Kadri Rexha

Kadri Rexha: Jusuf Gërvallën e shoh në lartësinë e shkrimtarit e atdhetarit të madh të kombit shqiptar

1

Jusuf Gërvalla qe intelektual i shquar dhe figurë shumëdimensionale e kohës. Jusuf Gërvallën natyra e kishte pajisur me një shpirt hipërsensibël dhe me një talent të rrallë artistik, por mbi të gjitha, natyra, atij ia kishte dhuruar një guximin të pashoq. Qysh në bankat e gjimnazit aftësitë e tij do të shpërthejnë në fusha të ndryshme: loja me kitarë, kënga, aktrimi, poezia, piktura. Më vonë dhuntitë dhe kërshëritë e gjëra të tij do të orientohen në interpretim, në kompozim, në gazetari dhe në letërsi. Dhe në secilën gjini ai do të japë rezultate të dorës së parë. Nuk është e rastit që Jusufi asokohe mbante epitetin: Styliani ynë, Lorka ynë, Neruda ynë. Jusufi punonte pandërprerë, punonte shumë, jo vetëm nga parandjenja, por sepse ishte më se i sigurt se puna e tij, herët apo më vonë, do të ndërpritej me dhunë: ose me burg ose me plumb. Prandaj, ai shpejtonte ta bënte edhe natën ditë. Nuk duhet harruar, ai njëherë për pak kohë e kishte provuar burgun, ndërsa nga mesi i viteve të ’70-ta anëtarësohet në organizatën ilegale LNÇKVSHJ, si ideolog i të cilës, më vonë, do ta gjejë edhe vrasja tragjike. Jusufi kishte dije të thellë të arteve, sidomos të filozofisë së arteve, të shkencave natyrore, shoqërore dhe historike, duke filluar nga antika e deri tek rrymat dhe drejtimet e shumta të shekullit tonë. Por mbi të gjitha ai e njihte shkëlqyeshëm traditën historike, kulturën kombëtare dhe filozofinë e popullit të vet në të gjitha aspektet. Këto pohime i ilustron më së miri vepra e tij: këngët, poezia, tregimet, romani, drama dhe publicistika e Jusufit.

Vepra e Jusufit doli në dritë në kohën më të thirrur, kur një pjesë e poezisë sonë, sidomos ajo e krijuesve të rinj, po vritej nga hermetizmi, nga steriliteti i figurave, nga pagjakësia dhe nga monotonia, ndërsa publicistika e kohës, me përjashtime të rralla, po ecte hullisë së trasuar të bashkëjetesës dhe vëllazërim-bashkimit jugosllav. Vepra e Jusufit, asokohe, nga kritika letrare cilësohej se po sillte “një kthesë dhe një ton të ri në rrjedhat e poezisë së sotme te ne”. Natyrisht, Jusufi i kishte premtuar lexuesit dhe në mbarë veprën e tij letrare do ta mbante fjalën: “ndërmend s’e pata të bëhem poet i çmendur/ urtësi qartësi do t’i kem fjalë të para/ në ngushticë do të jem me ju/ për ju në festë do të këndoj”. Sepse atdheu i tij i robëruar, ku: “kahdo ka tokë nën këmbë por askund qiell mbi kokë”, kërkonte zë të ri dhe angazhim tjetër. Dhe, duke u përpjekur, që me fjalë ta krijojë këtë “qiell mbi kokë” ai me poezinë e tij sillte: “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Lexojeni një herë me përkushtim veprën letrare të Jusufit dhe do të binduni! Jo vetëm tema për njeriun dhe për ambientin, jo vetëm refleksionet e brendshme, jo vetëm imazhet plot ngjyra të gjalla, jo vetëm malli për një botë të largët dhe për frymën që zgjon, por kënga dhe vepra letrare e Jusufit, në qenësinë dhe në bërthamën e saj, e tëra është jetë, e tëra është dashuri, e tëra është liri, e tëra është shqiptare, e tëra është njerëzore.

Nga plejada e krijuesve shqiptarë të Kosovës Jusuf Gërvallën e dallojnë cilësi të theksuara, si: talenti i jashtëzakonshëm artistik, pajisja thelbësore me dituri të “leme” dhe të “bleme”, dashuria dhe serioziteti për secilën punë që do ta fillojë dhe në fund qëllimi i caktuar i secilës punë të nisur. Jusufi nga plejada e krijuesve shqiptarë të Kosovës dallon edhe për një cilësi të veçantë dhe të rrallë: gatishmërinë supreme për flijim në themelin e aspiratave të larta të popullit dhe të atdheut të tij: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme…”. Ky betim i Jusufit nuk ishte një deklaratë e thatë e as pozë e personit që atdhetarizmin e ka tregti, por ishte ideal i shenjtë që u bë realitet në fushën e nderit. “Pa ideal s’ka fitore në asnjë luftë”, ishte besimi i patundur i Jusuf Gërvallës. Jusufi gjithçka që pati, edhe atë më të shtrenjtën, jetën, ia fali idealit të tij, popullit dhe atdheut, në kohën kur pushtetarët vasalë, intelektualët, krijuesit, etj. mendonin për pozita, për karrierë, për emër.

Organizata Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), në të cilën veproi Jusuf Gërvalla ishte vazhdimësi e organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e themeluar në vitin 1963 nga Adem Demaçi. Platforma e kësaj organizate, apo “qëllim i parë dhe i fundit i Lëvizjes ishte sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarëve që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, dmth. çlirimi i krahinave shqiptare, të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet- Shqipërinë”. Dhe, lidhur me realizimin e këtij qëllimi Lëvizja shpallte botërisht se do të përdorte të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme- “prej atyre politiko-propagandistike, mjete paqësore e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore – mjetet jopaqësore”. Edhe pse ideologët e kësaj Lëvizjeje, në vazhdimësi, do të burgosen apo do të arratisen jashtë atdheut, organizata në fjalë nuk do të shuhet, por do të përtërihet dhe do të rritet vazhdimisht. Jusuf Gërvalla në numrin e parë të organit “Lajmëtari i lirisë” (1980) platformën politike të Lëvizjes e shpalos me këto fjalë: “Kemi nderin, që në kushte jashtëzakonisht të vështira të ilegalitetit, të dalim para lexuesit shqiptar me një revistë të përdymuajshme, që e kemi emërtuar ‘Lajmëtari i lirisë’. Shpresojmë se nëpërmjet këtij organi do t’ia dalim me sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkim me vendin amë, Shqipërinë. Kështu shpresojmë të plotësojmë edhe një detyrë, një dimension të luftës sonë të përgjithshme: të demaskojmë botërisht armikun tonë shekullor, qeverinë shoviniste të Beogradit, dhe t’u bëjmë jehonë ideve dhe veprimeve të lëvizjes së përgjithshme nacionalçlirimtare në pjesën e robëruar të atdheut tonë, në tokat shqiptare të robëruara nga Jugosllavia…”. Edhe pse programi dhe statuti i Organizatës do të rishkruhet dhe do të pasurohet edhe në të ardhmen, në esencë, pra në thelbin e saj: bashkimi i Kosovës dhe i viseve shqiptare në ish-Jugosllavi me Shqipërinë nënë, do të ruhet me konsekuencë deri në vitin 1981, kur e tërë Kosova do të shpërthejë në demonstrata të përgjithshme.

Gjatë demonstratave të marsit dhe të prillit në Kosovë, në të njëjtën kohë, do të shpalosen dy parulla kryesore: “Bashkim” dhe “Kosova Republikë”. Mendjet e ndërgjegjshme si dhe forcat e organizuara patriotike, të cilat nuk e kishin paraparë një shpërthim aq të furishëm e aq masiv, duke e vlerësuar situatën e përgjithshme ndërkombëtare si dhe situatën e brendshme mbarëshqiptare, ndikuan që për momentin të dominojë kërkesa e dytë. Pra, uragani i demonstratave të fuqishme të popullit të Kosovës, si edhe te organizatat tjera patriotike ilegale të kohës, ashtu edhe te LNÇKVSHJ-ja do të ndikojnë të bëhet një kthesë taktike në punën e mëtejshme, duke mos e cenuar kështu në vijë strategjinë e luftës së popullit shqiptar në perspektivën e saj. Këtë ndryshim taktik të platformës së Organizatës së tij Jusuf Gërvalla e shpjegon me konstatimin se Lëvizja ka “programin maksimum: luftën për realizimin e të drejtës demokratike për vetëvendosjen e popullit tonë deri në shkëputje, që është lufta për pavarësinë e plotë kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Jugosllavi”, si dhe “programin minimum të luftëtarëve të lirisë – luftën për Republikën e Kosovës, që s’është gjë tjetër pos lufta për autonominë e popullit shqiptar në Jugosllavi”. Lidhur me programin minimum Jusuf Gërvalla mbante këtë qëndrim: “S’ka kurrfarë dyshimi se kur të tregohet jo objektive pritja e mëtutjeshme për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë vetë poshtë dhe të dalë me kërkesën dhe qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jetë: bashkimi i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar”. Gjatë vitit 1980 dhe 1981 e deri në vrasjen e tij, Jusuf Gërvalla, për shkaqe tani më të njohura, aktivitetin e vet politik dhe patriotik e zhvillon në Evropën Perëndimore, në mesin e emigracionit tonë politik dhe ekonomik. Nga RF Gjermane, ku ishte i strehuar politikisht, me Kosovën mbante kontakte të vazhdueshme dhe në mënyrë të veçantë me kryetarin dhe me kryesinë e “Komitetit të Deçanit”, si krah i ri dhe i fortë i LNÇKVSHJ-së, i cili me aktivitetin e vet e mbulonte mbarë Dukagjinin si dhe Universitetin e Kosovës. Në prag të demonstratave të marsit 1981, nga dheu i huaj Jusufi lëshonte sihariqin kushtrimtar: “Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe! Do ta derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë… Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt…”. Shpërthimi i demonstratave Jusuf Gërvallën e gjeti të përgatitur në nivel të detyrës. Ngjarjeve të përgjakshme të Kosovës u dha përkrahje të madhe. Së pari filloi ta sqarojë opinionin ndërkombëtar lidhur me gënjeshtrat dhe dezinformatat e lëshuara nga Beogradi. Pastaj ndërmori masa lidhur me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Sidomos pas tragjedisë së saj, ndërmori një veprim aktiv në planin e organizuar politik, i cili do të merrej me frymëzimin dhe orientimin e veprimeve e aksioneve të ardhshme në Evropën Perëndimore dhe kudo në botë. Së bashku me udhëheqës të organizatave tjera, e sidomos me përfaqësuesin e OMLK-së, Kadri Zeka, zhvilloi një bashkëpunim të frytshëm. Fryt i aktivitetit të tyre të përbashkët, në mes tjerash, ishin edhe demonstratat që u mbajtën në Bern, Cyrih, Gjenevë, Shtutgard, Dyzeldorf, Mynih, pastaj në Francë, Belgjikë, Suedi, SHBA etj., ku morën pjesë me dhjetëra mijëra mërgimtarë shqiptarë dhe qytetarë të vendeve përkatëse. Lidhur me rolin e LNÇKVSHJ dhe të Jusuf Gërvallës në demonstratat e vitit 1981, fjalën e vet do ta thotë historia, por një gjë dihet botërisht: nuk është zhvilluar asnjë proces politik në gjykatat serbe të Kosovës gjatë viteve të tetëdhjeta ku të mos jetë përmendur emri i Jusuf Gërvallës dhe gazetat e tij “Lajmëtari i lirisë” dhe “Zëri i Kosovës”.

Jusuf Gërvalla sot është një nga personalitetet historike kombëtare më të mëdha. Vetë shembulli i tij, vepra letrare, veprimtaria atdhetare dhe akti i vrasjes së Jusufit u bë kambanë alarmi në ndërgjegjen e kombit. Prandaj, nuk është e rastit as dashuria, kujtimi dhe nderimi që Jusufit iu bë nga populli dhe që po i bëhet vazhdimisht. Figura e Jusuf Gërvallës u skalit në poezi, në prozë, në dramë, në pikturë, në skulpturë, në këngën popullore, në shënimet përkujtimore, në deklarata të miqve të tij, në shkrimet monografike, etj. Kujtimin dhe respektin për Jusuf Gërvallën populli do ta shprehë me emërtimin e shoqatave, klubeve, shkollave, me organizimin e tubimeve përkujtimore me rastin e vdekjes, me homazhet në varrezat e fshatit Bad Canstat si dhe tashti në Dubovik, me manifestimin kulturor tradicional “Flaka e Janarit”, me emërtimin e një brigade të UÇK-së me emrin të tij, me emërtimin e një kazerme të TMK-së, të SHF të Prapaqanit, të shtëpisë së kulturës në Deçan, të Teatrit të Pejës, me emërtimin e rrgëve, me hapjen e ekspozitave të fotografive për të, etj. Por, shtrohet pyetja, sa i kemi dalë borxhit figurës së Jusuf Gërvallës? Dhe sa kemi bërë që jeta dhe vepra e këtij personaliteti të njihet në popull, sidomos nga gjeneratat e reja? Nëse llogaritet mundi, përpjekjet dhe vepra kolosale që Jusuf Gërvalla e ka bërë për ne, rezulton se ne për Jusufin kemi bërë fare pak. Dhe, çka është edhe më keq, në shumë raste është provuar që figura e Jusufit të keqpërdoret. Të pamoralshmit, njerëz të pa etikë dhe të pa parime, e etiketuan herë si marksist-leninist e herë si demokrat borgjez, herë si ekstremist të majtë e herë si ekstremistë të djathtë, herë si prodhues të dogmës ideologjike e herë si intelektual i degraduar. Edhe partitë tona, të disiplinuara nga të huajt dhe të pa vizion kombëtar, bënë gara secila në mënyrën e vet, ta përvetësojnë Jusufin dhe ta fusin figurën e tij në kornizën e tyre. Nën petkun e politizimit u propozuan çmime me emrin e tij dhe u propozuan tituj për të, të cilat ose nuk u realizuan ose u realizuan njëanshëm. Shumëçka u zhvat nga gjaku dhe lavdia e Jusufit dhe shumëçka do të zhvatët edhe në të ardhmen. Nderi dhe turpi nuk hahen me bukë, as pihen me ujë. Secili ka të drejtë të zgjedhë nga këto të dyja, varësisht nga karakteri, nga ndërgjegjja. Në këto raste Jusuf Gërvalla është i pafajshëm. Fajin le ta bartin mbi sup të gjallët, të gjallët e vdekshëm. Pavarësisht të mirave dhe të ligave të bëra nga ne të gjallët, Jusufi i pavdekshëm, Jusufi tokësor dhe Jusufi hyjnor, për jetë e mot do të mbetet kolos i kombit shqiptar, dhe nuk do të ketë kornizë partiake e as kornizë lokaliste-klanore që figurën e tij ta mbërthejë brenda vetës, sot as nesër. Prandaj, sot e gjithë ditën, mbetet detyrë e shkencës së mirëfilltë që sa më parë të dalë para popullit me studime të veçanta apo me një monografi shkencore institucionale mbi jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës. Vepra e Jusufit është produkt i vuajtjeve dhe krajatave tona shekullore nën robërinë dhe nën terrin obskurantist serb. Ajo u shkrua me mundime të mëdha dhe u la me gjak. Vepra e plotë dhe e ndritshme e Jusufit duhet ta shohë dritën sa më parë. Ajo e tëra duhet të bëhet ushqim dhe pronë e mbarë kombit.

