(Avdyl Gërvalla: “Shtëpia në rrugë” (kujtime fëmijërie), Faik Konica, Prishtinë, 2014)
Kur para 20 vitesh botova librin “Fati i luleve”, Avdyl Gërvalla, si person i drejtpërdrejt që është, mes tjerash, ma shtroi edhe pyetjen: Ku është Bardhi në këtë libër? Mbaj mend, asokohe, u ndjeva keq, jo aq për praninë e vogël të Bardhoshit në libër, (ç’është e vërteta unë kisha shkruar libër për Jusufin) sa pse për Bardhoshin nuk dija më shumë.
Bardhoshin e kisha takuar në banesë të Jusufit, së bashku me të dhe me Jusufin kishim pirë kafe në restorant, i kisha dëgjuar bisedat e tij të prajshme dhe të thella, e kisha dëgjuar duke luajtur me kitarë dhe duke kënduar ëmbël me Jusufin dhe me Premtonin, kisha marrë pjesë në koncertin e tij publik, në kuadër të ansamblit “Elisa”, të mbajtur në sallën e a madhe të Kinema Rinia 2, gjatë bisedave për letërsinë më kishte thënë: “do ta shkruaj një libër diçka si “Lumi i vdekur”, gjatë vitit 1975, deri sa unë isha në shërbim ushtarak dhe ai punonte në RF të Gjermanisë, kishim pasur një letërkëmbim relativisht të pasur, por që të them se e njoh mirë më dukej se këto ishin pak… Të vetmin kujtim material nga Bardhoshi, të cilin e ruaj edhe sot, e kam këngën “Rruga që shkela dikur”, të cilën, me kërkesën time, ma ka regjistruar live në shirit magnetofoni, dhe asgjë më. Për Bardhoshin, në librin tim, kisha shkruar vetëm për veprimtarinë e tij në kuadër të Lëvizjes, si krah i fortë i Jusufit që ishte, dhe për pak gjëra që i kam ditur për të. Por, ato që nuk i dija unë, isha i bindur se i di Avdyli.
Bardhoshi dhe Avdyli, thuaja, ishin moshatarë. Fati i hidhur i kish lidhur që të jenë bashkë në gjithë atë odisejadë të pikëlluar familjare që fillonte me shpërnguljen e tyre nga fshati, me vendosjen dhe me qëndrimin e tyre gjatë kohë në Slloveni e deri te kthimi i tyre fitimtar në truallin e të parëve. Ishte kjo fëmijëria dhe rinia e Bardhoshit, ishin këto vitet kur u krijua dhe u zhvillua personaliteti i tij, ishin këto vitet kur po përcaktohej kredoja krijuese dhe rruga e ardhmërisë së tij artistike… Dhe, isha më se i bindur se nëse Avdyli nuk e merr përsipër shkrimin e asaj pjese të jetës së Bardhoshit askush tjetër nuk do të kish mundësinë ta bënte atë ndonjëherë dhe se ajo pjesë e biografisë së tij do të zhdukej përgjithmonë. Prandaj, pyetjes së Avdylit, iu pata përgjigjur flakë për flakë me pyetjen urdhër: Pse nuk shkruan ti për Bardhoshin? Ulu e shkruaj! Mos e lë atë kohë të humbet! Ato që ti i ruan në kujtesë nuk gjenden në arkiva! Letrat e tij, për të mos rënë në dorë të armikut gjatë bastisjeve, i kemi zhdukur. Ndonjë gjë e tij që është marrë gjatë bastisjeve në Dubovik dhe në banesën e Jusufit në Prishtinë mund të janë asgjësuar nga udba. Edhe fotografitë e pakta që i kemi pasur na i ka djegur koha e robërisë dhe zjarri i armikut. Ti di të shkruash dhe vetëm ti mund ta ngjallësh me fjalë personin e Bardhit dhe vuajtjet e padurueshme të Familjes suaj. Personalisht shkrimin e kujtimeve ia ke borxh Bardhoshit, ua ke borxh gjeneratave që vijnë, ia ke borxh historisë…
Nga ai çast i kësaj bisede ka kaluar shumë kohë, mbi 20 vjet jetë dhe më shumë se një shekull ngjarje që kanë tronditur dhe begatuar historinë. Nga ajo kohë shumë ujët ka rrjedhur nën urë dhe shumë çka ka ndodhur edhe mes njerëzve, mes miqve, mes shokëve të idealeve dhe në realitetin brenda kufijve të trojeve shqiptare… Prandaj, kjo bisedë mes meje dhe Avdylit, ka mundur edhe të harrohet, sikur para pak ditësh, në postën time elektronike, të mos më vinte dorëshkrimi me titull të qëlluar simbolik “Shtëpia në rrugë”, kujtime fëmijërie, të gazetarit, publicistit dhe veprimtarit Avdyl Gërvalla. Dorëshkrimi më befasoj për të mirë, sepse në faqet e këtyre kujtimeve gjeta jetën e plotë të Bardhoshit, vuajtjet dhe krajatat njerëzore të Nënës Ajshe, të Hysenit dhe të Avdylit, por edhe një pjesë shumë të rëndësishme të jetës dhe të formimit të Jusufit si personalitet, të cilat mungojnë në librin tim “Fati i luleve”.
Në këtë libër kujtimesh, si një gjeolog i pasionuar, duke gërryer në vetëdijen dhe ndërdijen e tij, Avdyli zbulon “artefakte” të rëndësishme të familjes Gërvalla të mbuluar nga mjegullat e dendura të kohës. Në këto kujtime, pos zanafillës dhe zhvillimit të trungut familjar, gjejmë edhe dashurinë e madhe të kësaj familjeje për jetën, për punën si edukatë dhe mjet për ekzistencë, për shkollën dhe arsimimin, për prirjet për mësimin e gjuhëve, dashurinë për librin, shenjat e para artistike si dhe mobilizimin për qëndresë dhe mbrojtje qoftë edhe me gurët e ambientit. Prandaj, vallëzimi, aktrimi, piktura, kitara, poezia, por edhe revolta janë bulat e para të trungut të kësaj familjeje që do të shpërthejnë dhe do të realizohen, ku më herët e ku më vonë, në vitet që do të pasojnë.
Në këtë drejtim, kujtimet e Avdyl Gërvallës janë një dokument i rëndësishëm, jo vetëm artistik, për të gjithë ata që do të merren me biografinë e veprimtarëve të kësaj familjeje të njohur në nivel kombëtar. Të shkruara spontanisht, pa sforcime, pa fije kompleksi, me një gjuhë poetike, natyraliste dhe me figura të pasura, me një kolorit të theksuar ambiental, me njerëzi dhe me ndjenjë, me një stil të veçantë, këto kujtime lexohen lehtë dhe krijojnë pamje magjike si në filmat e neorealizmit italian të përfaqësuar nga Vitorio De Sika. Ndaj, nëse për shkrimin e këtyre shënimeve, sadopak, ka ndikuar edhe porosia ime, atëherë, sikur autori dhe vëllai ynë Shaqir Shaqiri, edhe unë do të ndjehem mirë.
* * *
Avdyl Gërvalla: PARAFJALË E LIBRIT “SHTËPIA NË RRUGË”
Ka vite që hamendëm të ndërmarr këtë hap për të nxjerrë në dritë diçka nga fëmijëria jonë. Po, ka njerëz të mirë ende në këtë botë, përndryshe do të na lëshonte toka. E njëri prej tyre është personi që më ka shtyrë më së shumti në shkruarjen e këtij libri. Mr. Kadri Rexha, shok i Jusufit, me të cilin jemi të prishur në pikëpamjet politike, por jemi marrë vesh, diskutojmë për të gjitha gjërat tjera të kësaj bote, përveç qëndrimeve tona të ngurta politike.
Sa për dijeni, ai e simpatizon pushkën, unë e simpatizoj penën, ai e lavdëron malin, unë e lavdëroj rrafshin, ai ia gjen defektet rrafshit, unë ia gjejë defektet malit… kështu vite më radhë.
Me mua nuk ka dëshirë të flasë vetëm nga mungesa për shokun, si me vëllain e vogël të tij. Po ashtu, diçka kësisoj ngjan edhe tek unë. Mbi të gjitha, ajo që më sjell në vete, është kodi i miqësisë. E kam obligimi moral, për të nderuar të gjithë shokët e vëllezërve. Me të është ndryshe, jemi shokë armësh të luftërave të vjetra, njihemi tash e 40 vjet. Kadriu e gëzon me nder gradën – shok i vëllait – Jusufit. Mes nesh qëndron një lidhje familjare, bashkëshortja e Kadriut është stërmbesa jonë, Hala, vajza e Brahim Maxhun Berishës, nip yni, njërit prej aleatëve tonë natyror, bijë e një luftëtari të madh dhe të palodhshëm, në prehrin e të cilit kemi gjetur dashurinë e respektin, admirimin e guximin e paparë. Me Kadriun kemi shkelur në vjeshtë dhe vetëm Zoti e di se cili prej nesh do të arrijë i pari në dimër…
Librin e parë për Jusufin, “Fati i luleve”, e ka shkruar pikërisht Kadri Rexha, ndërsa librin që e keni në dorë, ndoshta, do ta shkruaja një ditë, por dhuna e bëri të veten, i shkurtoi etapat, dhe nuk më la ta pres frymëzimin spontan. Për të ardhur te ky libër Kadriu, ndaj meje, përdori madje metoda juridike, kërkesën e vet e dërgoi në gjykatën kushtetuese, te një shok tjetër i fëmijërisë së Jusufit, te Dr. Shaqir Shaqiri, i cili i dha të drejtë Kadriut.
Pra, ky libër, pa dyshim shkruhet me nxitjen e dyfishtë dhe me këmbënguljen e tyre të vazhdueshme për të nxjerrë diçka nga ajo botë e largët e fëmijërisë dhe e vuajtjeve tona. Ndaj, nëse me këto shënime, të pikura nga zemra, atyre ua kam plotësuar, sado pak, kërkesën dhe kërshërinë, njëkohësisht, edhe unë do të ndjehem mirë dhe i lumtur. Të njëjtën gjë e mendoj për ju lexues të nderuar të këtij libri.