Kadri Rexha: Duke e përkujtuar Jusuf Gërvallën në 63-vjetorin e lindjes

KA AKOMA POETË

1.
ka njerëz që akoma dinë se dielli ndrit
mes akullnajash në shpirt mes muresh të qytetit
ka njerëz që akoma ia dinë ngjyrën lules
mes drizash të malit mes sendesh të vjetra
ka akoma njerëz që dinë se kafshët kanë ekzistuar
mes nesh mes drunjsh e ujëvarash mes xhunglash
ka njerëz që ëndërrojnë akoma ka njerëz
që dinë si piqet rrushi n’hardhi si perëndon
njerëz që kurrgjë s’dinë që akoma prekën me këngë e zgjohen
me frymë zgjohen këta njerëz të shqetësuar

2.
ka njerëz që tërë ditën fluturojnë çudi
ka njerëz që gjithë natën flenë nën ujëvara
lumit i besojnë si njeriut e flenë nganjëherë edhe pas dreke
njerëz me ballë të çiltër me shokë shumë e të dashur
e femra që i dashurojnë
ka njerëz të çuditshëm sot kudo në botë
ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit…

Kadri Rexha: ENDE KA NJERËZ

(Çast me poezinë e Jusuf Gërvallës “Ka akoma poetë”, botuar në vëllimin poetik “Fluturojnë e bien”, 1975)

“Ka njerëz që akoma dinë se dielli ndrit”. Çuditshëm tingëllon në e parë. Natyrisht, sot. Në këtë atmosferë. Kur thuhet se “bota ka brenga më të mëdha“. Në kohën e atomit dhe të raketave kozmike. Në kohën kur çdo gjë matet me masat më të vogla e më të mëdha të zbulimeve të reja shkencore e teknike. Flitet për perëndimin e shekullit të njëzetë dhe për zvogëlimin e njeriut. Kompjuteri dhe truri. Këmba dhe asfalti. Brenda një sekonde sheh dhe dëgjon çdo gjë ngjan meridianeve të planetit tonë. Ku është njeriu? Zëri i tij? Dhe, zhurmat e shekullit? Bukë e përditshme: robotët! Njeriu po zëvendësohet. Ngadalë vjen tëhuajsimi. Prandaj, këlthet. Britma e tij nuk shkon më larg se tek vetvetja. Nuk e dëgjon kush. Shprehia i vak shqisat. Indiferencë. Apati. Të pranishme në çdo hap. Atëherë, çfarë të bëhet? Opiumi-shpëtim?! Gjumi-helm?! Ëndërrimet, për një çast?! A bëjnë prehje shtegtimet nëpër botë?A iket prej vetvetes? Dalje nga lëkura?! Ku i kanë rrënjët vetëvrasjet? Zbulime të mëdha! Njeriu, i humbur në mjegull. Shoqëria, e tillë. Dhe, dyndjet në shpirt. Mungon uni. Qëllimet e jetës. Kështu thuhet. (!!!). A besohet?
Njeriu. Qëllimet. Puna. Shpëtimi.
Qëllimet dhe puna: Të mbajnë. Të forcojnë. Të ngrehin sërish. T’i hapin horizontet e pakufishme. Prandaj, duhet bërë diçka. Ku është kuptimi i jetës? Fajtorët e bigëzimit të arsyes në luhatje të mëdha? Nuk janë shumë, megjithëse mendohet. Gjakimi i njeriut nuk ka humbur. Ende gjallon. Në çdo mes. Përballë brengave të ditës. Përballë reaktorëve, armëve bërthamore dhe biologjike. Ai është i pranishëm. Kudo në botë. Edhe në mesin tonë: “ka njerëz që ëndërrojnë, akoma ka njerëz që dinë si perëndon”. Po, ka njerëz. Ka dëshira. Ka dashuri. “Ka njerëz që akoma ia dinë ngjyrën lules“. Ani që jemi në epokën e kozmetikës. Kur bukuria e plakës shëmtohet me hekurosjen e fytyrës. Kur floku ndërron ngjyrën shumë herë brenda ditës. Ç’shpikje! Hutimi i rrugës njerëzore. Hi në sy. Çdo gjë me patent. Ndërsa , parmenda kotet nën srehë : pasqyrë e fshatit. Aty ku s’mungon batica. Veç, ylli polar. Rruga dhe mali. Kulla dhe shpresë. Aty “ka njerëz që kurrgjë s’dinë, që akoma preken me këngë e zgjohen me frymë”. Të çuditshëm janë këta “njerëz që gjithë natën flenë nën ujvare (e) lumit i besojnë si njeriut”.
Po. I këtillë është edhe poeti. I pari e ndien frymën. Ndizet. Mbytet në dhembje. Shpërthen në gëzime. Së andejmi vjen fjala e tij plot pezëm. Fjala e tij e ëmbël. Veson dhe trimëron. Se “akoma ka njerëz” . Prerë thuhet me gojën e tij. Ngushëllimet nuk na duhen. E balli i çiltër i poetit ndritë rrugët e përbaltura, të errëta. Ai nuk është i vetëm. Ka shumë shokë të dashur. Njerëzit e shqetësuar e kuptojnë. Dhimben e tij. Fatin e vet. Për këta njerëz ka “femra që i dashurojnë”. Se dashuri ka ende. Nuk i ka humbur kuptimi. Edhe pse thuhet e kundërta. Njeriu njeri mbetet. Sidomos poeti. Ai i vërteti. Që frymon me të tjerë njerëz. Ai që nuk ruan gjë për vete. Se të gjitha i ka për t’ua falur të tjerëve. E prej tyre veç helmin thithë. Helmin e vuajtjeve. Helmin e jetës. Ushqen shpirtin si nikotina mushkëritë. Lulet i vret verdhësia. Vetë helmohet. Të tjerët i shëron. Të paktën ua lehtëson dhembjet e ditës. Duke marrë pjesë në to. Këtu dhe meridianeve. Për të, të panjohur nuk ka. Kudo janë njerëz. Në emër të dashurisë, secila lule zbukurohet nga ngjyra e vet. E, ndër ta, “ka njerëz që dinë se kafshët kanë ekzistuar mes nesh”. E kudo në botën njerëzore. “Mes akullnajash, në shpirt, mes muresh të qytetit”. Në planetin tragjik. Ndaj, ato i zbulojnë. Ua çjerrin maskat. I qesin para nesh. Ua vijëzojnë fytyrën e vërtetë. Që ne pastaj t’i njohim më mirë. T’i dallojmë. Barërat e egra tëharren pa dhembje. Kështu poetët punojnë për të tjerët. Në emër të fisnikërisë njerëzore. Jetën e vet e shuajnë në zjarr. I ferrojnë ditët më të mira. “Fluturojnë e bien”. Për t’i ndërruar gjërat. Dhe, e dinë, që në fillim të misionit të vet: Askush këngës nuk i ka dalë në fund. Mbarimi vjen i vetmuar. Deri sa botës po i shtohen brengat: “ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit”. Dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre. Por, njerëzimi nuk shuhet. Si bijtë e tij të ndieshëm. Si lulet e para që i vret bryma. Udhërrëfyesit jetojnë amshueshëm. Me veprën. Me flakën e saj. Një gjë duhet të dihet: ata i pret nderi. Edhe këtë tonin. Se historia nuk shkruhet vetëm me majën e shpatës. As vetëm me lumenjtë e gjakut. Atë e krijon koha. Njerëzit dhe ngjarjet. Qëndresa në kohë. Përpjekjet… Ndaj, ende ka njerëz… që dinë se asgjë nuk është e përhershme. As robotët. As mjegulla. As tëhuajsimi. As… as… Shekulli – çast. Kthjellohet. E njeriu, NJERI mbetet.

“Flaka e vëllazërimit”, 26.06.1977
“Rilindja”,17.06.1978

Kadri Rexha: Nga cikli poetik kushtuar Jusuf Gërvallës

1.SI TA ZË VARGUN

Tash je më afër
Nuk përfton vetëm netëve të vona
Shpirt kandil farfuritës
I ngrohtë mbi të gjithë
Fluid në shtëpinë time të ngushtë
Dorë e zellshme mes lulesh të verdha
Ta shoh në buzë shpërthimin e pranverës
Në stinën e bardhë

Asnjë natë pa ty
Nuk pushon të heshtë me bubullimë
Asnjë çati për be s’e rrëzuan rrufetë
Je jugë e bardhë. Je tambël mbi zjarr
Lejlek i oxhakut tim
Nuk beson. Ti e paske ditur si lind si perëndon Stina. Si ringjallet njeriu

Si ta zë fjalën. Përfytyrimin
E netëve të gjata. Bisedat për të dashurit
Shtegtimin tim në ngazëllimin tënd të çiltër
Për “duartrokitjet që vijnë nga rreshtat e fundit”
Vargu i parë i poezisë që do të shkruhet
Lisi më blerosh i bjeshkës

Të vrau fjala e fundit
Uji që nuk ecën. Bërraka
Fluturimi yt është fillim i ri që premton
Po të sheh në ëndërr zabeli
Kroi i etheve. Maja e Strellcit
Në fantazinë e fëmijës je trimi i këngës
Në shqetësimin tënd më së paku ka vend droja

“Fjala”, qershor 1980

2.ZGJIM GJAKU

Kudo që të kërkoj të gjejë kudo
Në fjalë në lule në kullë në mal
Muret janë rrënuar mes njerëzish
Sikur fati prore ngel mbi prag
Të shtëpisë as i rëndë as transparent
E mban mend fundin e vjeshtës së vonë
Dita që solli shiun s’ish veç zgjimi im
Bërraka s’u përmend më beso
Në plepat e kopshtit flenë zogj
Në lumin e fushës rrjedh ujë i ri

“Bota e re”, maj 1981

3.LAJMËTAR NADJESH

Kënga jote
S’do t’i zgjojë kurrë më
Ata që i zgjove një herë
Lajmëtar nadjesh
Ti që këndon vetëm një avaz
Parmbrëmë mbrëmë dhe sonte
Kërkojmë pemën që kërkon edhe ti
Dhe të gjithë ata që ikën
Për t’u bërë drita jonë
Tashti flenë nën bli
Në zabel mes shavarit
Vetëm mbrëmjeve të festave kthehen
Mes nesh hyjnë të çiltër
Me frymën e sharkisë ngjallën
E kalërojnë

“Bota e re”, maj 1981

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …