Monumenti Nënë Shqipëri

Kadri Rexha: NË SHQIPËRI KEMI NJË NËNË

(Çast me këngën “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën”)

Me rastin e 34-vjetorit të vdekjes së kolosëve të kombit shqiptar, Enver Hoxha dhe Dervish Shaqa

Në interpretimet brilante të rapsodit kombëtar Dervish Shaqa, kënga „Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën“ zë një vend të veçantë. Është kjo një këngë e shkëlqyer dhe një odë e vërtetë kushtuar Shqipërisë, PPSH-së dhe prijësit të madh të kombit shqiptar, Enver Hoxha. E ngritur në vitet e shtatëdhjeta kjo këngë në Kosovë dhe në viset e saja është dëgjuar me ëndje, është analizuar me kujdes dhe është përjetuar me emocione deri në lot. Në bërthamën e saj kënga ngërthen dramën tronditëse të historisë sonë të dyqind vjetëve të fundit, ndërsa për temë ka madhërimin e Atdheut si dhe nderimin, respektin, krenarinë dhe mirënjohjen e thellë të kosovarëve për Enver Hoxhën dhe PPSH-në. E realizuar me fjalë të çiltërta, me melodi të përsosur dhe me interpretim mjeshtror kënga është përjetuar si vajtim, si odë dhe si himn kombëtar.

 

  1. HISTORIA TRONDITËSE E KËNGËS

Kënga „Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën“, si çdo krijim i madh, e ka historinë e vet. Historia e kësaj kënge është tronditëse ashtu siç është tronditëse edhe historia e personazheve të saj. Dhe personazhet e këngës nuk janë dy e as tre, por janë me mijëra, janë me qindra mijëra, thuaja gjysma e kombit. Edhe njësia kohë, ndonëse në këngë fiksohet në dy realitete historike, në të shprehurit metaforik të saj, kapërthen dy shkekuj dhune, dy shekuj gjaku dhe dy shekuj shpërnguljesh nga më të tmerrshmet që ka njohur dhe përjetuar njerëzimi:

Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën

E lamë borë e gjetëm dimën,

Është kjo klithmë shqiptare e dy shekujve të fundit. Është kjo dhimbja e plagës së pambyllur shqiptare. Është kjo mbamendja e kombit shqiptar. Është kjo jehona e thellë e gjëmës që dëshmon gjenocidin e Serbisë dhe të Malit të Zi, të cilat, si shtete në krijim, të ndihmuara dhe të përkrahura edhe nga Fuqitë e Mëdha, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, kursin pushtues gjenocidial e drejtuan pikërisht mbi trevavat veriore dhe verilindore të Shqipërisë. Si rezultat i kësaj politike në këto treva të Atdheut tonë ndodhën ngjarje nga më të tmerrshmet, vrasje, ndjekje në masë, përsekutime, djegie krahinash të tëra, që sollën, krahas heroizmave të masave popullore për mbrojtjen e jetës, të nderit, të trojeve të të parëve, edhe shpërnguljet e tyre me dhunë. 1) Shpërnguljet e mëdha të shqiptarëve, të zhvilluara në kohë dhe në valë të ndryshme, duke filluar nga ato të Sanxhakut të Nishit, të Toplicës, të Pirotit, të Prokupjes, të Kurshumlisë, të Leskovcit, të Malësisë së mbi Shkodrës, të Ulqinit, të Tivarit, të Krajës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës, të Dukagjinit, të Drenicës, të Llapit, të Gallapit, të Gjilanit, të Preshevës, të Kumanovës, të Shkupit, të Tetovës, të Gostivarit, të Kërçovës, të Strugës, të Dibrës së Madhe… në shpirtin, në kujtesën dhe në traditën kombëtare lanë gjurmë të thella. Ato gjetën pasqyrim të denjë sidomos në folklor:

Nam po ban ai krali i zi

Na çojnë para, bre, me singi

Tuj na vra, o bre, tuj na gri

Po prenë pleq, bre, po prenë thmi

Tanë po desim në borë e n’shi

Bukë pa hangër, medet, ujë pa pi

Ani ka dhetë vetë ni vorr jemi hi

Jehona e këngëve kushtuar këtyre ngjarjeve të rënda në ndërgjegjen e kombit mbeti përmendore flijimi, kumbonë morti, alarm vetëdijësimi. Dramat e tmerrshme, përsekutimet në masë, dhuna barbare dhe masakrat e përgjakshme të ushtrisë serbo-malazeze dhe, më vonë, asaj jugosllave, edhe në këngë, tejkalojnë gjëmët e Trojës antike, klithmat e kryqëzatave mesjetare, tmerret e fshizmit të kohës së re.Në këtë kalvar dyshekullor drama e të gjallëve kaloi nëpër rrathë të tjerë të ferrit deri në përmasa tragjike. Pjesa që u shpëtoi masakrave, zjarrit dhe vdekjes, ashtu në karvane, në grupe dhe fare të vetmuar, marrin botën në sy për t’u vendosur, më në fund, në dhera të huaja, kryesisht në Anadoll, larg vendlindjes, larg farefisit, larg gjuhës shqipe dhe në kushte të padurueshme jetese. Shpërnguljet me dhunë për në Turqi, Evropë, Amreikë e deri në Austalinë e largët nuk u ndalën dot, as në kohë të kralit, as në kohë të Tito-Rankoviçit, as në kohë të Millosheviçit.Prandaj vargjet: “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën/ e lamë borë e gjetëm dimën“ mbi supet e veta e mbartin një histori të tërë trishtimi, një tragjedi të tërë kombëtare. Borë në vëndlindjen e grabitur dhe të dhunuar barbarisht, dimër në tokën e huaj dhe të ftohtë përjetësisht. Vdekje për së gjalli në dhe të huaj në mërgim, vdekje për së vdekuri në varrezat pa shenjë e pa nam..

  1. DY REALITETE HISTORIKE

Na nxuer jasht krajli Serbisë

Sikur sot k’lyshtë e tradhtisë

Në këngën “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën” rapsodi popullor u bën jehonë shpërnguljeve të dhunshme të shqiptarëve të Kosovës me vise dhe vëndosjes së tyre në trevat brenda Shqipërisë së kufinjve të vitit 1913. Ndonëse shpërnguljet me dhunë e kanë peshën e rëndë plumb, sa vetë bota, vendosja e të shpërnglurve në Shqipëri, në krahsim me ata që ishin tretur dherave të huaja, i kishte lehtësirat dhe favoret e shumta në çdo aspekt. Me pak fjalë, në këngë, jepet gjendja sociale dhe politike e kohës kur të shpërngulurit zunë tokë nën këmbë, pasqyrohen kushtet e tyre të jetesës në vendbanimet e reja si dhe shfaqen ndjenjat shpirtërore të tyre larg vendlindjes dhe më të dashurëve. Mbështetur në realitetin kohor dhe historik, në këtë këngë, fati i të shpërngulurve kosovarë të vëndosur në Shqipëri, trajtohet në dy tabllo, të cilat paraqesin dy periudha të realitetit historik dhe të realitetit shoqërorë shqiptar.

  1. a) Mbret, moçale, këneta

Në tabllonë e parë kënga artistikisht trajton fatin e të shpërngulurve kosovarë të ikur nga dhuna e „kralëve të Serbisë“, që nga Lufta Ballkanike e deri në Luftën e Dytë Botërore, dhe vendosjen e tyre në Shqipëri, me theks të veçantë duke u ndalur në kohën e sundimit të Mbretit Zog.

