Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po e kërkonte lirinë. Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po përpiqej të shpërthente me zërin e lirë të saj. Idetë, përpjekjet dhe veprimet konkrete, për arsye të ndryshme, dështonin që në nismë. Vetëm lufta e armatosur e UÇK-së kundër pushtuesit serb, në këtë drejtim, krijoi realitet të ri. Vetëm vendosmëria e paepur dhe e qartë e luftëtarëve të lirisë ëndrrën e brezave për një radio të lirë të Kosovës e bënë realitet. Vetëm 4 janari i vitit 1999 arriti ta jetësojë ëndrrën e madhe, zërin e lirisë, zërin e popullit…
Tregimi për lindjen dhe rritën e institucionit Radio “Kosova e Lirë” aq sa është histori reale po aq mund të tingëllojë edhe si rrëfim legjende. Të këtillë e bënë rrethanat e vështira të lindjes. Të këtillë e bëri roli historik i misionit që e luajti dhe po e luan ajo në kohën tonë të madhe… U lind në flakët e luftës, lëshoi shtat nën gjëmimin e armëve të luftëtarëve të lirisë, u rrit në betejat e reja për jetësimin e pavarësisë së shqiptarëve të robëruar me synim të qartë bashkimin legjitim të tyre në një shtet të vetëm kombëtar. Radio “Kosova e Lirë”, bashkë me luftën e armatosur të UÇK-së, lindi si imperativ i kohës. Lindi si zë dhe si veprim konkret i domosdoshëm në shërbim të realizimit të aspiratave shekullore për bashkimin e Kombit Shqiptar. Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po e kërkonte lirinë. Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po përpiqej të shpërthente me zërin e lirë të saj. Idetë, përpjekjet dhe veprimet konkrete, për arsye të ndryshme, dështonin që në nismë. Vetëm lufta e armatosur e UÇK-së kundër pushtuesit serb, në këtë drejtim, krijoi realitet të ri. Vetëm vendosmëria e paepur dhe e qartë e luftëtarëve të lirisë ëndrrën e brezave për një radio të lirë të Kosovës e bënë realitet. Vetëm 4 janari i vitit 1999 arriti ta jetësojë ëndrrën e madhe, zërin e lirisë, zërin e popullit…
Institucionin Radio “Kosova e Lirë” e krijuan, e udhëhoqën dhe e mbajtën gjallë bijtë dhe bijat më të mirë të popullit. Ata ishin të vetëdijshëm se krahas frontit të luftës së armatosur për liri ishte më se i domosdoshëm edhe krijimi i frontit tjetër të rëndësishëm, krijimi i zërit të luftës. Veprimeve në sheshin e betejës, vendimeve në shtabet ushtarake vendore dhe armike, qëndrimeve zyrtare të qendrave vendim marrëse botërore duhej përgjigjur flakë për flakë. Radio “Kosova e Lirë” nuk veproi nga distanca vend dhe kohë, por nga mjedisi i ngjarjeve, nga epiqendra e luftës. E rrahur nga breshëritë e plumbave, e bombarduar nga aeroplanët e armikut, e mbuluar nga tymi i barotit ajo u përgjigjej në të njëjtën kohë ngjarjeve të zhvilluara në terren. Stafi i radios aq sa për mjet pune kishte lapsin dhe fjalën, po aq e shtrëngonte pushkën besnike. Veprimtaria luftarake e Radios “Kosova e Lirë” aq sa mbante aromën dhe ngjyrën e gjakut po aq mbillte flladin e lirisë dhe farën e fitores…
Me veprimtarinë e saj të vështirë dhe fisnike, si bashkëpjesëmarrëse e proceseve politike dhe ushtarake në Kosovë, Radio “Kosova e Lirë” propagandoi luftën çlirimtare, aksionet dhe zhvillimet frontale të UÇK-së, kontribuoi në informimin e drejtë të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar mbi zhvillimet në frontin e luftës çlirimtare, komentoi të gjitha ngjarjet e rëndësishme luftarake dhe politike që u zhvilluan në Kosovë si dhe vendimet që merreshin për Kosovën. Nëpërmjet lajmeve, vështrimeve dhe komenteve, Radio “Kosova e Lirë”, si zëdhënëse besnike e UÇK-së, nga sheshi i betejave transmetonte veprimet luftarake të ushtarëve që luftonin për lirinë Kosovës, kërkonte bashkimin e popullit rreth luftës çlirimtare, demaskonte veprimtarinë përçarëse dhe antikombëtare të partive politike pacifiste të kohës, shfaqte bindjen e fitores së sigurt të luftës së drejtë të UÇK-së si dhe bindjen e thellë për humbjen e pa shmangur të makinerisë ushtarake pushtuese të Serbisë.
