Ju dha lamtumira e fundit Hajdin Berishës
08/09/2024
Institucionet, Njoftime
Sot (e dielë 8 shtator 2024) i është dhënë lamtumira e fundit veteranit të UÇK-së, ish nënkryetar i Komunës së Malishevës, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe kryetar i degës së Nisma Social Demokrate në Malishevë, Hajdin Berisha.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, u organizuan homazhe dhe një mbledhje komemorative në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati. Në këtë ceremoni, morën pjesë personalitete nga jeta politike, shoqërore dhe fetare, bashkëluftëtarë të tij, struktura ushtarake dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij, kryetari i NISMA Social Demokrate, Fatmir Limaj, vlerësoi kontributin e Hajdin Berishës gjatë periudhës së organizimit studentor dhe luftës çlirimtare, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme për lirinë e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit pasluftës.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, shpërtheu në emocione duke e përkujtuar Hajdin Berishën si shok të idealit dhe bashkëpunëtor në përpjekjet për liri dhe zhvillim të pasluftës, duke shprehur keqardhjen për ndarjen e tij të parakohshme.
Bashkëvendasit dhe shoku më i afërt i Hajdin Berishës, Afrim Berisha, përshkroi jetën e tij nga fëmijëria deri në ditët e fundit, duke ndarë momente nga aktivitetet e tij politike dhe ushtarake.
Metush Kryeziu nga OVL e UÇK-së, theksoi vlerat e larta njerëzore dhe përkushtimin e Hajdin Berishës si një veteran i luftës dhe invalid, duke i bërë thirrje familjes që të ndjehet krenare për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Në emër të familjes, të gjithë pjesëmarrësi ti ka falënderuar Endrit Berisha, i cili mes lotësh shprehi falënderimin e tij për organizmin dhe respektin për xhaxhin e tij, Hajdin Berisha.
Ceremonia e varrimit u përmbyll me nderime ushtarake nga Garda Ceremoniale e FSK-së, ndërsa Hajdin Berisha u varros në varrezat e fshatit Gurbardh, duke lënë pas një trashëgimi të paharruar për të gjithë ata që e kanë njohur.