Është i njohur roli i personaliteteve në momente të caktuara historike. Jusuf Gërvalla ishte figurë e dëshmuar dhe i kishte të gjitha cilësitë e një personaliteti të tillë. Jusufi ishte shkrimtar, Jusufi ishte politikan. Jusufi ishte diplomat. Jusufi ishte gjeneral. Jusufi kurrë nuk ka besuar se Serbia do ta braktisë Kosovën pa një luftë të tmerrshme për jetë o për vdekje. Sidomos gjatë vitit 1978 dhe 1979 Jusufi, me të madhe, propagandonte idenë e luftës së domosdoshme kundër Serbisë. Gjithçka arsyetohet dhe shpaguhet kur fëmijët tanë do të rriten në atdheun e tyre të lirë, shprehej ai. Në ditët e para të ekzilit, në një intervistë dhënë një gazete gjermane, Jusuf Gërvalla pohonte se faza e parë e luftës në Kosovë është iluministe: vetëdijesimi i popullit përmes trakteve, gazetave, parullave, grevave dhe demonstratave, ndërsa “faza e dytë përmban luftën e armatosur”. Edhe pse Jusufi ka munguar fizikisht gjatë këtij çerekshekulli, qenia e tij, shpirti militant dhe fryma luftarake e tij, me gjithë pengesat absurde të lëvizjes pacifiste, ka qenë alfa dhe omega e Kosovës. Jusufin, gjatë harkut kohor të mungesës së tij fizike, vazhdimisht e kam parë në anën e së resë, në ballin e forcave të progresit historik dhe shoqëror dhe kurrsesi në anën që frenon, në anën e të nënshtruarve. Prandaj, në ecjen e Kosovës drejt pavarësisë, Jusuf Gërvallën e kam parë si prijës shpirtëror të rinisë shqiptare në demonstratat e viteve të tetëdhjeta, si prijës shpirtëror të minatorëve trima, si prijës shpirtëror të studentëve largpamës në vjeshtën e vitit 1997, si prijës shpirtëror të heroizmit të luftëtarëve të UÇK-së lavdishme, e kam parë në qëndresën legjendare të Jasharajve dhe të Haradinajve. Jusuf Gërvallën nuk mund ta përfytyroj ndryshe pos në pozitën vertikale. Jusuf Gërvallën e shoh në lartësinë e atdhetarit, i cili vdes por kurrë nuk bën kompromise dhe pazarllëqe me idealet e shenjta të popullit dhe të atdheut të tij. Jusuf Gërvalla ishte atdhetar i lindur. Pavarësisht rrethanave në të cilat po kalon Kosova dhe shqiptarët, Jusuf Gërvallën nuk mund ta përfytyroj ndryshe pos në ballë të këtij populli dhe të këmbët e këtij populli.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Roza Sarah Eshkenazi (1895- 1980) ka qenë këngëtarja më e njohur, më e çmuar në Turqi dhe në Greqi, pothuajse gjatë tërë shekullit XX

Ahmet Qeriqi: Roza Sarah Eshkenazi (1895 – 1980) ka qenë këngëtarja më e njohur, më e çmuar në Turqi dhe në Greqi, pothuajse gjatë tërë shekullit XX

Me zërin e saj melodik, me këndimin plot afsh dhe përkushtim të këngëve hebraike, armene, …