(Çast me këngën “Na ra serbi në t’katër anët”, kushtuar Ahmet Delisë, Hero i kombit)
Çarmatimi i shqiptarëve, si masë dhune e pushtetit serbo-malazez, ka gjetur pasqyrim të denjë në shumë këngë të epikës historike. Realisht aksionet për çarmatosjen e shqiptarëve paraqesin njërën nga metodat kryesore të planit strategjik të politikës shfarosëse të shtetit serb. Si masa dhune, të pakufizuara në kohë dhe në hapësirë, këto aksione vazhdimisht u shoqëruan me bastisje individuale dhe kolektive, me maltretime, me arrestime, me burgosje, me internime dhe me pushkatime, qoftë kur gjendej e qoftë kur nuk gjendej arma e kërkuar. Për ndërmarrjen e këtyre aksioneve, paraprakisht, pushteti hartonte lista për të pabindurit, për luftëtarët dhe për familjet e shquara atdhetare, mirëpo, në këtë drejtim, njësitet ndëshkuese qoftë me uniformë e qoftë pa të, ishin të lirë të vepronin sipas rastit deri të kurdisja dhe montimi i situatave nga më të ndryshmet. Në mesin e mjeteve ndëshkuese gjatë këtyre operacioneve u përdorën: thika, konopi, ngufatja, huri, shkopi, zjarri, pusi, lumi e deri te armët e zjarrit si revolja, pushka, topi, etj. Me gjithë masat e egra të gjenocidit të vazhdueshëm populli shqiptar nuk u nënshtrua asnjëherë, prandaj edhe në këto raste gjeti forcë për jetë dhe qëndresë. Njëra nga krijimet epike historike që trajton këtë temë është edhe kënga antologjike “Na ra serbi në t’katër anët”.
Ngjarja e këngës “Na ra serbi në t’katër anët” zhvillohet në një fshat të Drenicës, pikërisht në Prekazin kryengritës dhe heroik. Është muaj janar i vitit 1913. Serbia dhe Mali i Zi me ushtritë e tyre namzeza kanë pushtuar gjysmën e Shqipërisë. Dhuna dhe terrori shtetëror bëjnë kërdi mbi popullin duarthatë. Ngjashëm si dikur në Sanxhakun e Nishit, me çdo kusht synohet shpërngulja dhe shfarosja e shqiptarëve. Ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë hyrë në çdo fshat, në çdo lagje. Por edhe në këto rrethana shqiptarët nuk pajtohen me situatën. Nuk rrinë duarkryq. Herë individualisht e herë në mënyrë të organizuar sulmeve u përgjigjen me kundërsulme dhe me mjetet e vetme mbrojtëse që posedojnë.
Që në vargjet e para të këngës jepet kumti për zezonën që ka pllakosur Kosovën. Tragjedia dhe zia kombëtare në këngë shprehet e përsëritur dy herë përmes pasthirrmës vajtuese “hajmedet”. Serbia dhe Mali i Zi kanë pushtuar gjysmën e Atdheut. Kënga me pak vargje shpalosë programin e qeverisë serbe për çarmatosje dhe gjenocid ndaj shqiptarëve. Çarmatosja, dhuna, plaçkitja dhe vrasja në oborret shqiptare bëhen skena të përditshme trishtimi:
Hajmedet çka koka kanë
Na ra serbi n’katër anë
N’katër anët o hajmedet
Thojshin hallku det e m’det
Tana armët po na i hjek
Na i hjek armet hiç pa çare
N’oborr t’vet na ban batare
Na ban batare he i plaçin sytë
Po i mbledh serbtë po i shkrun çetnikë
Me na vra o me na plaçkitë
Në vazhdim të thurjes së ngjarjes objektivi e këngës përqendrohet në Prekaz. Çetnikët kanë vërshuar fshatrat shqiptare. Të trimëruar pas mbledhjes së armëve nga pushteti ata lëshohen lagjeve si ujqërit e tërbuar. Trembëdhjetë çetnikë serbë kanë hyrë për të bastisur dhe plaçkitur Prekazin shtëpi për shtëpi. Duke plaçkitur dhe duke dhunuar arrijnë në shtëpinë e Halilit, fqinj i Ahmet Delisë (1850-1913), atdhetar dhe luftëtar i njohur i kryengritjeve të Kosovës që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit:
Kokan da nji rrem çetnikë
Se n’Prekaz o kokan hi
Hallakatin dy a tri shpi
Te Halili janë vojtë janë hi
Te Halili janë hi komita
Piskasin robtë bërtasin fmija
Oh po ndin Ahmet Delia
Me të dëgjuar britmën e fëmijëve dhe grave Ahmet Delia i bën zë të birit:
Ai Ahmeti në divanhane
Thrret Murselin djalë ç’u bane
Çou Mursel binaj sakicat
Te Halili kanë hi komita
Kadal babë mos u ngut
Sa ta marr sakicën te drutë
Kur nuk des babë për ket kojshi
Tybe n’zotin des për ty
Këto vargje në vete mbrujnë filozofinë dhe etnopsikologjinë që e ka mbajtur gjallë shqiptarin shekuj me radhë. Ndjenja e solidaritetit dhe e flijimit për fqinjët, për personat në ngushticë dhe në rrezik është një kod i pashkruar që e ka shoqëruar shqiptarin nga brezi në brez. Ky moral, ky kod, fare natyrshëm, përcillet nga i ati tek i biri… Murseli, pa hezitim, i merr sakicat (sëpatat) dhe së bashku me të atin dalin në rrugë, në sokak, ku takohen me Ramë Islamin, bashkëfshatar por që ishin në hasmëri. Me okupimin serbo-malazez hasmëritë e ndërsjella ishin falë dhe ishte lidhur besa për luftë kundër armikut. Ahmet Delia e fton edhe Ramë Islamin në ndihmë:
A e kem besën si e kem pasë
Ramë Islami mirë po flet
Hajt Ahmet mos ki dert
S’jam pishman as vetë me dekë
Të vendosur për të vdekur në mbrojtje të fqinjëve që të tretë vazhdojnë rrugën në drejtim të shtëpisë së Halilit. Kur arrin te dyert e Halilit takohen me çetnikun roje. Tashti ngjarja arrin kulmin. Situata gjithnjë e më shumë merr përmasat e dramës. Pas një dialogu domethënës, të ngjashëm me dialogun e Gjergj Elez Alisë me Bajlozin e detit, roja asgjësohet dhe me çetnikët fillon përleshja fyt për fyt:
N’derë t’Halilit kur janë hi
Janë zatet n’atë nebetxhi
“Stoj”, Ahmet ku don me hi
Çka asht “stoj” i ka thanë atij
Unë serbishten hiç s’e di
Te shqiptartë kush t’ka thanë me hi
Me i nmerue robë e fëmi
A e din ktu që i thonë Shqipni
Sull n’sakicë i ra mbi sy
Sull n’sakicë i ka ra në ballë
Tana trutë ia la në shkallë
Ahmet Delia po e ba ‘i piskamë
Thrret Murselin, Mursel bre djalë
Nxanjau derën mos na i le me dal
Lufta është e pa barabartë në çdo aspekt. Në përleshje e sipër Murseli ua rrëmben çetnikëve një pushkë. Siç thuhet në këngë, ai lufton si kreshnik. Arrin t’i vrasin dymbëdhjetë çetnikë. Por edhe Ahmet Delia plagoset për vdekje. Një vdekje heroike që do të përjetësohet në këngë dhe në histori. I trembëdhjeti, Jovani, i plagosur, merr ikën. Ramë Islami plak, i armatosur me hu gardhi, i sulet prapa:
Ban Jovani kuku për mue
Prej t’trmbdhetëve veç unë kam pshtue
S’po e di rrugën kah me shkue
Ikë Jovani okolla gardhi
Hu po e ndjek ai Ramë Islami
Kënga ka një përfundim interesant. Ahmet Delia në agoni të vdekjes e fton Ramë Islamin që ta lë të lirë Jovanin. Jovani si dëshmitar i gjallë i ngjarjes lirohet për të rrëfyer të vërtetën:
Ahmet Delia hala po flet
Hajde Ramë mos e mbyt krejt
Leje gjallë e për gazep
T’i kallxojë krajlit në Serb…
Motivin e zënies rob, turpërimit dhe lirimit të armikut e ndeshim edhe në disa këngë tjera epike. Ky motiv është i realizuar bukur sidomos në rapsodinë arbëreshe “Skënderbeu dhe Ballabani”, ku pas dyluftimit, Skënderbeu ia pret veshin Ballaban tradhtarit dhe e liron atë të turpëruar për t’i treguar sulltanit të vërtetën.
Kënga “Na ra shkau në t’katër anët” ka një strukturë të thjeshtë ndërtimi. Dhe mu në këtë thjeshtësi spikatë madhështia e këngës. Në pak vargje është dhënë botëkuptimi, filozofia dhe veprimi i agresorit si dhe ajo e të pushtuarit të panënshtruar. Mesazhi i këngës është i qartë: ai që lakmon mallin dhe tokën e huaj gjënë vdekjen e sigurt. Mesazh që e mbajtën gjallë brezat, deri te Tahir Meha, deri te Adem Jashari…