Në kontinuitetin e përpjekjeve, luftërave dhe qëndresës shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, demonstratat e pranverës së vitit 1981 shënojnë njërën ndër faqet më të ndritura dhe më të rëndësishme të historisë sonë të re. Si ngjarje kthesash të mëdha historike dhe shoqërore, ato shprehin sintezën e virtyteve më të larta morale dhe patriotike të rinisë shqiptare dhe aspiratat shekullore të popullit tonë të lashtë. Duke ndikuar fuqishëm në faktorin e brendshëm, në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në shkallën më të lartë, si dhe në faktorin e jashtëm, pra, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së Kosovës në veçanti, ato në horizontin mbarëshqiptare hapën një shpresë të madhe dhe një perspektivë të re.
Demonstratat e vitit 1981 shpërthyen si protesta mbarëpopullore të shqiptarëve kundër një gjendjeje të padurueshme shtatëdhjetëvjeçare që mbretëronte në Kosovën e ndarë me dhunë nga trungu i atdheut, në Kosovën e pushtuar, në Kosovën e robëruar dhe të terrorizuar nga okupatori serb. Demonstratat ishin rebelim dhe kryengritje e një populli kundër shtypjes kombëtare, kundër diskriminimit social dhe shoqërorë, kundër eksploatimit të egër të pasurive natyrore dhe të trajtimit të Kosovës si burim lëndësh të para, apo thjeshtë, si zonë koloniale serbe… kundër varfërisë dhe mjerimit të skajshëm të popullit, kundër padrejtësive thelbësore politike dhe ekonomike, kundër zbatimit të gjenocidit dhe të papërspektivës kombëtare të popullit shqiptar.
Që të ngrihej në demonstratat e vitit 1981 popullit shqiptar iu dasht të kalojë një rrugë të mundimshme shtatëdhjetëvjeçare, e cila kaloi përmes ferrit dhe golgotës politike dhe ushtarake serbe, përmes masakrave individuale dhe atyre kolektive, përmes varrezave individuale dhe varrezave masive, përmes djegëjeve të katundeve dhe shkretërimit të krahinave të tëra, përmes të ndërrimit të fesë me dhunë dhe të çkombëtarizimit masiv, përmes dëbimit nga vatrat shekullore dhe gjenocidit mbi qindra fshatra të Sanxhakut të Nishit, përmes masakrave të pashembullta në Drenicë e në Gjilan, në Llap e në Ferizaj, në Tetovë e në Burim, në Pejë e në Gjakovë, në Mitrovicë e në Prizren, në Tivar e në Srem, përmes vrasjes me uri në emër të tepricave, përmes kolektivizimit, përmes aksioneve për mbledhjen e armëve, përmes shpërnguljeve me dhunë, përmes ndalimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, përmes ndalimit të gjuhës dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare…
Në këtë rrugë të gjatë dhe të rëndë të qëndresës së paepur, popullin shqiptar e mbajti të papërkulur vetëdija e lartë kombëtare e përkatësisë shqiptare, vetëdija e lartë e një populli të lashtë autokton, vetëdija e një populli që në trojet e veta nuk është as ardhës dhe as pushtues, por zot i tyre që nga stërgjyshet Ilirë e këndej, zot legjitim i tyre me bekimin tokësor dhe me bekimin hyjnor. Në këtë rrugë vuajtjesh të shumta dhe krajatash të padurueshme popullin shqiptar e mbajti gjallë në jetë ideja e pashuar e lirisë, e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar. Pra, popullin shqiptar e mbajti gjallë e të papërkulur puna dhe veprimi i pandërprerë, shpresa dhe besimi i patundur në fitore të sigurt dhe në një ardhmëri të ndritur. Kështu, deri në muajt e parë të vitit 1981, atëherë kur thika serbe kishte depërtuar deri në ashtin e një populli, atëherë kur durimit të padurueshëm i kishte ardhë fundi, atëherë kur një popull kishte ardhë në përfundimin sublim se liria dhe pavarësia është mbi të gjitha, se liria dhe pavarësia janë më të shtrenjta se vetë jeta.
Por, vërtetë, çka ndodhi në muajt e parë të vitit 1981 dhe si shpërtheu deti i vuajtjeve të një populli? Si filluan dhe si u zhvilluan demonstratat? Pasojat dhe perspektivat qe hapen ato? Të fillojmë me radhë.
Shovinizmi serbomadh në ofensivë
Se gjatë muajve të fundit të vitit 1980 dhe muajve të fillimit të vitit 1981 diçka e madhe po lëvizte, se diçka e madhe po bëhej gati të shpërthente në Jugosllavi, shihej qartë nga të gjithë. Mbledhjet e bashkësive lokale, të organizatave të punës së bashkuar, të organizatave shoqërore-politike zgjateshin deri vonë pas mesnate. Flitej gjatë për rezistencën që po i bëhej nga patriotët afganistanas agresorit sovjetík, të cilën gjë kjo e fundit nuk e kishte pritur, ndaj akoma bënte përpjekje të justifikohej se gjoja është e ftuar për ndihmë vëllazërore atij populli. Flitej gjerë e gjatë se viteve të fundit Jugosllavia ka zënë të goditej rëndë nga inflacioni, nga ngritja e çmimeve, nga mungesa e artikujve më të domosdoshëm, nga papunësia, nga armiku i brendshëm klasor, nga antikomunistët e të gjitha ngjyrave, nga presioni i vendeve të zhvilluara për t’ua kthyer kreditë, etj. etj. Bisedat dalëngadalë ktheheshin në gjendjen dhe në situatën e rëndë politike dhe ekonomike të KSA të Kosovës. Në rrugë, në vende të punës dhe kudo përsëritej botërisht se aktualisht gjatë vjeshtës së vitit të kaluar dhe gjatë dimrit në hetuesitë e Kosovës merreshin në pyetje mbi 2.000 persona të burgosur shqiptarë për aktivitete politike.
Si rezultat i situatës së keqësuar politike, në Kosovë kishin vërshuar gazetarët e agjencive të huaja si dhe përfaqësuesit e Amnistisë Internacionale, të cilët interesoheshin të mësonin të vërtetën lidhur me shkaqet dhe numrin e saktë të personave të arrestuar gjatë burgosjeve masive muajve të fundit si dhe lidhur me kushtet e rënda në të cilat mbante burgun e tretë Adem Demaçi. Me gjithë interesimin e tyre të madh e vërteta mbulohej me trillime dhe minimizime të pabesueshme për askënd. Në këtë drejtim, në një situatë të rëndë u gjend edhe kryetari i KK të LKK, Mahmut Bakalli, i cili para gazetarëve u detyrua ta mohojë kumtesën interne të KK të Kosovës, në të cilën theksohej se në burgje ndodheshin mbi 50 persona, të dhëna të cilat disa ditë më parë i kishte kumtuar edhe gazeta qendrore jugosllave “Politika”.
Gjithashtu temë dite u bë edhe biseda lidhur me të ardhmen e Jugosllavisë pas vdekjes së kryetarit të saj J.B.Tito. Tito prej disa muajsh lëngonte dhe dergjej në shtratin e vdekjes, ndërsa konsiliumi i mjekëve lidhur me gjendjen e tij shëndetësore njoftonte opinionin për çdo orë nëpërmjet radios dhe televizionit. Thuhej se pas vdekjes së Titos Jugosllavia do të shkatërrohej duke u ndarë në dysh, në vijën ajrore Sisak-Dubrovnik, sipas një marrëveshje të fshehtë mes SHBA-ve dhe BRSS-së. Po ashtu përsëritej se serbët nuk do ta pranojnë këtë variant, meqë ata gjithë strategjinë e vetë e kishin orientuar në vendosjen e sundimit të tyre mbi tërë Jugosllavinë, duke i shtypur dhe duke i dëbuar me shpërngulje të dhunshme popujt e saj si në kohën e Mbretërisë së Karagjorgjeviçëve. Një variant tjetër thoshte se republikat e Jugosllavisë do të shkëputen dhe do të bëhen shtete të pavarura, e në këtë rast edhe Kosova dhe viset e saj do të bashkohen me truallin nënë, RPS të Shqipërisë. Flitej e çfarë nuk flitej asokohe. Prognozat ndërroheshin brenda ditës disa herë. Vetëm një gjë shihej konkretisht. Sërish filluan të vihen kujdestaritë dhe rojat në të gjitha objektet e rëndësishme shoqërore, duke filluar nga objektet e forumeve të larta shtetërore, në ndërmarrjet industriale e deri te objektet edukative-arsimore. Sidomos mungesa e artikujve më të domosdoshëm për jetesë në mënyrë më të theksuar ndihej në Kosovë. Mungonte mielli, vaji, sheqeri, qumështi, ilaçet, detergjentet, kafeja, etj. Popullatës serbe dhe malazeze këta artikuj i ndaheshin në mënyrë të organizuar, shtëpi për shtëpi.
Një favor i këtillë aplikohej edhe për shtresën e lartë dhe kuadrat politike-shoqërore të kombit shqiptar. Me mungesën e artikujve më të domosdoshëm ushqimorë dhe atyre të amvisërisë, me krijimin e rreshtave të gjatë para shitoreve, u futën në përdorim edhe triskat dhe padrejtësitë e tjera. Pakënaqësia e popullit shtohej gradualisht. Pleqve nuk u mbyllej goja. Ata habiteshin pa masë dhe të çuditur pyesnin: pse artikujt e sipërpërmendur nuk kishin humbur as gjatë kohës së luftës, ndërsa një gjë e këtillë ndodhte tashti pas kaq vjetësh propagande të shfrenuar për liri dhe bollëk të pakufishëm?
Objekt kryesor i sulmit u bë populli shqiptar
Secila heshtje dhe secili veprim në këtë kohë linte përshtypjen e thellë të pasigurisë së pushtetit, të halleve të mëdha të qeverisë…Shkurt, pëshpëritjet, reagimet e zëshme, pakënaqësia e përgjithshme, burgosjet masive, elektrizimi politik i stërngarkuar i popullit, presioni i padurueshëm mbi popull etj., ishin sinjale të sigurta që premtonin shpërthim të afërt të furtunës rrënimtare. Fuçisë së barotit i mjaftonte vetëm një shkëndijë e vogël.
Opozita jugosllave, e djathta borgjeze, kisha dhe shovinizmi serbomadh, në aleancë me Bashkimin Sovjetik, kishin vlerësuar se koha po punonte për ta. Andaj, qarqet intelektuale serbe e sidomos Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe këtë kohë e shfrytëzuan me një revan të shfrenuar. Duke lëshuar tezën e njohur të tyre se “Serbia i humbi në paqe të gjitha ato që i fitoi në luftë” si dhe tezën tjetër gjoja të frikës për asimilimin e serbëve që gjendeshin jashtë territorit të ngushtë të Serbisë, intelektualët serbë filluan një propagandë të sëmurë gjoja në mbrojtje të elementit serb, por që drejtohej kryekëput në rrënimin e Jugosllavisë federale. Në librat dhe në revistat që ishin botuar deri atëherë dhe që po botoheshin me një nxitim të madh, në ligjëratat që mbaheshin në Universitetin e Beogradit si dhe në tubimet e organizuara nëpër klube të ndryshme dhe në shtëpitë private po i fryhej zjarrit pansllav, hegjemonisë serbe në Ballkan. Lëvizja e re serbomadhe, duke e vazhduar politikën e Rrethit Kulturor Serb dhe platformën e Lëvizjes çetnike, e cila organizimin e Jugosllavisë së re e shihte të lidhur ngushtë me krijimin e “Serbisë së Madhe, etnikisht të pastër në kufijtë e Serbisë-Malit të Zi-Bosnjëhercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës”, duke e bërë në të njëjtën kohë “spastrimin e territorit shtetëror nga të gjitha pakicat kombëtare dhe nga elementët joserbë”, mbështetej edhe në idenë e Stevan Moleviqit, i cili theksonte se serbët duhet ta frymëzojnë dhe t’ia japin vulën e vet mbarë Jugosllavisë. Parimi i Moleviqit se “serbët duhet të kenë hegjemoni në Ballkan, e për të pasur hegjemoninë në Ballkan patjetër së pari duhet të kenë hegjemoninë në Jugosllavi”, u përqaf pa asnjë vërejtje nga frymëzuesit e Lëvizjes së re serbomadhe e që aktualisht në Evropë paraqiste një lëvizje të re fashiste. Natyrisht që objekti kryesor i sulmit të kësaj lëvizjeje u bë populli shqiptar, si popull josllav dhe që paraqiste pengesën kryesore të realizimit të kësaj ëndrre të sëmurë të ideologëve shovinistë serbë.
Kosova po hynte në dimrin më të ashpër politik, ekonomik dhe shoqëror
Vjeshta e thatë dhe e lodhshme e Kosovës kish kohë që kishte ikur. Pos frutave të stinëve të shkuara, në planin politik, ekonomik dhe në atë shoqëror, vjeshta kishte sjellë edhe dhunë e padrejtësi të reja. Kështu, Kosova po hynte në dimrin e saj më të ashpër politik. Shovinizmi serbomadh po ziente në kuzhinën e Beogradit dhe priste çastin më të përshtatshëm të gulfimit. Re të zeza qëndronin pezull sipër Kosovës, duar të përgjakura po zgjateshin drejt saj.
Edhe pse para opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm akoma vazhdohej të flitej me mburrje për barazinë e popujve në Jugosllavi, kryetari i Kryesisë të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Mahmut Bakalli, i detyruar nga situata politike shoqërore, në mbledhjen e XV-të të KQ të LKJ-së, të mbajtur në dhjetor të vitit 1980 në Beograd, pohonte: “Nuk u arritën synimet për zvogëlimin e diferencave në shkallën e zhvillimit të Kosovës në krahasim me mesataren e vendit. Përkundrazi, u bë një thellim i mëtejshëm i diferencave…Kësisoj, në vend që dinamika e zhvillimit të Krahinës të jetë 60 për qind mbi dinamikën e zhvillimit të vendit, siç ka qenë planifikuar, dinamika e zhvillimit të Kosovës ishte 46,9 për qind nën mesataren e vendit. Kjo tendencë e rritjes së këtyre diferencave vazhdon që nga viti 1947 e deri tani. Ky proces i thellimit të diferencave, shprehej ai, ka arritur kufijtë kritikë…”.
Sipas të dhënave statistikore që i publikonte shtypi jugosllav, të ardhurat kombëtare për banorë në Kosovë ishin 6 herë më të ulëta se ato në RS të Sllovenisë dhe 5 herë më të ulëta se ato në RS të Serbisë. Gjatë viteve të fundit ritmi i rritjes së prodhimit industrial në Kosovë kishte qenë 4-5 herë më i vogël se ai i Serbisë. Shkalla e papunësisë ishte 20 herë më e madhe se në Slloveni dhe 2,5 herë më e madhe se në Serbi. Numri i punëtorëve që kish emigruar për punë jashtë Kosovës e Jugosllavisë i kalonte 110.000 vetat, duke mos llogaritur këtu edhe mbi 70.000 të tjerë që pritnin nëpër entet për inkuadrim të Kosovës, kryesisht punëtorë të kualifikuar. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, nënkryetari i RSFJ-së, Fadil Hoxha, gjatë një turneu nëpër Kosovë, në vend që të ofronte ndonjë program lidhur me zbutjen e këtyre plagëve shoqërore, çirrej dhe përjargej në fjalimin e tij të mbajtur më 2 mars 1981 në Viti, fjalim të cilin në mbrëmje për masën e gjerë e transmetoi edhe TV Prishtina në emisionin special. Në mes të tjerash, Fadil Hoxha kërcënonte me këto fjalë: “Pse po i thirrni të kthehen punëtorët kosovarë të inkuadruar në botën e jashtme. Çka po u duhen ata këtu… Ne, siç po e shihni edhe vetë, nuk po kemi çka me u ba atyne me shkollë që na kanë mbetë pa punë e po sillen teposhtë e përpjetë… Ku me pasë atë nafakë me i shti në pune atje edhe dy hise… edhe pesë hise… e këndej ju i thirrni të kthehen edhe ata që janë atje… Masandej, këta që kanë mbetë te papunë, çka i kanë hapë sytë vetëm në Kosovë. Jugosllavia është e madhe… prej Gjevgjelisë e deri në Trigllav…le të dalin të rijtë e të lypin punë. Kosova nuk i nxen të tanë…”.
Kësisoj Fadil Hoxha u thyente shpresat kurbetçinjve ekonomikë që të mos kthehen në vatrat e veta, në gjirin familjar; kështu ai ua priste shpresat të rinjve, të cilët me vuajtje dhe sakrifica të mëdha kishin mbaruar shkollat dhe pritnin t’i shërbenin popullit dhe Kosovës së shumëvuajtur. Këto fjalë shqiptoheshin jo nga një politikanxhi katundi, por nga nënkryetari i shtetit.
Të gjitha këto thuheshin në kohën kur populli po e kuptonte se Kosova kish mbetur në mëshirën e fatit, në kohën kur rreziku po ndihej më afër se asnjëherë tjetër. Dhe asnjë fjalë nuk thuhej për shfrytëzimin e burimeve të pafundme minerare të Kosovës, për shfrytëzimin e fushave pjellore të saj, për shfrytëzimin e njerëzve të saj trima e punëdashës. Asnjë fjalë nuk thuhej për milionat e tonelatave të qymyrit që nxirrej nga barku i Kosovës. Asnjë fjalë nuk thuhej për miliardat e kilovatëve të energjisë elektrike që prodhohej, për plumbin e Trepçës që po rridhte lumë, për kromin, për hekurin, për nikelin, për magnezitin, për argjendin, për arin… që ngriheshin si male të larta. Asnjë fjalë nuk thuhej për grurin, për bagëtinë e shijshme të Kosovës që mbushnin eshalone të tëra vagonësh dhe shkonin në të gjitha tregjet e Evropës.
Në rrethana të këtilla, Kosova e pasur në mundësi dhe e varfër në fakt përkundej në shtratin e urisë, të mjerimit, të skamjes, të padrejtësisë dhe të presionit. Dimri i egër i vitit 1980/81 ishte tepër i gjatë, nuk i shihej fundi. Mungonte mielli, mungonte buka, mungonte detergjenti, mungonin lëndët djegëse. Qarkullimi i mjeteve të komunikacionit numëronte tiketat e fundit. Reduktimi i rrymës elektrike kish kaluar çdo parashikim. Rreshtat e gjatë para shitoreve nuk kishin të sosur. Shitoret ishin boshatisur më shumë se kurrë. Pagat e punëtorëve nuk ishin marrë prej disa muajsh me radhë. Çmimet dhe taksat rriteshin pa fije kontrolli. Shqiptari, si qytetar i dorës së dytë fyhej në rrugë, në vendin e punës, në zyrë. Dhe, mbi të gjitha, shqiptari ngacmohej, provokohej rrehej, burgosej, torturohej dhe vritej pa kurrfarë përgjegjësie. Me dhjetëra kufoma të shqiptarëve ishin gjetur nëpër vise të Kosovës vetëm gjatë vitit që kishte kaluar. Kriminelët serbë jo vetëm që nuk gjurmoheshin, por edhe nëse ndonjëri prej tyre zbulohej rastësisht, aty për aty tërhiqej nga hetuesitë e Kosovës dhe dërgohej në Beograd, ku shpallej i sëmurë psikik. Ndërsa, në të kundërtën, nëse shqiptari hakmerrej ndaj serbit atëherë e priste dënimi me vdekje. Kështu, zemërimi i masave kishte arritur kulmin. Kupa e vrerit kish kohë që ishte mbushur. Durimi i popullit kishte mbaruar. Shkëndija e ndezur në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, më 11 mars 1981, premtonte se kupa e helmit dhe durimi i popullit do të derdheshin brenda një kohe të shkurtër në mbarë Kosovën, duke e ndezur kështu zjarrin e madh të atdhetarisë së vërtetë, me të gjithë tragjedinë dhe lavdinë që do të sillte ai në vete.
E tërë Kosova në demonstrata masive
Më 1, më 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat nga studentët në Universitetin e Kosovës. Vetëm pas pesë ditësh, më 1 e 2 prill, si edhe gjatë ditëve të tjera të atij muaji, demonstratat e para u pasuan me demonstrata të reja. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm, si deti në baticë, dhe kështu zbrazi pezmin, revoltën dhe urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë serbe. Në demonstrata masive u ngrit Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Besiana, Drenasi, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Peja, Burimi, Deçani, Gjakova, Kaçaniku, Theranda, Lypjani, Kastrioti dhe pothuajse të gjitha lokalitetet e Kosovës. Në demonstrata morën pjesë studentët, punëtorët, fshatarët, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë etj. të cilët kështu formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak. Përveç kërkesave ekonomike, demonstruesit shtruan edhe kërkesa politike, duke kërkuar liri dhe të drejta demokratike. Në kuadër të së drejtës së ligjshme të popujve për vetëvendosje, përmes demonstratave në rrugë, populli i Kosovës kërkoi statusin e republikës në kuadër të federatës jugosllave. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me zjarr dhe me hekur.
Ndonëse opinioni ndërkombëtar dhe shtypi botëror këto demonstrata i cilësoi paqësore, në Kosovë vërshuan njësi të shumta të policisë dhe të ushtrisë nga Serbia dhe nga republikat e tjera të Jugosllavisë Federale. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën bombat lotsjellëse, shkopinjtë e gomës, gazrat kimike helmuese, armët e zjarrit, tanket, helikopterët, autoblindat dhe aeroplanët luftarakë të tipit MIG-21. E tërë Kosova u la në gjak. Më dhjetëra njerëz u vranë. Më mijëra të tjerë u plagosën, u arrestuan dhe u arratisen jashtë atdheut. Një gjeneratë e tërë u zhduk dhe u flijua në altarin e Kosovës, për të drejtat më njerëzore që i takojnë secilit popull të planetit tonë.
Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në mbarë Kosovën u shoqërua me shpërthimin e terrorit të egër të ushtruar nga shovinizmi serbomadh. U bastisën shtëpitë, u ndaluan grumbullimet publike, u ndaluan dasmat dhe të gjitha manifestimet e tjera të qytetarëve me karakter gëzimi dhe hidhërimi. U mbyll Universiteti i Kosovës dhe të gjitha shkollat. U ndërpre qarkullimi i postës dhe i të gjitha lidhjeve telefonike. Patrullat policore dhe ushtarake bënin kontrollimin e të gjithë kalimtarëve dhe të mjeteve të komunikacionit. Duke e izoluar nga pjesët tjera të Jugosllavisë si dhe duke e shkëputur çdo lidhje të saj me botën, serbomëdhenjtë e kthyen Kosovën në një kamp të tmerrshëm ushtarak.
Megjithëse në demonstrata morën pjesë masat e gjëra popullore, megjithëse kërkesat që u shtruan nga populli ishin krejt të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë Kushtetutës së RSFJ-së, demonstratat u cilësuan si “kundërrevolucion”, ndërsa pjesëmarrësit në to si “armiq”, “kundërrevolucionar” dhe “irredentistë shqiptar”. Ndaj pjesëmarrësve në demonstrata u zbatuan masat më të egra represive, duke i përgjakur e keqtrajtuar. Duke i torturuar në mënyrat inkuizicionale dhe duke i dënuar me burg të rëndë deri në pesëmbëdhjetë vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua masa e izolimit total. Në këtë vazhdimësi, pak ditë më vonë, në Beograd u mbajt edhe mbledhja e KQ të LKJ-së, e cila, lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, e aprovoi të ashtuquajturën “Platforma politike e LKJ-së për çështjen e Kosovës”. Të gjitha tezat e asaj mbledhjeje dhe të asaj platforme ishin të paligjshme, gjenocidale, johumane dhe thellësisht antishqiptare.
Platforma për Kosovën- gjyq inkuizicional kundër një populli
Kështu pra, duke ecur besnikërisht në jetësimin e platformës dhe të skenarit të hartuar nga e djathta radikale intelektuale borgjeze serbe, KQ i LKJ-së dhe Kryesia e RSF të Jugosllavisë, ky gjyq i përbashkët inkuizicional në mbarim të shekullit XX, kjo juntë ushtarake në qendër të kontinentit të vjetër, në vazhdim të krimeve të vjetra dhe krimeve të reja, në ditët e para të prillit të vitit 1981, në Beograd bëri edhe një krim njerëzor të pa precedencë dhe në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi kudo në botën e qytetëruar. Me vendimin arbitrar të këtij gjyqi, përmes “Platformës politike të LKJ-së për çështjen e Kosovës”, demonstratat e marsit dhe të prillit 1981 u shpallën kundërrevolucion, ndërsa pjesëmarrësit në to armiq, kontrarevolucionarë, irredentistë, seperatistë, shovinistë, fashistë, terroristë, dhunues e kështu me radhë, ndërsa me të njëjtin vendim në Kosovë vërshuan hordhitë e milicisë speciale serbe dhe federative si dhe repartet e ushtrisë së APJ-së, kur edhe u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe administrata e dhunshme ushtarake.
Në këtë mënyrë edhe u kurorëzua një periudhë e gjatë e fushatës së tërbuar kundër popullit shqiptar në Jugosllavi dhe në të njëjtën kohë u hap në perspektivë edhe një kapitull I ri dhune, terrori, gjenocidi dhe demonstrimi të forcës në Kosovë, gjë që realisht paraqiste jo vetëm shtypjen e gjithmbarshme të një populli, në këtë rast popullit shqiptar, por paraqiste edhe rrezikun real për shkatërrimin e Jugosllavisë, për prishjen e paqes dhe të sigurisë në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë. Kjo aventurë e rrezikshme e Beogradit, kjo lojë me zjarr e me barot dëshmonte edhe një herë, qoftë përpara popullit shqiptar qoftë edhe përpara opinionit jugosllav dhe atij ndërkombëtar, se qeveria zyrtare e RSFJ-së ishte duke ecur me këmbëngulje në rrugën e zbatimit të doktrinës famëkeqe të V. Qubrilloviqit për zbrazjen e Kosovës prej popullsisë shqiptare nëpërmjet shpërnguljeve, terrorit të egër, gjenocidit në masë, reprezaljeve, masakrave, vrasjeve, burgosjeve, mohimit të lirisë më elementare për jetë etj., doktrinë kjo e përkundur dikur edhe në djepin e ëndrrave të kralëve të Serbisë e carëve të Rusisë, të cilët cak të fundit kishin zhdukjen e popullit shqiptar nga faqja e dheut, në mënyrë që pastaj, të lirë dhe pa pengesën e askujt, ta përdornin Ballkanin për interesa dhe për qëllime të tjera të errëta dhe destruktive.
Me zjarr e hekur kundër çdo të drejte dhe lirie të popullit shqiptar
Hapi më i ri i të dy kryesive të Federatës, natyrisht i gabuar si edhe shumë hapa të tjerë para këtij, i ndërmarrë nën presionin e shovinizmit serbomadh, fliste bindshëm se qeveria e Jugosllavisë as pas më shumë se 35-vjet të ekzistencës së saj nuk ishte e zonja të merrte në duart e veta fatin e popujve në kuadër të shtetit të vet, as pas më shumë se tri dekadash nuk ishte e zonja të ulej shtruar për t’i peshuar drejt, me zemër të çiltër dhe pa nervozitet, kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar, të sublimuara në kërkesën gjithëpopullore për t’iu njohur Kosovës statusi i republikës. Në mungesë të aftësisë dhe të forcës së vet, kjo qeveri në kalbëzim, për kob të kokës së vet, po u jepte dorë të lirë qarqeve më të errëta të shovinizmit serb që të nëpërkëmbin të drejtat dhe liritë e popujve, për të cilat kishin derdhur gjak gjatë shekujve. Në vend që të kujdesej për zbatimin e ligjeve në jetë, në vend që t’i jetësonte të drejtat politike të cilat i premtonte Kushtetuta e RSFJ-së, Qeveria në fjalë ende i kënaqte orekset e pangopshme të shovinizmit serb duke i shkelë brutalisht dhe duke i prerë si me thikë edhe ato pak të drejta, të cílat juridikisht figuronin edhe për popullin shqiptar.
Shpallja e kundërrevolucionit, aplikimi i administratës së dhunshme ushtarake në Kosovë si dhe ngulfatja me zjarr dhe me hekur i çdo të drejte dhe lirie të një populli, i cili për nga numri i banorëve zinte vendin e tretë në Federatë, pas Serbisë dhe Kroacisë, të dy kryesitë e Jugosllavisë i nxirrte faqe botës me fytyrën e tyre të vërtetë prej tirani si dhe me qëndrimin shekullor antishqiptar. Tashti për të gjithë po bëhej e qartë si drita e diellit se klani unitarist serb kishte ngulur këmbë në synimet e veta që ta shndërronte mbarë Jugosllavinë në një shtet të ngjashëm me atë të para Luftës së Dytë Botërore, kur ligjin dhe shkopin në duart e veta i mbante hegjemonizmi serb. Duke dashur ta provonte forcën e grushtit të vet, reagimin e opinionit të brendshëm dhe reagimin e opinionit të jashtëm ndaj synimeve të tij, unitarizmi serb në Kosovë e krijoi një situatë të acaruar dhe një gjendje të padurueshme etnike dhe në të njëjtën kohë po hapte një hendek të thellë ndërmjet dy popujve fqinj, shqiptarëve në njërën anë dhe serbëve në anën tjetër.
Nuk lanë gur pa luajtur për ta fshehur të vërtetën e dramës tragjike të Kosovës
Shpirtrat e ngjallur të Karagjorgjeviqëve dhe të Rankoviqëve Kosovën e mbanin në gjendje dhe në klimë lufte, në alarm dhe në tension të vazhdueshëm. Thirrjet histerike antishqiptare të udhëheqësve politikë, shoqërorë e kulturorë të Serbisë, si edhe ato të kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe u ngjanin borive të luftës së kryqëzatave mesjetare. Në atmosferën e elektrizuar, kur në Kosovë minuta nuk po i ngjante minutës, ora nuk po i ngjante orës, dita nuk po i ngjante ditës, popullin shqiptar nuk e çuditnin tashmë aspak këto veprime të çmendura, obskurantizmi mesjetar dhe i gjithë helmi dhe vreri antishqiptar, që po buronte nga bodrumet e kafeneve të Beogradit. Në këtë vazhdë, shokët, bijtë dhe nipat e Garashaninit, të Pashiqit, të Gjorgjeviqit, të Save Batares, të Kosta Vojvodës, të Miliq Kërstiqit, të Drazha Mihailoviqit, të Ivo Andriqit, të Vasa Qubrilloviqit, të Aleksandar Rankoviqit, të cilët aktualisht i mbanin postet më vitale në hierarkinë e Federatës, nuk lanë gur pa luajtur për ta fshehur të vërtetën e dramës tragjike të Kosovës.
Në vend që t’i shpjegonin shkaqet ekonomike, politike, shoqërore, historike e kombëtare që qëndronin në bazë të ngjarjeve të Kosovës, ata në fjalimet e tyre të panumërta, nga tribunat e forumeve politike dhe të atyre shoqërore, në shtypin e përditshëm dhe revyal, nëpërmjet publikimeve të veçanta publicistike dhe pseudoshkencore, në radio dhe në televizion, me fyerje dhe me sharje nga më të ultat, me epitete të zhargonit politik, me akuza të përbindshme, bënin kërcënime të hapëta kundër mbarë popullit shqiptar, që jetonte në troje të veta, duke e akuzuar këtë si shkaktarin kryesor të krizës politike, ekonomike, shoqërore dhe morale të mbarë Jugosllavisë që nga Lufta e Dytë e këndej. Në fakt me këtë ata synonin ta degradonin pozitën kushtetuese të Kosovës si dhe ta molisnin, ta lodhnin dhe ta frikësonin popullin shqiptar deri në atë shkallë, sa ta detyronin atë të pranonte çdo gjë që i afrohej, ta detyronin atë të heshtte apo të fliste me dhunë, siç e kërkonte rasti dhe nevoja dhe kështu të shikonte me dyshim edhe të sotmen dhe të ardhmen.
Në vend që të pranonin faktin se shqiptarët e Kosovës i posedonin të gjitha tiparet dhe karakteristikat që e përbëjnë një komb, se shqiptarët e Kosovës jetojnë në një territor kompakt, se shqiptarët e Kosovës kanë gjuhën, kulturën dhe konstitucionin shpirtëror të përbashkët, se shqiptarët e Kosovës kanë numrin e mjaftueshëm të banorëve që të ngrihen në rangun e një republike në kuadrin e Federatës, si të gjitha republikat e tjera, qarqet serbomëdha në sundim nuk lanë mënyrë pa përdorur që ta detyrojnë popullin shqiptar për të mohuar gjenezën e tij, historinë e lashtë dhe atë të re, heronjtë e moçëm dhe ata të kohës më të re, gjuhën, kulturën, flamurin, dhe, me një fjalë, gjithë qenien e tij kombëtare. Por, duke parë se përpjekjet e tyre hasën në rezistencë të fortë dhe të ndërgjegjshme të popullit shqiptar, atëherë ata u detyruan që të përdorin mjete dhe metoda nga më të egrat dhe më të turpshmet, të cilat vetëm praktika e tyre i njeh si të tilla, e të cilat, pa fije dyshimi, brezat e ardhshëm të tyre do t’i gjykojnë një ditë, si mishin e tyre të keq, si turpin dhe si mjerimin intelektual dhe njerëzor të një kohe. Në rrugën e tij të padrejtë dhe anticivilizuese, unitarizmi serb, duke e shfrytëzuar dominimin e tij në të gjitha republikat dhe krahinat e Federatës, e përdori forcën e shtetit duke filluar nga LKJ-ja, Sigurimi i Punëve të Brendshme, Armata Popullore e Jugosllavisë e deri tek administrata në bashkësinë lokale. Unitarizmi serb i shtrëngoi dhëmbët që nga aeroplani e tanket e deri në foltoret e Kuvendit Federativ. Shovinistët serbë vranë dhe masakruan masën e pafajshme shqiptare për të vetmin faj pse u ngrit në këmbë dhe kërkoi lirinë, barazinë dhe drejtësinë që i takonte. Ata i mbushën burgjet me qindra mijëra djem e vajza, lulen e trimërisë shqiptare, duke i aplikuar ndaj tyre torturat më të egra. Në këtë vazhdë ata i aplikuan edhe masat e diferencimit brenda familjeve, brenda bashkësive lokale, brenda kolektiveve punuese, brenda shkollave dhe universitetit si dhe brenda çdo qelize të jetës publike të Kosovës. Me metodat inkuizicionale i vranë rëndë edhe plan-programet mësimore të shkollave në gjuhën shqipe. Kufizuan në mënyrë drastike regjistrimin e nxënësve dhe të studentëve nëpër vatrat e diturisë. Me fjalët më fyese dhe diskriminuese e fyen të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve. E ofenduan kulturën, traditën dhe personalitetet e shquara kombëtare të popullit shqiptar. Atyre u pengoi flamuri, shenjat dhe simbolet kombëtare shqiptare. U pengoi plisi dhe çiftelia. U pengoi nataliteti dhe gjithçka tjetër shqiptare.
Po ashtu, në rrugën e tij dritëshkurtër, shovinizmi serb provoi në çdo mënyrë që ta njollosë mbarë popullin shqiptar, të cilin për moral të pastër e njeh historia mijëvjeçare. Në këtë drejtim ata inskenuan edhe ekscese nga më të turpshmet, duke filluar nga dhunimet e kurdisura e deri tek zjarret dhe dëmet në fusha. Që t’i mbulojnë dhe maskojnë synimet e tyre të errëta, ata i trilluan edhe shpërnguljet gjoja me dhunë të serbëve dhe malazezve nga Kosova dhe krijimin e territoreve të pastra etnike. Trilluan e çfarë nuk trilluan, por për fat të mirë pakkush i besoi asaj përralle të pabesueshme edhe për fëmijët, të cilën shovinizmi serb e zjeu për një kohë të gjatë në Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Fatbardhësisht, kësaj radhe bota pa dhe gjykoi, ashtu siç bën shikuesi gjatë përcjelljes së një tragjedie në skenën e teatrit. Ajo pa se kush kërkonte bukë, liri e barazi, e kush vriste, burgoste dhe ushtronte gjenocid mbi një popull të pafajshëm; kush detyrohej të braktiste atdheun e lashtë nga dhuna e kush kërkonte me çdo kusht ta bënte Kosovën Serbi; kush vdiste urie si i papunë e kush shkonte në Kosovë si kolon në tokën e premtuar të Eldorados; kush kërkonte jetë të denjë njerëzore e kush kërkonte vdekjen e shqiptarëve; kujt i ndaloheshin edhe këngët popullore lirike e kush këndonte: “Po Kosovu srbin sheta, nema vishe tungjatjeta!”… (Nëpër Kosovë shëtit serbi, nuk ka më tungjatjeta!).
Më në fund bota tregoi se kishte sy të shohë e veshë të dëgjojë dhe se nuk merrte frymë ashtu siç do të dëshironte Beogradi. Ajo tashti jepte shenjë se dinte të dallonte klithmën dhe gjëmën e një populli të pambrojtur e të katandisur në fatkeqësi dhe çjerrjen e sëmurë antinjerëzore të të çmendurit në pushtet. Bota tashti dinte shumë më tepër për popullin shqiptar si dhe për dyndjet e hordhive sllave në këto vise. Bota tashti dinte për gjenezën dhe për shtrirjen gjeografike të popullit shqiptar dikur si dhe për kufijtë e tij të sotëm të cunguar padrejtësisht. Bota tashti dinte më shumë për luftërat e imponuara të popullit tonë, për luftërat e tij të drejta dhe të lavdishme gjatë historisë. Bota tashti dinte edhe për kulturën dhe traditën e popullit shqiptar, ashtu siç dinte edhe për agresionet ushtarake, politike dhe kulturore ndaj këtij populli. Bota tashti dinte edhe për flamurin tonë të lavdishëm, të papërkulur dhe të papërlyer asnjëherë gjatë historisë së vjetër dhe të re.
Kjo kohë po shtronte kërkesa dhe detyra të ngutshme dhe të rëndësishme
Në fund të fundit, populli shqiptar kishte arritur të vetëdijesohet, ta njohë gjenezën dhe të kaluarën e vet edhe pa “zbulimet” e famshme të pseudoshkencëtarëve serbë. Populli ynë tashti dinte fort mirë për ngritjen e vet nëpër shekuj si dhe për ballafaqimin me armiqtë e tij të shumtë në rrugën e gjatë heroike dhe tragjike të historisë së tij mijëvjeçare. Ai e dinte se kurdo dhe kushdo që lakmoi begatinë dhe trojet e tij, vetëm varrin e vet e gjeti në to dhe në vend të lavdisë me vel të turpit u mbulua. Prandaj, më shumë se asnjëherë tjetër tashti kishte marrë kuptimin e plotë testamenti i popullit i shkruar me gjak:
Se Kosova e ka pas adet,
Nga një luftë me ba për vjet
Testament që për agresorët eventualë populli ynë me kohë e ka vënë në dyert e Kosovës, të kësaj toke “varre krajlash …”.
Nga kjo situatë e krijuar, për të gjithë po bëhej e qartë se me shpalljen e kundërrevolucionit në Kosovë, me përdorimin e dhunës policore dhe ushtarake si dhe me aplikimin e administratës së dhunshme ushtarake nuk do të vihej rregull në këtë pjesë të shqetësuar të Ballkanit. Përkundrazi, mbarë bota paqedashëse përmes shtypit e përkrahu kërkesën e drejtë të popullit të Kosovës lidhur me statusin e Republikës, ndërsa i gjykoi ashpër masat represive, duke theksuar se masat e këtilla e thellojnë krizën edhe më tepër, i çrregullojnë akoma më shumë marrëdhëniet fqinjësore dhe ndërnacionale në Kosovë, e destabilizojnë Jugosllavinë dhe e prishin ekuilibrin dhe paqen në Gadishullin Ballkanik, në Evropë dhe më gjerë. Dhe kjo pa fajin më të vogël të popullit shqiptar. Në këtë aspekt një ndihmë dhe përkrahje të jashtëzakonshme dhe vendimtare e dha edhe Shqipëria.
Kosova ishte bërë poligon i provës gjenerale për klanin unitarist serbomadh
Ngjarjet tragjike të Kosovës popullin shqiptar nuk e dobësuan as e luhatën për asnjë moment nga rruga e tij e nisur. Përkundrazi, populli ynë, tashmë i pajtuar me fatin e luftës dhe i bindur thellë në kauzën e vet të shenjtë, qëndroi me besim të patundur në drejtësinë e amshuar dhe në ditët e bardha të lirisë. Edhe muza popullore, si zakonisht në raste të këtilla, këtyre ngjarjeve u bëri jehonë duke i përjetësuar ato në mijëra vargje të epikës sonë të re, ku i këndohet vitalitetit, qëndresës, krenarisë dhe përjetësisë së popullit tonë:
Mbushë Kosova me plisa t’bardhë
Me kokë lart si male t’Sharrit
Lind lulëkuqja e lirisë
E ndrit ballin e shqiptarit
Gjethi i ahut prapë shpërthen
Bar të njomë livadhet mbushe
Përmbi varre t’dëshmorëve t’ri
Çel Kosova gjithë lulëkuqe
Mbaju ti, Kosovë Dardane
Mbushi djepat me Azema
Sa herë ngjallen Krajloviqët
Shqipja lind o veç Skendera
Ju moj nëna o kosovare
Lot mos lëshoni o përmbi varre
Çdo dorë vajze e çdo dorë burri
Për Kosovën…
Janë gjithmonë shtizë flamuri
Djem e vajza që ranë tue thirr:
– Rroftë Kosova Republikë!..
Ngriten prapë burrat shqiptarë
Si shkambij zemër çelik
Thërret sharkia djemtë e çikat
Që me gjak i mbushën sheshet
N’rrugët e tua o moj Kosovë
Do t’u ngrehen o monumentet.
Në kohën kur tashmë Kosova ishte bërë poligon i provës gjenerale për klanin unitarist serbomadh dhe kur populli shqiptar në Jugosllavi po përjetonte vuajtjet dhe krajatat më të mëdha dhe më të padurueshme gjatë historisë së tij, edhe para bijve dhe bijave të popullit tonë, para organizatave dhe grupeve politike të fshehta, para atdhetarëve të vërtetë, kjo kohë e madhe po shtronte kërkesa dhe detyra të ngutshme dhe të rëndësishme: që të jetohet me kohën; që vigjilenca të jetë në nivelin më të lartë; që për çdo problem të krijuar shpejt të merrej qëndrimi i drejtë; që të mos kishte tërheqje në njërën anë para situatave të krijuara apo atyre që do të krijoheshin, që të mos u bishtërohej kërkesave dhe luftës së drejtë të popullit tonë; që angazhimit në këtë luftë t’i printe arsyeja e kthjellët…sepse siç po shihej në horizont, prova të reja dhe akoma më të rënda po i përgatiteshin popullit dhe atdheut tonë të lashtë.
Roli i klasës politike, i inteligjencës dhe i forcave të organizuara ilegale
Shpërthimi i demonstratave në Kosovë, klasën politike shqiptare, si përherë, e zuri të papërgatitur dhe të pa aftë për t’i dalë përballë situatës së krijuar, krizës politike, krizës ekonomike dhe krizës morale në të cilën ishte zhytur Kosova dhe mbarë Jugosllavia. Ndonëse kishte vite që Serbia, Kroacia dhe Sllovenia po përgatiteshin, secila në mënyrën e vet, që vdekja e Titos t’i zërë sa më të forta dhe sa më të pavarura, ndonëse qarqe të ndryshme nacionaliste dhe shoviniste serbomëdha po përgatiteshin hapur me program për kryqëzatat e tyre antishqiptare dhe vetëm po e prisnin vdekjen e Titos për t’u hudhë në sulm, klasa politike shqiptare, me besim të patundur në pathyeshmërinë e sistemit vetëqeverisës jugosllav, në bashkim-vëllazërimin e rrejshëm dhe në komunizmin e pamoralshëm jugosllav, bënte gjymin e rehatshëm dhe, si dëshmi besnikërie ndaj Federatës, me përulësinë e zagarit të bindur, burgosnin pa mëshirë bijtë dhe bijat më të mirë të Kosovës. Të dehur nga arritja e disa rezultateve pozitive, si Kushtetuta e vitit 1974, Universiteti, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, fillimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, etj. klasa politike shqiptare me kohë e kishte braktisë dhe lënë fare në harresë nismën e vitit 1968 për avancimin e statusit të Kosovës në nivelin e Republikës, e cila do të ishte garancia dhe siguria më e mirë për çfarëdo të papriture në të ardhmen. Ndonëse edhe fshatarët në ara, edhe punëtorët në fabrika, edhe barinjtë në bjeshkë e kishin kuptuar gjëmën që po i përgatitej Kosovës dhe shqiptarëve, politikanët tanë, në vend që të përgatitin strategjinë për mbrojtje, ata, të mbytur në luks dhe në shkëlqimin marramendës, po bënin shtatë palë qejfe dhe kokrrën e sefasë. Prandaj, siç do të përbetohen me mijëra herë deri në ditët e sotit, demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, klasën politike shqiptare i zunë gafil dhe në befasi të pashpjegueshme. Kësisoj, klasa politike e Kosovës, as kësaj radhe, nuk e pati kurajën të ngrihet mbi vetveten që të kalojë në anën e popullit të vetë si mbrojtëse e saj, si mbrojtëse e vetvetes dhe si mbrojtëse e Kosovës para rrebeshit shovinist dhe tragjedisë që i kishte rënë mbi kokë.
Në vend që të qëndrojë në nivelin e detyrës, si përfaqësuese e popullit, siç ia kishte ënda të thirrej, burokracia politike e Kosovës, që në hapin e parë kapitulloi dhe, si nxënësi i dëgjueshëm, filloi t’i përsërisë dhe t’i ripërtypë qëndrimet, diskutimet, platformat dhe konkluzionet e forumeve politike, kulturore, fetare dhe shtetërore serbe, të cilat për bazë kishin gënjeshtrat, shpifjet, insinuatat, paragjykimet, mashtrimet, etj. Në përpjekje titanike për t’i mbrojtur postet e veta, të rrezikuara seriozisht, apo në luftë për ta shfrytëzuar rastin e bekuar serbian që u kishte trokitur në derë për t’u ngritur hala më shumë në hierarkinë politike, politikanët shqiptarë, në shëmbëllesë të Kainit dhe si dorë e zgjatur e armikut serb, me zell të madh dhe me energji të pakufishme do të shkelin me të dy këmbët mbi vullnetin, mbi të drejtën, mbi dinjitetin dhe mbi gjakun e popullit të vet. Dhe, për të qenë më bindës në këtë rrugë, dhe për të qenë sa më të përpiktë në zbatimin e dhunës brutale mbi masat e gjëra, në zbatimin e furishëm të fushatës antishqiptare kundër historisë, kulturës dhe mbarë kombit shqiptar, burokracia politike e Kosovës, me lehtësi të madhe, angazhuan një pjesë të inteligjencies së Kosovës, intelektualë servilë, intelektualë të pakarakter, intelektualë të dështuar, të cilët, pa vrasje të ndërgjegjes dhe me kënaqësi të veçantë, do të hyjnë në shërbim të kësaj politike.
Dhe, kjo politikë shtypëse dhe shfarosëse antishqiptare nuk do të zgjatë me ditë apo me muaj, por me dekada të tëra. Dhe, tek diku, pas tetë vitesh, kur Serbia arriti ta plagosë rëndë mbarë një popull, duke e rrahë, duke e fyer dhe duke e burgosë pothuajse gjysmën e popullatës së moshës madhore, tek atëherë kur Serbia arriti ta degradojë pozitën kushtetuese të Kosovës, pra, tek atëherë, klasa politike e Kosovës zu të zgjohet nga gjumi i gomarit në gojë të ujkut dhe ta kuptojë se gjatë tërë jetës paska qenë vetëm kukull dhe marionetë në dorë të armikut dhe se rruga e tradhtisë paska vetëm një përfundim: limoni i shtrydhur hudhet në pleh, ai që ia bën gropën vëllait bie vetë në të, ndërsa gjykimi i historisë është i pamëshirshëm.
Shpërthimi i demonstratave në Kosovë, forcat tona të organizuara politike patriotike ilegale i gjeti në krye të detyrës. Ato, që gjatë gjithë kohës kishin vepruar hapur dhe në ilegalitet, ato që gjatë gjithë kohës kishin ndjekur me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve politike dhe shoqërore në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavi, tashti, me shpërthimin e trazirave të reja, me ngritjen e një populli në këmbë, shihnin riaktivizimin e një vullkani që nuk jepte shenja të fashitjes për një kohë të gjatë. Nisur nga gjendja e re e krijuar në Kosovë pas demonstratave të para, këto organizata dhe grupe do të mobilizohen në shkallën më të lartë dhe do ta analizojnë situatën e krijuar për të marrë pastaj qëndrim sa më të drejtë lidhur me rrugën e zhvillimit të ngjarjeve në perspektivë. Ndonëse në ilegalitet të thellë dhe të rrezikuar nga dënimet drakonike që i pritnin, anëtarët e forcave të organizuara patriotike bënë një punë të pashembullt dhe vetëmohuese në propagandimin dhe sqarimin e kërkesave të ditës, në sqarimin e taktikës dhe të strategjisë së luftës, ku me fjalë, ku me trakte, ku me pamflete, ku me shembullin personal dhe ku me gazeta ilegale.
Në përballimin e sulmit të ushtrisë dhe të policisë nga masat e gjëra të popullit shqiptar, në vënien e gjoksit përpara tankeve nga djalëria heroike shqiptare, në qëndrimin e drejtë dhe në aktivitetin e rrufeshëm të punëtorëve dhe të fshatarëve, në mbajtjen heroike gjatë procesit të hetimeve dhe të gjykimeve të vajzave dhe të djemve të arrestuar për politikë, në qëndrimin e paluhatshëm të popullit gjatë procesit të diferencimeve politike, në shkrimin e parullave në mure, në asfaltin e rrugëve, në shpate të kodrave e gjetiu, në organizimin e bojkotit dhe të grevave, në çarmatosjen dhe likuidimin e patrullave të policisë, në zënien e rrugëve me gurë nga rinia, në prishjet e mbledhjeve diferencuese nëpër bashkësitë lokale të fshatrave dhe të lagjeve të qyteteve, në heshtjen e bllokut të pathyeshëm të intelektualëve kosovarë, që aq shumë e vriste armikun, në filozofinë e qëndresës vepruese të intelektualëve, organizatat dhe grupet politike ilegale shihnin guximin dhe vendosmërinë e popullit për rezistencë dhe luftë të pa kompromis deri në fitoren e vërtetë. “Sa më i egër që bëhet sulmi frontal antishqiptar i serbomëdhenjve me masa politike e shtetërore, aq më e vetëdijshme po bëhet popullsia jonë për rrezikun më të ri nga zhdukja fizike e asimilimi, aq më shumë rinia e populli ynë po i shtrëngojnë radhët e veta, aq më shumë forcat tona të organizuara patriotike po e marrin veten dhe po përgatiten që lufta e ardhshme të mos i zërë ngushtë për asgjë”, thuhej në një gazetë ilegale të asaj kohe dhe vazhdohej: “Rinia me hovin e saj që doli në dritë sidomos gjatë demonstratave dhe pas tyre, duhet ta intensifikojë edhe më tej iniciativën për aksione që armikut s’i lënë mundësi dhe kohë të mendojë e të planifikojë në mënyrë komode. Tashmë ka ardhur koha që punëtorët tanë trima, të cilët iu bashkuam me aq vendosmëri rinisë patriotike në demonstrata dhe u përleshën heroikisht me milicinë fashiste serbe, të mendojnë më seriozisht për ngritjen e vetes së tyre në një shkallë më të organizuar. Si shtyllë e luftës së ardhshme, ata duhet të marrin masa përgatitore që lufta të mos i zërë ngushtë. Për këtë arsye është e nevojshme që si në qytet ashtu në fshat, të tregohen më të hapur ndaj agjitacionit dhe propagandës së forcave tona të organizuara dhe më të mbyllët për propagandën e armikut. Punëtorëve u bie barra e rëndë që armikut t’ia japin grushtin më të madh, në fillim në planin ekonomik, me bojkotime e greva, e më vonë edhe në frontin e luftës. Asnjë ditë nuk duhet të na kalojë pa i sjellë një dëm sado të vogël armikut të egër serbomadh, deri sa të mos ngrihemi në një shkallë të tillë që të mund të organizojmë edhe aksione të tipit më të lartë të organizimit revolucionar, siç janë grevat e përgjithshme në shkallë kombëtare”.
Në kohën kur mjeteve të informimit, gazetave, radios dhe televizionit si dhe mbarë inteligjencies atdhetare shqiptare ua kishin mbyllur gojën me dhunë, si çështje tjetër e ngutshme e forcave të organizuara patriotike, që koha ua shtroi si imperativ të dorës së parë, ishte edhe propagandimi i luftës së drejtë të popullit shqiptar, si brenda ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar, demaskimi i deklaratave të shovinistëve serbë lidhur me situatën e përgjakshme që mbretëronte në Kosovë, demaskimi i deklaratave të cilat dezinformonin opinionin se gjoja në ngjarjet e Kosovës ka gisht RPS e Shqipërisë apo diplomacitë e huaja, e kështu me radhë.
Qëndresa e profesorëve të Universitetit të Kosovës do të ketë jehonë të gjatë
Demonstratat gjithëpopullore dhe ngritja e mbarë popullit në kryengritje kishin shtruar objektiva të reja dhe të ngutshme. Më në fund, filozofia e të vepruarit deri në vdekje për lirinë e popullit dhe të atdheut ishte bërë pjesë e punës dhe e jetës, moto dhe betim i të gjitha forcave të organizuara patriotike ilegale: “Me një popull që ka tradita si ky yni dhe me një shkallë të ndërgjegjes së tillë shoqërore e kombëtare që ka sot populli dhe rinia jonë, forcat patriotike nuk kanë si të vënë në peshojë mundin dhe sakrificat nga ana e tyre. Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur dhe më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”.
Pas shpërthimit të demonstratave dhuna serbomadhe, në mënyrë të veçantë, u drejtua dhe ra mbi kokën e inteligjencies atdhetare të Kosovës. Por, pjesa dërmuese e intelektualëve tanë, profesorët e Universitetit, profesorët e shkollave të mesme, arsimtarët e shkollave fillore, shkrimtarët, gazetarët, historianët, kompozitorët, piktorët, skulptorët, artistët e teatrit dhe të filmit, këngëtarët, etj, etj. qëndruan të pathyeshëm kundruall kësaj dhune të egër shtetërore. Shumë të rrallë qenë ata intelektualë që u thyen para kësaj dhune dhe u bënë pjesë e mekanizmit të pushtetit gjakatar. Vlen për t’u cekë këtu sidomos qëndresa heroike e profesorëve të Universitetit menjëherë pas shpërthimit të demonstratave të studentëve.
Tubimi diferencues që do të mbahet me atë rast do të zgjatë me orë të tëra dhe rezultati për regjimin do të jetë tepër trishtues dhe shumë dëshpërues. Atë natë profesorët, ndonëse të kërcënuar, do të mbajnë qëndrim dinjitoz dhe në vend që t’i dënojnë demonstratat dhe studentët e tyre, ashtu siç priste regjimi, ata do t’i arsyetojnë kërkesat e studentëve ndërsa policinë speciale serbe do ta akuzojnë se mbi studentët kanë ushtruar dhunë shtazarake dhe masakër të përgjakshme. Qëndresa e profesorëve të Universitetit të Kosovës do të ketë jehonë të gjatë dhe do të këtë ndikim vendimtar për qëndrimin e mëtutjeshëm të të gjitha shtresave popullore në mbarë Kosovën. Fushata antishqiptare serbomadhe si dhe procesi i diferencimit më së rëndi do t’i goditë pikërisht inteligjencien shqiptare.
