Sot në Gjilan, jugo-nostalgjikët e kohës së Titos e të Rankoviqit kanë thirrur një protestë për të mos largimin e përmendores së ushtarit të plagosur “ranjeni borac” pranë parkut të qytetit. Koha Ditore bën të ditur se ndryshimi i lokacionit të shtatores “Ushtarëve të Ramë” në Gjilan ka shqetësuar në masë të madhe qytetarët e Gjilanit, pasi kjo shtatore ka identifikuar qytetin për dekada të tëra dhe është bërë pjesë e memories kolektive të gjilanasve. Kjo shtatore ka kuptim të plotë vetëm në vendin ku ishte më herët. Duhet ta ruajmë qëndresën e saj ndër vite, dhe ta ndajmë me të tjerët çfarëdo që të jetë historia e saj”. Pra edhe nëse ka qenë histori pushtuese kriminale shqiptar-vrasëse, ashtu sikur edhe ka qenë botërisht, sipas bijve dhe bijave të ish regjimit pushtues jugosllav, përmendorja u dashka të ruhet për hir të historisë, për hir të artit.
Po të kërkonte Lista serbe në Gjilan të mos lejohej zhvendosja e kësaj përmendoreje, ajo edhe do ta kishte arsyen e vet sepse angazhohet hapur për kthimin e Serbisë në Kosovë, por kur ruajtjen e kësaj përmendoreje e kërkojnë shërbëtorët e ish regjimeve, mercenarët e djeshëm e të sotëm të Serbisë, ky është sulm mbi viktimat e Masakrës së Gjilanit të vitit 1945 e më pastaj deri në qershor të vitit 1999 deri kur këto troje u çliruan me luftën e UÇK-së dhe ndihmën nga ajri të aeroplanëve të NATO-s.
Është për keqardhje dhe e pakuptimtë për liridashësit e Gjilanit, qe për 18 vjet pas luftës kanë duruar në qytetin e tyre një përmendore simbol të luftës antishqiptare. Po të ishte fjala për heronj partizan si Emin Duraku, Abdullah Presheva, Selami Hallaqi e të tjerë, përmendoret e tyre nuk do të duhej të largoheshin, por përmendoret e bashkim vëllazërimit dhe partizanëve e çetnikëve të Serbisë nuk duhet të kenë vend as nën tokë të Kosovës e jo më në sheshet e qyteteve. (RKL)