Ka vdekur, në Austri, në moshën 70-vjeçare, Haki Hamit Qeriqi veprimtar, poet, përkrahës e ndihmëtar i luftës së UÇK-së. Varrimi i të ndjerit bëhet sot në orën 14.00, në varrezat e Ferizajt.
Haki Qeriqi ka lindur në Krojmir, të Drenicës në vitin 1948. Shkollën e mesme të Tregtisë e ka mbaruar në Ferizaj. Në vitin 1984, meqë UDB-ja i bie në gjurmë veprimtarisë së tij ilegale ai largohet nga Kosova dhe me krejt familjen vendoset në Austri, ku ka jetuar prej asaj kohe e deri në vdekje. Në vitet 90-të të shekullit të kaluar, ka ndihmuar arsimin shqip në Kosovë me mjete shkollore të tubuara nga ai vetë dhe nga mërgimtarët. Ka qenë anëtar i Fondit të “Tre-përqindëshit”
Qysh herët ka filluar të shkruajë poezi.
Ka nxjerrë në dritë përmbledhjet poetike: Malli i mërgimtarit dhe Meditime poetike. Ka lënë në dorëshkrim poezi dhe tregime të temave të ndryshme.
Ka vepruar në kundër të Fondit, “Vendlindja thërret” për Austri dhe ka ndihmuar luftën e UÇK-së.
Pas luftës ka ndihmuar edhe Radion-Kosova e Lirë.
Haki Qeriqi ka qenë një veprimtar i dalluar i afërt me njerëz, solidar dhe shumë komunikues.
Vdekja e mërgimtarit, (poezi në dorëshkrim)
Netët e gjata më bëhen vite,
Dhembjeve nuk u përballoj dot,
në kokë më vlojnë lloj-lloj mendime,
e vetes qare nuk po i gjej…
Ditët vinë duke u shkurtuar
E sëmundja zemrën ma ngacmon,
Netët vijë duke u zgjatur
Dhembja shpirtin ma dërmon…
Amanet Kosovën
Nuk kam për t’iu lënë pasuri,
Por Kosovën po ua lë amanet,
Të luftoni të gjithë për liri,
për bashkimin me një shtet!
Mos e harroni vendlindjen
As nderin tonë kombëtar,
Mos e harroni atdheun,
Atdheun tonë shqiptar!
Nderoni martirët,
Dhe ata që luftuan për liri,
Gjithnjë nderoni Atdheun,
Dhe Flamurin Kuq e zi!