Kadri Haki Ademaj (21.1.1975 – 14.12.1998)

Kadri Haki Ademaj (21.1.1975 – 14.12.1998)

Kadri Ademaj u lind më 21 janar të vitit 1975 në fshatin Petrovë të Shtimes. Prindërit e tij, Hakiu e Nailja, në kushte dhe rrethana të rënda të jetës lindën dhe rritën gjashtë bij: Kadiun, Afrimin, Selimin, Halimin, Hysenin dhe Ahmetin.
Kadriu mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën fillore “Bajram Curri”. Emri i këtij luftëtari të madh për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare ishte burim frymëzimi për Kadriun dhe bashkëmoshatarët e tij në fshatin Petrovë.
Mësimet e shkollës së mesme i kreu në Shtime. Ka kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe kishte apsolvuar në Fakultetin e Gjuhës e Letërisisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ka punuar si mësues i gjuhës, në vendlindjen e tij, në fshatin Petrovë.
Kadriu tashmë dinte se radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po zgjeroheshin. Luftëtarët e lirisë ishin parë gjithandej edhe në fshatrat e rrethit të Shtimes, si Reçak, Petrovë dhe në fshatrat e malësisë së Jezercit.
Së bashku me shokun e tij të pandashëm, Fadil Rashiti, po ashtu nga fshati Petrovë, lajmërohet në Shtabin lokal të UÇK-së në fshatin Krojmir të komunës së Lipjanit, me qëllim që të angazhohet drejtpërdrejt në luftë, atje ku do të konsiderohej se kishte nevojë për dijen dhe gatishmërinë e tij për luftën çlirimtare
Fillimisht, Kadriu dhe Fadili lajmërohen te komandanti i pikës ushtarake, Ramiz Qeriqi, pastaj vendosen në shtëpinë e Vehbi Qeriqit, duke pritur derisa të sistemoheshin. Po në atë kohë në Krojmir kishin ardhur dhe mbanin lidhje edhe shumë veprimtarë të tjerë nga Rrethi i Shtimes dhe i Ferizajt, si Ruzhdi Jashari, Fehmi Mujota, Fadil Hetemi, Kemajl Hetemi, Shyqëri Iballi, Minker Zuka, Flamur Zuka e shumë të tjerë.
Duke qenë se Shtabi i Përgjithshëm kishte caktuar komandant të Zonës së Neredimës, Shukri Bujën, ndërsa luftëtari, Isak Musliu kishte krijuar pikën e UÇK-së në Rancë të Shtimes, Jetullah Çarri, i njohur si komandant Guri tashmë kishte krijuar njësitet e tij sulmuese, në fshatin Graiçec e më gjerë, në muajt qershor – korrik të vitit 1998 ishin bërë të gjitha përgaditjet për konsolidimin e kësaj zone. Shumica e këtyre ushtarëve nga Krojmiri e Pjetërshtica kishin kaluar në Rancë, Reçak, Graiçevc e deri në Jezerc, ku po ashtu ishte krijuar pika ushtarake e UÇK-së. Kadri Ademaj, së bashku me shokun e tij të pandashëm Fatmir Rashiti sistemohet në vijën e frontit, në Jezerc ku në shtator të vitit 1998 fillojnë edhe ofensivat e mëdha të forcave ushtarake e policore serbe, që kishin për qëllim ta shpërbënin UÇK-në. Në këtë front të luftës Kadriu ishte së bashku me çlirimtarët e tjerë si: vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani, Sejdi Sejdiu, Bashkim Vishi, Nezim Terziu, Kemajl Hetemi, Nazmi Ukzmajli, Arsim Zeqirit, Sali Baliu, Lulëzim Guta e shumë luftëtarëve të tjerë. Aty, ku atdheu ishte në rrezik, aty ishin trimat e lirisë. Në ato beteja plagoset shoku i tij i pandashëm, Fadil Rashiti.
Ndërkohë, Kadriu kontakton me Afrim Musliun dhe Nuhi Jakupin dy ndër komandosët më të shquar dhe më të njohur të kësaj ane, në sjelljen e armëve nga Shqipëria.
Në nëntor të vitit 1998, Kadri Ademaj e Fadil Rashiti, së bashku me shumë luftëtarë të tjerë të Zonës Operative të Neredimës nisen në drejtim të Shqipërisë për të marrë armë dhe municion për nevojat e luftës. Përveç Afrim Musliut dhe Nuhi Jakupit, të cilët ishin në ballë të kolonës ishin nisur për në Shqipëri edhe Kadri Ademaj, Fatmir Rashiti, Rifat Mujota, Hyzer Musliu, Selim Selimi, Baki Rashiti, Idriz Hysenaj, Osman Musliu, Fadil Mujota e shumë të tjerë. Së bashku me këtë grup çlirimtarësh, nga fshatrat Reçak, Petrovë, Belinc, të cilëve iu printe Afrim Musliu ishin nisur për në Shqipëri edhe dhjetëra luftëtarë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” nga Krojmiri, Carraleva, Godanci, Zborci e fshatra të tjera të Shtimes dhe të Lypjanit. Asokohe ndodhej në Shqipëri edhe komandanti i Brigadës 113, Mujë Krasniqi me shumë bashkëluftëtarë.
Pas qëndrimit më shumë se një muaj në zonat kufitare të Shqipërisë me Kosovën, më 13 nëntor 1998, Mujë Krasniqi, kishte mbajtur një fjalë para bashkëluftëtarëve, të cilët po tregonin gadishmëri për të depërtuar në frontet e luftës në Kosovë, edhe pse ishte acar dhe dëbora vende – vende arrinte deri në dy metra trashësi. Komandanti Mujë Krasniqi kishte kërkuar nga ata luftëtarë që ishin sëmurë ose konsideronin se nuk mund të përballonin kushtet atmosferike, të qëndronin në bazat stërvitore në Shqipëri, deri në një rast tjetër.
Natën me dëborë dhe acar të 13-14 dhjetorit drejt kufirit i cili ende i ndante në dysh trojet shqiptare, ishin nisur 143 luftëtarë e luftëtare të lirisë, në mesin e tyre edhe Kadri Ademaj e Fatmir Rashiti.
Mëngjesi i hershëm i 14 dhjetorit kolonën e gjatë, që ecte me vështirësi nëpër dëborën e rrastë, nëpër rrugët gjarpërore dhe në majat e mbuluara me dëborë të Pashtrikut e gjen të rrethuar nëpër shtigjet, të cilat një natë më parë i kishte vendosur ushtria e policia serbe. Forcat serbe godasin papritur mu në mes të kolonës, rreth orës 6 të mëngjesit të 14 dhjetorit të vitit 1998. Pastaj godasin edhe kreun dhe pjesën që mendohej se ishte fundi i kolonës. Në mesin e luftëtarëve shqiptarë ishte krijuar një gjendje e nderë, meqë breshëria e armëve armike po derdhej mbi kokat e tyre nga pozicionet e kamufluara serbe. Kadri Ademaj, Fadil Rashiti, Selim Selimi etj. kishin shkëmbyer zjarr mbi forcat armike.
Kishin rënë në krye të kolonës, Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Luljetë Shala, Gani Elshani e shumë të tjerë. Nga Zona operative e Neredimës, me gjakun e tyre rinor i kishin skuqur malet me dëborë të Pashtrikut edhe Kadri Ademaj, Afrim Musliu, Fadil Rashiti, Selim Selimi, Astrit Bytyçi… Nga Batalioni “Ruzhdi Salihu” kishin rënë: Xhelë Xheladini, Isë Olluri, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani, Qamil Olluri, Mentor Ibriqi, Enver Olluri, Arben Hyseni… Atë ditë në malet e Gorozhupit, mbi Likenet e Hasit, në Pashtrik kanë rënë 41 dëshmorë të UÇK-së së bashku me komandantin e tyre, Mujë Krasniqi.
Më 20 dhjetor trupat e dëshmorëve të rënë në Gorozhup janë bartur nga morgu i spitalit të Prizrenit dhe janë dërguar në Rahavec. Prej andej janë bartur në fshatin Polac të Drenicës ku edhe janë varrosur, në “Varrezat e Dëshmorëve” të UÇK-së.
Familja e dëshmorit Kadri Ademaj ka marrë mirënjohje për birin e saj, nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Shtimes. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …