Tirana

Kadri Dauti: Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare, slogan politik, për të mos kërkuar llogari për vjedhjet e pasurisë së shtetit

Debati që nxiti fotoja e Enverit në urimin që deputeti Bujar Çela u bënë kolegëve për festat e nëntorit ka trazuar mendjet e qytetarëve shqiptarë. Duke ndjekur debatet në median elektronike dhe atë të shkruar nuk mund të mbetesh jashtë tij për shumë arsye. Të mbërthen pas tij sensibiliteti i çështjes, mungesa e kulturës së komunikimit, por më shumë hipokrizia, dashakeqësia e këtij debati. Që në krye të herës duhet thënë se ai është një debat shterp, që nuk prodhon asgjë të mirë për shoqërinë dhe vendin.

Debat, i cili ka tridhjetë vjet që bëhet dhe që synon vetëm të krijojë kaos dhe çoroditje të mendësisë shoqërore, të nxisin përçarjen e urrejtjen mes qytetarëve shqiptarë, për të mos u bërë bashkë e për mos u ngritur ndaj padrejtësive të mëdha që kanë bërë 30 vjet pushtetarët në këtë vend. Për të mos kërkuar llogari për vjedhjet e pasurisë së shtetit e të popullit, për mungesën e shtetit ligjor e të drejtësisë,për korrupsionin gjigant në çdo hallkë të administratës së shtetit, për tradhtitë që i kanë bërë interesave kombëtare, për pazaret antikombëtare me të huajt. Kur shqiptarët kanë braktisur dhe po braktisin në masë çdo ditë vendin e tyre për shkak të keqqeverisjes, mungesës së shpresës për jetë më të mirë, mungesës së shtetit dhe të sigurisë. Që populli mos të jetë sovran i fateve dhe vendit të tij, por ligjin ta bëjnë kusarët, dallaveraxhinjtë, mafiozët, kriminelët. Që politikanët shqiptarë e kanë bërë Shqipërinë vendin më të varfër në Evropë, ku lulëzon krimi i organizuar e droga, ku më i paudhi hiqet si pejgamber dhe bën ligjin.

 

* * *

Shoqëria shqiptare ka 30 vjet që është një shoqëri demokratike dhe lufton çdo ditë për liri e demokraci. Se lirinë e demokracinë e ka në traditë, në gjak vetë shqiptari. Mos i vendosni epitete të tjera. Komunizmin apo sistemin komunist nuk e hodhën poshtë politikanët shqiptarë, por e hodhi poshtë masivisht me votën e saj në prill 1992. Komunizmi apo enverizmi në Shqipëri ka vdekur, nuk ekziston më. Pra, nuk ka nevojë të dekomunistizosh shqiptarët. Nëse sot ka nostalgji te një pjesë e konsiderueshme qytetarësh për sistemin e kaluar, kjo vjen në radhë të parë nga bataku ku e ka çuar shoqërinë dhe vendin klasa politike shqiptare, me varfërinë dhe sëmundjet e shumta të krimit, korrupsionit, drogës, mungesës së drejtësisë, prostitucionit, vëllavrasjes, etj. Kur shikon gjithë këto probleme të rënda shoqërore dhe ekonomike, kur i është vrarë ideali dhe shpresa detyrimisht qytetari shqiptar i zakonshëm, i ndershëm e patriot, do mendojë që më mirë ishim në sistemin e kaluar.

Jo se ata kanë nostalgji për ideologjinë komuniste, se nuk i lidh asgjë me atë, se nuk e shpikën shqiptarët komunizmin, porse ata janë qytetarë me karakter dhe patriotë që duan të jetojnë në vendin e tyre të bekuar dhe me djersën dhe nderin e tyre. Jo të shfrytëzohen e mashtrohen pa moral nga padronët. Jo të mbeten të braktisur, të pambrojtur nga shteti. Liria, barazia, siguria dhe mirëqenia u mungojnë një pjese të madhe të qytetarëve shqiptarë, dhe për këtë shkak ata gjejnë shpëtim duke ikur jashtë vendit, një plagë e rëndë për të ardhmen e këtij vendi. Nëse sot qytetarët shqiptarë do të kishin një jetesë të mirë, një ekonomi të fortë, një shtet të së drejtës dhe mbrojtjen nga shteti asnjëri në Shqipëri nuk do t´i shkonte kurrë ndërmend për regjimin e kaluar. Kur flitet për komunizëm në Shqipëri nuk jemi korrekt.

Së pari, për të qenë teorikisht korrekt, regjimi 45-vjeçar në Shqipëri (1945-1990), nuk ishte komunizëm, pavarësisht se mbështetej në ideologjinë komuniste apo marksiste-leniniste. Ai ishte një anakronizëm, një mishmash i komunizmit; një zbatim allashqiptarçe. Pa dashur të mbrojmë apo justifikojmë fajet apo gabimet e regjimit 45-vjeçar totalitar në Shqipëri, si luftën e klasave, pushkatimet, izolimin, kolektivizmin etj., popullit dhe Shqipërisë i solli mjaftë të mira. Veçse me logjikë të ftohtë duhet thënë se ai sistem duhet të ndryshonte jo vetëm për faktin se nuk jepte më zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, por se baza e tij ideologjike, komunizmi, ishte një sistem utopik, një sistem i parakohshëm, që me shumë gjasa do jetë e ardhmja e shoqërisë njerëzore me emërtimin demokracia virtuale e epokës së artë. Sidoqoftë, një vend i vogël si Shqipëria është i destinuar të zbatojë sistemin politiko-shoqëror të fuqive të mëdha botërore, nëse do që të ekzistojë. Dhe këtë e kanë të qartë mirë shqiptarët dhe sot janë të mirë orientuar. Problemi më i madh i shqiptarëve sot nuk është dekomunizmi. Sot shqiptarët kanë mjerim ekonomik, kanë mungesë drejtësie, mungesë barazie, u mungon shteti ligjor, u mungon mbrojtja e siguria. Ata kërkojnë ekonomi të fortë, mirëqenie, liri, barazi, siguri e drejtësi. Kërkojnë shtet ligjor, demokratik, të së drejtës. Dhe nuk i intereson më askush: as Zogu, as Enveri, as Saliu, as Edi, as Iliri, as Luli.

Ata do mbeten në kujtesën e popullit si të mirë apo të ligj, që i kanë sjellë të mira apo të këqija këtij vendi. Me ata le të merren historianët. Ndaj, gjithë interesi i politikëbërësve në Shqipëri, i parlamentarëve apo qeveritarëve, të fokusohet jo te prodhimi i zhurmës për luftë antikomuniste, për dekomunistizim, por te forcimi ekonomik, te politikat social-ekonomike, te ndërtimi i shtetit ligjor, te mbrojtja e interesave të qytetarëve dhe ato kombëtare. Dekomunistizimin duhet ta kishte bërë klasa politike deri tani. Tani ne duhet të shikojmë përpara, jo më të shikojmë mbrapa. Problem i madh se dikush nxjerr foton e një diktatori në “Facebook” apo në “Sms” apo në “Instagram”. Nuk mbeti këtu krimi, por krim është të vjedhësh pasurinë e popullit, të bësh politikë antishqiptare, të bësh korrupsion në postin shtetëror, të shfrytëzosh popullin, të mbrosh krimin dhe kriminelin. Krim është të futësh kriminelët në qeveri, t´i bësh ministra, drejtorë, kryetarë bashkish, deputetë, t´i futësh në administratën e shtetit.

Krim është të vjedhësh lekët e shtetit me tendera fiktiv. Të grabitësh tokat e shtetit apo të tjetrit me letra fallco. Krim është të vjedhësh votat e popullit. Krim është të vrasësh katër veta në bulevard, të vrasësh 26 vetë në Gërdec. Krim është të largosh qytetarët shqiptarë jashtë vendit me pahir. Krim është të bësh marrëveshje antikombëtare dhe të shesësh tokë apo detin e Shqipërisë. Krim është të mbledhësh lekët e popullit në firmat piramidale dhe të futësh në luftë popullin shqiptar e t´i vësh flakën Shqipërisë, të furnizosh tanket e ushtrisë serbe me naftë për të vrarë shqiptarët e Kosovës apo boshnjakët. Kur nga goja e politikanëve shqiptarë amoralë, kusarë dëgjon thirrje për dekomunistizim të shoqërisë shqiptare është vërtetë e pështirë.

Thirrjet e politikanëve opozitarë të paskrupullt e të paetikë për antikomunizëm janë vetëm një shashkë propagandistike pa asnjë vlerë, sa për tymnajë, sa për të krijuar idenë se qajnë hallin e popullit. Ndërkohë që janë të krimbur në poshtërsi si kur janë në poste zyrtare ashtu kur janë në opozitë. Poshtërsi është kur i amoralshmi të bënë moral, hipokriti hiqet si pejgamber. Qytetari normal shqiptar e kupton tashmë mirë gjuhën e sjelljet e politikanëve dallaveraxhinj, mashtrues, hipokritë. Si të paprincipë që janë, politikanët tanë aktorë teatralë, flasin paçavure, sipas oreksit të tyre, jo në parime humane e fisnike. Ata duken qartë edhe në mungesën e etikës së komunikimit, në fjalorin ofendues, kërcënues që përdorin ndaj kundërshtarit, ndërkohë që edhe fytyra i tradhton. Ata duken nga pasuria që kanë vendosur nëpërmjet sjelljeve të tilla kusare. E keqja është se një pjesë qytetarësh, fatkeqësisht, mashtrohen ende nga fjalori i politikanëve të tillë banditë, hajdutë, antikombëtarë.

T´i besosh e t´i shkosh nga pas një hajduti, një mashtruesi, një hipokriti, një krimineli, do të thotë ose je naiv ose je i një karakteri me ata. Dhe kjo është fatkeqësi. Antikomunizmi i vërtetë është demokracia e vërtetë, funksionale, është sundimi i së drejtës, i shtetit ligjor në shërbim real ndaj qytetarëve, është liria, barazia, ekonomia e fortë dhe mirëqenia. Jo pallavrat propagandistike të luftës kundër simboleve komuniste. Sot nuk është aq i nevojshëm dekomunistizimi, por është shumë i domosdoshëm, madje është imperativ i kohës të bëhet dekriminalizimi i politikës, drejtësisë dhe administratës shtetërore shqiptare. Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është slogan politik i radhës. Bëjeni Shqipërinë më të mirë se Gjermania, se Zvicra, se Finlanda, dhe do shikoni se askujt nuk i bie më ndërmend për komunizëm.

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …