Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vizituar sot Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, e cila administron me asete të konfiskuara në vlerë prej rreth 40 milionë euro. Aty, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se lufta kundër korrupsionit do të intensifikohet, dhe pasuria e paligjshme e fituar përmes korrupsionit dhe abuzimeve do t’u sekuestrohet dhe konfiskohet të gjithë të korruptuarve. Pas vizitës që bëri, lideri i PDK-së tha se ligji është më i fuqishëm se çdo individ, andaj duhet t’i përmbahen të gjithë. Veseli tha se pasuria e konfiskuar prej të korruptuarve do t’i kthehet shoqërisë dhe ato miliona euro do të investohen në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë, që të ardhmen e tyre do ta ndërtojnë në Kosovë. E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se vetëm gjatë këtij viti, janë rreth 64 raste të konfiskimit, përfshirë vetura, prona të paluajtshme e para të gatshme. Ai falënderoi Veselin për mbështetjen që i ka dhënë atij si ministër i Drejtësisë për të filluar dhe forcuar luftën kundër korrupsionit.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …