Ka filluar asfaltimi i rrugës në hyrje të qytetit të Skenderajt

Ka filluar sot edhe asfaltimi i rrugës në hyrje të qytetit të Skenderajt, kahu në drejtim të Drenasit, si hap i fundit i përmbylljes së projektit që e kishte për obligim Qeveria e Kosovës, por që u tërhoq në çastet e fundit nga financimi, edhe pse Komuna e Skenderajt kishte zgjidhur çështjet kontestuese të pronave, me qëllim të realizimit të këtij projekti të madh kapital. Kryetari i Komunës, Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku dhe drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Driton Mulaj, kanë mbikëqyrë sot punimet gjatë procesit të asfaltimit të rrugës, e cila ka shkaktuar deri dje telashe të mëdha për pjesëmarrësit në komunikacion, për shkak të gropave dhe dëmtimeve në rrugë. Pas përfundimit të procesit të shtresës së asfaltit, kjo pjesë e rrugës do të ofrojë më shumë siguri dhe lëvizje pa ndonjë pengesë rrugore. Kryetari Nura ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit e komunikacionit, për durimin që kanë shfaqur, deri sa janë zhvilluar punimet në këtë pjesë të qytetit. Qeverisja lokale në Skenderaj, përkundër problemeve në infrastrukturën rrugore publike të dëmtuar nga vërshimet e janarit të këtij viti, dhe mundësive të vogla buxhetore, mori përsipër të rregullojë këtë rrugë, e cila ka një rëndësi të madhe, meqë lidh Skenderajn me rajonin e Prishtinës dhe është më kryesorja në rrjetin publik rrugor.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …