Ka filluar të hënën trajnimi për certifikim të Auditorëve të brendshëm të sektorit publik, i cili trajnim organizohet nga Ministria e Financave – Njësia Qendrore Harmonizuese në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike, në kuadër të Programit kombëtar për trajnimin dhe certifikimin e auditorëve të brendshëm në sektorin publik, program ky i cili është akredituar ditë më parë nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, gjatë vizitës që ju bëri sot pjesëmarrësve në fillimin e trajnimit për certifikim të Auditorëve të brendshëm të sektorit publik, tha se fokusi i Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës është që ne të rrisim transparencën, përformancën dhe llogaridhënien në shfrytëzimin e parasë publike.
“Mendoj që pas shumë viteve në reformat në financat publike, ky është ndryshimi më i madh që po ndodhë pas më shumë se 1 viti punë në përgatitjen e këtij Programi, i cili është jo vetëm për nevojat e institucioneve publike, por për të nxjerrë auditorë të brendshëm për të gjitha Organizatat publike, Ndërmarrjet publike dhe për autoritetet të tjera të cilat janë subjekt i Ligjit për auditim të brendshëm. Javën që shkoj e patëm një promovim të këtij programi së bashku me Drejtoreshën e Autoritetit Kombëtar për Kualifikime dhe aty ajo na mbështeti dhe na siguroi që këto diploma që do ti merrni nga ky trajnim do të jenë të njohura ndërkombëtarisht, edhe në tregun evropian të punës. Sepse synimi ynë është që të nxjerrim auditorë të brendshëm, jo vetëm për nevojat e sektorit publik, por për tregun e punës në Kosovë dhe më gjerë”.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të ndryshimit të Ligjit për audtitim të brendshëm. “Ndryshimi i Ligjit për Audtitim të brendshëm pritet që të maksimizojë pavarësinë e auditorëve të brendshëm nga menaxhmenti i organizatave buxhetore, në mënyrë që ju të jeni plotësisht të pavarur në kryerjen e auditimeve të brendshme dhe dhënien e rekomandimeve. Dhe në fakt, me Ligj nuk do të jenë vetëm rekomandime por do të jenë opinione të auditorëve të brendshëm që do të kenë implikimeve në menaxhimin e mëtutjeshëm të organizatave buxhetore”.
Ministri Avdullah Hoti ndihet jashtëzakonisht i kënaqur që po arrijmë të adresojmë një rekomandim të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike. “ U bënë 2 vite rresht që ne si Ministri e Financave raportojmë në këtë Komision, dhe gjithmonë na është thënë dhe e kemi vërejte që nga fillimi se ka kapacitete të limituara brenda Organizatave buxhetore sa i përket auditimit të brendshëm. Tash, përmes këtyre trajnimeve besoj që do të krijohen resurset e nevojshme për këtë fushë shumë të rëndësishme të financave publike. Programi është kombinuar në mënyrë të tillë që ju të merrni jo vetëm njohuritë bazike teorike për auditimin e brendshëm, por ta komplementoni këtë pjesën teorike edhe me pjesën praktike me auditimet që do ti bën i nëpër institucionet të ndryshme”, është shprehur ministri Hoti.
“Kemi një bashkëpunim të mirë edhe me Auditorin e Përgjithshëm, dhe po shpresoj se përmes këtyre trajnimeve të krijohen kapacitetet e nevojshme në mënyrë që të kemi një bashkërendim të aktiviteteve të rekomandimeve në mes Auditorit të Jashtëm dhe Auditorit të brendshëm në këtë drejtim”, shtoi ministri Hoti.
Ai gjithashtu duke ju uruar suksese pjesëmarrësve në këtë trajnim, tha se konsiderojeni vetëm me fat që jeni përzgjedhur në këtë trajnim sepse ka pasur interesim bukur shumë për të hy në këtë program. Dhe unë nuk kam asnjë dyshim që do të arrini ti kompletoni njohuritë e juaja në këtë fushë, duke pasur parasysh CV-të shumë të pasura të trajnerëve që do ti keni gjatë këtij programi.
Ndërsa, nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës Ali Sadriu, tha se ky është një hap substancial dhe do të doja që të jetë edhe shumë premtues, sepse është shumë e vërtetë se kapacitetet e Kosovës në lëmin e audtimit janë ende larg nevojave. Ne sot po fillojmë procesin e certifikimit të auditorëve për Institucione, por shpresoj në të ardhmen do të shkohet edhe më larg dhe të ketë një mekanizëm pak më të gjerë ku do të përfshihen edhe kompanitë publike.
Ai përgëzoi ministrin Avdullah Hoti për iniciativën për ndryshimin e Ligjit të Audtitimit të Brendshëm i cili sipas tij pritet të ndërtojë një mekanizëm domethënës në sigurimin e pavarësisë së punës së auditorëve të brendshëm.
“Puna e juaj e ndërgjegjshme dhe profesionale, Auditorin e jashtëm e lenë pa punë dhe ajo është më e mira në këtë proces. Ju jeni preventivë, ndërsa ai tjetri ka edhe mekanizma të tjerë. Dhe unë jam udhëtar i preventives që në start ti jepen vërejtjet dhe në start të kanalizohen proceset ashtu si siç duhet”, tha deputeti Ali Sadriu.
Drejtoresha e Institutit të Kosovës për Administratë Publike Refkie Sylçeva, tha se “Instituti i Kosovës për Administratë Publike pas nënshkrimit të një marrëveshje të bashkëpunimi me Ministrinë e Financave më 16 mars të këtij viti, IKAP në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka bërë të gjitha përgatitjet e këtij trajnimi në mënyrë që ky trajnim të përfundojë me sukses”.
Ndërsa, Drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave, Kosum Aliu bëri të ditur se “Ministria e Financave – Njësia Qendrore Harmonizuese për herë të parë ka përgatitë programin kombëtar për trajnimin dhe certifikimin e auditorëve të brendshëm në sektorin publik. Program ky i cili është akredituar ditë më parë nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”.
“Pjesëmarrës në këtë trajnim janë auditorët nga të gjitha nivelet e organizatave buxhetore, Zyra kombëtare e auditimit, Banka Qendrore e Kosovës, ndërmarrjet Publike dhe kandidatë të tjerë, të cilët e kanë kaluar testin kualifikues. Ky trajnim do të zgjasë 5 javë nga 5 shtatori deri më 7 tetor, ndërsa trajnimet mbahen nga trajnerë vendorë të certifikuar nga CIPFA e Britanisë së Madhe”.
“Ky program është dizajnuar në bashkëpunim edhe me ekspert ndërkombëtar të financiar nga Komisioni Evropian, që mundëson një ngritje profesionale të auditorëve, të cilët pas kryerjes së këtij trajnimi do të jenë të gatshëm që me punën e tyre ti japin siguri kryesuesve të Organizatave buxhetore, se menaxhimi i aseteve të shtetit po bahet në pajtueshmëri të plotë me ligjin dhe se po arrihen objektivat e vendosura nga vetë ata”.