Njerëzit e shquar të historisë, të shkencës dhe të kulturës përherë kanë qenë dhe janë gurrë frymëzimi për krijimin e veprave zhanresh të ndryshme. Me këtë veprimtari krijuesit sikur synojnë t’i realizojnë dy ideale qenësore të krijimtarisë: së pari, duke shkruar për njerëz të shquar, krijuesit atyre ua nxjerrin në pah të bëmat, ua vënë në spikamë veprën, ua theksojnë meritat shoqërore-historike dhe kështu, njëkohësisht, atyre ua bëjnë nderimin që e meritojnë dhe që u takon; së dyti, duke shkruar për personalitete të shquara dhe për veprimtarinë e tyre krijuesit i udhëheqë qëllimi i mbarë që personalitetet në fjalë t’i bëjë shëmbull të lartë mësimi dhe edukimi për brezin e ri, gurrë të pashterrshme guximi, force dhe qëndrese, gjedhe se si duhet të përpiqet dhe si duhet të veprojë secili njeri për sëndertimin e ideve dhe të idealeve kombëtare dhe gjithnjerëzore.
Një ideal i këtillë, padyshim, e ka provokuar dhe e ka udhëhequr gjatë punës së tij edhe Xhafer Shatrin, autorin e librit “Pse dergjet në burg Adem Demaçi”. Që në fillim po theksojmë se ky libër është përpjekja më serioze që deri më sot i është kushtuar ndriçimit të jetës dhe veprimtarisë patriotike të Adem Demaçit, përkatësisht që rreket ta rrumbullaksojë portretin politik të tij. Shkaqet e një vonese kaq të madhe të publikimit të një libri kësisoj, e të mos flasim për nevojën e publikimit të një monografie për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, në radhë të parë duhet të kërkohen në rrethanat jashtkrijuese dhe pikërisht në kushtet e rënda shoqërore historike dhe ekonomike politike, të cilat popullit të Kosovës i ranë hise në rrugën e zhvillimit të tij historik. Me një fjalë, ato duhet të kërkohen në rrethanat e robërisë së gjatë dhe të gjithanshme të popullitt tonë.
Në këtë vazhdimësi, vetëm viti 1981 në jetën e popullit shqiptar do të hyjë si vit i madh tronditjesh dhe tërmetesh të fuqishme që do të hapë një epokë të re në përspektivë. Në vetëdijen dhe në qenien e popullit shqiptar do të zgjohet njëherë e përgjithmonë mekanizmi i moçëm i luftës për jetë o vdekje, i cili pastaj do të orientohet ndërgjegjshëm drejt sëndërtimit të një jete të denjë për të qenë, të denjë për t’u jetuar. Nga kjo kohë e më vonë populli shqiptar për herë të parë do ta hedhë qafet barrën e urryer të robërisë dhe në këtë mënyrë do të ndjehet plotësisht i lirë në mendim dhe në veprim, duke përbuzur kështu kërcënimin, diferencimin, burgun dhe vdekjen që do t’i vie me bollëk dhe parreshtur nga dora kriminele e pushtuesit. Në rrethana të reja, ndonëse akoma më të rënda, krahas flijimeve prometheike të popullit shqiptar që do të bëhen në emër të dashurisë për jetën, të dashurisë për lirinë, të dashurisë për atdheun, lufta do të shtrojë dhe do të realizojë edhe një ideal të shenjtë: krahas heronjëve të së kaluarës në shtizën e Flamurit të betejave të reja të ardhme i ngriti me mburrje edhe heronjtë e ditëve tona, martirët e kohës sonë të madhe. Këtu e ka zanafillën edhe publicistika jonë që i kushtohet Adem Demaçit, me të gjitha të metat dhe kufizimet e natyrës objektive që do t’ia imponojë mërgimi.
Libri “Pse dergjet në burg Adem Demaçi”, është i shkruar me një pasion të veçantë. Dashuria e madhe dhe respekti i pakufishëm i autorit tër këtij publikimi ndaj Adem Demaçit nuk fshihet aspak. Është kjo një dashuri dhe repekt që arsyetohet. Adem Demaçi për brezat e rinj i ka marrë përmasat e një personaliteti të denjë për hero legjendash. Ai jo vetëm se konsiderohet si njëri ndër zëdhënësit më besnik të idealeve dhe të kërkesave të popullit të Kosovës dhe të viseve të saj, por edhe flijuesi më i ndërgjegjshëm në emrër të idealeve dhe të aspiratave të popullit të vet. Njëzet e tetë vjet dergjeje nëpër burgjet e errta dhe të lagëta të pushtuesit në emër të këtyre idealeve! Njëzet e tetë vjet qëndresë përballë torturave fizike dhe psikike të UDB-esë në emër të drjetësisë! Njëzet e tetë vjet stoicizëm përballë fyerjeve dhe përbuzjes së armikut në emër të lirisë së popullit të vet! Me plot kuptimin e fjalës: simbol i rezistencës dhe flijimit shqiptar. “Unë digjëm si qiriu, e qiriu jep dritë e shkëlqim dhe kështu plotëson funksionin e tij”, pohon Adem Demaçi. Pohim pakëz romantik dhe mazohist për të gjithë ata që nuk frymojnë nën lëkurën e shqiptarit, por për ne shqiptarët është konstatim i vërtetë dhe realitet kohorë. Edhe pse jo me prezencën e fjalës së gjallë Adem Demaçi përherë qe mes nesh, si frymë, i pakapshëm por konkret, shembull i lartë frymëzimi për të gjithë brezat e rinisë që erdhën pas tij. Në anën tjetër, libri vlon nga urrejtja e autorit ndaj dhunës dhe barbarizmave që pushtuesi serbomadh i ushtron mbi një popull duarthatë me qëllim të zhdukjes së tij fizike nga trojet e lashta jetike. Prandaj, nuk ka si të mos i rrënqethet shtati lexuesit kur para tij parakalojnë të përbuzurit, të rrahurit, të masakruarit, të burgosurit, të pushkatuarit… Në këtë atmosferë të egër, rrënqethëse, autori e përcjell Adem Demaçin që nga lindja e deri te ditët e fundit të burgimit të tij. Odisejada e Adem Demaçit nëpër hetuesitë dhe nëpër burgjet mesjetare serbe është e gjatë. Mijëravjeçare. E gjatë sa vetëm popujt e ndërgjegjshëm për ardhmërinë e tyre të sigurtë mund ta durojnë.
Lëndën e këtij publikimi autori e ka realizuar në tri pjesë kryesore, të cilat, pastaj, ndahen në kaptinat përkatëse. Në pjesën e parë të librit bëhet fjalë për fëmijërinë dhe rininë e Adem Demçit si dhe për faktorët familjarë dhe ata shoqërorë që do të ndikojnë në edukimin dhe në formimin e personalitetit të tij. Në mungesë të fakteve më të hollësishme biografike të fëmijërisë, të rinisë si dhe të shkollimit të Adem Demaçit kjo pjesë del pak më e zbetë se pjesët tjera të librit. Në pjesën e dytë Adem Demaçi trajtohet si ideolog, strateg dhe si organizator i aftë largpamës, si prijës i një lufte në kushte dhe në rrethana të reja kohore, luftë e cila nuk do të pushojë për asnjë moment deri në ngadhnjimin e plotë të idealeve dhe të aspiratave të drjeta të popullit shqiptar, luftë e cila në etapa të caktuara do të personifikohet në fillim me të burgosurin Adem Demaçi, pastaj me ilegalin dhe të burgosurin Hydajet Hyseni, pastaj me ilegalin dhe ideologun Jusuf Gërvalla si dhe më në fund me qëndrestarin e paepur deri në flijim Rexhep Mala. Në pjesën e tretë të librit zbërthehet anatomia monstruoze e një procesi të kurdisur politik nga ana e pushtetit që kishte për qëllim eliminimin fizik të Adem Demaçit nga jeta shoqërore, politike dhe kulturore e Kosovës.
Kësisoj, brenda këtyre tri pjësëve të librit në vija të trasha kapërthehet jo vetëm fati tragjik i prometheut bashkëkohor, Adem Demaçit, por edhe fati i mbarë Kosovës, me të gjithë tragjedinë dhe heroizmin e saj. Po e theksojmë se pjesët e fundit të këtij libri janë të realizuara me frymëzim të veçantë. Mbase këtu ka ndikuar fakti se autori i librit i ka rrahur thuaja të gjitha shtigjet nga ka kaluar edhe Adem Demaçi, pastaj i njohur si njeri i qelive ai ka pasur rast t’i përjetojë në kurrizin e vet të gjitha marifetllëqet e ferrit modern sërbomadh.
Se libri në shqyrtim nuk është i kompletuar dhe i pa të meta është koshient edhe vetë autori i tij. Në parathënien e librit ai i numëron vështirësitë që i kanë dalë përpara gjatë punës duke e theksuar në mënyrë të veçantë mungesën e materialeve arkivore si dhe mungesën e dëshmive gojore, qoftë ato personale të Adem Demaçit e qoftë edhe ato të bashkëluftëtarëve të tij, të cilat në këtë rast do t’ia shtonin hala më shumë vlerën këtij publikimi. Sidoqoftë, edhe si i këtillë, ky publikim do të jetë i mirëpritur nga lexuesi ynë i etshëm dhe kurreshtar për publikime të kësaj natyre, edhe si i këtillë do ta mbushë një zbrazëti të kahmotshme në këtë drejtim, ndërsa për gjurmuesit e ardhshëm do të bëhet shkëndijë nxitëse për studimin sa më të plotë të personalitetit të Adem Demaçit dhe të rrethanave kohore që e linden dhe e krijuan atë.
Nëse pajtohemi me pohimin e Adem Demaçit:”Duke më mbajtur kaq gjatë në burg, Jugosllavia ia ka ngritur vetës përmendorën e zezë” atëherë lirisht mund të thuhet se edhe ky libër është një akuzë e fortë kundër politikës antishqiptare të Sërbisë, politikë kjo që po shuhet dhe po vdes nga vitaliteti dhe qëndresa e paepur e popullit tonë.
Kadri Rexha: LIBËR MBI FATIN E PROMETHEUT BASHKËKOHOR
( Xhafer Shatri: “Pse dergjet në burg Adem Demaçi”, monografi, KIOB, 1990 )