Sonte në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, me aktivitete tematike e kulturore u përmbyll, “Java e Sarandës në Prishtinë”.
Saranda, ashtu sikur edhe herëve të tjera do të mirëpresë turistët nga Kosova të cilët do të zgjedhin sivjet për ta vizituar këtë pikë të bukur turistike në Bregdetin e kaltër shqiptar. Kështu u tha me rastin e promovimit të Ditës së Sarandës sot në Prishtinë, ku u promovuan artizanale dhe bukuritë e bregdetit shqiptar. Kryetari i bashkisë në Sarandë, Adrian Gurma tha me këtë rast se Saranda mirëpret turistët nga Kosova, të cilët do t’ia mësyjnë sivjet bregdetit të bukur shqiptar.
“Qytetarët e Kosovës kanë qenë dhe janë frymëzimi i ekonomisë së bashkisë. Në kohën më të keqe, atë të pandemisë, ata kanë vizituar Sarandën dhe u jemi mirënjohës. Ne ju mirëpresim në Sarandë, këtë të mirë duhet t’ia kthejmë Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që këtë verë të zgjedhin Sarandën si destinacion të rëndësishëm turistik. “Saranda është vendi që qytetarët e Kosovës e frekuentojnë. U jemi mirënjohës që gjatë luftës na keni pritur, uroj që të kemi më shumë projekte në aspektin e industrisë, gastronomisë dhe turizmit, dhe t’i realizojmë ato dhe të mos të mbesin vetëm fjalë. Ftoj qytetarët e Kosovës të vizitojnë bukuritë e Sarandës”, tha ajo.
Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i cili ftoi turistët shqiptarë të vijnë këndej kufiri për të marrë pjesë në festivalet e ndryshme, sikurse “Sunny Hill”. “Kam menduar që di shumë për Shqipërinë, sot mësova shumë gjëra për plazhin e Sarandës, traditën, festivale të shumta si festivali “Mandarina”, plazhi te Syri i kaltër. Mendoj se të gjitha këto duhet t’i vizitoni. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë mendoj që duhet ta vizitojnë edhe Prishtinën, sepse edhe ne kemi disa festivale, si “Sunny Hill” që do të mbahet shumë shpejt”, tha Përparim Rama.
Në pjesën e dytë të programit prezantues u shfaq një koncert i parur artistik me këngë e valle, nga Ansambli folklorik, “Zëri i Bilbilit” me këngëtarë dhe interpretues të dalluar të muzikës burimore shqiptare.