Kadri Rexha

Kadri Rexha: Radio-Kosova e Lirë po jep kontribut në kthjellimin e gjithanshëm të qiellit të mjegulluar të atdheut tonë

Në këtë klimë mjegulle kombëtare, në këtë kohë të larjes së trurit dhe në këtë realitet të konvertimeve marramendëse, Ju po marshoni me dinjitet në rrugën e drejtësisë me besim të paluhatshëm në idealet shekullore të Kombit Shqiptar. Të vetëdijshëm për situatën e rëndë aktuale kombëtare si dhe për kërcënimet e vazhdueshme antishqiptare që po shfaqen kudo në trojet tona Ju, jo vetëm se po i shtrëngoni radhët dhe po qëndroni të pathyeshëm në kursin e pandryshuar të vlerave të dëshmuara kombëtare dhe njerëzore, por me emisionet e Institucionit Tuaj po kontribuoni në kthjellimin e gjithanshëm të qiellit të mjegulluar të atdheut tonë duke i mbrojtur bindshëm vlerat e mirëfillta kulturore, shoqërore dhe historike të kombit tonë dhe njerëzimit në përgjithësi. Në favor të këtij mendimi flet puna Juaj 20-vjeçare e shfaqur nëpërmjet emisioneve të veçanta ku trajtohen tema nga lëmi i diturisë së përgjithshme, arsimit, pedagogjisë, moralit, arteve, shkencës, filozofisë e deri tek temat e përditshmërisë politike, ekonomike dhe kulturore të realizuara përmes lajmit, analizës dhe komentit, ashtu siç flasin edhe emisionet kushtuar historisë sonë kombëtare, heroizmit të popullit tonë ndër shekuj, figurave të shquara kombëtare, dëshmorëve të atdheut, letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore, muzikës së traditës dhe asaj bashkëkohore, traditave, zakoneve dhe kulturës shpirtërore e materiale përparimtare kombëtare…

Me qëndrimin Tuaj të drejtë në institucionin radio „Kosova e lirë“ të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet shqiptare kanë vetëm një emër, emrin: SHQIPTAR dhe SHQIPËRI. Me aktivitetin Tuaj të gjithanshëm radion „Kosova e lirë“ e keni bërë zë te të gjithë shqiptarëve, zë të aspiratave të bashkimit të Kombit. Me vepër po dëshmoni se Radio „Kosova e lirë“ nuk është zeje tregtie, nuk është mjeshtri që mësohet dhe krijohet me porosi nga donatorë e padronë, nuk është mall që u nënshtrohet kërkesave ditore të tregut. Me punën Tuaj të mençur radion „Kosova e lirë“ e keni kthyer në tribunë progresi dhe ardhmërie, në arenë të shpirtit luftarak liridashës, në mision patriotik demokratik, në dhuratë atdhetarësh të rritur me tëmblin e nënës shqiptare, me ujët e kulluar dhe me bukën e ëmbël të nënës tokë, të nënë-nënëlokes Shqipëri.

Në 20-vjetorin e lindjes dhe të veprimtarisë së dëshmuar përparimtare institucionit radio „Kosova e lirë“ i uroj që edhe në të ardhmen puna dhe fjala e saj të buçet me forcë hala më të madhe, që vija e saj atdhetare dhe fryma militante të thellohet edhe më shumë, që fshikullima e kamxhikut të saj të bie edhe me më ashpërsi mbi dukuritë e dëmshme politike, shoqërore dhe kulturore dhe mbi bartësit e tyre që pengojnë progresin, prosperitetin dhe unifikimin e Kombit Shqiptar. Stafit, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të institucionit radio „Kosova e lirë“, në radhë të parë, i uroj vetëdije edhe më të thellë kombëtare, përgjegjësi edhe më të madhe politike, aftësi edhe më të theksuar në kapjen e temave aktuale dhe mjeshtri edhe më profesionale në interpretimin dhe zbërthimin e problemeve kyçe me të cilat po ballafaqohet Kombi ynë.

Paçi jetë të gjatë dhe hapësirë mbarëshqiptare të dëgjimit!

Stafit, bashkëpunëtorëve dhe dëgjuesve të Radios:

Gëzuar përvjetorin e 20-të!

Respekt dhe suksese,

Kadri Rexha

Altstätten, 03.01.2019

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …