As propaganda më e shfrenuar nuk mund ta fsheh ferrin në të cilin është duke jetuar popullsia e Kosovës dhe autore e këtij ferri është politika e korruptuar gjer në palcë dhe sadomazohiste e Kosovës, e përkrahur nga gazetaria gebelsiane. Një gjë duhet të jetë e qartë për karriget pushtetare se privatizimi i atdheut dhe nxjerrja e tij në ankand publik nuk do të kalohet i pandëshkuar. Mallkimin e qytetarëve të sotëm dhe të ardhëm do ta bartni si gurin e turpit mbi shpinë, i cili është shumë më i rëndë se burgosja juaj eventuale për krim të organizuar, korrupcion dhe shitje të atdheut.
Mësimin që më së miri e kam mësuar nga përvoja ime jetësore është se të gjitha partitë politike karakterizimin e tyre për mua semantikisht e kanë vendosur në mes të cilësorëve “i papërshtatshëm” dhe “Satana”! Po u lexua drejtë ky karakterizim kuptohet se mendja dhe shpirti im janë jasht të gjitha klisheve partiake, prandaj pikëvështrimi im për ngjarjet, që po ndodhin në Kosovë është interesi kombëtar.
Qeveria servile ndaj cilitdo byrokrati ndërkombëtar dhe qyqare ndaj Serbisë e përkrahur nga padronët e saj po tregohet arrogante ndaj opozitës, të cilën po e satanizon deri në ekstrem. Këtë satanizim po e përkrah drejtpërdrejtë edhe gazetaria e dalë nga tradita e gjatë satanizuese e gazetarisë së Kosovës.
Politika dhe gazetaria në Kosovë nuk po merren me shkakun e problemit (marrëveshjet kapitulluese me Serbinë), i cili e rrezikon qenësinë e Kosovës si shtet, por po merren në mënyrën më të egër dhe jasht çdo logjike demokratike me kundërshtimin e opozitës, së cilës ia kanë uzurpuar hapësirën e veprimit demokratik, duke ia lënë vetëm rrugën.
Qeveria e Kosovës, duke e nxjerrë opozitën në rrugë, po e nxjerrë politikën jashtë institucioneve të privatizuara. Nuk duhet mençuri e madhe për të kuptuar se nxjerrja e politikës në rrugë do të thotë nxitje e trazirave, të cilat zakonisht përfundojnë ose me largim të dhunshëm të qeverisë ose në luftë civile.
Veni gishtin në kokë Isa Mustafa e Hashim Thaçi sepse instrumentalizimi politik i policisë së Kosovës nuk mund të ju mbrojë nga shkuarja në rrugën ku nuk ka më kthim!
Skenat nëpër rrugët e Prishtinës, sot, ishin trishtuese edhe pse jam i sigurt se kamerat televizive kanë qenë aspak objektive gjatë xhirimit. Megjithatë edhe në atë raportim selektiv shihej një grua e shtrirë gjerë e gjatë në trotuar, por edhe fëmijë të lënduar nga policia.
Se deri ku ka arritur marrëzia e pushtetit dhe e mediave tregon edhe raporti i tipit marroç si ky: U lënduan 27 policë, u arrestuan 15 apo 16 protestues. Shtrohet pyetja: po cili është numri e protestuesve dhe qytetarëve neutralë të lënduar?
Në fund, as propaganda më e shfrenuar nuk mund ta fsheh ferrin në të cilin është duke jetuar popullsia e Kosovës dhe autore e këtij ferri është politika e korruptuar gjer në palcë dhe sadomazohiste e Kosovës e përkrahur nga gazetaria gebelsiane. Një gjë duhet të jetë e qartë për karriget pushtetare se privatizimi i atdheut dhe nxjerrja e tij në ankand publik nuk do të kalohet i pandëshkuar. Mallkimin e qytetarëve të sotëm dhe të ardhëm do ta bartni si gurin e turpit mbi shpinë, i cili është shumë më i rëndë se burgosja juaj eventuale për krim të organizuar, korrupcion dhe shitje të atdheut.