Kadri Ferati: Letër profesorit tim të dashur

Ja, edhe pse me vonesë, vendosa të ju lajmërohem.
Fillimisht ju tregoj se ne jemi mirë me shëndet dhe dëshiroj që kjo letër edhe juve të iu gjejp shëndosh e mirë. Tash ndodhem në pushim këto dy javë të festave të fundvitit, po ashtu edhe bijat e mia. 


Edhe më tutje po punoj në një punëtori orësh. Krizën që e patëm para pushimit veror, si duket, e kemi tejkaluar pak. Mbetet të shihet. Bijat janë mirë. Edhe pse ende zyrtarisht  nuk ka përfunduar gjysmë-vjetori, suksesin e kanë mjaftë të mirë. Bashkëshortja ime, Hazbija, është mirë. Ajo po merret me punët e shtëpisë dhe po kujdeset për Lorikun e vogël, i cili më 26 dhjetor 2009 do i mbush një vit e gjysmë dhe është bërë një “rebel” i vogël. Me shëndet është shumë mirë, ka filluar të përsëris fjalët dhe është shumë kureshtar për gjithçka.
Profesor, jam i lumtur që u pamë në Prishtinë. Kisha shpresuar që të dalim familjarisht në “Gërmi” e të bisedojmë shtruar për shumëçka. Disi, e humba fillin, kur erdha, fola shumë, por shpresoj se më kini falur.


Dhjetë vite mërgim, i shkëputur me dhunë nga vendlindja, nga Atdheu si duket kanë lënë gjurmët e veta. Shpresoj se herën tjetër do të takohemi në ndonjë ambient pushimi. 
Çka t’ju them për pushimin e verës dhe përshtypjet nga pushimi.  Isha në vendlindje, në Medvegjë. Nuk është më ajo Medvegja e dikurshme, sepse nuk janë më atje njerëzit, që i jepnin kuptim jetës në ato troje. Njeriu s’ka se si mos ta ndiejë atë boshatisje të vendlindjes si një boshllëk të madh shpirtëror. Në vend se me kalimin e kohës, të ngjallet jeta e shqiptarëve dalëngadalë, ajo sa vjen e zbehet edhe më tej. 


E kjo doemos të zhgënjen. Të dhemb.
Shfrytëzuam një pjesë të pushimit për të vizituar familjarët tanë në Prishtinë, miqtë në Hogosht dhe të afërm e shokë të tjerë.


Të nesërmen që u takuam, së bashku me tërë familjen time shkuam për Vlorë. Atje u vendosëm në një banim privat. Pronari kishte qenë një ushtarak i pensionuar, një nostalgjik i flakët për kohët e kaluara.


Vlora më ka pëlqyer shumë. Kishte pozitë gjeografike të jashtëzakonshme, në vendtakimin e dy deteve. Ishte zhvilluar relativisht, por kishte edhe shumë për t’u bërë.


Ajo çka më ka bërë më së shumti përshtypje, ishte mikpritja tradicionale shqiptare. Por kishte edhe diçka që më la mbresa. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi familjar. Biznese familjare. Më bënin përshtypje edhe mëngjeset. Ishin të zhurmshme. Pronarët e lokaleve dhe kafeneve, duke pirë kafenë e mëngjesit, flisnin me zë të lartë e aq ju bënte për mysafirët. Zakonisht biseda fillonte me “Ore…”! 


Vizituam sheshin e Pavarësisë dhe Kaninën, fshatin e lindjes së Ismail Qemalit. U ngjitëm edhe në kalanë e Kaninës. Vet fshati por edhe kalaja mbi të, kishin pamje madhështore. Nga lartë shihej Vlora si në shuplakë të dorës. Nga kureshtja për të mësuar më tepër për Kaninën, gjeta edhe këtë shkrim: 
“Kanina – Treva e njerëzve te mëdhenj, e fiseve te shquara. Nga muret e Kalasë, shpaloset historia 3000-vjeçare e kësaj qendre te banuar, që është me shume se një thesar për kombin. Aty, në atë kala, përzihet lashtësia e qytetit, trimëria e Gjergj Arianitit, zgjuarsia dhe shpata e hekurt e Donika Kastriotit, trimëria dhe bukuria e princeshës Rexhina, që luftoi me turqit dhe u mbulua me dheun e Himarës ne Korfuz, ku prehet edhe sot. Nga kjo vatër dolën 5 kryeministra, qe drejtuan edhe Perandorinë Osmane, qe sot prehen aty, në sheshin e Teqesë. Kanina është vendlindja e familjes së Ismail Qemalit, që ngriti flamurin e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kanina, është legjenda e trimërisë, e bukurisë. Ajo është një trup edhe me Vlorën, ku herë ka qeverisur Kanina, herë Vlora, asnjëherë të dyja bashke…”
Patëm ndërmend të zbresim edhe deri në Sarandë, sepse  i kishim premtuar Sarandës, vajzës sonë, por, ditën e pestë të qëndrimit, fëmijët filluan të hetojnë pasojat e kohës së nxehtë dhe qëndrimit të gjatë në ujë, prandaj u kthyem për në Prishtinë.


Gjatë kthimit lakuam në Tiranë, por fëmijët ishin aq të lodhur sa nuk zbritëm fare nga vetura. Gjatë rrugës vërehej mungesa e shenjave të komunikacionit. Vërehej edhe dallimi i madh në aspektin e zhvillimit ekonomik në mes të Jugut e Veriut. Sidomos ndjeja dhembje të madhe për viset që nga Kukësi deri në kufirin me Kosovën. Ato vende, ato male pitoreske, që nuk i ka as Zvicra, të jenë aq të pazhvilluara është më shumë se mëkat. Besoj se ndërtimi i magjistrales do i ndihmojë atij rajoni të këndellet, por duhen edhe shumë investime. Jam i bindur se kjo do të ndodhë, por do të zvarritet edhe më tej për fajin e klasës politike të papërgjegjshme dhe popullit të papërgatitur për të zgjedhur njerëz, që punojnë e jo, që flasin. Mbase e kam gabim!
Sa isha në Vlorë ua pata dërguar një letër të shkurtër, që tash po quhet mesazh, një shprehje e gabuar sipas meje. Shpresoja të takohemi edhe njëherë, por meqë fëmijët u sëmurën dhe kishin dhembje koke dhe simptome tjera, doja që sa më parë të kthehesha.


U ktheva në Zvicër dhe na u desh një kohë për t’u këndellur…
Të faleminderit për librat që mi dhurove. Romanin “Koha e jeniçerëve” sapo e përfundova së lexuari. Pata ata vendosur të mos lajmërohem pa e përfunduar. Më ka pëlqyer shumë. Në vargjet e romanit gjeta shumë elemente të përbashkëta me jetën tonë. Shpeshherë e ndiej veten si gomari i Damjan Rizonit, “… i humbur e i tretur në botën e tij të mundimeve”. Ndërsa jeta jonë i ngjan plotësisht jetës së Uranies. Ikje për në zhdukje. Që nga fillimi vërejta lidhjen e mbiemrit Qirjaqi dhe Qeriqi. Ishte i njëjti. Më kujtohet kur ju kam pas pyetur, përse ende mbiemri me mbaresë me mbaresa të gjuhës sllavë. Një të tillë mbiemër e kisha edhe unë ( Ferat-o-viq-i).


Kisha një urrejtje ndaj gjithçkaje sllave të ngulitur në kulturën tonë, pa menduar se edhe familja ime dikur kishte qenë me përkatësi fetare krishtere, ortodokse. Edhe unë e kam arritur kohën kur ende festoheshin Kërshëndellat (Bozhiqi) në familjet tonë dhe te të tjerët në Medvegjë.


Tragjedi të shumta e kanë përcjellë edhe familjen time, si pasojë e përkatësisë etnike e fetare dhe kjo zgjati deri në ditët e sotme. Konstatimi se shumë herë nuk kemi ditur ta identifikojmë fajtorin e vërtetë, por e kemi fajësuar njëri-tjetrin, po ashtu mendoj se është më se i vërtetë. Dhe shumë veprime e konstatime tjera, sa janë të asaj periudhe, po aq janë të kohës sonë. Jam i lumtur që pata në dorë këtë vepër. Ju përgëzoj përzemërsisht për këtë krijim letrar.
Romanin “Burgu” ia dhashë mikut tim Xhemail Rudajt. Ai ishte një ditë tek ne dhe më tregoi se ua kishte dërguar ca poezi. Ky njeri meriton respekt. Është shumë modest. Më dhimbset se ka probleme të theksuara shëndetësore. 
Me shpresë se kjo letër do ju gjejë shëndosh e mirë me mbarë familjen, pranoni përshëndetjet e përzemërta nga unë, gruaja dhe fëmijët: Saranda, Diana, Gresa, Vjosa dhe Loriku i vogël. Urime festat e fundvitit. Urime Viti i Ri 2010. Shëndet, fat e suksese në punë e në jetë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …