CILA ËSHTË ALTERNATIVA REALE NDAJ KAPITALIZMIT?
Një marksist analitik nga më të njohurit e shekullit tonë ( ka ndërruar jetë në 2018) , Erik Olin Wrig, ka shkruar “Si të jesh një anti-kapitalist në shekullin 21”, një vazhdim i veprës së tij “Ndërtimi i utopive reale”.
Në këto shkrime të argumentuara mirë, ai flet në favor të një strategjie që e kupton socializmin si një demokraci ekonomike, të mbështetur nga forma hibride të ekonomisë antitrust, të cilat ndonjëherë përfshijnë nisma publike, por mbi të gjitha kooperativa të mëdha sociale.
Kapitalizmi ka transformuar botën dhe ka rritur produktivitetin tonë, por me koston e vuajtjeve të mëdha njerëzore. Vlerat tona të përbashkëta – barazia dhe drejtësia, demokracia dhe liria, komuniteti dhe solidariteti – mund të ofrojnë bazën për një kritikë ndaj kapitalizmit dhe të na ndihmojnë të na drejtojnë drejt një shoqërie socialiste dhe demokratike.
Erik Olin Wright ka distiluar dekada pune në këtë manifestim konciz dhe të argumentuar fort: duke analizuar varietetet e antikapitalizmit, duke vlerësuar qasje të ndryshme strategjike dhe duke hedhur bazat për një shoqëri të përkushtuar ndaj prosperitetit njerëzor.
Një botë tjetër është e mundur. Një botë ndaj mirëqënies e dinjitetit njerëzor. Megjithatë sot nuk ka asnjë vend socialist, sipas përkufizimit marksist. Por kundërshtarët politikë me djallëzi dhe qëllimisht spekulojnë me termat “komunizëm dhe socializëm”, duke etiketuar shtete dhe individë që janë në kundërshtim me ideologjinë e tyre neoliberale, neonaziste apo revanshiste. Shpesh përdorin të njëjtin term “socializëm” për të përshkruar sisteme shumë të ndryshme. Për shembull, ekonomitë kryesore skandinave – Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda – shpesh quhen “demokraci sociale” ose thjesht “socialiste”. Në mënyrë efektive, ato janë vende kapitaliste të tregut të lirë. Ky fakt harrohet nga shumë njerëz, por ekonomitë e tyre janë plotësisht të hapura dhe tregtojnë globalisht si shumica e vendeve në botë. Por në vend që qeveria të drejtojë të gjithë ekonominë, vende të tilla balancojnë konkurrencën e tregut me rrjeta të fuqishme të sigurisë shoqërore. Kjo do të thotë kujdes shëndetësor pothuajse universal dhe ligje që mbrojnë në mënyrë rigoroze të drejtat e punëtorëve. Dhe kjo funksionon më së miri .
Funksionon se ekziston një shkallë ndërgjegje e popullsisë e cila beson në rrugën që ka zgjedhur. Një alternativë e tillë mund të konsiderohet si “alternativa e mirëqënies”. Ky term i referohet një lloji të qeverisjes në të cilën qeveria kombëtare luan një rol kyç. Një shtet social mbështetet në parimet e barazisë së mundësive, shpërndarjen e barabartë të pasurisë dhe përgjegjësinë publike për ata që nuk janë në gjendje të përfitojnë.
Kanë kaluar katër dekada që kur globalizimi neoliberal filloi të riformësojë rendin botëror. Gjatë kësaj kohe, axhenda e saj ka dëmtuar të drejtat e punës, ka vendosur kufij të ngurtë në deficitet fiskale, ka sakrifikuar prodhimin vendor për zinxhirët e furnizimit shumëkombësh dhe ka privatizuar asetet e sektorit publik.
Pavarësisht se kush vjen në pushtet, pavarësisht se çfarë premtimesh bëhen para zgjedhjeve, të njëjtat politika ekonomike ndiqen. Ndërrohen vetëm pronarët e pushtetit, kurse varfëria ngelet po ajo, polarizimi midis të pasurve dhe të varfërve mbetet po ai.
Sovraniteti i njerëzve, me pak fjalë, zëvendësohet nga sovraniteti i financave globale dhe korporatat e koncesionerëve të huaj e të brendshëm të integruara me të. Rezultati sot është një regjim pervers i përcaktuar nga lëvizja e lirë e kapitalit. Kjo lloj demokracie e rreme, e pohimit në parim, por mohimit në realitet, është një skandal në historinë e demokracisë: Një Model Varfërues e Poshtërues kundrejt Alternativës së Mirëqenies si Model Dinjiteti.
EPILOG
Kuptohet se asnjë vend nuk mund të jetë socialist, ashtu si edhe nuk mund të jetë çdo vend plotësisht kapitalist. “Ideale do të ishte që të modelohej një shtet ku të realizonte mirëqënien gjithëpërfshirëse suedeze, sistemin kombëtar të kujdesit shëndetësor të Kanadasë, programin mbarëkombëtar të kujdesit për fëmijët në Francë , programet e shkrim-leximit të Nikaragua-s, sistemin arsimor individual të Finlandës dhe drejtësinë me juri britanike. Mirëpo për këtë “ëndërr” duhet të lindë një Marks tjetër pragmatist.
Deri në realizimin e kësaj “ëndrre”, sot për sot modeli nordik dhe i disa vendeve të zhvilluara europiane janë më dinjitozët në realizimin e mirëqenies sociale. Ata nuk janë as socialistë, as kapitalistë por thjeshtë, një alternativë e tretë “hibride” që pasurinë e siguron në mënyrë kapitaliste (ekonominë e tregut), kurse rishpërndarjen e kësaj pasurie, e bën në mënyrë socialiste me shërbime ndaj njerëzve në shëndetësi arsim, sigurimet shoqërore, etj, duke balancuar konkurrencën e tregut me një rrjet të fuqishëm të sigurisë shoqërore.