Armikun serb aq sa e tmerronte pushka liridashëse e UÇK-së, po aq e tmerronte zëri kushtrimtar i Radios “Kosova e Lirë”, zëdhënëses së drejtpërdrejtë të idealeve të ushtrisë së komandantit legjendar Adem Jashari, zëdhënëses së drejtpërdrejtë të aspiratave shekullore të Kombit Shqiptar. Sepse në pushkët e luftëtarëve të lirisë dhe në zërin e Radios “Kosova e Lirë” Serbia shihte disfatën e saj të plotë, shihte fundin e saj kolonialist në tokat shqiptare. Kosova tashmë kishte një ushtri, një emblemë, një radio, një agjenci lajmesh dhe një komandë supreme ushtarake. Prandaj, armata serbe aq sa kishte cak sulmi radhët e luftëtarëve të UÇK-së, po aq kishte në shënjestër Radion “Kosova e Lirë”, në mbrojtje të së cilës ranë dëshmoret e fjalës së lirë, dëshmorët e lirisë…
Përfundimi i luftës së armatosur më 21 qershor 1999 dhe fitorja e UÇK-së dhe aleatit të saj, NATO, mbi makinerinë ushtarake të Serbisë, “Radion “Kosova e Lirë”, këtë Feniks të rilindur nga hiri i Kosovës së shkrumbuar, e gjeti në malet e Berishës. Pas transmetimit të lajmit të pritur mbi një shekull për fitoren e lirisë dhe për tërheqjen me turp të armikut nga Kosova, Radio “Kosova e Lirë”, së bashku me lirinë, zbriti nga mali dhe u vendos në Prishtinë. Puna dhe veprimtaria radiofonike, tashti në rrethana të reja, duhej vazhduar më me ngulm. Entuziazmi ishte i madh. Kosova, pas robërisë njëqindvjeçare serbe, me të drejt priste të kthehej në elementin e saj. Vonesat e mëdha historike duhej të ziheshin. Mungesat e mëdha historike duhej të kompensoheshin. Koha me të gjithë forcën e saj po trokiste në dyert e të gjitha trevave shqiptare…
Tashti, kur makineria vrastare e armikut kishte thyer qafen dhe po mbyllej në folenë e lugetërve, për popullin shqiptar liria rrezatonte shpresa të reja… Por shpresat, si gjithmonë në trojet tona, edhe ato ditë po i mbulonte mjegulla, paqartësia, pasiguria. Liria e fituar me gjak, në vend se të hapte shtigje për rrjedhën normale të përparimit të forcave progresive drejt procesit të pavarësisë së trojeve të çliruara dhe bashkimit të tyre në një shtet kombëtar, edhe me inkurajimin e ndërkombëtarëve, ajo u bë arenë e tmerrshme e ambicieve, e pasioneve dhe e interesave personale të profiterëve të luftës, të zyrtarëve shqipfolës të aparatit udhëheqës të regjimeve të mëparshme serbe, të zyrtarëve dhe udhëheqësve të partive politike të themeluara në kohë robërie dhe të atyre të themeluara në kohë lirie. Në këtë atmosferë marramendëse liria e fituar me grykën e pushkës u shfrytëzua për ngallimin dhe lulëzimin ideve dhe idealeve prapësore nga më të ndryshmet. Në këtë rrëmujë prapaskenash të mbyllura dhe nënskëmbëcash të hapura përjashtim bënte vetëm ideali për të cilin kishte filluar lufta, ideali për të cilin ishin flijuar breza të tërë shqiptarësh, ideal ky që u tjetërsua dhe shkoi drejt zvetënimit, degjenerimit dhe tradhtisë së gjakut të dëshmorëve të atdheut… Atë që Serbia për një shekull nuk kishte arritur ta bënte me zjarr e me hekur tashti po e realizonte me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe vasalëve shqipfolës. Kosovës nga brenda po i hynte kanceri, gangrena, hemoragjia…
Në këtë klimë, së bashku me korin e lidershipit politik, shtypi, radiot dhe televizionet e krijuara nga fonde burimesh të ndryshme filluan ta krijojnë iluzionin e përgjithshëm të realizimit të ëndrrës dhe të aspiratës shqiptare. Përkundër realitetit të hidhur të ndarjes së kombit në pesë shtete, mediumet shqiptare, me vetëdije të plotë, propaganduan “multietnicitetin” e Kosovës, ndryshimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, luftën kundër gjuhës standarde shqipe si dhe ndryshimin e Flamurit dhe të simboleve kombëtare. Emërues i përbashkët i mediumeve radiotelevizive u bënë emisionet analitike për shpëlarjen e trurit të shqiptarëve, u bë përçarja kombëtare, mohimi i luftës së UÇK-së, krahinorizmi, bajraktarizmi, egoizmi, apatia, indiferentizmi, shfrenimi, humori banal, dalldia, ritmi mikst cigan-grek-serb-turk i përmbledhur në tekstin dhe në melodinë e këngës tallava…
E vetëdijshme për situatën e rëndë aktuale kombëtare si dhe për kërcënimet e vazhdueshme antishqiptare që po shfaqeshin në horizont Radio “Kosova e Lirë” shtrëngoi radhët dhe u mobilizua për beteja të reja. Përkundër presioneve shumëdrejtimshe, përkundër kërcënimeve nga individë “të moderuar” antikombëtarë, atdhemohues, të pa identitet dhe amoral, e sulmuar nga qarqe titiste-rankoviçiste, e etiketuar për “radikalizëm”, për “primitivizëm” dhe për “patriotizëm vulgar”, Radio “Kosova e Lirë”, si promethe bashkëkohor, qëndroi në istikamet e nderit dhe me stoicizëm të pashoq e ruajti kursin e pandryshuar kombëtar dhe frymën militante të programeve të saj. Përmbajtja e programit të Radios “Kosova e Lirë”, në radhë të parë, për bazë mbajti kursin e vlerave të dëshmuara kombëtare dhe atyre të përbotshme, vlerat e vërteta të krijuara me shekuj gjatë historisë së popullit shqiptar dhe të njerëzimit mbarë. Konkretisht në institucionin Radios “Kosova e Lirë” vlerat e mirëfillta njerëzore u shpalosen nëpërmjet emisioneve të veçanta ku trajtohen tema nga lëmi i diturisë së përgjithshme, arsimit, pedagogjisë, moralit, arteve, shkencës, filozofisë e deri tek temat e përditshmërisë politike, ekonomike dhe kulturore të realizuara përmes lajmit, komentit, analizës, fejtonit…
Në vlugun e stinës se fushatës së madhe të medieve për shpëlarjen e trurit shqiptar, me qëndrimin e vet të paepur, mediumi informativ dhe kulturor Radio “Kosova e Lirë” ndryshe mund të quhet institut i mbamendjes, i antiharresës, i ruajtjes, i mbrojtjes dhe i propagandimit të kulturës kombëtare shqiptare. Në favor të këtij pohimi flasin emisionet mbi njëzet vjeçare të Radios “Kosova e Lirë” kushtuar historisë kombëtare, heroizmit të popullit tonë ndër shekuj, figurave të shquara kombëtare, dëshmorëve të atdheut, letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore, muzikës së traditës dhe asaj bashkëkohore, filmit, traditave, zakoneve dhe kulturës shpirtërore e materiale përparimtare kombëtare… emisione të mbrujtura me përmbajtje të shëndoshë e të pastër, me frymë të gjerë popullore e liridashëse, me të cilat prekë thellë në zemrat e shqiptarëve, frymëzon dhe mobilizon masat për vepra të mëdha.
Për Radion “Kosova e Lirë” të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet shqiptare kanë vetëm një emër, emrin: Shqiptar dhe Shqipëri. Radio “Kosova e Lirë” ka vetëm një kambanë… kambanë, në dukje të vogël, por me zë të fortë dhe me porosi të madhe, që, si frymë dhe si vetëdije, përshkon trojet shqiptare, përshkon meridianet… Me aktivitetin e saj të gjithanshëm Radio “Kosova e Lirë” është zë i të gjithë shqiptarëve, është zë i aspiratave të bashkimit të Kombit. Radio “Kosova e Lirë” nuk është zeje tregtie, nuk është mjeshtri që krijohet me porosi padronësh, nuk është mall që u nënshtrohet kërkesave ditore të tregut. Radio “Kosova e Lirë” është tribunë ardhmërie, arenë e shpirtit luftarak liridashës, mision patriotik demokratik, dhuratë atdhetarësh të rritur me tëmblin e nënës shqiptare dhe me bukën e ëmbël të nënës tokë, të nënë – nënëlokes Shqipëri.