Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale në Komunën e Malishevës, këto ditë ka filluar edhe realizimi i njërit prej projekteve të mëdha, përkatësisht rregullimi i ndriçimit publik në 18 vendbanime të Komunës së Malishevës, ku përfshihet qyteti në tërësi dhe 17 fshatra, me gjithsejtë 32 rrugë apo lagje.
Realizimin e këtij projekti e kanë inspektuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për buxhet, Valon Mazreku, të cilët janë ndarë të kënaqur me punimet e kryera deri më tani.
“Ne po punojmë intensivisht në realizimin e projekteve të parapara për këtë vit, e në mesin e shumë projekteve dhe investimeve, është edhe rregullimi i ndriçimit publik, i cili është i paraparë të rregullohet në disa pjesë të komunës sonë. Ndriçimi publik ka rëndësi të shumëfishtë, duke filluar nga siguria që krijohet, e po ashtu edhe lëvizja më e lehtë e qytetarëve, por edhe ngasësve të automjeteve, sidomos në vendbanime. Projekti i rregullimit të ndriçimit publik, është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe besoj që brenda pak ditëve, të gjitha këto fshatra apo rrugë, do të jenë të ndriçuara”, tha nënkryetari Berisha.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, ka bërë të ditur, se realizimi i këtij projekti mundësohet nga buxheti Komunës së Malishevës dhe ky projekt është i paraparë në listën e investime në projektet kapitale.