Shqipëria, në saje të luftërave shumëshekullore, në vitin 1912, fitoi pavarësinë kombëtare, por që në fillim u ballafaqua më vështirësi të mëdha. Në radhë të parë fitorja e Shqipërisë qe gjysmake, meqë gjysma e trojeve dhe gjysma e kombit shqiptar u dënuan me ndarje dhe me një robëri hala më të egër. Në krye të Shqipërisë sërish mbetën bejlerët, agallarët dhe borgjezia reaksionare. Rreziku i ndarjes së re të Shqipërisë dhe rreziku i pushtimit të vazhdueshëm të saj u bë pengesë reale e zhvillimit të shtetit të ri. Poashtu, mbeturinat e sistemit feudal, sistemi i çifligarëve në fusha dhe jeta patriarkale e fisnore në malësitë u bënë pengesa tjera të përparimit në çdo lëmë. Vendin e kaploi varfëria. Fshatrat dhe qytetet ngelën në terrin obskurantist mesjetar. Uria, skamja, kasollet e mjerimit u bënë sinonim i jetës. Shtypja dhe shfrytëzimi i pamëshirë, gjendja e mjerë e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë e lodhën dhe e molisën popullin. Xhamitë dhe kishat, si instrumente në shërbim të borgjezisë, sfidonin nëtëdhjetë përqinshin e shtresave analfabete. Kapitali i huaj, sidomos ai i Italisë fashiste, me revan të shtuar po e skllavëronte shtetin. Politika antikombëtare e “dyerve të hapura” ndaj fuqive kapitaliste, në radhë të parë ndaj Italisë, Shqipërinë e katandisi në gjysmëkoloni.2) Nëse ky realitet ishte i mjerueshëm dhe i padurueshëm për pjesën dërmuese të vendësve, atëherë çfarë të thuhet për vuajtjet e të shpërngulurve, të këtyre fatmjerëve të plagosur në trup dhe të vrarë në shpirt? Të tërhequr zvarrë me zorrë nëpër këmbë, me vaj në buzë dhe me pikëllim në zemër, duke lënë plëng e shtëpi në flakët e ferrit serb, më të dashurit të vrarë e të masakruar, të ngrirë nga acari dhe të pa varrosur, në rrethanat që u gjenden, në vendbanimet ku u vendosën, ata u ballafaquan me vështirësi të reja jetësore dhe shpirtërore. “Në Shqipëri të shpërngulurit u vendosën në fillim nëpër moçalet e Myzeqesë, në prona shtetërore apo në toka të braktisura të çifligarëve të Durrësit, Lushnjës e të Fierit. Aty detyroheshin ta fillonin jetën në kushte shumë të vështira, pa shtëpi, pa sendet më të domosdoshme të jetesës. Shpesh detyroheshin të lëviznin nga një vend në tjetrin, deri sa të gjenin një farë mundësie për jetesë. Malarja kosiste të mëdhenj e të vegjël. Feudalë si bejlerët e Jubës, të Elbasanit, të Lushnjës, shoqëria koncesionare e Sukthit, ndjekjet e vrasjet nga njerëz të vënë prej qeverisë jugosllave për hakmarrje, etj. e bënin gjithmonë e më të vështirë jetën e emigrantëve. Ata vuanin shpeshherë edhe për bukën e gojës”.3) Vuajtjet, përjetimet, ndjenjat dhe pikëllimi i pakufishëm i të shpërngulurve kosovarë të shprehura në këto dy vargje të këngës:

Gjetëm mbret, moçale e këneta

Bukë e lot na shkojke jeta

janë pasqyrë objektive e një realiteti të hidhur jetësor dhe ekzistencial të shoqërisë shqiptare të një kohe. Është ky një konstatim real mbi gjendjen e mjerueshme të shtresave të varfëra të popullit nën regjimin e pushtetit të Mbretit Zog.

  1. b) Shkolla, drita, fabrika

Në tabllonë e dytë të këngës trajtohet jeta e të shpërngulurve kosovarë të arratisur nga dhuna e kralëve të ri dhe e vasalëve të tyre shqipfolës, “këlyshëve të tradhtisë”, të vendosur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, pra, në epokën e Partisë së Punës të Shqipërisë. Përkundër realitetit të parë të zymtë, me “moçale e këneta”, tashti kënga pasqyron një realtet krejt tjetër, një realitet të ri, plot dritë dhe përparim të gjithanshëm. Ky përparim madhështor i Shqipërisë, në këngë, i atribuohet PPSH-së dhe udhëheqësit të saj Enver Hoxhës:

Knohet n’telat e sharkisë

Forca e saj në dorë t’Partisë

Në këngë, ashtu si në jetë, Partia ia ka ndërruar faqen Atdheut:

Oj Parti zemra e Kuvenit

Qysh ja ndrrove faqen Vendit

Ajo, si prijëse largpamëse, e para e ka dhënë kushtrimin e luftës çlirimtare dhe e para e ka rrokë pushkën për çlirimin e popullit dhe të atdheut nga sundimet antipopullore dhe nga okupatorët fashistë dhe nazistë.

Kur ka rrokë pushkën Partia

Që të gëzojë si gëzon Shqypnia

Revolucioni popullor në fushën politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, reforma agrare, reforma arsimore, industrializimi, elektrifikimi, kolektivizimi, modernizimi i bujqësisë, kultura me taban kombëtar me frymë popullore e demokratike, arsimi, zhdukja e analfebitizmit, teknika, shkenca, lulëzimi i arteve, rritja e mirëqenies së masave, edukimi kombëtar revolucionar, mbyllja e shtigjeve të degjenerimit të rinisë, fuqizimi i vazhdueshëm i mbështetjes së popullit në forcat e veta, domosdoshmëria e armatosjes dhe e përgatitjes ushtarake e të gjithë popullit janë arritje kolosale të saj. Shkolla, drita, fabrika, fshati i ri, koperativa, traktori, makina… janë simbolikë e jetës së re socialiste:

Shkolla, drita e uzina

Me traktora, me maqina

Depot plot me thasë e stiva

Fshat i ri koperativa

Me luftë të vendosur Partia ka mbrojtur pavarësinë e Atdheut të kërcnuar vazhdimisht nga ndërhyrjet pushtuese serbe, ruse dhe greke.

Në këtë luftë të gjithanshme për fitorën e lirisë dhe për lulëzimin e Shqipërisë kontribut të jashzakonshëm kanë dhënë edhe kosovarët, të shpërngulurit e dikurshëm dhe të shpërngulurit e kohës së re. Kontributi i kosovarëve u shqua në luftën antifashiste, në aksionet për rindërtimin e atdheut, në komitetet e reformës agrare, në organizimin e kolektivizimit dhe formimit të kooperativave bujqësore, në institucionet kulturore, shkencore dhe shtetërore. Si rezultat i jetesës në kushte të reja kulturore dhe arsimore kosovarët e zhduken prapambeturinë dhe hakmarrjen e trashëguar. Si pjesëtarë të denjë të shoqërisë, njësoj si vendësit, e gëzojnë shtëpinë, banesën, shkollimin, punën e sigurtë, mbrojtjen shëndetësore falas… Punëtorë në ndërtim dhe ushtarë në mbrojtje të atdheut. Edhe pse larg vatrës së origjinës dhe më të dashurve, tashti, në vatrat e reja, në Atdheun e tyre, kosovarët ndjehen mirë, ndjehen të sigurt dhe ndjehen krenar:

Vatrat tona i kemi lanë

Por n’Shqypni kemi nji Nanë

Bac Enverin, Nanë Partinë

Vëlla e motër gjithë Shqypninë

Është e kuptueshme se largimi nga trualli stërgjyshor, nga vatra shekullore, nga më të afërmit, nga më të dashurit, nga vendi i lindjes, nga vendi i lojërave të fëmijërisë, nga vendi i formimit të karakterit, nga vendi ku ke derdhur djerësn dhe gjakun, nga vendi ku i ke varret e të parëve… nuk është i lehtë. Kudo që të shkosh, qoftë edhe në parajsën e imagjinuar, ato nuk kompenson, nuk zëvendësohen me asgjë. Dhe shqiptarët e Shqipërisë Verilindore, kosovarët, në Shqipëri nuk ishin arratisë nga qefi. Ata nuk e kishin marrë botën në sy me shpresë për të gjetur Eldoradon e re, nuk kishin shkuar atje për të gjetur pasuri apo për të gëzuar privilegje. Nga trojet e të parëve ata kishin ikur nga thika dhe nga zjarri serb. Kishin ikur për t’i shpëtuar poshtërimit, vdekjes së sigurtë dhe në Shqipëri, në prehërin e Nënës, kishin gjetur strehë të ngrohtë vëllazërore.

Shqipëria, ishte bërë jo vetëm vendlindje e dytë për ta, por ishte bërë edhe shpresë dhe mbrojte e fuqishme e shqiptarëve të robëruar në trojet e veta, në Kosovë dhe në Viset e saj. Dashuria, respekti dhe mirënjohja e kosovarëve për Shqipërinë, për Partinë dhe për Enver Hoxhën është e çiltër dhe e pakufishme:

Po ç’ke ba Parti për neve

As kërkush s’e ban mbi dhe

S’mjafton kanga e sharkisë

Për me i këndu qysh du Partisë

Në këtë mirënjohje të kosovarëve radhitën marshimi i Brigadave partizane të Shqipërisë me mision çlirimtar në trevat verilindore shqiptare; demaskimi i fuqishëm që Enver Haxha, botërisht, ia bëri dhunës, gjenocidit, shpërnguljeve dhe politikës shfarosëse që Beogradi, gjatë viteve të 50-ta dhe të 60-ta, ushtroi mbi shqiptarët e robëruar; përkrahja e madhe që Enver Hoxha ia dha luftës së rinisë për të drejta, për liri dhe për bashkim kombëtar të shprehura përmes Lëvizjes çlirimtare kombëtare të viteve të 60-ta me Adem Demaçin në krye, përmes demonstratave të vitit 1968 e sidomos të demonstratave të vitit 1981 e më vonë; përpjekjet dhe të arriturat kulturore, letrare, artistike, arsimore dhe shkencore të Kosovës, të cilat lidhen me idetë, me kërkesat dhe me përkrahjen mbinjerëzore të Enver Hoxhës… Prandaj, në këtë këngë, në këtë këngë mbi këngët, rapsodi Dervish Shaqa, me urimet që “dalin prej zemre”, me fjalët e pastra kristal që “dalin si ujë nga gurra”, për të mirën e Atdheut, për ardhmërinë e ndritur të Kombit, Partisë i uron jetë të gjatë sa malet shqiptare:

Veç Parti të kemë gjithmonë

Dorën n’zemër, pushkën n’dorë

Kënga “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën” së bashku me këngët “Për ty, Atdhe” të kënduar nga Mentor Xhemali dhe “O Atdhe…” të kënduar nga Vaçe Zela përbën treshen e famshme të këngëve që i këndohen bukurisë, forcës dhe madhështisë së Atdheut.

Me interpretim mjeshtëror artistik, me ndjenja të thella atdhedashurie dhe me një dashuri të ngrohtë njerëzore, me këngën “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën”, në emër të kosovarëve, Dervish Shaqa ia ngriti një himn të përjetshëm Shqipërisë, PPSH-së dhe të pavdekshmit Enver Hoxha.

1) ASH e RP të Shqipërisë, IKP, Epikë historike kosovare, Tiranë, 1985, fq. 4

2) Aty, fq. 8

3) ASH e RP të Shqipërisë, IGJL, Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1983, fq. 456

Pjesë nga monografia:

Kadri Rexha, Dervish Shaqa, RKL, Prishtinë, 2012

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …