Romani “Trëndafili i bardhë” ( A feher ruzsa) është botuar për herë të parë në vitin 1853. Më vonë, ky roman së bashku me romanin tjetër “Luani i Janinës u botuan me një titull të vetëm: Ditët e fundit të jeniçerëve ( A janicsarok vegnapjai), Romani “Trëndafili i bardhë” prej kohës kur është shkruar e deri tani është ribotuar dhjetëra herë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ky roman është përkthyer në shqip nga Ahmet Qeriqi, ndërsa e ka botuar Radio-Kosova e Lirë, në vitin 2012.
Në Romanin: “Luani i Janinës”, të shkrimtarit të madh hungarez, Jokai Mor, botuar në vitin 1854, në Hungari, trajtohen ngjarjet historike, të dy viteve të fundit të jetës së Ali Pashë Tepelenës, të cilat janë shpalosur, në një histori emocionuese të kohës së lulëzimit të romantizmit evropian. Rrëfimet plot mistere dhe skena të papritura që nga fillimi e deri në fund shpalosin të dhëna historike por edhe imagjinare për kohën e Perandorisë Osmane në Ballkan, veçmas në Shqipëri e në Greqinë e decenieve të para të shekullit 19-të, ku është vendosur ngjarja e romanit. Jeniçerët kanë qenë një formacion i njohur e ushtrisë turke. Ata shumë herë kishin ngritur krye edhe kundër sulltanëve, veçmas kundër Sulltan Mahmudit të Dytë, i cili kishte bërë përpjekje për ta ripërtërirë Perandorinë që po shkonte pashmangshëm drejt shkatërrimit, por që asokohe ishte mjaft e fortë dhe e zënë me luftë në tri kontinente, në Evropë, Azi e Afrikë. Kundërshtari më i madh i Sulltanit në Ballkan dhe Evropë në deceniet e para të shekullit 19-të pa dyshim se ishte Ali Pashë Tepelena, i cili sundonte në pjesën më të madhe të Ballkanit, si pasha i Turqisë, por pa i përfillur urdhrat e Sulltanit, ose duke i përfillur vetëm atëherë kur nuk i cenoheshin interesat e tij.
Shumë prej elementëve romantikë të realitetit historik të kohës janë pasqyruar me mjeshtëri në këtë libër me imagjinatën e Jókai Morit. Perandoria Osmane dhe ngjarjet e përgjakshme historike, luftërat komplotet më Pallatin e Sulltanit dhe kudo në trojet e sarajet e pashallarëve të saj, janë përshkruar me realizëm. Pastaj luftërat dhe përpjekjet e popujve të Ballkanit e më gjerë për çlirim nga despotizmi i pashallarëve, veçmas nga ai i Ali Pashë Tepelenës, për të cilin shtypi i Evropës shkruante se Perandoria kishte dy Sulltanë, një në Stamboll, tjetri në Janinë duke i shtuar të gjitha këtyre dhe imagjinatën romantike të shkrimtarit, janë tërësia organike e romanit që rigjeneron në këtë vepër dhe që është njëra ndër më të mirat të romantizmit hungarez e evropian, mjerisht e panjohur deri tani për publikun lexues shqiptare Por thelbi i kësaj historie të mrekullueshme, që rrëfehet në këtë roman është ndërthurur ashtu sikur edhe në romanet e tjera të këtij autori me përmbajtje historike, si një ngjarje mjaft e besueshme, për botën turke të kohës dhe njohurinë çuditërisht të saktë të jetës turke, të cilën, Jokai Mor e ka shpalosur me një realizëm të jashtëzakonshëm. I tillë ka qenë ky shkrimtar edhe në romanin tjetër, “Trëndafili i Bardhë” ku po ashtu personazh kryesor ka komandantin e jeniçerëve, shqiptarin nga Hurpishti i Manastirit, Halil Patrona
Emineja, ( Ditët e fundit të Ali Pashë Tepelenës)
Luani ishte mbyllur brenda një sheshi prej gjashtë oborresh, në një Kullë të ngushtë dhe nga katër frëngjitë kishte parë se forcat armike ishin nisur drejt vendit të fundit, të cilin ende e kishte nën kontroll. Atje ai rrinte ulur në një dhomë tetëkëndëshe, në të cilën kishte kaluar aq shumë momente të paharrueshme gjatë jetës së tij.
Tani kishte përthekuar kokën me duart e tij duke sjellë në kujtesë momentet e së kaluarës, kur para syve dhe mendjes së tij gjithçka ishte kishte përfshirë një si një procesion me hije melankolike. Rreth tij ishin edhe thesaret, që i mbante aty, në grumbujt prej ari dhe argjendi, pllaka masive të arit, gurë të çmuar të llojllojshëm, të cilët tashmë shtriheshin të shpërndara, rrëmujë mbi dyshemenë, sikur të mbushur me rërë e zhavorr.
Nga të gjithë të afërmit e tij, nga të gjithë luftëtarët e tij, tanimë nuk ishte as edhe një i pranishëm te Pashai. Të gjithë besnikët kishin rënë në fushën e betejës, duke luftuar me të ose kundër tij. Nga shtatëdhjetë luftëtarët e tij të fundit, që ishin strehuar në Kullën e Kuqe gjashtëdhjetë e katër e kishin braktisur atë. Hurshid pashai u kishte premtuar një falje të gjithë “tradhtarëve” të Perandorisë. Vetëm gjashtë prej tyre kishin mbetur me Aliun. Edhe pse kishin mbetur vetëm gjashtë Aliu edhe atyre u kishte thënë të largoheshin dhe ta shfrytëzonin faljen e Sulltanit të Stambollit.
Gashtë besnikët e tij ishin tubuar dhe kishin marrë qëndrim për të mos e lënë vetë Ali Pashë Tepelenën. Ai i kishte shikuar të gjithë, një nga një dhe secilin mes përmes. Mund të lexonte në fytyrat e tyre atë që ata donin. Shihte pamjen e tyre të hutuar dhe sytë e tyre të pasigurt. Ai nuk priti që ata të flisnin.
– Shkoni, shko edhe ti, i tha të fundit. Shkoni atje ku të tjerët kanë shkuar. Jeta është e ëmbël, të jetoni gjatë dhe me fat të mirë. Unë do të mbetem këtu. Ali Pashë Tepelena do të vdesë i vetëm.
Duke psherëtirë thellë, ushtarët u larguan. Ata nuk guxonin të ngrehnin sytë për të parë fytyrën e veteranit me flokë të thinjur. Pa zhurmë dhe pa asnjë fjalë, duke ecur në majat e gishtërinjve të tyre, pesë prej tyre u tërhoqën. Por i gjashti kishte mbetur akoma në odën e Aliut. Ai pas një kohe iu kishte drejtuar Pashait.
– O zotëria im, hidhni poshtë krenarinë nga zemra juaj, mos e leni që emri juaj të humbasë namin! Sulltani është i mëshirshëm, përkuleni kokën para tij dhe ai do të iu falë!
Sapo ushtari kishte shprehur fjalën e fundit për dorëzim Ali Pasha lehtas kishte tërhequr pistoletën nga brezin e tij dhe e kishte goditur mu në kokë. Ai ishte rrotulluar disa herë, por kishte mbetur i vdekur në pragun e derës.
Ky ishte i gjithë shpërblimi që mori për këshillat e mira e të buta që ia kishte dhënë Aliut, duke e këshilluar që ai t’ i drejtohej Sulltanit për mëshirë.
Dhe vetëm atëherë Aliu kishte mbetur fill i vetëm. Dyert e tij, portat e tij qëndronin të hapura. Kushdo që do të kishte dashur ose që do t’ i kishte pëlqyer, mund të hynte e të dilte brenda e jashtë. Pse, atëherë, askush nuk kishte guxim të vinte për të kapur veteranin vetmuar?.
Pse ata kanë aq shumë frikë ta kalojnë pragun e armikut të tyre, i mbetur krejtësisht vetëm?
Pas një kohe kishte dëgjuar një zë te shkallët dhe përmes derës së hapur, ku dergjej kufoma e ushtarit të fundit, të cilin e kishte vrarë Aliu, hyri një njeri i çuditshëm, i veshur me një uniformë të re të pazakontë. Ai ishte silahdari i Hurshid Pashës.
Ali Pashë Tepelena e lejoi që futet brenda në pesë hapave largësi ku ai ishte ulur, dhe pastaj i bëri thirrje atij të ndalet.
– Fol, çfarë dëshiron? I kishte thënë atij.
– Ali Pasha kam ardhur të të them të dorëzohesh, sepse nuk të ka mbetur askush në botë që do t’iu ndihmojë. Komandanti im Hurshid Pasha më ka dërguar të marr shpatën tënde dhe të shoqëroj në kampin e tij!.
Ali Pashë Tepelena, krejt gjakftohtë, sikur të ishte zgjuar nga një ëndërr nxori nga kaftani i tij një orë e mrekullueshme të arit me rrathë diamanti.
– Dëgjo pra, i tha ai me një zë të ulët dhe të butë. Tani janë njëzet minuta pa kaluar ora në dhjetë. Merre këtë orë dhe ta mbash atë si kujtim nga unë. Përshëndete Hurshid Pashën nga unë, dhe i thoni atij se ishte njëzet minuta në dhjetë, koha kur keni folur me mua, dhe le ta marrë vesh se nëse pasi të ketë kaluar ora njëmbëdhjetë, nëse unë shoh nga frëngjitë e kullës sime qoftë edhe një ushtar të vetëm armik në oborrin e kalasë, atëherë, unë betohem në mëshirën e Allahut, se do të godas fort me tërë fuqinë e shpërthimit nga brenda të të gjithë asaj që ndodhet në këtë Pallat. Informoje Hurshid Pashën për këtë kur t’ia jepni përshëndetjen time.
Silahadari nxitoi jashtë, duke u lëshuar me të katërta, sepse nuk ishte i sigurt se mund të arrinte deri në orën njëmbëdhjetë, në mënyrë që t’i shpëtonte ata që duhej të largoheshin nga oborri i kështjellës së Janinës. Për së gjalli Kështjella a Ali Pashë Tepelenës tiranit të fuqishëm të Epirit, nuk bie, pavarësisht se atje nuk ka mbetur askush përveç zemrës së pamposhtur të Aliut.
Nata kishte filluar të zbriste mbi fortesën e Janinës, por gjumi nuk zbriste në sytë e Aliut.
Ai ishte ulur në Kullën e Kuqe, ku kishte vrarë kundërshtarët në atë kullë, ku sa e sa viktima të tij kishin dhënë jetët e tyre me psherëtimat e torturave të fundit të tyre, në atë kullë rreth e rreth me thesare të shkëlqyera që shikonin Aliun sikur me sytë e zjarrit që shkëlqen. Aty ku ishin grumbulluar të gjitha çmimet e plaçkitjes, mashtrimit, të tradhtisë. Çka do të ndodhte nëse këto gjëra do të mund të flasin?
Çdo gjë tani ishte e heshtur. Nata sterrë e zezë po përhapej përpara syve të njerëzve dhe po hetonin sikur hijet lëviznin përreth si fantazma të zbehta, fantazma me fytyra të përgjakshme, të cilat dukej sikur ishin ngritur nga varri për të parë persekutuesin e tyre dhe për t ia kumtuar orën e vdekjes.
Aliu nuk u drodh para atyre fantazmave. Ai i kishte parë ato edhe në raste të tjera. Ai kishte fjetur ballë për ballë me kokat e tyre të prera, por i dukej se kishte dëgjuar fjalët enigmatike të xhindit të Seleukit, që iu kishte kthyer përsëri në mendje. Qetësisht, ai dukej përsëri se po jetonte të tashmen e jetës së tij të kaluar, nga e cila u krijuan dhe shikuan shumë forma të tmerrshme me sy të ftohtë si gurë. Nuk kishte pse dyshonte, All-llahu kishte urdhëruar të bëhej ashtu dhe ishte bërë. Lepuri gërmon rrënjën, dhelpra gllabëron lepurin, gjahtari gjuan prenë, luani gjuan gjahtarin, por edhe një krimb nga brenda, e ha Luanin. Çfarë, ka mbetur nga Ali Pasha në fund të fundit? Asgjë, për veç një krimb më i madh se pjesa tjetër. Ai ka ngrënë shumë, dhe tani një më i fortë se ai, e gllabëron një krimb ende më i madh e më i fortë.
Çdo gjë u përmbush ashtu sikur që ishte profetizuar. Bijtë e tij, gruaja e vet, nipat dhe krejt krahët e tij kishin luftuar kundër tij. Nëse vetëm gruaja e tij nuk e kishte bërë këtë, ai mund ta kishte mbajtur pjesën tjetër.
“Një, ose dy vjet më parë, i kishte thënë zëri në Shpellë dhe dy vitet ishin duke kaluar. “Dora, e cila fshin veprat e të fuqishmëve do të zhduket gjithashtu nga veprat e tua dhe ti nuk do të jesh një hero i admiruar nga bota, por një skllav që për një kohë do të mallkojnë. Ti do të bekosh orën e vdekjes sate, madje dhe armiqtë e tu do të qajnë, dhe Perëndia do të urdhërojë për ta shmangur shkatërrimin e kombit tënd”.
Pra, kështu është, kështu është bërë tashmë. Vdekja ka shkuar kundër atij, dhe nga ai nuk ka mbetur asgjë. Nëse vetëm gruaja e tij të mos e kishte tradhtuar atë!
Edhe në raste të tjera, Aliu i kishte parë këto fantazmat e natës. Ai i kishte parë ato të ngriheshin të zbehta nga varri, të zbehtë dhe të përgjakshme, por në zemrën e tij gjithmonë kishte qenë në një strehë të ëmbël, vajza e re simpatike me fytyrën, sikur të fëmijëve me sytë sikur të engjëjve, që e kishin plaçkitur me magjinë dhe fuqinë e të gjitha gjërave.
Ali Pashë Tepelena kujtonte kohën kur ajo e mbulonte kokën e saj nën mjekrën e gjatë, të thinjur e shumë të dendur të Aliut, me flokët e saj të bukura, si në hijen e Parajsës. Ato kujtime torturuese e kishin ndjekur pas. Përse duhej ta kishte humbur? Ajo ishte e para femër që e kishte dashur, por fati bëri që në kohën e fundit e kishte lënë edhe ajo. Edhe tani, në çastet e fundit të jetës, mendimet e tij ishin kthyer tek ajo. Drita e zbehtë e asaj fytyre, e sjellë në kujtesë ia kishte lehtësuar shpirtin e tij të vetmuar, të errët, i cili ishte i vetëm dhe i shkretuar sikur ishte edhe nata jashtë.
Por ja! Dukej sikur nata kishte filluar të bëhej më e ndritshme. Njëlloj drite rrëshqet përgjatë mureve dhe një shkëlqim sikur i diellit, ishte përhapur papritur përmes derës së hapur të dhomës. Pashai kishte shikuar me habi në atë drejtim. Kush mund të ishte vizitori i tij në atë orë? Kush po shkonte për t’ ia përzënë fantazmat dhe errësirën nga dhoma dhe nga zemra e tij?
Një trajtë e zbehtë e figurës së një femre, me një buzëqeshje dhe lot në fytyrën e saj, ishte shfaqur para tij. Kishte shkuar drejtë deri në vendin ku rrinte ulur në tokë Ali Pashë Tepelena. Ajo vendos pishtarin e saj në një varëse hekuri te muri dhe qëndron para Pashait.
Aliu e kishte shikuar me trishtim. Ai mendonte se tërë kjo nuk ishte tjetër vetëm një ëndërr, vetëm një nga ato shfaqje të krijuara në një mendje e tmerruar, si ata që ecën pranë tij pa kokë dhe të përgjakur. Ishte Emineja, emri i së cilës e kishte frymëzuar si furtuna shkatërruese kundër despotëve më të fuqishëm.
Ali Tepelena nuk u besonte syve as zemrës së tij kur e pa atë në dhomë, para tij. Vajza e mori plakun nga dora dhe i thirri emri i tij, madje edhe tani Pashai besonte se ngrohtësia e asaj dore dhe ëmbëlsia e atij zëri ishin vetëm një pjesë e një ëndrre.
– Pse erdhe këtu?- e pyeti ai me një zë si pëshpëritje, apo ndoshta nuk e kishte pyetur fare por vetëm ëndërroi që e kishte pyetur.
Megjithatë, vajza e hijshme, e bukur dhe me vështrim të fëmijës së pafajshëm ishte ulur aty pranë këmbëve të tij. Herë të tjera, ajo kishte ngritur kokën e tij të thinjur mbi gjoksin e saj dhe ia kishte mbuluar fytyrën si me një ombrellë me flokët e saj të gjatë sikur në kohët e lumtura që tashmë ishin zhdukur.
Oh, sa e ëmbël do të ishte jeta po të kishte të jetonte akoma!
– Oh, Ali Pasha, largoje dorën e vdekjes nga dora jote dhe kape dorën time që po ta zgjas. Shiheni sa e ngrohtë është. O Ali Tepelena ngrihu nga mesi i këtyre fuçive të barutit, dhe më mirë hedh kokën tënde mbi gjoksin tim dhe dëgjo si rreh! O Ali Pasha kërko mëshirë nga Sulltan! Shiko sa e bukur është jeta!
Vetëm kur dëgjoi ato fjalë Aliu erdh në vete. Armiqtë e tij kishin kërkuar nga kjo grua, e vetmja qenie që ai e donte dhe e kishin dërguar tek ai me qëllim për ta zbutur zemërimin e shpirtit të tij dhe për ta zbutur zemrën e tij me përkëdheljet e saj. Oh, sa mirë e kishin kuptuar ata zemrën e tij!
– Kurshid Pasha është betuar se do të marrë vendimin e Sulltanit për të falë ty i tha Emineja, me një ton bindës. Ai shkroi një letër dhe i shtypi sipër vulën e tij ku thuhet, se ti kurrë nuk do të vdesësh nën duart e xhelatit, që vdekja jote të mos jetë e dhunshme, përveç nëse ai bie në fushën e betejës. Ja, këtu është letra!
Nëse në atë moment Aliu do ta kishte dëgjuar zemrën, ai do ta kishte zgjatur dorën e nënshtrimit pa ndonjë letër amnistie, por në vend të kurorës së shpëtimit, krenaria e tij vendos më lart se zemra dhe e kishte refuzuar ofertën.
– Allahu mund ta përulë Aliun, por Aliu nuk do ta përulë kurrë veten e tij.
– Atëherë ti a nuk do të jetosh më me mua? – pyeti Emineja duke e ngulur vështrimin saj mbi fytyrën e Pashait. Aliu kishte tundur kokën në heshtje.
– Atëherë pra unë do të vdes këtu, bashkë me ty! Kishte bërtitur vajza, me një zë të vendosur. Pashai e shikonte atë me habi.
– Betohem, bërtiti Emineja dhe vazhdoi: Unë ose do të kthehem me ty ose do të vdes këtu me ty! A e dëgjon atë zhurmë? Ata janë duke i përplasur armët nga jashtë. Në këtë moment çdo dalje është e mbyllur, kështu që edhe nëse doja të ikja nga kjo dhomë, dalje nuk ka më Këto dyer mund të hapen sërish vetëm me një fjalë të Aliut dhe ata do të hapen edhe një herë. Ose do të shkosh me mua nga këtu, ose unë do të mbetem këtu ty.
Aliu e afroi vajzën në gjirin e tij. Ajo u ngjit atje si një lule e zgjedhur. Ai e puthi me buzët e tij në ballin e saj të zbehtë që e kishte mbuluar me fustanin e saj të mëndafshit dhe i kishte pëshpëriti me një zë të zhurmshëm:
-Le të bëhet kështu pra: Këtu do të vdesim së bashku!
Herët në mëngjes, një buçimë e trumbetave u zgjoi nga gjumi Pashanë e Janinës. Ai ishte i zoti kullës së fundit të Janinës. Zëri i Hurshid Pashës ishte duke qëndruar poshtë dritareve të rrumbullakëta dhe duke kumtuar me një zë të lartë mesazhi e përgjithshëm drejtuar Ali Pashës. Ai e thirri Aliun të dorëzohet vullnetarisht në forcën e sigurimit duke i konfirmuar betim që i kishte dhënë gruas së pashait
Ali Pashë Tepelena ishte shfaqur në dritare me Eminenë që ishte mbështetur në gjirin e tij.
– Kthehuni mbrapa dhe i thoni atij që u ka dërguar se Aliu dhe gruaja e tij kanë vendosur të vdesin së bashku, këtu. Në çastin kur vetëm një ushtar i armatosur hyn në oborrin e kësaj kështjelle menjëherë do ta hedh në erë, tërë kullën .
Pas një gjysmë ore lajmëtari u kthye dhe përsëri i thirri Aliut që rrinte te frëngjia.
– Hurshid Pasha ju dërgon këtë mesazh, Nëse doni të dorëzoheni, është mirë dhe nëse nuk dorëzoheni, është mirë gjithashtu. Ju keni vetëm një gjysmë ore ku mund të zgjidhni midis jetës dhe vdekjes. Pas kësaj mund të bësh, çka të dëshirosh, hidhe pishtarin tënd mbi fuqitë e barutit dhe ngrite kështjellën në ajër. Sa i përket Hurshid Pashës ai nuk shqetësohet aspak. Ndërsa ti dhe thesaret tua do të ngriheni në ajër, dhe kur ata të bien sërish në tokë, do të jetë më lehtë për t’i marrë ato. Megjithatë, nëse vonon zgjidhja jote përtej gjysmë ore, atëherë Hurshid Pasha vetë do të të ndihmojë në këtë çështje dhe do të hedhë në erë kulmin tënde nëse ti nuk do ta hedhës veten tënde në erë. Bëni ashtu si doni, dhe ngriheni flamurin e bardhë ose të kuq siç të duket më mirë për ty, sepse për një gjysmë ore Kalaja e Janinës nuk do të shihet më.
Aliu dëgjoi solemnisht ultimatumin e fundit, dhe e la të dërguarin pa përgjigje.
Emineja ishte shtrirë në një qoshe divanit dhe gjithë shtati i dridhej. Ali ishte ngritur në dhomën e Gjatë dhe kishte ecur me hapat e gjata, por hapat e tij u bënë gjithnjë e shumë më të pasigurt. Vetëm kjo grua po të mos ishte këtu! Nëse vetëm ajo mund të shpëtonte duke mund të kursente gjysmë ore vendim, për atë që ai donte të bënte! Megjithatë, minutë pas minute koha kaloi dhe ende Ali Tepelena nuk mund ta ndante mendjen.
Dy herë e kishte kapur me dorë pishtarin e ndezur për ta bërë vendin hi e pluhur, por në çdo rast syri i tij kishte rënë mbi gruan që rrinte shtrirë në Divan, e cila po dridhej duke e parë me sytë e saj vdekjen nga dora e tij. Jo, jo, ai ishte më i aftë sesa për të bërë atë vepër të tmerrshme. Dhe tani erdhi ora. Koha kishte kaluar. Ali ndjeu një presion të fortë rreth zemrës së tij. A do ta kryente kërcënimin e tij të tmerrshëm Hurshid Pasha?
Në atë çast diçka doli jashtë kështjellës, dhe një moment më vonë një plumb çeliku i kuq i nxehtë kishte shpërthyer përmes kulmit të metalit dhe kishte rënë në shtratin masiv i kullës me një përplasje të dhunshme. Rënia e rëndë e plumbit në dyshemenë prej mermeri, lëvizi prej andej, dhe duke kaluar mes fuqive të barutit, duke përshkruar një gjysmërreth të gjerë, kishte goditur murin e kundërt, në të cilën kishte bërë një vrimë të thellë, nga e cila po përhapej një shkëlqim i verdhë në të kuqe, duke detyruar të ndizej nga lagështia e azotit të mureve.
Aliu tanimë ishte i bindur se armiku ishte mjaft afër për ta mbajtur premtimin e tij.
Gruaja e frikësuar, e çmendur nga frika e hodhi veten në këmbët e tij dhe rrëmbeu velin e bardhë nga koka e saj, të cilin ia kishte dhënë në dorë Pashait. Ali Tepelena kishte kapur shpejt vellon, e kishte varur atë në pikën e lartë dhe e kishte ngritur atë nga dritarja e rrumbullakët.
Jashtë kullës, forcat në rrethim kishin filluar brohoritjen e fitores.
Emineja i kishte puthur duart Aliut dhe ishte ulën te këmbët e tij. Ali Tepelena i kishte dhënë asaj më shumë se gjithçka në jetë. Për hir të saj ai e kishte përulur krenarinë e tij dhe nuk ishte bërë pluhur e hi. Ai mund të kishte vdekur, ashtu sikur kishte jetuar!
– Shko tani, i tha gruas me një psherëtimë; Shko dhe u thuaj armiqve të mi që ata të mund të vijnë e të më marrin mua. Unë tani jam në duar të tyre.