ishte dënuar për krimet e gjenocidin që kishin kryer jo vetëm mbi shqiptarët, por edhe mbi popujt e tjerë jo serbë.
Përderisa Kotlina jonë hyri në historinë tonë më të re me qëndresë dhe martirizime, Serbia mori njollën më të zezë të turpit e ligësisë njerëzore, për krimet që po kryente kundër popullatës civile shqiptare.
24 marsi është datë e shënuar jo vetëm në historinë tonë më të re të kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po luftonte sikur Davidi kundër Golijatit, por ka hyrë edhe si datë me rëndësi në enciklopeditë e botës, si një datë me rëndësi ndërkombëtare, kur bota e përparuar dhe e qytetëruar i tha stop barbarisë, krimeve e masakrave të një regjimi kriminal, i cili për 10 vjet rresht kishte përgjakur shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët.
Regjimi serb me kriminelët e vet prej qershorit të vitit 1999 nuk janë më në Kosovë, nga ku janë dëbuar përgjithmonë, ndërsa ne jemi këtu në trojet tona shumë herë të përskuqura me gjak, por tani, jetojmë të lirë dhe të pavarur, duke i përkujtuar më të dashurit tanë dëshmorët e martirët dhe të gjithë ata që gjatë shekujve dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Lavdi dëshmorëve e martirëve të kombit!