( Hydajet Hyseni: “Pushka amanet“, poemë, botoi “Zëri i Kosovës”, 1989)
“Pushka amanet” e autorit Hydajet Hyseni i posedon të gjitha komponentet e krijimit artistik letrar, që e bëjnë të dashur dhe të përjetshëm në kujtesën e lexuesit, sidomos të lexuesit të moshës së rinisë, të cilëve edhe u dedikohet. Në këtë drejtim, në mënyrë të veçantë, ndikon tema aktuale kohore, e jetuar gjallërisht nga brezi ynë, si dhe ideja militante revolucionare e poemës, që të dyja së bashku të realizuara me sukses: thjeshtë dhe qartë. Pastaj poema vjen nga Hydajet Hyseni, nga njeriu, atdhetari, mendimtari, veprimtari, organizatori, ilegali dhe nga publicisti i talentuar, talentin e të cilit sot po e brenë ngadalë terri dhe ritimi i burgjeve mesjetare jugosllave, me çka ai e karakterizoi bindshëm figurën e personalitetit të pastër, atdhetarit të shquar i cili asnjëherë nuk e ndau fjalën nga vepra.
Tema e poemës “Pushka amanet” nxjerr në pah synimin e Hydajet Hysenit për të pasqyruar realitetin kosovar në artin letrar. Në këtë aspekt pena e Hydajet Hysenit i bashkohet plejadës së shkrimtarëve përparimtarë të Kosovës së robëruar, të cilët, me flijime mbinjerëzore, po gjejnë forma dhe po krijojnë nën peshën e rëndë plumb të censurës së pushtetit gjakatar. Në poemë autori e trajton Aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve në Kosovë gjatë dimrit të egër të viteve 1955-56 me të gjithë dhunën dhe terrorin e pushtetit dhe peripetitë tjera që e shoqëruan atë. Tema është e madhe, ndonëse, në e parë, nuk karakterizohet nga ndonjë epikë apo heroizëm për të qenë. Prandaj, mu këtu vjen në spikamë invencioni dhe gjeturia krijuese e autorit…. Nga një temë aq shumë prozaike autori krijon atmosferë, personazhe, situata, tension, emocione dhe ide që të rrëmbejnë, që nuk të lënë të qetë. Edhe atje ku e bëjnë të vetën dajaku dhe shoku elektrik, bora dhe stufa e skuqur, uji dhe konopi, kaloriferi dhe frigoriferi; edhe atje ku dukej se dinjiteti dhe krenaria shekullore e shqiptarit kishte rënë fare poshtë, deri në baltë, poeti e sheh rezistencën e popullit, e sheh rezistencën që po forcohej, e sheh shkëndijën e zjarrit të urrejtjes kundër robërisë, kundër pushtuesit:
E shihja tek rritej
Këtë zjarr gjithkund;
Rritej në çdo zemër,
Rritej dhe tek unë.
-urrejtje kjo që po përgatitej të shpërthejë në të ardhmen, me të gjitha ngjyrat e heroizmit dhe të epikës shqiptare.
Atmosfera e poemës është po ajo e Kosovës martire: e zymtë, ferr, e padurueshme. Shprehjet e zakonshme: “acar”, “ngricë”, “akull”, “borë”, “dimër i vështirë”, “erë”, “stuhi” ankth”, “trishtim”, “hapa patrullash”,”gjipsa”,”vetura”,”udbash”,”njerëz të zi”, “spiun”, etj., janë vetëm disa elemente perceptimesh të kësaj skëterre që marrin kuptime metaforike. Ne këtë natë të gjatë e të zezë edhe fëmijët i kap shqetësimi, ata bien në shtrat por nuk i merr gjumi.
Murrashi, gogoli dhe qeniet e tjera të frikshme fantastike janë zëvendësuar me një qenie tjetër konkrete: me udbashin. Pushteti përmes udbashit kërkon armë, kërkon shfarosjen e popullit shqiptar:
– Jo, thoshte babai,
S’duan veç armët tona,
………………………….
Duan që të zhdukin
Gjithçka që është shqiptare,
Emrin, gjuhën, plisin…
Të na qesin fare.
Këtë pushtet, këtë mekanizëm të pushtetit – UDB-në, populli ynë e njeh fare mirë. Dorën e tij gjakatare e ka provuar në mish të vetë edhe para luftës, edhe gjatë saj, edhe më vonë. Atë po e provon edhe sot. Ata qenë gjithmonë të njëjtë dhe vetëm rrobat i ndërruan. Përkrah tyre u vu edhe fundërrina e kombit tonë, bastardët. Ata në poemë personifikohen përmes ofiqarit dhe hoxhës, tradhtarë të fshatit, të cilët, që të dy predikojnë pajtimin me gjendjen aktuale, predikojnë nënshtrimin:
Zoti është i pari
I dyti hyqymeti
Por, populli nuk nënshtrohet. Populli qëndron. Dhe në qëndresën e tij ai është i fuqishëm. Shtypja dhe dhuna e pushtetit lindin indinjatën, rezistencën, protestën. Në kërkesën e pushtetit për të dorëzuar armën, protagonisti kryesor i poemës, përfaqësuesi i popullit, pa asnjë lëkundje betohet:
I gjallë nuk e jap
Ky betim, ngjashëm me betimin e Brahim Sadikut në këngën popullore, si fill i kuq bëhet lajtmotiv i tërë veprës dhe në tragjiken e vet të brendshme shpalos në mijëra nuanca ëndrrat dhe gjakimin e popullit tonë për ditë të lumtura në liri, për të cilat u përpoq gjatë shekujsh.
Subjekti i poemës “Pushka amanet” rrëfehet mjeshtërisht përmes kujtesës së fëmijës së rritur. Ai është dëshmitar dhe pjesëmarrës aktiv i një drame të tmerrshme të një kohe dhe të një ambienti. Ai si i këtillë është fëmijë i pa fëmijëri. Bota e fëmijërisë së tij që herët ka shtegtuar, ka tretur diku larg, për t’ia lëshuar vendin një bote preokupimesh te të rriturit, të pjekur dhe t burrëruar para kohe. Ai tashti ëndërron të jetë i madh, të hakmerret për të atin dhe për të gjithë sivëllezërit e tij. Ëndërrimet e tij nuk janë të pa baza. Ato ngritin kokë si vazhdimësi e një jete të jetuar nga të parët e tij, nga gjyshi dhe nga i ati. Ato shkojnë edhe më larg dhe zënë vend të pushojnë në ditët e bardha të lirisë, për të cilat aq shumë u derdh gjak. Ne epilogun e poemës bëhet edhe një kthesë. Pranë maliherit qëndron edhe arma tjetër e fortë, po aq e rëndësishme në rrugën e lirisë, – mësimet revolucionare, veprat e udhëheqësit Enver Hoxha.
Me këtë element edhe poema merr shumë në peshë në aspektin ideoestetik. Prandaj, edhe betimi i këtij fëmije të burrëruar shëmbëllyeshëm me betimin e të atit: “I gjallë nuk e jap” – na vjen aq i natyrshëm duke e dhënë kështu kuptimin e amanetit të trashëguar brez pas brezi. Pushka në këtë poemë simbolizon objektin më të shtrenjtë të shqiptarit, mikun më besnik të tij, mjetin më efikas për të fituar lirinë. Ajo:
Është nderi i shtëpisë;
Është amanet i brezave
Është pushkë e lirisë…
Historia e kësaj pushke është e gjatë, sa heroike po aq edhe tragjike. Si historia e Kosovës. Si historia e shqiptarëve. Ku nuk gjëmoi kjo pushkë. Nga beteja në betejë. Nga lufta në luftë. Në mal e në vërri. Plumbat e saj zanuan sulltan e krajla. Shtegtoi nga Boletini në Vlorë. Nga Presheva në Dibër. Në Kosovë e në Sanxhak. Nga Çyçavica në Dragobi. Kudo në trojet shqiptare. Ajo ishte mbrojtja e lirisë, mbrojtja e atdheut:
Por, s’erdhi liria
Se rrugën e saj
Ia preu tradhtia.
Prandaj, edhe amaneti që u lihet brezave është kuptimplotë dhe poeti aktualizon ndërgjegjshëm këtë armë, këtë amanet që vjen si domosdoshmëri e realitetit:
Luftë gjerë në vdekje,
Për liri të vatanit
Pushka e lirisë,
Kurrë në dorë dushmanit!
Poema “Pushka amanet” e Hydajet Hysenit ka marrë rrugën ilegale për tek lexuesit. Poema po e përjeton fatin e shqiptarit të Kosovës.
U krijua në ilegalitet, u botua në ilegalitet, po lexohet në ilegalitet. Ngjashëm me krijimet e Rilindësve tanë edhe kjo poemë do të qarkullojë, do të bëhet pronë e brezit të ri dhe do të kryej misionin e saj të shenjtë.