Prej disa ditësh, kryetari i PD, Lulzim Basha është vendosur në akuzë publike se ka shërbyer si përkthyes i grupit hetimor të Hagës për të ashtuquajturat “krime lufte të UÇK-së”. Mirëpo Sali Berisha e PD-ja kanë ngritur pretendimin se ai nuk ka shërbyer kurrë si përkthyes i grupit që hetonte UÇK-në. Ndërkohë, hetuesi i EULEX-it, peruani, Jose Pablo Baraybar që ka punuar në shumicën e skenave të krimeve të luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë thotë se ka mundur të hyjë dy herë në Shqipëri dhe për përkthimet e ka ndihmuar Lulzim Basha. Në një intervistë në vitin 2010, ai konfirmonte se gjatë kohës që ishte në Kukës për të kërkuar për varrezat e viktimave të shkaktuara nga ushtarët e UÇK-së, ai shoqërohej dhe asistohej nga Lulzim Basha. “UÇK-ja kishte baza edhe në Shqipëri. E më saktë në Kukës. Në 2003 kur kam qenë aty për herë të parë, arrita të shoh një prej këtyre kampeve. Kam intervistuar dhe njerëz që ishin dërguar atje”, thotë Baraybar.
Në pyetjen se a kishit si përkthyes ministrin aktual të brendshëm, Lulzim Bashën, Jose Pablo Baraybar ka pohuar se ka qenë së bashku me të gjatë vizitës së pranverës së 2003, në Kukës. Lulzim Basha punonte për UNMIK-un kur unë kam qenë atje. Në 2002 ai ka qenë aty dhe në pranverën e 2003 erdhi me mua dhe me dikë tjetër në Shqipëri. Erdhi me ne në atë ndalesë në zonën e Kukësit. Kjo është e vërteta, ka saktësuar peruani, Baraybar. (Dita)