Shkrimtari peruan me famë botërore dhe fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, Mario Vargas Llosa, ka ndërruar jetë sot, duke lënë pas një trashëgimi të thellë letrare dhe intelektuale. Për shqiptarët e Kosovës, Llosa do të mbetet i paharrueshëm si një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtarë që doli hapur në mbrojtje të popullit të Kosovës gjatë luftës dhe pas saj. Në një kohë kur shumë figura publike evropiane qëndronin të rezervuara, Vargas Llosa nuk hezitoi të shprehte publikisht mbështetjen e tij për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke theksuar se ajo ishte e domosdoshme për të ndalur shfarosjen dhe spastrimet etnike të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. “Konflikti i Kosovës filloi kur Millosheviqi shfuqizoi autonominë e saj dhe nisi fushatën nacionaliste për Serbinë e Madhe… Ndërhyrja e NATO-s kishte për qëllim të ndalte shfarosjen e shqiptaro-kosovarëve dhe të instalonte një regjim demokratik në Jugosllavi,” kishte deklaruar Llosa në një ese të botuar në atë periudhë. Në librin “Çështja e Kosovës”, një përmbledhje esesh që ai vetë përzgjodhi për përkthim në shqip, Vargas Llosa shpalos qartë qëndrimin e tij humanist dhe angazhimin e tij për të ndërgjegjësuar opinionin publik ndërkombëtar mbi dramën kosovare. “Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë, dy milionë kosovarë humbasin vendin e tyre, shtëpitë, tokat dhe, shumica, jetën,” shkruante ai në esenë “Zjarrmitë pacifiste”. Me vdekjen e Mario Vargas Llosa-s, bota humbi një nga mendjet më të ndritura të letërsisë moderne dhe një përkrahës të rrallë të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Kontributi i tij në çështjen e Kosovës do të kujtohet me mirënjohje të thellë.