leoni

Kadri Rexha: Lulet e lirisë në këngën e popullit

(Në 15-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu)


Sipas traditës sonë shekullore përjetësimi i heroit në këngë paraqet ngjarje të veçantë. Sepse populli nuk ia falë këngën gjithkujt, sepse populli nuk ka hatër e as mëshirë. Kënga e popullit kërkon prova të mëdha: vetëmohim, flijim dhe gjak. Po nuk jetove me popullin, po nuk qave hallet me të, po nuk veprove për sendërtimin e idealeve të tij, populli jo vetëm që nuk ta falë këngën, por as që merret me ty, as të qas dot. Ky virtyt është dëshmuar në të kaluarën dhe po vërtetohet edhe sot. Këngët e ngritura mbi qëndresën dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë si dhe ato mbi epopenë masive të UÇK-së dëshmojnë aktin e lartë të muzës që nuk heshtë. Në gurrën e kësaj tradite nga populli u përjetësuan edhe Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Këngët dhe poezitë e para për këta trima lindën menjëherë mbas epopesë së Pestovës. Këngë të lindura në sheshin e luftës. Këngë që kullojnë gjak. Këngë që lahen me lot. >>>


 


Këngë që rilindin krenari dhe shpresë. Këngë besimi në të ardhmen. Në këngët e ngritura flakë për flakë, si dhe në këngët që po lindin sot e gjithë ditën, populli qau me lot dhembjeje dhe krenarie bijtë e vet të shtrenjtë, mbrojtësit e halleve të kombit, dalzotësit e atdheut. Në këngët e këtij cikli tre protagonistët, në shumicën e rasteve, janë të pandashëm. Ashtu siç ishin në krye të detyrës. Ashtu siç ishin në çastet e fundit të jetës. Rëndomë në këto këngë Zahir Pajaziti zë vendin kryesor qoftë si prijës i këtij treshi të famshëm qoftë edhe si përfaqësues i mbarë gjeneratës së tij luftarake. Po ashtu, në këngët kushtuar Edmond Hoxhës është e pamundur të mos përmenden edhe dy bashkëluftëtarët e tij, Zahiri dhe Hakifi. Ndërsa, aty ku dëshmorët nuk emërohen ata i zëvendëson figura poetike, si: “tri lule të lirisë”. “tre trima të shqiptarisë”, “tre trima-flakë janari”, “tre trima të historisë”, “tre djemtë më të mirë”, “tri pushkë të para”, “tre ushtarë të UÇK-së”, “zogjtë më të bukur të vendlindjes”, “lajmëtar të diellit pranveror”, “emblema jonë e re”, e kështu me radhë. Duke qenë krijime artistike popullore që këngëtojnë një realitet konkret historik edhe figurat letrare janë sugjestive dhe tejet njerëzore, ashtu siç janë edhe dëshmorët. Autorët e këtyre krijimeve sikur donë të thonë: Zahiri, Edmondi dhe Hakifi nuk kishin pikur nga qielli, por ishin djem të thjeshtë nënash të përvuajtura shqiptare që merrnin frymë dhe jetonin me popullin dhe për popullin. Ndonëse këto këngë në tërësinë e tyre poetike kanë notë baladike, atmosferë elegjiake, brendi të dhembshme dhe ndjenja mallëngjimi prapëseprapë karakteri i tyre i theksuar mbetet epiko-lirik:


 


Mbi fusha t’Kosovës loti bëhet vesë


Po vijnë çlirimtarët lidhur besa-besë


Zahir Pajaziti një pëllumb nëpër qiell


Gjaku ynë Kosovë t’u bëftë dritë e diell


 


Gjithnjë, sipas këtij konstatimi, në këngët e këtij cikli, me rastin e vrasjes heroike të tre dëshmorëve, në dhimbje dhe pikëllim marrin pjesë jo vetëm prindërit dhe të afërmit e tyre, por mbarë Kosova, ndërsa në disa raste edhe natyra me objektet dhe fenomenet e saja:


 


Mbi Gollak shqiponja ndalet


Ka një dhimbje t’rand sa malet


Sot dhe Dielli ma pak shndriti


U vra n’pritë bre Pajaziti


 


Nisur nga fakti se kënga e popullit ka luajtur dhe luan ende një rol të rëndësishëm në etapa të caktuara të historisë së kombeve, si në forcimin e vetëdijes patriotike ashtu edhe në mobilizimin e masave të gjëra për t’u bërë ballë rreziqeve dhe katastrofave, edhe në këtë rast muza popullore e bëri të sajën. Duke i vënë dëshmorët në qendër të krijimeve të veta, poetët, kompozitorët dhe këngëtarët u kujdesën që theksi kryesor të vihet mbi idenë patriotike si dhe mbi aspiratat shekullore të popullit shqiptar ndaj lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Mesazhi i këngëve të këtij cikli edhe një herë prekte në ndërgjegjen e kombit të ndarë me dhunë:


 


Pa bashkim nuk ka fuqi


Pa Kosovë nuk ka Shqipëri


Pa Shqipëri Kosovë nuk ka


Bashkë të dyja bëjmë kala


 


Këto këngë të kënduara nga këngëtarët tanë më në zë, si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Sali Mani, Shaqir Cërvadiku, Violetë Kukaj, Manjolla Nallbani, Arif Vladi, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Dava Gjergji etj., qoftë në koncerte të estradës e qoftë edhe nëpërmjet valëve të radios dhe televizionit, ngritën në këmbë masat milionëshe. Ato i bashkonte ideali i kohës, thirrja e ditës, patriotizmi i epokës së lavdishme të UÇK-së dhe gjaku i njomë i shqiptarit i derdhur anë e mbanë Kosovës. Personazhet e këngëve të reja sintetizonin për mrekulli aspiratat shekullore të popullit. Prandaj, rinia, bukuria, mençuria, guximi, vendosmëria dhe flijimi i heronjve të këngëve po bëheshin shembull dhe model për djemtë dhe vashat shqiptare. Kemi të bëjmë këtu me një shpërthim të vetëdijshëm që gufonte si pasojë e një tronditjeje të madhe që po kërkonte mobilizim të gjithanshëm, heroizëm të ri dhe veprim mbinjerëzorë për shpëtimin e Kombit dhe Atdheut.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …