Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet për 120 ditë. Veseli, ka thënë se pezullimi i taksës ka të bëjë me raportet strategjike mes Kosovës dhe SHBA-së. “Nuk duhet të lejojmë diçka që afron Kosovën me SHBA-në, të jetë pikërisht diçka që dëmton këto raporte”, tha Veseli. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, tha se taksa ndaj Serbisë ka qenë vendim i drejt dhe ajo do të qëndroj derisa Serbia dhe Bosnia ta respektojnë plotësisht shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. “Propozimi i aleatit tonë strategjik, SHBA-së nuk është heqja e taksës por pezullimi i përkohshëm për ti hapur rrugë dialogut. Prandaj unë kam propozuar pezullim 120 ditor por me kushte të qarta që Serbia gjatë kësaj kohe të respektojë në tërësi mallrat e Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë të qytetarëve”, tha Veseli. I pari i PDK-së ka thënë se është njoftuar edhe Kryeministri i Kosovës se nëse pas një periudhe 120 ditore nëse nuk ka reflektim nga Serbia do të ketë reciprocitet. Veseli ka thënë se konfrontimi me një partner që është garancë i shtetit të Kosovës për disa politikanë në Kosovë është kënaqësi.
