Ka ndërruar jetë mjeku i luftës së UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai ka vdekur sot në orët e hershme të mëngjesit. Bajram Rexhepi prej muajsh ndodhej në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe ishte duke qëndruar për shërim, në njërin prej spitaleve në Turqi pas sulmeve të pësuara në tru. Ai fillimisht ishte shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe i është nënshtruar operacionit mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë ishte transferuar në Turqi.
Bajram Rexhepi, lindi në Mitrovicë më 3 qershor 1954. U diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979 dhe studimet pas-universitare i përfundoi në Zagreb në vitin 1985. Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990. Gjatë luftës në vitet 1998-1999, Bajram Rexhepi i u bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi në male duke shërbyer si mjek në Zonën Operative të Shalës. Pas luftës, ishte kryetar i këshillit bashkiak të Mitrovicës, kryetar i pjesës së jugut të qytetit të ndarë, si dhe kryetar i degës së PDK në qytet. Në zgjedhjet e përgjithshme më 17 nëntor të vitit 2001, PDK fitoi 25.7 % të votave, duke u radhitur e dyta pas Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetsimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën kryetar. Bajram Rexhepi një kohë ka qenë edhe ministër i Brendshëm i Kosovës.