Me këtë artikull u bashkohem protestave të ligjshme të Shoqatave të UÇK-së, qëndrimit të paluhatshëm të partive opozitare, zërit të disa deputetëve atdhetarë, zërit të dinjitetshëm të Radio Kosovës së Lirë, zërit të ndërgjegjshëm të intelektualëve të popullit, të gazetarëve të mirëfilltë, të idealistëve të shumtë si dhe reagimeve të mbarë popullit liridashës shqiptar, të ngritura muajve të fundit kundër themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, Gjykatë kjo, siç është konstatuar shumë herë deri me tash, e nxitur si projekt i Serbisë neofashiste që nëpërmjet miqve të saj t’i shpëtojë përgjegjësisë për krimet, gjenocidin dhe holokaustin e shkaktuar në Kosovë, Bosnjë dhe në Kroaci.
Se Lufta antikolonialiste çlirimtare e UÇK-së së lavdishme ishte e drejtë dhe e pastër, në radhë të parë, e di populli ynë që ka përjetuar në kurrizin e vet gjenocidin, holokaustin dhe etnocidin serb mbi 150-vjeçar. Drejtësinë dhe pastërtinë e Luftës së UÇK-së, me përkrahjen e vazhdueshme, e ka dëshmuar e tërë bota demokratike liridashëse dhe, me veprime konkrete, edhe Aleanca ushtarake Verio-atlantike. Pastërtinë e Luftës sonë çlirimtare dhe të drejtën ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, më në fund, e ka dëshmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në korrik të vitit 2010. Andaj, projektet dhe veprimet e paligjshme të qarqeve të Fuqive të Mëdha për themelimin e një Gjykate Speciale për Kosovën me qëllim të njollosjes dhe kriminalizimit të luftës çlirimtare të një populli autokton aq sa janë të dënueshme, po aq janë të rrezikshme.
Nëse donë, por në një drejtim tjetër, Fuqitë e Mëdha kanë punë edhe për shumë dekada. Le të themelojnë Gjykatë speciale për Serbinë, le ta dënojnë politikën antishqiptare dhe gjenocidin shtetëror serb mbi një shekullor. Projekte dhe veprime konkrete për asgjësimin e një populli nuk kanë bërë shqiptarët por shteti serb. Shpërnguljet biblike, varrezat masive, djegia e vendbanimeve, vrasja e fëmijëve, dhunimi seksual i grave… nuk janë vepra të shqiptarëve, por vepra nëmë-zeza të politikës dhe të armatës së shtetit serb! Urdhëroni zotërinj të qarqeve të Fuqive të Mëdha, krimi nuk vjetrohet kurrë! Me veprimet tuaja, përkrah gjakatares Serbi, po e ngacmoni një popull martir, një komb liridashës dhe paqedashës shtatë milionësh. Me veprimet tuaja të padrejta, po e veni nën hije investimin e madh të NATO-s në vlerat universale njerëzore si dhe po e humbni besimin në drejtësinë evro-perëndimore që shqiptarët e fituan gjatë Luftës mbinjerëzore të UÇK-së heroike.
Pse nuk themelohet Gjykatë speciale për masakrimin e 14.000 shqiptarëve, për përdhunimin e 20 mijë grave dhe vajzave shqiptare, për djegien me themel të 128 mijë shtëpive dhe 360 objekteve shkollore, për dhunimin dhe zhdukjen e mijëra trupave të shqiptarëve të pa armatosur, për dëbimin dhunshëm nga vatrat shekullore të një milionë shqiptarëve, për vrasjen e 11 personave dhe dëbimin e 11.364 shqiptarëve nga Mitrovica Veriore, në shkurt të vitit 2000, ndonëse nën mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Të gjitha këto krime janë bërë me plan, me urdhër dhe me komandë ushtarake shtetërore të Serbisë. Deri më tash në Kosovë, me pretekste të ndryshme, janë dënuar rreth 1300 ish-luftëtarë shqiptarë dhe thuaja të gjithë komandantët e zonave operative. Bëri luftë UÇK-ja në Shumadi, apo Serbia në Kosovë? Atëherë me cilën logjikë po u dashka të pastrohet Kosova liridashëse para se të pastrohet Serbia pushtuese? Mos me logjikën e përrallës së ujkut dhe qengjit?! Apo me logjikën proverbiale: mjerë i vogëli…!
Ashtu si Paketa e Ahtisarit që e futi thikën në zemër të Kosovës, ashtu si Fusnota që e neutralizoi Pavarësinë e Republikës së Kosovës, ashtu si bisedimet e pabarabarta politike shqiptaro-serbe në Bruksel, edhe Gjykata Speciale duket se do të jetë në shërbim të ndërgjegjes së vrarë të disa shteteve evropiane tashmë të penduara për pjesëmarrje në bombardimet e caqeve ushtarake serbe gjatë luftës së fundit. Duke e gjykuar luftën çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet ushtarëve dhe eprorëve të zonave të UÇK-së, këto qarqe tentojnë ta shfajësojnë pushtimin 100-vjeçar dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët, ndërsa Serbinë ta kthejnë përsëri në rolin e xhandarit të Evropës Juglindore.
Në këto momente të rënda, mbrojtja e Luftës Çlirimtare të UÇK-së së lavdishme, mbrojtja e vlerave të Luftës sonë çlirimtare, mbrojtja dinjitetit të eprorëve dhe të ushtarëve të UÇK-së, mbi të gjitha, është mbrojtje e lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, është nder dhe detyrë e çdo qytetari të shtetit tonë. Shqiptarët janë dënuar në Berlin, në Londër, në Versajë dhe, pas LDB, në Prizren. Nga presioni i pushtuesve shqiptarët janë detyruar ta dënojnë vetveten shumë herë gjatë historisë. Prandaj, kësaj radhe, në rrethana të reja, siç thotë Qosja, shqiptarët nuk do të duhej, në asnjë mënyrë, nuk do të duhej të lejojnë ta dënojnë vetveten!
Kosova do përparim e jo pranga!