Kandidatja për Përfaqësuese të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka theksuar rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si një shtyllë kyçe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kallas shprehu përkushtimin për ta mbështetur këtë proces si një rrugë drejt stabilitetit dhe integrimit evropian të rajonit. Kallas e konsideroi Ballkanin Perëndimor një rajon të rëndësishëm për BE-në, duke përmendur dy shtigje kryesore të përkushtimit të BE-së: zgjerimin dhe dialogun Kosovë-Serbi. Për dialogun Kosovë-Serbi, Kallas theksoi se paraardhësit e saj kanë investuar shumë për të promovuar stabilitetin në rajon dhe se ajo synon të ndjekë të njëjtën qasje për të arritur paqe dhe integrim të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.
