Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës në mbledhjen e Këshillit Drejtues, i ka dërguar mesazhe opozitës duke i përkujtuar se nuk mbrohet shteti duke penguar përcaktimin e kufijve, duke mos njohur simbolet dhe rendin kushtetues të Kosovës. Në adresimin e tij para anëtarëve të Këshillit Drejtues Veseli tha se imponimi i frymës së konfliktit politik, ikja nga domosdoshmëria e konsensusit për interesat vitale të shtetit, kanë pasur vetëm pasoja negative për vendin dhe qytetarët. Sipas tij, me debate dhe agjenda shterpe, të motivuara nga interesa meskine politike, janë lënë anash qytetarët dhe shqetësimet e tyre reale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve të tyre. Nuk liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës me sjellje të tilla politike dhe është cinizëm të mendohet të krijohet ushtria e Kosovës duke humbur besimin e partnerëve ndërkombëtarë si NATO-ja, SHBA-të dhe vendet tjera perëndimore me qëndrime dhe imponime politike vetëm për konsum elektoral.