E nderuara ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani,
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z.Avdullah Hoti,
Sot(20 Nëntor 2020), është DITA BOTËRORE E TË DREJTAVE TË FËMIJËVE, andaj po ua rikujtojmë papërgjegjësinë instutucionale rreth mos-ngritjes së OBELISKUT, përballë Aeroportit Ndërkombëtar ADEM JASHARI, të vrasjes së 1432 fëmijëve të Republikës së Kosovës, nga ana e barbarisë dhe mizorisë serbe, në periudhën e viteve 1981 – 1999.
Sipas Jush, çka do të duhej t’i ndodhte Kosovës diçka më tragjike, e ju t’i fusni veshët në lesh e të heshtni me dekada, sikur nuk ka ndodhë asgjë në këtë vend, i cili është la edhe me gjakun e fëmijëve tanë, e ata ta kenë të ngritur së paku një OBELISK, ku do të mund ta vizitonim ne dhe gjithë Bota përparimtare, së paku njëherë në vit, e t’i kishim sot emrat e tyre të skalitur me shkronja ari, që të hedhnim lule të freskëta, së paku çdo 20 Nëntor, e t’i tregojmë Botës se, këtë liri nuk e kemi ‘dhuratë’ që na ka pikur nga Qielli?!
Po të ngjallej për një moment i Madhi Faik Konica, sërish do të thoshte: “Ruaje Zot Shqipërinë prej shqiptarëve”.
Ndërkaq i Madhi Gjergj Fishta, sërish do të thoshte: “Le ta dijë gjithë Bota mbarë se Gjergj Fishta nuk është më shqiptar”.
Datë: 20 Nëntor 2020