Ka përfunduar punimet Konferenca e 27-të e ministrave Mbrojtjes së Iniciativës Amerikë -Karta e Adriatikut, ku bëjnë pjesë Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Pjesëmarrës në konferencë ishin komandanti i Komandës Evropiane të ShBA-së, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral Christopher Cavoli, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Itali, adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të Amerikës. Garda Kombëtare e Ajovës është përfaqësuar nga gjeneral brigade Mark Kappelmann, ndërsa Kosovën dhe FSK-në, në emër të komandantit, Bashkim Jashari e ka përfaqësuar zëvendës-komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi. Ata prezantuan vizionin e përbashkët për të qenë pjesë në Kartën e Adriatikut si dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe planet për të ardhmen. Në kuadër të konferencës është miratuar deklarata e përbashkët, ku riafirmohet angazhimi për të qëndruar së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
