Jusuf Bytyçi: Qazim Bajraktari ra për idealet e Shqipërisë etnike

Jusuf Bytyçi: Qazim Bajraktari ra për idealet e Shqipërisë etnike

Qazim Bajraktari, i biri i Alushit (Lush) e nënë Hamides dhe nipi i Rrustë Kabashit, ka lindur në Astrazup të Llapushës, më 17 shkurt 1906. Krahina e Llapushës që i takonte Bajrakut të Astrazupit, kishte 56 fshatra.

Atdhedashurinë, Qazimi e kishte trashëguar nga i ati Alush(Lush) Bajraktari dhe xhaxhai Abazi. Në vitin 1900, Abazi dhe Alushi i kishin mbledhur krerët e të gjitha fshatrave të Bajrakut të Astrazupit, në Xhaminë e Banjës, në një tubim të madh, për t’i pajtuar gjaqet dhe ngatërresat që mbretëronin në mes tyre, pastaj për t’u përgatitur për luftë kundër Hyrjetit turk të asaj kohe.

 Luftën e Banjës e nisi në vitin 1920, e udhëhequr nga Bajraku i Astrazupit, në krye të së cilës ishin Alush (Lush) Bajraktari, Abaz Bajraktari dhe Asllan Laci. Veprimtaria e atdhetarit Qazim Bajraktari, për idealin e tij për Shqipërinë etnike, fillon nga viti 1930 deri në vitin 1947, pa u ndërprerë fare, deri në rënien e tyre.

Në vitin 1941, nën drejtimin e Ilaz Agushit dhe Mithat Frashërit, formuan brigada vullnetare për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike nga hordhitë serbo-çetnike.

Më vonë, prej brigadave formuan Çetën e Garaçevës, e cila në fillim kishte 150 luftëtarë, ndërsa më vonë u ngrit në 800-1000 luftëtarë, të cilët ndonëse vinin nga të gjitha viset e Kosovës, kryesisht ishin nga rrethina e Bajrakut të Astrazupit.

Këta për komandant e kishin zgjedhur Qazim Bajraktarin, i cili u kishte prirë luftërave prej vitit 1940 deri më 17 shkurt të vitit 1947. Sipas burimeve historike, hordhitë serbo-çetnke, të udhëhequra nga kryeçetniku Drazha Mihajloviqi, të etura për zaptimin e trojeve shqiptare, filluan të organizojnë ofensiva të ashpra, duke bërë spastrime dhe masakra nda popullatës shqiptare në çdo vend ku kishte fshatra shqiptare, pa lënë anash as fshatrat jashtë territorit të Kosovës, të banuara me shqiptarë, Rugovë, në Mal të Zi e në Serbi, Kolashin, Bihor, Çakorr, Novi Pazar (Tregu i ri), Plavë, Gusi, e shumë vise tjera. Ishte nëntori i vitit 1944, kur Qazimi nuk u pajtua me hordhitë e sllavo- komuniste dhe me të ashtuquajturën (OZNA)-n famëkeqe, të cilat filluan përndjekjet e udhëheqësve të Ballit kombëtar. Qazimi bashkë me vëllaun Qerimin, Ukë Sadikun, Marije Shllakun, Haki Sadriun, Ndue Përlleshin, Zef Gjidodën, Alush Smajlin e shumë e shumë trima të tjerë, vazhduan veprimtarinë kombëtare për një Shqipëri etnike.

Në prill të vitit 1945, pas shpërndarjes së Brigadës së Shaban Polluzhës, grupet e luftëtarëve të cilat kaluan në malet e Drenicës, nisin formimet e luftëtarëve në Grykën e Garaçevës, me mbi 3000 ushtarë nga të gjitha viset e Kosovës, të udhëhequra nga komisari politik, profesor Ymer Berisha. Veprimi me kaq shumë luftëtarë, por pa kushte ishte tepër i vështirë. Forcat serbo-komuniste, jugosllave, të udhëhequra nga OZNA, kishin shtuar frikën nëpër komunat e banuara me popullatë shqiptare, e sidomos nëpër fshatra, duke e shtuar numrin e brigadave të ardhura nga Serbia, e sidomos nga Nishi. Komandanti Qazim Bajraktari me vëllaun Qerimin dhe Hoxhë Xaj Pataçanin, Nezir Senikun, kontrollonin trevat nga “Malet e Zatriçit deri te malet e Bjeshkës së Berishës e Kleçkës).

Lufta e Senikut në prill të vitit 1945

Në këtë kohë, Qazimi me shokë gjenden rastësisht për të pushuar në fshatin Senik te një mik. Atë natë, forcat armike, dëgjojnë disa krisma të shkrepura nga disa të rinjë (me pahir), dhe menjëherë lajmërojnë OZNA-n, e cila fillon rrethimin e fshatit, me qëllim që t’i zinin ballistët. Disa nga udhëheqësit nga Banja dhe Bellanica, mendonin që të dorëzoheshin, por këtë e kundërshtuan Qazimi me shokë. Gjatë luftimeve me forcat serbo-sllave, Qazimi bashkë me vëllanë,  Qerimin, Xajë Pataçanin, Nezir Senikun, ia kishin dhënë besën njëri-tjetrit se do të luftonin deri në vdekje. Lufta zgjati prej orës 12:00 të ditës, deri në ora 24:00. Forcat armike pasi Kullën e bënë shkrumb e hi, menduan se kishte përfunduar çdo gjë. Por Qazimi me shokë, edhe pse të plagosur, shpërthyen rrethimin, dhe gjatë natës u larguan nga Seniku për të vazhduar për në Grykën e Garaçevës. Aty prapa lanë 28 ushtarë dhe dy eprorë (komandantë), të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Në shenjë hakmarrje, brigadat Partizano-çentike, vranë 20 njerëz ta pafajshëm, mysafirë, apo kalimtarë të rastit, torturuan dhe rrahën 60 të tjerë në Xhaminë e Banjës. Edhe në rrethana të tilla, Qazimi me shokë vazhdoi luftën në shumë vise të Kosovës, kundër forcave armike, sidomos në malet e Lubotenit, Sharrit, Pashtrikut, Çakorrit, maleve të Drenicës, Kleçkës, Zatriçit e Jezercit, ku qëndroi një kohë të gjatë, dmth., prej gushtit të vitit 1946 e deri në janar të vitit 1947.

Në Bjeshkën e Jezercit, Qazimi kishte vetëm 8 (tetë) luftëtarë të mbyllur në një “bunker” të ndërtuar nga dy kushërinjtë e fisit të Krasniqes, Zenë dhe Kadri Ilazi nga Jezerci. Nga kushtet e vështira në këtë vend, Qerimi sëmuret rëndë dhe vdes më 28 janar në Jezerc, ku edhe varroset. N

ë shkurt të vitit 1947, Qazimi bashkë me disa shokë përsëri kthehet në Grykën e Garaçevës, sepse ishin të ftuar për darkë nga një mik, i cili i tradhton, duke iu bërë kurthin në fshatin Sferkë të Gashit, me ç’rast vriten nga pusia e forcave serbo-komuniste. Aty u vranë: Qazim Bajraktari, Halil Sadriu, ndërsa shpëton aty për aty vetëm Ukë Sadiku, i cili pas një viti, ekzekutohet si pasojë e vendimeve të pushtetit komunist-jugosllav, që fatkeqësisht si vegla kishte edhe disa shqipfolës, e më i “shquari” ishte prokurori Ali Shukriu.

Në këto rrethana përfundon veprimtaria atdhetare kombëtare e Qazim Bajraktarit me shokë për idealin e tyre për Një Shqipëri etnike! Për këtë veprimtari, pati shkruar dy libra, publicisti tash i ndjerë, Jetish Kadishani. Megjithëse Qazim Bajraktari ra për idealet e Shqipërisë etnike, deri më sot, shtetarët “e harruan”! Pas luftës çlirimtare të viteve 1998/99, komuna e Malishevës dhe e Klinës, pikërisht në fshatin Dush të Sferkës së Gashit, në vendin e rënies së tyre, kanë ngritur një lapidar përkujtimor kushtuar të rënëve, me emrat e skalitur të komandantit Qazim Bajraktari dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij. E, më këtë rast duhet të theksojmë se në kuadër të dekorimeve për veprimtari kombëtare të periudhave të më hershme, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pos mirënjohjeve, ka futur në listën e të dekoruarve, disa nga ish-luftëtarët e Çetës së Qazim Bajraktarit, si Ukë Sadikun, Ndue Përlleshin, Malë Bashotën etj., por jo edhe vet komandantin e tyre. Malë Bashota ishte gjyshi i ish-kryetarit të komunës së Klinës, Sokol Bashota. Pse ka ndodhur kjo, duhet të shpjegojnë vet autoritetet që kanë bërë propozimet e tilla për dekorime në prag të festës së dekadës së parë të Pavarësisë së Kosovës! Urojmë që dekoratat të mos ndahen sipas “shijes” së politikës ditore dhe vetëm për personat-personalitetet, që aktualisht kanë familjarë në pozita të larta qeverisëse!

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …