Kadri Rexha: Maxhun Berisha (1962-1999)

Me rastin e 15-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Maxhun Berisha, Komandant kompanie dhe Zëvendëskomandant Batalioni në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”

Vetëm sot, kur Kosova po merr frymë thellë në elementin e vet, gjaku i kolosëve tanë i derdhur det për këto troje ilirike si dhe qëndresa mbinjerëzore e popullit shqiptar gjatë shekujve po e marrin kuptimin e plotë të vlerës së flijimit për idealin madhor siç është liria e atdheut. Vërtetë, liria paska çmim të lartë. Më të shtrenjtë se vetë jeta. Lirisë rruga po i bika kah varri, thotë poeti. Dhe, në këtë rrugë të gjatë vuajtjesh dhe sakrificash të martirëve, që shpie shtigjeve të kujtimit të pavdekshëm dhe pushon amshueshëm në altarin e atdheut dhe në shpirtin e kombit, përjetësisht do të ndriçojë edhe emri dhe vepra e dëshmorit Maxhun Berisha, birit të denjë të Prapaqanit, ushtarit të devotshëm të UÇK-së, pishtarit të pashuar të lirisë së Kosovës.

      Një fëmijëri e pa fëmijëri

I lindur më 9 tetor të vitit 1962 në fshatin Prapaqan të Deçanit, pinjoll i një dere bujare dhe atdhetare të shquar për zjarrin e ndezur luftarak, sidomos nga Lidhja e Prizrenit e këndej, Maxhun Berisha do të brumoset me tiparet më pozitive të traditës si dhe me idealet bashkëkohore të rinisë përparimtare shqiptare. Ndikim të veçantë në formimin e personalitetit të Maxhunit do të ketë i ati i tij Brahimi, ushtar vullnetar me armë në dorë në Brigadën e Tretë sulmuese shqiptare, ku luftoi deri në Sanxhak me qëllim të bashkimit të trojeve shqiptare, kundërshtar i papajtueshëm i tradhtisë serbe pas vitit 1945, kundërshtar energjik i kolektivizimit, për çka dënohet me tri vjet burg, veprimtar i hapur kundër shpërnguljeve të shqiptarëve për në Turqi, propagandues i vazhdueshëm kundër regjimit gjakatar serb, mbrojtës i paepur i traditave të pasura pozitive shqiptare, dashamir i  arsimit dhe progresit në përgjithësi, person që nga koka kurrë nuk e ka hequr plisin e bardhë.

      Fëmijëria e Maxhun Berishës është e ngjashme me fëmijërinë e secilit fëmijë të rritur në fshatrat e Kosovës. Më një fjalë, fëmijëri e pa fëmijëri. Skamje, terr dhe dhunë. Megjithatë, falë shpirtit liridashës dhe qëndresës së pamposhtur të shqiptarit, që nga mosha e njomë, Maxhuni do të edukohet me cilësitë që i duhen secilit shqiptar për të qëndruar vertikalisht në jetë. Edhe oda shqiptare, e cilësuar me të drejt si universitet i kohës, në edukimin e Maxhunit ka luajtur një rol me rëndësi. Bisedat e gjata mbi luftërat, historitë e ndryshme për trimëritë dhe namin e heronjve, komentet e pambarim rreth ngjarjeve politike të kohës, analizat e holla mbi moralin dhe mbi të drejtën, etj. te vogëlushi do të hapin horizonte të reja. Në këtë drejtim edhe fjalori i tij i përditshëm sa vjen e nis të pasurohet me fjalë dhe me shprehje të reja, si p.sh.: liri, robëri, kolonizim, shfrytëzim, komb, flamur kombëtar, bashkim kombëtar, gjuha unike shqipe, universitet, demonstratë, kushtetutë, republikë, të drejtat, e kështu me radhë. Koka e vogëlushit, nga dita në ditë, vlon nga diskutimet me zë të lartë dhe nga bisedat më pëshpërimë që zhvillohen në kullën e njohur të Berishëve në Prapaqan. Sidomos Jusuf Gërvalla, dajë i nderuar i familjes dhe mysafirë i shpeshtë në atë odë, tek Maxhuni le mbresa të forta dhe të pashlyeshme. Në fantazinë rinore të Maxhunit Jusufi i merr përmasat e heroit të këngës.

      Kështu, i rritur dhe i farkëtuar në kudhrën e atdhetarizmit, Maxhun Berisha me kohë do ta kuptojë urdhrin e çlirimit  të Kosovës si porosinë më të shenjtë te të parëve tanë. Përndryshe, pse toka dhe nëntoka aq e pasur e Kosovës shqiptarëve nuk u garantonte mirëqenie, pse shqiptarët merrnin botën në sy si kurbetçinj, pse të gjitha burgjet jugosllave, në çdo kohë, ishin të mbushura ding vetëm me shqiptar?! Me një formim të drejtë, i pjekur para kohe, me shpresa të mëdha për ditët e mira që do të vijnë për Kosovën, Maxhuni regjistrohet dhe vijon më zell mësimet në Gjimnazin „Vëllezërit Frashëri“ në Deçan. Janë këto vite zgjimi dhe vlimi të përgjithshme anë e mbanë Kosovës.

         Në vallen e djalërisë shqiptare

      Kosova, më në fund, po bëhej gati që njëherë e përgjithmonë ta heqë qafe zgjedhën e urryer të robërisë serbe. Veprimtaria e organizatave ilegale si dhe veprimtaria e institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore po jepnin rezultate pozitive. Në këtë drejtim demonstratat e vitit 1968 ishin një gurë i sigurt sprove në themelet e ndërtesës së lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Ndonëse i ri në moshë, me veprimtarinë e vet modeste, Maxhun Berisha më tërë qenien e tij po hynte në vallen e djalërisë përparimtare të Kosovës. Është koha kur sheshet e qyteteve dhe ato të fshatrave po stoliseshin me trakte, ndërsa asfalti i rrugëve kryesore po zbardhej nga parullat. Si rezultat i një aktiviteti të këtillë Maxhun Berisha, së bashku me një grup shokësh, zbulohet në pranverë të vitit 1980 dhe mbyllet në burgun famkeq të Pejës. Edhe pse mbi trupin e vet do t’i përjetojë torturat më barbare, nga burgu Maxhuni do të dalë më i fortë dhe shumë më i vendosur në rrugën tashmë të nisur vetëdijshëm. Në ndërkohë Maxhunin e përjashtojnë  edhe nga gjimnazi, çka për të do të jetë një goditje tepër e rëndë. Demonstratat e vitit të madh 1981 Maxhun Berishën e gjejnë në kulmin e veprimtarisë patriotike. Gjatë pranverës së stuhishme të atij viti Maxhuni merr pjesë aktive në demonstratat e vazhdueshme që do të zhvillohen në Prishtinë, në Deçan dhe në Pejë. Pastaj, për t’i ikur një arrestimi tjetër të sigurt, për një kohë, Maxhuni largohet nga vendlindja dhe vendoset në një fshat të Ulqinit, ku do të bëjë punë krahu.

      Është koha kur veprimtaria atdhetare po depërtonte në të gjitha poret e jetës, ndërsa nën shembullin e krijimit të shoqërive kulturore artistike kudo nëpër Kosovë, edhe në Prapaqan do të formohet një shoqëri e këtillë e emërtuar “Bije Vokshi”, e cila Maxhunin, si anëtar i saj, e entuziazmon tej mase. I ngërthyer në rrethana shumë të rënda dhe duke qenë i përcjellë këmbë pas këmbe Muxhunit nuk i mbetet rrugë tjetër pos asaj të largimit përkohësisht nga Kosova. Në vitin 1984 Maxhuni vendoset në Arbon të Zvicrës, ku me ndihmën e të birit të axhës së tij, veprimtar i dalluar i asaj kohe, Haxhi Berisha, do të kyçet në lëvizjen patriotike që zhvillohej në mërgim. Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër kontributi i Maxhunit shquhet në dhënien e ndihmave materiale, në pjesëmarrjen në demonstrata të shumta për internacionalizimin e çështjes së Kosovës që organizoheshin nëpër Evropë si dhe në bartjen dhe shpërndarjen në Kosovë të shtypit patriotik dhe revolucionar dhe materialeve tjera propagandistike antijugosllave. Si ithtar i luftës çlirimtare, Maxhuni kudo që do të gjendet zëshëm do ta përkrahë idenë e luftës së armatosur, si të vetmin opsion që do ta sjellë lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë nënë.

      Ndërsa në Bosnje lufta po i afrohej fundit, mbi Kosovë po fillonin të dyndeshin re të tjera të zeza të një lufte të sigurt. Zullumi serb mbi popullin e pambrojtur dhe të lënë në mëshirën e fatit kishte tejkaluar çdo masë dhe çdo parashikim. Pushka e UÇK-së, sado e vetmuar në fillim, po ngjallte shpresën e humbur dhe po lëshonte kushtrimin e pritshëm qindvjeçar të një lufte të përgjithshme çlirimtare të kombit. Asokohe, Maxhun Berisha, me lot në sy dhe me forcën e zemrës shprehej “Lufta është në prag. S’kemi çka presim më. Durimi poshtërues i LDK-së mori fund. Dita e Kosovës erdhi…” Dhe, pa hezitim, ia la Zvicrës lamtumirën e fundit dhe u nis për në Kosovë. Si shumë mërgimtarë tjerë atdhetarë edhe Maxhunin po e thërriste zëri i Kosovës së robëruar, gjëma shekullore e popullit të shumëvuajtur dhe nderi i burrave të kombit. Nuk ishte kjo thirrje e nënvizuar me tri viza të kuqe e as thirrje me “poziv”, por ishte zëri i lashtë dhe i përvajshëm më ngashërim i nënës tokë, që vetëm bijtë e saj më të mirë e dëgjojnë të parët dhe nisen vullnetar.

          Luftëtar i dalluar në radhët e UÇK-së

      Vetëm pak javë pas epopesë së lavdishme të Drenicës, fshati Gllogjan, zemra e Dukagjinit, më 24 mars 1998 po e shkruante me gjak një faqe tjetër të ndritshme heroike të historisë së Atdheut. Derisa Drenica, ai djep heroizmash shekullore, dha kushtrimin e luftës së përgjithshme kundër Serbisë, Gllogjani heroik po jepte shpresa se lufta e nisur do të zgjerohej me shpejtësi rrufeje kudo nëpër Kosovë dhe në viset tjera shqiptare të robëruara, luftë kjo që nuk do të ndalet deri në fitoren e plotë. Lufta për liri tashti më tërë ashpërsinë dhe heroizmin e saj po hynte në të gjithpushtetshmin dhe në të pavdekshmin popull. Si rezultat i kësaj beteje të fituar edhe në Dukagjin u krijua një zonë e lirë që kontrollohej nga  UÇK-ja dhe në të njëjtën kohë u krijua rruga e komunikimit dhe e furnizimit me armë dhe pajisje tjera për luftë që nga Tropoja nëpër Smolicë, Gllogjan, Jabllanicë, Drenicë, Llap e deri në Shalë. Qëndresa dhe fitorja e Gllogjanit pati jehonë të madhe pozitive në shtresat e gjëra të popullit. Fshatrat e Dukagjinit me shpejtësi të madhe po mobilizoheshin, po pajiseshin me armë dhe material tjetër të nevojshëm luftarak dhe po bëheshin gati për luftë të gjatë me Serbinë. Me net dhe më ditë, karvanet e luftëtarëve të ardhshëm të lirisë, me barrën e rëndë të armëve, po zbrazeshin kudo në Kosovë. Në këta rreshta të gjatë, plot vullnet dhe shpresë, gjendet edhe i palodhshmi dhe i pagjumi Maxhun Berisha. Armët e para, së bashku me një grup të zgjedhur djemsh të fshatit të tij, Maxhuni i solli në Prapaqan me 12 prill 1998, kur edhe emërohet zëvendëskomandant i shtabit të fshatit që numëronte rreth 80 luftëtarë. Si organizator i suksesshëm, si epror ushtarak dhe në të njëjtën kohë si luftëtar i dalluar, së bashku me ushtarët e tij, Maxhuni mori pjesë në të gjitha betejat që u zhvilluan në Dukagjin, si në Rastavicë, Prejlep, Gërdaja, Carrabreg, Deçan, Loxhë, Baballoq, Shaptej, Smolicë, Irzniq, Strellc të Epërm, Rosuja, Gllogjan,etj. ku u bë shembull i lartë për ngritjen e moralit luftarak dhe të qëndresës heroike para luftëtarëve në fushë të betejës dhe në mbrojtje të pozicioneve të UCK-së. Aktiviteti ushtarak i Maxhun Berishës në kuadër të Shtabit të Prapaqanit përfundon me 10 shtator 1998, kur Dukagjinit iu ngul në shpinë thika e tradhtisë. Në pamundësi që të ndikojë në mosdorëzimin e organizuar të armëve të sjella me mund dhe me sakrifica aq të mëdha, Maxhuni, me dëshpërim të jashtëzakonshëm, por me vendosmëri që të kthehet sërish në frontin e luftës, përkohësisht kalon në Shqipëri. Për një kohë Maxhuni qëndron në Tropojë ku luan një rol të rëndësishëm në mobilizimin, organizimin dhe armatosjen e djemve të UÇK-së që kishin rrahë rrugët e gjata drejtë Kosovës. Më 23 dhjetor 1998, së bashku me një numër të konsideruar luftëtarësh, Maxhuni i paraqitet  Komandantit Ramush Haradinaj, në Jabllanicë të Dushkajës, ku edhe sistemohet në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Në saje të aftësive të tij të shquara luftarake dhe të një përvoje të gjatë në front, Maxhuni emërohet zëvendëskomandant i Batalionit, po ashtu edhe zëvendëskomandant i Kompanisë së parë në këtë Brigadë. Në këtë funksion Maxhuni do të shquhet sidomos gjatë luftimeve të ashpra që u zhvilluan gjatë tërë muajit mars të vitit 1999, si në Dashinoc, Kodrali, Lumbardh, Pozhar, etj.

      Deri sa Maxhun Berisha luftonte me guxim të pashoq nga beteja në betejë edhe shtëpia e tij në Prapaqan ishte kthyer në një vatër të ngrohtë të UÇK-së. Kjo derë, për më shumë se një vit rresht, pa kursim do të jep bukë, do të lajë dhe do të hekurosë rrobe për ushtarët si dhe do të strehojë në vazhdimësi deri në 60 anëtarë të familjeve të rrezikuara nga zjarri dhe barbaria serbe. Maxhuni besonte në fitoren e sigurt të Kosovës, ndonëse ishte tejet i indinjuar në kreun politik, në të ashtuquajturat institucione legjitime, të cilat sabotonin duke mos e shpallur gjendjen e përgjithshme të luftës, për çka kishte hyrë hutesa dhe përçarja në popull, rezultat i së cilës  nuk kishte ardhur deri te masivizimi i pritur. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi bazat ushtarake të Serbisë, Maxhuni shihte mbarimin e shpejt të luftës dhe parandiente edhe një fitore tjetër ushtarake dhe politike evroamerikane në dobi të popullit shqiptar. Por, me gjithë këtë besim në zemër, Maxhuni nuk arriti ta përqafojë në liri Fitoren, vajzën e tij të vogël, të lindur në flakët e luftës.

      Dita e diel e 28 marsit të vitit 1999 mbahet mend si njëra nga ditët më tragjike të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, si dhe të mbarë ZO të Dukagjinit. Në betejën heroike, që zgjati dy ditë pandërprerë, fytafyt me ushtrinë e Serbisë, te Ura e Pozharit, ranë për të mos rënë Kosova, dy luftëtarë të sprovuar në shumë beteja, dy trima të pazëvendësueshëm, dy kushërinj në lidhje gjaku të dalë nga dy dyer të njohura për bujari dhe atdhetari. Së pari bie Elez Geci dhe tri orë më vonë bie edhe Maxhun Berisha, duke lënë prapa mbi dyzet ushtarë dhe paramilitarë serbë të vrarë, një tank, dy autoblinda, një pincgauer, një kamion ushtarak tërësisht të shkatërruar, tre mitraloz të rëndë, një sasi të madhe pushkësh automatike, revole dhe municion të zëna nga armiku. Trëndafili i kuq prej gjaku në gjoksin e Maxhun Berishës ishte buzëqeshja krenare e lamtumirës lënë shokëve të luftës, prindërve të shumëvuajtur, vëllezërve dhe motrës, shoqes dhe fëmijëve të mitur, Prapaqanit dhe mbarë Kosovës, ndërsa heroizmi i tij, aq shumë i dëshmuar, ishte dhe mbeti burim i pashterur i muzës popullore dhe shembull i lartë vetëmohimi brezave që do të vijnë.

      E përjetshme qoftë buzëqeshja pranverore e lirisë së Atdheut!

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …