(Piktorit të ri rrashbullas, Xhoisli Çaka)
1.
Do të rritesh Xhoisli
dhe si ankth do ta kujtosh këtë vjeshtë të vonë
“tragjedinë që solli natyra dhe masakra njerëzore”
qytetin që ra në çast, legjendat, pirgjet prej letre
ethet e truallit, gërmadhat, fundin e detit të trazuar
moshatarët, dashuritë e para, këngët rinore
pikturat, fletoret, librat, natën tradhtare
dhe ëndrrat e këputura në mes
2.
Do të rritesh Xhojsli
dhe me kthjelltësi do t’i kujtosh heronjtë e heshtur
antiheronjtë fuqiplotë, pushtetarët, laviret
këtë kohë martire që dridhet nga padrejtësia
peshqit e mëdhenj që në tryezë hanë peshq të vegjël
tërmetet politiko sociale shpresat e vrara të kombit
mllefin e popullit të shkretë të lënë në duart e fatit
ministrat, mafinë politike, ndërtimtarët hajdutë
fjalimet premtuese mesazhet për lumturinë
karrierat e ngritura mbi viktimat, mbi fatkeqësitë
mëkatet që me ujët e kripur do të lahen një ditë
do ta kujtosh Xhojsli këtë stinë të egër
dhimbën e plagëve që prekën çdo zemër
3.
Do të rritesh Xhojsli
piktor, poet, arkitekt i lartësive të atdheut
dëshmitar i brezit të humbur dhe kafeneve provinciale
dashuri e vjetër, rrugë e re, ndërgjegje e zgjuar
lajmëtar drite mes zërave të rinj që po vijnë
të shoh të dëlirë në moshë, në fjalë, në mëndim…
tëharrës barishtesh të egra, varrmihës kufomash politike
shtigjeve të atdheut, në mesin e njerëzve që presin,
do të gjesh ujë, dritë, jetë dhe tokë për mbjellje
në fushat pjellore të frymëzimit
4.
tabloja e re, Xhojsli, tash më shumë do të ketë dritë
vargu i ri i lirikës do ta këndojë një motiv tjetër
pallatet e bardha, Durrësi plak që po përtërihet
plagët e mërgimtarëve, porti, qielli pa re
arat e bukës, Drini, Alpet Shqiptare
Çamëria, Sanxhaku, Molla e Kuqe
plazhet me diell, palmat krah hapura, bregdeti…
me ngjyrat e peizazhit pranveror
në penelin e hollë krah pëllumbi
amshuar do të buzëqeshin
5.
Dhe do të rritesh Xhoisli
të dëshmosh se fatkeqësitë s’janë të përjetshme
ashtu siç nuk është as lumturia
secila e keqe me një të mirë të madhe vjen
ashtu si çdo e mire që me kohë rritet
fjalë e urtë burri shkëmb në çdo furtunë
“tërmeti lëkund malet, por jo shqiptarin”
dhe kështu do të vazhdojë përjetësisht
nga njëri tërmet në tërmetin tjetër
Promete i ri, Feniks i vjetër
Dhjetor, 2019