Ata do të jenë të detyruar të rrëfehen lidhur me botëkuptimin dhe mendimin e tyre rreth ngjarjeve të ndryshme historike si dhe rreth situatës aktuale politike në Kosovë, do të detyrohen të pendohen për veprime të ndryshme të cilat i kishin bërë dhe për ato që nuk i kishin bërë. Më në fund, ata do të detyrohen me dhunë për të folur apo për të shkruar lidhur me tema të caktuara, aksion ky që do të rezultojë me zero.
Pra, intelektualët tanë me personalitet të formuar, intelektualët tanë të talentuar dhe krijues, intelektualët tanë të ndërgjegjshëm për rolin që u takonte, bartën barrën e rëndë të qëndresës vertikale, të rezistencës dhe të zhvillimit të rrjedhave kulturore, politike dhe mbarë kombëtare. Ndonëse kanë mundur të bëjnë hala më shumë, padyshim, pa mendimin, pa qëndrimin si dhe pa veprimin edhe të intelektualëve tanë Kosova nuk do të arrinte në shkallën ku është sot.
Kosova republikë si kërkesë e kohës
Dy forcat më të mëdha të organizuara politike patriotike të asaj kohe, Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi dhe Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, të cilat vepronin me vite të tëra, si platformë të tyre politike dhe ideologjike, në radhë të parë, kishin çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me vendin amë, Shqipërinë, vijë të cilën deri asokohe përafërsisht e kishin ndjekur afro pesëdhjetë organizata dhe grupe patriotike e revolucionare në Kosovë; ndonëse gjithë punën dhe aktivitetin e tyre, si në Kosovë ashtu edhe jashtë atdheut, e kishte karakterizuar pikërisht mu kjo vijë, uragani i demonstratave të fuqishme të popullit të Kosovës do t’i detyrojë ato të bëjnë kthesë taktike në punën e mëtejshme, duke mos e cenuar kështu për asnjë moment strategjinë e luftës së popullit shqiptar në perspektivën e saj. Gjatë demonstratave spontane të marsit dhe të prillit në Kosovë u shpalosën në të njëjtën kohë dy parulla kryesore: “Bashkim” dhe “Kosova Republikë”. Mirëpo, mendjet e ndërgjegjshme dhe forcat e organizuara patriotike, të cilat nuk e kishin paraparë një shpërthim aq të rrufeshëm dhe aq masiv, duke e vlerësuar situatën e përgjithshme ndërkombëtare, si dhe situatën e brendshme, do të ndikojnë që të dominojë kërkesa e dytë, pra, Kosova Republikë, e cila si kërkesë e popullit gjëllinte që nga viti 1968. Kjo kërkesë gjithëpopullore, prandaj, do të bëhet edhe platformë e ardhshme e të gjitha organizatave dhe grupeve politike të formuara më parë si dhe atyre që do të formohen më vonë.
Pra, kërkesa Kosova Republikë në atë kohë nuk ishte as e re dhe as e panjohur për popullin shqiptar. Si njëra ndër kërkesat e mundshme të realizueshme për kohën, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga tutela e huaj, në këtë rast nga sqetulla serbe, në mbështetje të parimit mbi vetëvendosjen e popujve, kjo kërkesë ishte e shprehur legalisht në të gjitha tubimet e organizatave politiko-shoqërore të LK-së, LSPP-së dhe LRS-së gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1968, vullnet dhe e drejtë kjo e popullit shqiptar që ishte shkelë me dhunë, sikundër edhe vendimet historike të Bunjajt, nga qarqet sunduese të shovinizmit serb dhe që e kishin nxitë Kosovën të ngrihet në demonstrata popullore, të cilat qenë shuar me gjak. Megjithatë, nga kjo kërkesë nuk do të hiqet dorë as më vonë. Në mënyrë të veçantë kjo kërkesë do të bëhet domosdoshmëri e kohës gjatë gjysmës së dytë të dekadës së viteve të shtatëdhjeta, në kohën kur arsimimi i masave të gjera filloi të zhvillohet në mënyrë të mirëfilltë, ndërsa klasa punëtore nisi të vetëdijesohet për eksploatimin e Kosovës dhe për fatin dhe rolin e saj në shoqëri. Kësisoj populli shqiptar do të marshojë duke e ngritur zhivën në shkallën më të lartë të barometrit politik derisa në pranverën e vitit 1981, me kërkesën Kosova Republikë në gojë, e ktheu Kosovën, tashmë vite me radhë të rrahur dhe të përgjakur, në një vullkan të gjallë në flakën e të cilit do të digjet pa mëshirë maska e shovinizmit serb, maqedon dhe malazez.
Se kërkesa për republikën e shqiptarëve në Jugosllavi nuk i kalonte kufijtë e platformës së organizatës patriotike LNÇKVSHJ në esencën e së cilës, pos programit maksimum: “Luftën për realizimin e të drejtës demokratike për vetëvendosjen e popullit tonë deri në shkëputje, që është lufta për pavarësinë e plotë kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Jugosllavi”, ngërthente edhe “programin minimum të luftëtarëve të lirisë- luftën për Republikën e Kosovës, që s’është gjë tjetër pos lufta për autonominë e popullit shqiptar në Jugosllavi”. (“Zëri i Kosovës”, nr. 2, 1982). Jusuf Gërvalla, ideologu i organizatës së sipërpërmendur, duke e analizuar rëndësinë e kërkesës së popullit që t’i njihet Kosovës e drejta e statusit të Republikës, si dhe të drejtën e ligjshme që populli e kishte për ta bërë këtë kërkesë, në një tubim me punëtorët, të mbajtur më 28 Nëntor 1981, në një qytet të RF të Gjermanisë, mes të tjerash, theksonte: “Po t’ishte kërkesa Kosova Republikë një kërkesë boshe, një kërkesë në ajër, një kërkesë mendjelehtë, një kërkesë të cilën e kanë bërë aventurierët, një kërkesë të cilën e kanë bërë ata që ëndërrojnë pa baza, pa kurrfarë dyshimi se Beogradi, qysh më 11 mars të këtij viti, do të dilte me dokumentin për statusin e Republikës së Kosovës dhe do të thoshte: Urdhëroni shqiptarë, ja ku e keni Republikën! Të gjitha forcat, gjithë plehun, gjithë vrerin shovinist të shtatëdhjetë e kusur vjetëve, të qindra vjetëve të mëparshëm, Beogradi tash e ka akumuluar, e ka grumbulluar për të shtypur kërkesën Kosova Republikë. Por është një kërkesë shumë vitale për popullin shqiptar dhe, prandaj, Beogradi, qeveria e Beogradit, si një qeveri shoviniste e tërbuar në kulm, na e mohon me aq këmbëngulje, ose më mirë të themi, përpiqet të na e mohojë me aq këmbëngulje…Se a do të mund të na e mohojë apo jo, do të tregojë e nesërmja. E shenja se si do të mbarojë puna kemi edhe sot, për arsye se është një mori njerëzish progresivë, njerëzish liridashës në botë, që lirinë e të tjerëve e respektojnë si lirinë e vet dhe kurrsesi nuk duhet të dyshojmë në ndihmën që do ta kemi nga forcat internacionaliste të të gjithë botës. Aq më parë, kur sot ekziston një pishtar, i cili është burim për energjitë e këtyre forcave përparimtare. Ky burim nuk është as më shumë, as më pak, po pikërisht vendi amë i shqiptarëve… S’ka kurrfarë dyshimi se kur të tregohet jo objektive pritja e mëtutjeshme për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë vet poshtë dhe të dalë me kërkesën dhe qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jetë: bashkimi i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar”.
Demonstratat e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë
Nuk do të ishte i plotë kuadri sikur këtë temë ta përfundonim pa e cekë shkurtimisht edhe aktivitetin e madh dhe shumë të rëndësishëm politik të bashkatdhetarëve tanë që jetonin dhe punonin në Evropën Perëndimore. Shtypja me gjak e demonstratave në Kosovë nga ana e Beogradit shkaktoi tronditje të thellë në ndërgjegjen kombëtare të secilit shqiptar, qoftë në atdhe e qoftë edhe në pikën më të largët të planetit tonë. Masakrat në masë, represaliet dhe dhuna e qeverisë së Beogradit mbi popullin e pafajshëm dhe duarthatë në mënyrë të veçantë indinjoi kurbetçinjtë ekonomikë në Evropën Perëndimore, të cilët familjet, farefisin dhe çdo gjë të shenjtë të tyre e kishin në Kosovë. Prandaj edhe pezmi i tyre i ngritur në shkallën më të lartë kërkonte domosdonë e një aktivizimi dhe zbrazjeje të vetëdijshme dhe të organizuar.
Në këto rrethana Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin vënë në lëvizje të jashtëzakonshme. Në bazë të mirëkuptimit që e kishin gjetur mes njëri-tjetrit, në situatën e krijuar, ata do të bien në ujdi që t’i bashkërenditin edhe veprimet e përbashkëta të organizuara patriotike. Kishte ardhur koha e pritur. Momentet nuk prisnin më. Vendimet dhe veprimet duhej të ishin në nivelin më të lartë. Ngjarjeve të përgjakshme të Kosovës trime duhej t’u jepje përkrahje në të njëjtën mënyrë. Flakë për flakë. Opinioni ndërkombëtar duhej sqaruar. Gënjeshtrave dhe dezinformatave të Beogradit duhej kundërvënë argumentet e forta dhe bindëse të së vërtetës. Po ashtu lidhur me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, sidomos tashti pas tragjedisë dhe gjëmës së saj, kërkohej edhe veprim aktiv dhe plan i organizuar politik, i cili do të merrej me frymëzimin dhe orientimin e veprimeve dhe aksioneve të ardhshme në Evropën Perëndimore dhe kudo në botë. Aktiviteti i tyre i përbashkët në fillim do të jepë rezultat të frytshëm sidomos në organizimin e demonstratave nëpër qendra të ndryshme të Evropës Perëndimore. Demonstrata e parë dhe shumë e suksesshme, si rezultat i këtij bashkëpunimi, do të zhvillohet më 11 prill të vitit 1981 para ambasadës jugosllave në Bern, kryeqytet i Zvicrës.
Kërkesat e Kosovës, kërkesa të parevokueshme të bashkatdhetarëve tanë
Edhe demonstrata e dytë u mbajt në Zvicër, më 18 prill, në qytetin Cyrih. Demonstrata e tretë u mbajt më 25 prill në Shtutgart të RF të Gjermanisë. Po në RF të Gjermanisë, në qytetin Dyzeldorf, më 9 maj u mbajt edhe demonstrata e katërt. Demonstrata e pestë u mbajt më 16 maj në Mynih. Dhe kështu me radhë nga java në javë. Valën e re të dhunës dhe terrorit në Kosovë do ta pasojnë edhe demonstratat e tjera që u organizuan dhe u mbajtën në Gjenevë, para përfaqësisë së OKB-së, pastaj në Francë, në Belgjikë, në Suedi, në SHBA e në vende të tjera. Demonstratat ishin përkrahje e denjë morale dhe jehonë e fuqishme e demonstratave të Kosovës. Kërkesat ishin të njëjta, parullat po ashtu të njëjta. Në to morën pjesë dhjetëra mijëra kosovarë, të cilët padrejtësia dhe skamja i kishte detyruar të kurbetonin larg atdheut, larg vatrës, larg familjes.
Nga të gjitha viset e Evropës Perëndimore dasmorët e lirisë bashkoheshin në kolonat e gjata të prira me flamurin kombëtar. I bashkonte fatkeqësia e vatrës, dhembja e popullit, ora e lirisë, qëllimi i lartë. Para ambasadave jugosllave kudo u mbajtën mitingje protestuese. Përmes fjalimeve të gjata dhe të rëndësishme demaskoheshin qëllimet dhe veprimet fashiste të qeverisë jugosllave si dhe tregoheshin shkaqet dhe qëllimet e vërteta të demonstratave të Kosovës. Po ashtu nëpërmjet peticioneve dhe memorandumeve që nga këto demonstrata u dërgoheshin forumeve më të larta shtetërore jugosllave, përfaqësive ndërkombëtare, qeverive evropiane dhe Kombeve të Bashkuara, bëhej apel për ndërprerjen e masakrave dhe të terrorit të ushtrisë dhe të policisë në Kosovë, që Kosovës t’i njihej statusi i republikës, kërkohej lirimi i qindra mijëra të burgosurve politikë të mbyllur gjatë asaj pranvere në Kosovë etj. Kërkesat e parevokueshme të kurbetçarëve tanë të shpallura para opinionit shqiptar dhe atij botërorë ishin si vijon:
1) Pa iu njohur Kosovës statusi i Republikës në kuadër të Federatës jugosllave;
2) Pa iu njohur shqiptarëve në Jugosllavi statusi i kombit dhe, rrjedhimisht, e drejta demokratike për vetëvendosje deri në shkëputje;
3) Pa u marrë menjëherë masat konkrete të të gjithë bashkësisë jugosllave që ritmi i zhvillimit të Kosovës të shpejtohet së paku në shkallën e parashikuar dhe të premtuar nga Federata- do të thotë 60 për qind mbi mesataren jugosllave;
4) Pa u marrë masa të menjëhershme kundër papunësisë katastrofike në viset shqiptare, që në afatin sa më të shpejtë të inkuadrohet krahu i lirë (ekzistues) i punës dhe të tërhiqen punonjësit tanë të shkapërderdhur në Perëndim dhe nëpër Republikat e zhvilluara të Jugosllavisë;
5) Pa shpalljen e amnistisë së përgjithshme, me të cilën do të liroheshin menjëherë dhe pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda nëpër kazamatet jugosllave;
6) Pa marrë nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës politiko-shoqërorë, publicistë e njerëz të tjerë qofshin nga Kosova ose republikat e Jugosllavisë, që janë implikuar në një mënyrë a në një tjetër në tragjedinë më të re të Kosovës, në fushatën e tërbuar antishqiptare të serbomëdhenjve, duke i shkaktuar popullit tonë plagë të reja dhe duke ndërsyer kundër tij popujt jugosllavë të nxitur nga propaganda;
7) Pa formimin e një komisioni të posaçëm, që do të studiojë me themel dhe në hollësi aksionet shtetërore, para e pas lufte, gjë që presupozon edhe publikimin e dokumenteve të fshehta shtetërore (të vjetra e të reja), që kanë të bëjnë me aksionin në fjalë; pa marrë dënimet e merituara të gjithë aktorët e gjallë (Qubrilloviqi me shokë) dhe të vdekurit (Andriqi, Vukotiqi, etj.) të këtij akti barbar të gjenocidit; pa iu marrë e drejta qytetare publike të gjitha atyre veprave letrare (Duqiqi, Laliqi, Qosiqi, Bulatoviqi, etj.), kuazishkencore (Gjorgjeviqi, Cvijiqi, etj.) e publicistike, në të cilat pasqyrohet përçmimi kombëtar e synimet antishqiptare, dhe mbi to të vihet embargo e përhershme jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Jugosllavinë;
8) Pa u rivendosur e pa u zhvilluar më tej marrëdhëniet e filluara kohë më parë mes popullit shqiptar (dhe popujve të tjerë) në Jugosllavi me shtetin dhe me popullin shqiptar në RS të Shqipërisë, të ndërprera në mënyrë të njëanshme arbitrare e me qëllime thellësisht antishqiptare;
– Pa këto masa të menjëhershme, rigorozisht të plota, populli shqiptar i martirizuar nuk do të ketë as satisfaksionin më të vogël për krimet e vazhdueshme 70-vjeçare të gjenocidit nën regjimet e egra jugosllave, sidomos nën regjimin e vetadministrues të klikës titiste-rankoviçiste dhe rrjedhimisht, nuk do të qetësohet deri në ngadhënjimin e plotë të të drejtave dhe të lirisë së tij.
Të gjitha demonstratat ishin të organizuara mirë. Në to dominonte rendi dhe disiplina e shkallës më të lartë si dhe shprehja e zemërimit më të thellë të punëtorëve shqiptarë për dramën e re të Kosovës. Pothuajse në të gjitha këto demonstrata u bashkuan dhe shprehën indinjatën e tyre edhe qytetarët e shumtë të vendeve përkatëse si dhe demokratët gjermanë, turq etj., të cilët në to merrnin pjesë qoftë fizikisht, qoftë me trakte dhe fjalime. Nëpërmjet automobilit me megafon që u printe demonstratave, koordinoheshin veprimet, bëhej kontrollimi i disiplinës dhe i shprehjes unike të demonstruesve. Po ashtu, me megafon lexohej në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja trakti përkatës, me elemente informative e sqaruese lidhur me gjendjen e krijuar në Kosovë. Ndonjë incident që i përcolli demonstratat në fjalë, u shkaktua pa fajin më të vogël të demonstruesve. Ato vinin si rrjedhim i implikimeve të spiunëve dhe njerëzve të shitur të ambasadave jugosllave që bënin përpjekje t’i fotografonin apo t’i xhironin demonstratat.
Epoka e lavdishme e UÇK-së- vazhdimësi e demonstratave të vitit 1981
Populli shqiptar nëpërmjet demonstratave të vitit 1981, të qëndresës heroike dhe të demonstratave të tjera të përgjakshme që do të pasojnë nga viti në vit, deri në epokën e lavdishme të UÇK-së, kur ia ktheu pushkën Serbisë, bindi mbarë botën liridashëse se pa zgjidhjen definitive të problemit shqiptar në mënyrë pozitive kurrë nuk do të ketë paqe dhe qetësi në rajon e as në Evropë. Duke u bërë ballë në mënyrën më të qytetëruar të gjitha kryqëzatave mesjetare dhe moderne serbe, që qëllim të fundit kishin dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta dhe serbizimin e Kosovës, populli shqiptar fitoi jo vetëm admirimin e njerëzve liridashës, por edhe përkrahjen e pa rezervë të opinionit ndërkombëtar.
Pra, demonstratat e vitit 1981, në qenien, në mendimin dhe në veprimin e popullit shqiptar do të hyjnë si një vit i madh tronditjesh të fuqishme, në vetëdijen e të cilit do të zgjojnë njëherë e përgjithmonë mekanizmin e moçëm të luftës për jetë a vdekje, e që do të drejtohet ndërgjegjshëm drejt sendërtimit të pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Sinonim sublim i të gjithë këtij rezultati është vepra madhështore dhe e pavdekshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte vazhdimësi e drejtpërdrejt e idealeve të demonstratave mbarëpopullore të vitit 1981.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …