Më 1 mars 1945 lindi, Xhevahir Spahiu, shkrimtar, poet. U lind në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar. Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Më 1 mars të vitit 1999, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka caktuar, Hashim Thaçin, mandatar për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, e cila do të punojë për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Kosovë.
Më 1 mars të vitit 1999, Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës kishte caktuar një delegacion nga radhët e UÇK-së që do të vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në delegacion bënin pjesë: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Ramë Buja, Bashkim Jashari, Bislim Zyrapi dhe Ramush Haradinaj.
Më 1 mars 1999 sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana ka mirëpritur vendimin e delegacionit të Kosovës për ta nënshkruar marrëveshjen në Rambuje. Ai ka kërkuar nga palët ndërluftuese në Kosovë që të vetëpërmbahen nga luftimet deri më 15 mars 1999
Më 2 mars 1444 në Katedrale të Shën Kollit, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, Kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Tubimi u mbajt në Kishën e Katedrales të Shën Kollit, në Lezhë, që njihet si Besëlidhja e Lezhës. Ishte çasti kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit nga Perandoria Osmane Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij. Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiajt, ndërsa nga rajoni mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit turk.
Më 2 mars të vitit 1999 ka rënë dëshmor, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Nuri Gani Bushi. Gjatë gjithë ditës u zhvilluan luftime të ashpra për veç Nuri Bushit atë ditë ka rënë edhe Xhemsedin Ibrahim Suma, kurse janë plagosur ushtarët Murat Loku, Xhelal Bushi dhe Mehmet Bilalli nga Lubishta e Vitisë.
Më 2 mars të vitit 1999 gjatë tërë ditës janë zhvilluara luftime mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake e policore serbe në fshatin Pustenik afër Hanit të Elezit në Zonën e Kaçanikut. Ofensiva ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim.
Më 2 mars të vitit 1999, përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij për shkak të mospajtimit me marrëveshjen e Rambujesë për një zgjidhje të përkohshme trevjeçare të çështjes së Kosovës. Pavarësisht nga kjo Adem Demaçi ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetin politike në mbështetje të luftës për çlirimin e Kosovës.
Më 3 mars 1935 lindi, Fitnete Rexha, këngëtare, Artiste e Popullit. Fitnete Rexha është “Artiste e Merituar”. Një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase. Fitnetja bie në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj. Vajza më e vogël e Babë Rexhë Delisë “Hero i Popullit”, familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës, kultivonte prej shumë brezash këngën popullore. Rreth moshës 15 vjeçare këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme. Fillimisht fillon punë si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht në Ansamblin Kombëtar të këngëve dhe Valleve në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme. Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës. Fitnete Rexha vdiq në Tiranë, më 14 gusht 2003.
Më 3 mars të vitit 1999 janë zhvilluar luftime të ashpra me luftëtarëve të Zonës Operative të Llapit dhe forcave ushtarake e policore serbe Te Tabet e Llapashticës ku ndodhet njëri ndër bastionet kryesor të luftës së UÇK-së. Forcat serbe kanë bërë përpjekje të depërtojnë në guhatim Llapashticë e Epërme dhe e Poshtme por janë zmbrapsur pa sukses.
Më 3 mars të vitit 1999, në Dragobil të Malishevës, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota ka biseduar me shefin e Misionit Verifikues të OSB-së, Viliam Voker, me të cilin ka biseduar lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke i bërë të ditur se UÇK-ja ka marrë vendim që gjatë bisedimeve në Rambuje të vetëpërmbahet nga luftimet.
Më 4 mars 1915 lindi, Hysni Kapo, kuadër i lartë i Luftës antifashiste nacionalçlirimtare atdhetar, burrë-shteti, Heroi i popullit. Ai ka qenë arkivist, partizan, diplomat dhe politikan shqiptar. Ndoqi shkollën tregtare të Vlorës. Deri më 28 nëntor 1941 Kapo, ishte arkivist i parë i spitalit civil Vlorë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë, e varur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në periudhën nga 1941 deri më 1943 ka qenë sekretar politik i Komitetit Qarkor për Vlorën dhe më pas komisar i Brigadës së 5‑të. Pas lufte ishte ambasador i Shqipërisë në Beograd e më pas zëvendës- ministër i Punëve të Jashtme. Nga viti 1956 e deri sa vdiq, më 23 shtator të vitit 1979, ishte sekretar i Komitetit Qendror të Partisë.
Më 4 mars të vitit 1935 lindi, Haxhi Reshat Bardhi, Kryegjysh bektashian i Shqipërisë.
U lind në fshatin Lusën të prefekturës së Kosovës, në krahinën e Lumës, sot qarku i Kukësit. Mësimet e para fetare i ka marrë tek hoxha i fshatit. Më pas ka ndjekur një kurs formimi në Medrese të Tiranës. Më 1954 u dorëzua dervish tek Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Dede Ahmet Ahmataj. Gjatë viteve 1958–1967 ka qenë i internuar së bashku me Dede Ahmetin në Drizar të Mallakastrës. Më 1991, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Nënë Terezës, rihap Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Më 20 korrik 1993 organizon dhe drejton Kongresin e Gjashtë bektashian, ku shpallet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Shtatë vjet më vonë, në shtator të vitit 2000.
Më 4 mars 1939 lindi, Panajot Pano mjeshtër i futbollit. Pano ishte futbollist shqiptar dhe mbahet si një legjendë në futbollin shqiptar. Karrierën e tij sportive e kishte filluar në moshën 12 vjeç në skuadrën e të rinjve të Skuadrës Kombëtare Tirana, si portier. Më vonë në vitin 1959 mbasi emërohet në ushtri luan për skuadrën e KF Partizani si sulmues. Me këtë lojtar në gjirin e tij Klubin Partizani fiton katër herë kampionatin kombëtar dhe pesë herë kupën e Republikës. Panajot Pano luajti 25 herë për skuadrën kombëtare. Në vitin 1970 skuadra kombëtare fiton kupën e Ballkanit. Mbas vitit 1975 ai stërviti si trajner ekipin kombëtar dhe atë të të rinjve të KF Partizani.
Më 27 prill 2005 merr titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Ai vdiq me 19 janar të vitit 2010 në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më 5 mars 1998 në Prekaz të Drenicës, forcat serbe rrethuan lagjen Jashari dhe filluan luftimet treditore. Në rrethim të hekurt ishte edhe Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me familjen dhe bashkëluftëtarët. Gjatë luftimeve më 5.6 dhe 7 mars kanë rënë dëshmorë 59 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jasharit dhe familjes së gjerë Jashari të Prekazit të Ulët të Drenicës.
Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Sh. Jashari, Prekazi i Ulët, pastaj: Adile B. Jashari, Afete Jashari, Afije Jashari, Ajvaz K. Jashari Ali R. Jashari, Abdullah Z. Jashari, Bahtije M. Jashari, Beqir B. Jashari, Besim H. Jashari, Blerim H. Jashari, Blerim Z. Jashari, Blerina H. Jashari, Bujar Z. Jashari, Elfije S. Jashari, Elheme U. Jashari, Faik T. Jashari, Fatime H. Jashari, Fatime S. Jashari, Fatime Xh. Bazaj Terstenik, Feride R. Jashari, Fitim A. Jashari, Hajrije Z. Jashari, Hajzer Z. Jashari, Halil B. Jashari, Halit I. Jashari, Hamdi S. Jashari, Hamëz Sh. Jashari, Hamide A. Jashari, Hamit H. Jashari, Hanife Z. Jashari, Hidajete R. Jashari, Igball R. Jashari, Igballe R. Jashari, Isak F. Halili, Duboc, Kajtaz M. Jashari, Kushtrim A. Jashari, Lirie H. Jashari, Mihrije F. Jashari, Murtez Z. Jashari, Nazmi Z. Jashari, Osman Sh. Geci, Llaushë, Qazim O. Jashari, Qerim H. Jashari, Ramiz S. Jashari, Sabrije Z. Jashari, Sadik H. Jashari, Salë Sh. Jashari, Selvete H. Jashari, Shaban M. Jashari, Shahin Q. Jashari, Sherif B. Jashari, Sinan R. Jashari, Smajl A. Jashari, Smajl Xh. Bazaj, Tërstenik, Ukshin Q. Jashari, Valdete R. Jashari, Zahide Sh. Jashari dhe Zarife B. Jashari.
Më 5 mars 1926 lindi, Violeta Manushi, aktore e skenës dhe teatrit. Artiste e popullit.
Violeta Manushi lindi në Korçë. Ajo ishte një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive edhe pas 48 vjetësh! Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt.
Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në shumë komedi. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. Vdiq me 27 korrik 2007 në Tiranë.
Më 6 mars 1844 lindi, Zef Serembe, poet i shquar arbresh. U lind në Strigari në San Cosmo Albanese, të krahinës së Kozencës, ishte poet lirik arbëresh. Studioi në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone ku pati mësues, Jeronim De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Me ndihmën e një letër-porosi nga Dora d`Istria, ai u prit në oborrin perandorak të Dom Pedro i dytë. Me kthimin e tij në vitin 1875 ai pësoi edhe një kthesë tjetër fati edhe më të keqe. Atij iu vodhën te gjitha paratë që kishte, fituar. Iu desh të kthehej në këmbë për në Itali, ndërsa gjatë rrugës humbi shumë dorëshkrime. Në vitin 1866 ai shikoi në ngulimet arbëreshe në Sicili, te Hora e Arbëreshëve, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Në vitin 1893 udhëtoi për në Amerikë, ku jetoi për dy vite. Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires të Argjentinë. Në vitet që pasuan u sëmur dhe vdiq në vitin 1901 në Shën Pali, Brazil.
Më 6 mars 1999, Kryetari amerikan, Bill Çlinton u kishte bërë thirrje delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë, në Francë, që të nënshkruajnë pa vonesë marrëveshjen e Rambujesë.
Më 6 mars 1999 zyrtarë të lartë të OSBE-së vizituan Zonën Operative të Shalës, me qëllim për t u njoftuar lidhur me gjendjen e rëndë të popullatës civile e cila ishte strehuar në male e ndjekur nga ushtria dhe policia serbe.
Më 7 mars 1827, në Elbasan, u lind Konstandin Kristoforidhi, gjuhëtar, atdhetar i Rilindjes, përkthyes i Biblës dhe shkrimtar. Kur ishte 14 vjeç, mbaroi mësimet e shkollës qytetëse greqishte të qytetit dhe i ati e dërgoi në gjimnazin Zosimea të Janinës prej 1847 deri më 1850. Në Janinë u njoh me zëvendës-konsullin austro-hungarez Johanes Georg Hahn, i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe mori mësime për një kohë të gjatë prej tij për të studiuar shqipen mbi tekstin e Dhiatës së përkthyer nga Vangjel Meksi e të redaktuar prej Grigor Gjirokastritit. Më 1853 i vdesin prindërit, detyrohet të shesë gjithçka dhe u vendos në Durrës ku punoi te nuni i tij, Mimi Xhufka. Udhëtoi mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e 1857 shkon në Izmir të Turqisë. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese U vendos në Tunis ku u martua me Eleninë dhe mësoi greqishten në një shkollë nga 1861 deri më 1865. Në fund të majit 1865 u vendos në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegnishte. Në nëntor të 1869 zgjidhet anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi derisa vdiq në vitin 1895 te shtëpia e tij, në Taq Budë.
Më 7 mars shënohet Dita e parë e shkollës shqipe. Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887. Pandeli Sotiri, ishte mësues i popullit, atdhetar dhe arsimues Rilindësi dhe arsimuesi i mirënjohur shqiptar, Pandeli Sotiri. Ai së bashku me Petro Nini Luarasin mori mësimet e para në Qestorat nga Koto Hoxhi. Në hapësirën shqiptare po shtoheshin pa reshtur shkolla të huaja sidomos ato greke si dhe shkolla fetare të ndryshme. Dërgimi i Pandeli Sotirit në Korçë ishte një mision i rëndësishëm historik, jo vetëm thjeshtë një emërim mësuesi apo drejtori. Misioni Pandeliut ishte të drejtonte e të zhvillonte vetë punën e mësuesit të gjuhës shqipe. Kjo shkollë do të ishte kombëtare në të gjitha pikëpamjet dhe laike njëkohësisht, do të ishte shkolla e të gjithëve. Do të organizonte shoqërinë të shërbente për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe. Rrethi i Korçës po tregonte një interes të theksuar.
Dita e parë e shkollës, më 7 mars 1887 ishte kthyer në një festë të vërtetë popullore për të gjithë qytetin. Atë ditë u paraqitën 35 nxënës më vonë arriti në 60 nxënës, e vitin e dytë në 200 nxënës. Përpara nxënësve, prindërve e atdhetarëve të tjerë që erdhën në këtë ngjarje të shënuar jo vetëm për Korçën por për mbarë vendin, mbajti fjalim Pandeli Sotiri i cili foli në mënyrë të veçantë për interesimin e fëmijëve, për shkollën e gjuhën shqipe. Ai ishte jo vetëm një mësues i dashur por edhe frymëzuesi i tyre.
7 mars të vitit 1998 në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar ballë për ballë forcave ushtarake dhe policore serbe kanë rëndë dëshmorët: Visar Juniku, Bujar Rroka dhe Ahmet Xhikolli
Më 8 mars të vitit 1887, Thimi Marko i shkruante shqiptarëve të Bukureshtit: Dëshira jonë u mbarua, shkolla shqipe u hap… Hapja e kësaj shkolle përbënte një ngjarje të veçantë në historinë e arsimit shqiptar sepse ishte një kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive atdhetare të mërgimit. Kjo shkollë fillonte realizimin e programeve të organizmave të brendshme e të jashtme për ruajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe. Kjo kërkesë ishte parashikuar në Programin e Komitetit të Stambollit (shtator 1879) në Programin e Shoqërisë së Prizrenit (nëntor 1878) dhe në programin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (tetor 1878). Përveç gjuhës amtare, në shkollë mësohej shkrim, këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë, mësim natyre, gjuhë turke, greqisht, frëngjisht. Shkolla u bë një qendër e fëmijëve të klasave të ndryshme. Po në atë vit u hapën edhe shkolla të tjera në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë, Gjirokastër.
Më 8 mars 1847 lindi, Ndue Bytyçi, poet, rilindës dhe përkthyes. Vdiq në vitin 1917.
Më 8 mars 1862 lindi, Dhimitër Ilo, atdhetar, rilindës nënshkrues i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë. Vdiq më 1945.
Më 8 mars 1871 lindi, Ahmet Shkodra, luftëtar, demokrat, mësues. Vdiq më 7 shkurt 1947.
Më 8 mars 1902 lindi, Et-hem Haxhiademi, shkrimtar dhe dramaturg. Vdiq në vitin 1965.
Më 8 mars të vitit 1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar ballë për ballë forcave ushtarake dhe policore serbe kanë rëndë dëshmorët Milaim Gani Loku, Murat Xhemajl Lika, Osman Mustafë Luma, Qani Merxhan Luma, Raif Emin Koraqi.
Më 9 mars 1907 lindi, Zef Kolombi, piktor, mësues. Vdiq në vitin 1949. U lind në Sarajevë. Ishte i biri i Gjon Kolombit nga Shkodra dhe sllovenes Françesca Hajdovnik. I ati kishte shkuar qysh i ri në Sarajevë, ku kishte nën pronësi një hotel të vogël. Më 1910 i vdes i ati Gjoni e pas një viti iu vdes e ëma. Për ta u kujdes gjyshja dhe e ktheu në vendlindjen e të atit, në Shkodër. Pas jo pak kohe i vdiq edhe e gjyshja dhe për fëmijët u kujdes kumbari i tyre, Sokrat Shkreli. Në Shkodër mbaron shkollën fillore-jetimore të hapur nga austriakët, dhe tre vjet mëson në gjimnazin e jezuitëve. Më pas i përkushtohet pikturës, pasionit të tij, por me shumë vështirësi. Ai shkon në Itali, dhe fillon të punoi për të mbijetuar, dhe ndërkohë viziton muzetë, galeritë e arteve dhe ekspozitat e pikturës. Më 1929 Zef Kolombo sërish niset për Itali, ku fillon të studiojë në akademi. Me përfundimin e Akademisë së Arteve në Romë kthehet në Shqipëri dhe emërohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit, ku qëndroi 10 vjet. Vepra e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Vdiq më 23 janar 1949.
Më 9 mars të vitit 1999, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress, të vetmet mediume që raportojnë nga zonat e luftës, kanë njoftuar për sulmet e pareshtura të forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile shqiptare, në fshatrat e Drenicës, të Llapit, Kaçanikut dhe zonave të tjera, edhe pse kryetari amerikan Bill Klinton dhe Sekretari i NATO-s Havier Solana kishin kërkuar vetëpërmbajte nga luftimet deri sa të përfundojnë bisedimet në Rambuje.
Më 10 mars të vitit 1912 lindi, Dali Ndreu, ushtarak, demokrat, partizan, u pushkatua në vitin 1956, në një proces të montuar politik. Më 1931 kreu studimet në Shkollën e Ushtarake të Plotësimit si oficer artilerie i graduar nëntoger. Fillimisht shërbeu në degën e rekrutimit në Përmet, më pas në artilerinë e divizionit Kosova, deri më 1933. U anëtarësua në Grupin e Tiranës të themeluar dhe drejtuar nga arsimtari Hasan Reçi, ku merrnin pjesë shumë oficerë. U dënua me shkakun e Kryengritjes së Fierit më 1935, u shkarkua si oficer. Pas daljes nga burgu, vijoi studimet për Shkenca Ekonomike në Firencë të Italisë. Në vitet 1940-1941 inkuadrohet në radhët e formacioneve partizane. Për meritat e tij, bazuar edhe te kontributi historik i familjes, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare caktohet zëvendëskomandant i Shtabit, pra figura numër dy e luftës partizane. Por njëherësh shquhet si një komandant i zoti me aftësi dhe reputacion. Në vitin 1956 Dali Ndreun e arrestojnë me akuza si bashkëpunëtor i jugosllave së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Gega, e cila ishte një tjetër kuadro e asaj kohe. Në dhjetor i vitit 1956 pushkatohen, bashkëshortët, Dali Ndreu dhe Liri Gega
Më 10 mars të vitit 1999, Ministrat e Jashtëm të Britanisë së madhe dhe të Francës, Robin Kuk dhe Iber Vendrin kanë paralajmëruar pasoja të rënda nëse palët në bisedimet e Rambujesë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk e nënshkruajnë marrëveshjen.
Më 10 mars të vitit 1999, kryetari amerikan Bill Klinton kishte ftuar palët negociuese ta nënshkruajnë marrëveshjen e Rambujesë, në të kundërtën duhet të ndryhej ushtarakisht. Ai kishte bërë të ditur se fillimisht do të dërgonte 4.000 trupa amerikane. Po atë ditë Dhoma përfaqësuese e Kongresit Amerikan, kishte mbështetur idenë e kryetarit Klinton për dërgimin e forcave paqeruajtëse në Kosovë.
Më 11 mars të vitit1981, shpërthyen në Prishtinë demonstratat e studentëve me kërkesa sociale. 11 marsi i atij viti shënon ditën e fillimit të shfaqjes hapur të pakënaqësive jo vetëm të rinisë studentore, por edhe të punëtorëve, fshatarëve dhe të gjitha shtresave liridashëse në Kosovë e më gjerë, në trojet shqiptare të mbetura nën okupimin e RSFJ-së. Ato shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ. Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia. Zhvillimet, që pasuan më 26 mars të po atij viti, kur njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e regjentëve besnikë të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Fadil Hoxha, Mehmet Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht studentët, i dhanë hov fillimit të derdhjes së zemërimit popullor.
Më 11 mars të vitit 1999 kujtohet Beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në fshatin Jeshkovë, të Zonës Operative të Pashtrikut me ç rast kanë rënë 20 dëshmorët të Njësisë Speciale të Brigadës 125 të kësaj zone.
Më 11 mars të vitit 1999, në frontet e ndryshme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare, gjatë kohës sa po mbahej konferenca e Rambujesë, kanë rënë dëshmorë, luftëtarët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Halim Gashi, Hysni Morina, Perparim Thaçi, Tahir Gashi, Hamit Thaçi, Halil Gashi, Feriz Abdurrahman Susuri, Bahri Ferat Kuçi, Bashkim Ismail Suka, Hajdar Abaz Shala, Hysen Nahit Rexhepi, Skender Mehmet Latifi, Tahir Haki Gashi…
Më 12 mars 1940, shpërthyen në Durrës demonstratat e fuqishme antifashiste kundër regjimit të huaj që kishte okupuar Shqipërinë me 7 prill të vitit 1939.
Më 12 mars të vitit 1908 në Manastir, lindi Vasil Gërmeni, mësues, gazetar, veprimtar i Ballit kombëtar dhe diplomat i çështjes shqiptare. Lindi në hotelin “Liria” në qendrën e Vilajetit të Manastirit që kishin hapur i ati, Telemaku me të vëllanë, Themistoklinë. Ngel jetim nga i ati kur qe gjashtë, dhe e ëma greke e lë të rritet tek ungji i tij. U rrit dhe u edukua në Korçë ku kreu dhe liceun e qytetit, studimet e larta për inxhinieri hekurudhash i kreu në Marsejë, në Francë. Atje njohu të shoqen, Germain, ku u martua para se të kthehej në atdhe më 1934. Me qeverinë e “të rinjve” të Mehdi bej Frashërit, hyn në garë për zyrën e prefektit të Korçës por mbas dy javësh i lodhur nga klima morale e kohës tërhiqet nga politika dhe vazhdon të japë mësim në Shkollën Teknike. Largohet nga Shqipëria në mars të 1939, pak javë para pushtimit italian. U vendos sërish në Marsejë. Pas pushtimit të Francës jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez. Ndiq në Nju York, me 28 nëntor 1988.
Më 12 mars të vitit 1947 kanë rënë luftëtari i Shqipërisë Etnike, Ukshin Kovaçica me djalin e tij Hashim Kovaçica dhe bashkëluftëtarët: Ahmet Selaci e Smajl Svarça.
Ukshin Kovaçica lindi në pranverë të vitit 1904, në Bajgorë, nga një familje e njohur atdhetare. Ukshini, së bashku me familjen e tij nga fshati i Bajgorës, ishin larguar për në Kovaqiçë. Gjatë luftës së Dytë Botërore u emërua komandant i xhandarmërisë në zonën gjermane, në fshatin e Karaçës të Vushtrrisë, dhe më vonë në fshatrat e Gojbulës e të Sllatinës. Gjatë kësaj periudhe si komandant i xhandarmerisë, ishte mjaft i njohur për kujdesin dhe mbrojtjen e shqiptarëve që jetonin në kushte të vështira pas luftës. Në fillim të luftës partizane ai fillimisht iu bashkua këtyre radhëve, por shpejt kuptoi që Ushtria jugosllave komuniste kishte një qëndrim të padrejtë dhe anti-shqiptar. Prandaj, ai mori armët dhe shkoi në male, u bashkua me luftëtarët e rezistencës kombëtare të NDSH-së, të udhëhequra nga Komandanti, Ahmet Selaci. Më 12 mars të vitit 1947, Ukshin Kovaçica, Hashim Kovaçica, Ahmet Selaci, Smail Sfarça dhe luftëtarë të tjerë ishin duke qarkulluar në zonën e Vllahisë dhe Cerajës, në Mitrovicë. Ndërkohë vendndodhja e tyre u zbulua nga forcat partizane serbe. Duke qenë se luftëtarët e Shqipërisë Etnike kishin rregulluar një bunker shumë të fortë dhe e mbronin nga të gjitha anët, armiku kishte provuar me metoda të ndryshme për të ndikuar në dorëzimin e tyre, por nuk kishte arritur. Gjatë luftimeve të ashpra, me 12 mars të vitit 1947 u vranë shumë partizanë serbë komunistë e çetnikë, por në fund, ranë trimërisht edhe luftëtarët e rezistencës kombëtare: Ukshin Kovaçica, Ahmet Selaci, Smail Sfarça, Hashim Kovaçica, djali i Ukshin Kovaçicës, e të tjerë.
Më 12 mars të viti 1999 kanë rënë në fronet e luftës të UÇK-së luftëtarët e lirisë, Qamil Ibrahim Shehu.
Më 12 mars të vitit 1999, sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Olbrajt ka paralajmëruar se prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme, edhe nëse nënshkruhet marrëveshja e Rambujesë nga të dy delegacionet.
Më 13 mars të vitit 1965 vdiq, Fan Noli. U lind më 6 janar të vitit 1882 me emrin Theofan Stilian Mavromati në fshatin İbrik-tepe, në Trakinë Lindore, jo shumë larg nga Edreneja. Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht për gjashtë vjet, më tej prindërit e dërguan në gjimnazin grek të Edrenesë. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në Athinë. Në fillim të 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues lëvizës greqishtes dhe po atë vit përktheu në greqisht traktatin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Ndikohet nga klima e veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare atje, ku Thanas Tashko dhe Jani Vruho e ndihmuan në botimin e përkthimit të Samiut, dhe më tej në komunikim me Nikolla Naçon, Shahin Kolonjën e Kristo Luarasin. Në prill 1906 shkoi në Amerikë dhe u vendos, në Boston. Gushtin e vitit 1906 gjeti punë në Filadelfia. Në vitin 1945 mbrojti me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë. Më 1953, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20. 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi në Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Noli ka qenë atdhetar i shquar, burrë-shteti, historian, diplomat, intelektual ndër më të njohurit e kohës, përkthyes nga shumë gjuhë të botës, poet, veprimtar klerik por edhe revolucionar dhe i pari kryeministër i një shteti demokratik në Ballkan.
Më 13 mars 1947 vdiq në Tiranë, Gjovalin Gjadri, konstruktor ndërtimi, inxhinier.
U lind në Shkodër më 2 korrik të vitit 1898. Ka qenë profesor, inxhinier, konstruktor i shquar në projektimin dhe ndërtimin e urave. Lindi në lagjen Arra e Madhe të qytetit të Shkodrës. Shkollën e mesme dhe të lartë i kreu në Vjenë në sajë të njërës prej bursave të shumta që pushtim-administrimi austro-hungarez dha ndër shqiptarë. Mbas kryerjes së studimeve u kthye në Shqipëri më 1926-27, ku bashkëpunon në zbatimin e projektit për Urën e Matit. Në vitet 1927-31 jetoi në Bashkimi Sovjetik, ku punoi në Institutin e Projekteve në Moskë. Prej një sëmundje mushkërish u kthye në Shqipëri më 1932, ku i rikthehet projektimit të urave, dhe konkretisht jo shumë kohë pas kthimit u konkretizua Ura e Gomsiqes. Në administratën e qeverisë Vërlaci pas pushtimit italian, ishte drejtor i Kontrollit Teknik. Mbas Luftës së Dytë Botërore mori pjesë në rindërtimin dhe projektimin e disa urave kryesore të Shqipërisë. E një rëndësie të veçantë mbetet monografia “Shkenca e konstruksionit ” e shkruar në tri vëllime. “Studime mbi gjendjen e urave në Shqipëri”, etj.
Më 13 mars të vitit 1887 në fshatin Mërtinj të rrethit Përmet, lindi Dedë Abazi-Elezaj në një familje bektashiane Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes deri në moshën 17 vjeç. Shumë shpejtë nga familja dhe të afërmit u njoh nëpër vizitat e ndryshme në teqenë e Këlcyrës, Hasan Dede, Sukës, Përmetit, Frashërit, Prishtës , Kiçokut, Gllavës etj. Iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. Rreth viteve 1907, u vesh dervish së bashku me dervish Ali Turabiu në teqen e Prishtës, ku morën dorë te baba Shabani. Ka bërë studime fetare për pesë vjet në Egjipt së bashku me dervish Aliun, u kthye në Shqipëri në vitet 1918. Ai shërbeu si dervish në teqen e Prishtës, Sukës, Frashërit. Në luftën e vitit 1914 së bashku me Kamber Bënjën ka luftuar kundër andartëve grekë. Ngriti shkollën e parë shqipe më 1920 në fshatin e tij, që përfaqësonte zonën e Dëshnicës. Ka marrë pjesë në luftën e Vlorës në vitin 1920. Jeta e tij dhe vështirësit kudo që shërbeu e formuan si klerik i aftë dhe organizator, ku u dallua për çështjen e atdheut në ndihmë të luftës antifashiste. Në gushtë të vitit 1945 për meritat dhe punën e vyer që kish bërë , Këshilli i Lartë Gjyshnor e zgjodhi në postin e lartë të Hynqarit, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, të cilën e drejtoi më së miri deri në mars të vitit 1947.
Më 13 mars të vitit 1999, sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Olbrajt kishte deklaruar se prania e trupave të NATO-s në Kosovë ishte me rëndësi jetike, me qëllim për të parandaluar krimet dhe spastrimin etnik. Duhet t ua bëjmë të qartë atyre që nuk duan zgjidhje kompromisi, as praninë e forcave të NATO-s në Kosovë.
Më 14 mars të vitit 1888, në Krojmir të Drenicës lindi, Emin Miftar Shema. Mësimet e para i mori në te Azem Ramë Olluri, ndërsa mësimet e mesme në Prizren në medresenë e Gazi Mehmed Pashës. Në vjeshtë të vitit 1912 së bashku me gjashtë medresistë shkoi në Lumë dhe iu bashkua forcave të Elez Isufit e Islam Spahisë, të cilët luftonin kundër forcave serbe që masakronin gra e fëmijë. Ka mbajtur kontakte me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë. Në vitin 1915 me preferencë të Hasan Prishtinës kthehet në Kosovë, ndërkohë që i kishte kryer edhe një porosi, duke marrë një letër të cilën Hasan Prishtina ia kishte dërguar Zejnullah Beut, në Vushtrri. Në vitin 1917 u mor dhunshëm në Ushtrinë Bullgare. Dy vjet ka jetuar i burgosur në Pllovdiv të Bullgarisë. Në vitin 1919 ka dezertuar nga ushtria bullgare she së bashku me Rizah Zogianin, Mehmet Mjekiqin, Hamëz Sylën e të tjerë kanë rrugëtuar këmbë dhe janë kthyer në vendlindje. Një kohë ka ushtruar detyrën e imamit në Magurë dhe në fshatin Dobrajë. Prej vitit 1945 në vazhdimësi është torturuar nga regjimi komunist jugosllav. Tri herë ka qenë i dënuar me burg për mosbindje, jatak i kundërshtarëve të regjimit dhe ftesë publike për rezistencë. Vdiq më 13 dhjetor të vitit 1980. Ka lënë në dorëshkrim disa vepra në gjuhën shqipe, me alfabet arab.
Më 14 mars të vitit 1999, policia serbe ka ekzekutuar katër anëtarë të familjes Tafaj nga fshati Greikoc.
Më 14 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe kanë zbarkuar në Kosovë më shumë se 100 tanke dhe mjete të tjera të motorizuara si dhe mijëra rezervistë, ka bërë të ditur Radio-Kosova e lirë nga burimet e veta në terren.
Më 15 mars të vitit 1860 vdiq Karl Gega, inxhinier austriak i hekurudhave me origjinë shqiptare. Lindi më 10 janar të vitit 1802 në Venedik, vdiq në Vjenë. Ishte inxhinier me prejardhje shqiptare, ndërtues i hekurudhës së Semmering-ut prej Gloggnicit deri në Myrzzushlag në Austri. Prindërit e tij kishin prejardhje shqiptare. Ai studioi në Padova në Itali, ku ai në moshën 17 vjeçare e mori titullin Doktor i shkencave matematikore. Karrierën si inxhinier e filloi me ndërtime rrugësh dhe ujësjellës në Venedik. Ndër të tjera ndihmoi në ndërtimin e rrugës “Strada d’alemanja”, rrugës nga Treviso për në Kortina d’Ampezzo. Prej vitit 1836 deri më 1840 ishte udhëheqës i ndërtimit për pjesën e rrugës hekurudhore prej Ludenburg deri në Brynn. Në vitin 1842 Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë Jugun e shtetit Austro-hungarez dhe për këtë arsye ndërmori një udhëtim studiues në Amerikë. Pas kthimit të tij nga Amerika u ngarkua me planifikimin dhe ndërtimin e hekurudhës në drejtim të jugut, nga Myrzzshlagu, nëpër Grac dhe prej aty deri në Trieste. Tejkalimi i malit të Semmering-ut llogaritej nga shumë bashkëkohës të tij si shumë i rëndë edhe si i pamundur. Ndiq më 14 mars 1860 në Vjenë nga pasojat e sëmundjes së tuberkulozit.
Më 15 mars 1875 lindi, Faik Konica, publicist, shkrimtar, përkthyes, botues, politikan kontroves. Vdiq në vitin 1942. Konica ka qenë propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar. Ishte eseist, stilist i, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me bindje të ndërlikuara Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në Shetett e Bashkuara të Amerikës post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale
Më 15 mars 1887 lindi në Krujë Mustafa Mërlika, politikan, deputet, gjuhëtar kundërshtar i Zogut. Vdiq në vitin 1958 në Amerikë. Ai ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë. nëpunës, politikan dhe kryeministër i shtetit shqiptar gjatë pushtimit italian, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër. Me shpërthimin të Luftës Osmano-Greke më 1897, i ati dhe i ungji thirren nën armë. Me vrasjen e Koculit dhe prefektit Lele Koçi në Vlorë, Merlika-Kruja i paraqiti dorëheqjen Jakomonit. U thirr në Vjenë, ku shkoi më 1 shtator 1944. U vendos në Itali ku së bashku me Ernes Koliqin rithemeloi Bllokun Kombëtar Indipendent. Pak para rrëzimit të dinastisë me prejardhje shqiptare të Egjiptit, kaloi në Francë dhe më pas në ShBA ku dhe ndërroi jetë pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 dhjetor 1958.
Më 15 mars të vitit 1999 ka rënë dëshmorë Yll Morina
Më 16 mars të 2001, në Maqedoni u ndërmor aksioni i parë i organizuar i luftëtarëve shqiptarë kundër policisë sllavomaqedonase me ç rast edhe pasoi komunikata e parë lidhur me sulmin, të cilin e kishte marrë përsipër Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999 si dhe Marrëveshjes së Konçulit të 21 majit të vitit 2001, e cila çoi në demobilizimin e UÇPMB-së, një pjesë e madhe e luftëtarëve, që kishin marrë pjesë në dy luftërat çlirimtare, morën përsipër luftën për realizimin me armë të të drejtave të shqiptarëve në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Çlirimtarët u pozicionuan në rrethin e Kumanovës, pastaj në malet e Sharit, kryesisht në rrethin e Tetovës dhe në lokalitetet me shumicë shqiptare të Maqedonisë perëndimore. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë rënë më shumë se 100 dëshmorë, por në periudhën e pas luftës kanë rënë edhe shumë të tjerë, të cilët në vazhdimësi i kishte ndjekur dhe i kishte persekutuar regjimi i Shkupit, pavarësisht se shqiptarët kishin qenë dha janë pjesë e institucioneve të këtij shteti.
Më 16 mars 1923 lindi, Besim Levonja, aktor, dramaturg, Artist i Merituar. Veprimtarinë e tij artistike Besim Levonja e filloi që herët, në burgun fashist, në vitin 1942. Me krijimin e teatrit Popullor në 1945 Besim Levonja është ndër të parët artistë që formuan grupin artistik të këtij teatri. Pjesa e parë që shfaqi Teatri Popullor nga dramaturgjia jonë është pjesa “Coni, Ishja, Roma” në vitin 1945. Por suksesin më të madh si krijues, Besim Levonja e arriti me komedinë “Prefekti” (dhjetor 1948), e cila për kohën qe një komedi e suksesshme. Rolet e tij në teatër janë të shumtë. Ndër kryerolet e tij në Teatrin Popullor përmendim Gjeloshin “Votra e huaj”, plakun e urtë “Trimi i mirë me shokë shumë”, Sokoli “Halili dhe Hajria”, Tetarefi “Mikroborgjezët”, varrmihësi “Hamleti”, Dobçinski “Revizori”, etj. Ka interpretuar edhe ne filmat artistik “Toka Jone”, “Debatik”. Vdiq më 21 Qershor 1968. Eshtë nderuar me urdhërin e lartë “Hero i punës socialiste” për kohën, dhe me titullin “Artist i merituar”.
Më 16 mars 1939 vdiq, Visar Dodani, rilindës, atdhetar, poet e publicist. Visar Dodani ka lindur në Korçë, në jug të Shqipërisë, në vitin 1857. Në vitin 1880 ai u transferua në Bukuresht, Rumani, ku u bashkua me shoqatën shqiptare Drita organizatë kryesore e Zgjimi Kombëtar Shqiptar. Drita ishte një gazetë shqiptare dhe u botua nën administrimin e Dodanit. Në Rumani, Dodani shpesh shkroi artikuj në gazetat rumune lidhur me çështjet shqiptare. Visar Dodani ishte gjithashtu një anëtar themelues i organizatës nacionaliste Lidhja Shqiptare Ortodokse. Në 1898 ai botoi, një koleksion folklorik prej 247 faqesh, të shtypura në shtypshkronjën e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Më 1915, Dodani u vendos në Gjenevë, Zvicër. Ai u përfshi në përpjekjet diplomatike shqiptare atje, duke shërbyer si sekretar i Komitetit Kombëtar Shqiptar i udhëhequr nga Turhan Pasha dhe më vonë nga Xhorxh Adamidi. Në Vjeshtën e vitit 1919, Dodani u kthye në Rumani. Visar Donani vdiq në Bukuresht.
Më 17 mars të vitit 1932 vdiq në Paris Iljaz bej Vrioni, Ishte latifondist, nëpunës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministër, disa herë ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar. U lind në Berat në vitin 1882, Për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhrin e lartë, Oficer i Lartë i nderit. Rridhte nga familja e njohur e Vrionëve dhe ishte djalë i dëshirit i rilindasit Mehmet Ali pashë Vrionit dhe gruas së tij të dytë, Hysnije Vokopoja. Mësimet e para i mori në vendlindje ku gjuhën shqipe ia dha mësuesi shkodran Kolë Kraja. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Janinë, kurse shkollimin e lartë në shkollën e lartë të administratës “Mylkie” në kryeqytetin e perandorisë. Ku u diplomua më 1905. Më 1909 – 1911 shërbeu si kryebashkiak i Beratit. Më 1912 delegat i Kuvendit të Vlorës, ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. Më 1914 anëtar i delegacionit shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit. Ndërroi jetë në Paris, u varros në Berat.
Më 17 dhe 18 mars të vitit 2004 në Kosovë kishte shpërthyer një revoltë popullore kundër qeverisjes së ngathët dhe pro serbe të një segmenti të administratës së UNMIK-ut, i cili kishte lejuar krijimin e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, prej qershorit të vitit 1999, kur forcat franceze dhe ruse të KFOR-it e kishin ndarë këtë pjesë të Kosovës. Më 17 mars 2004, trazirat filluan pasi një ditë më parë tre fëmijë shqiptarë, Egzon Deliu, 13 vjeç, Avni Veseli, 12 vjeç, dhe Florent Veseli, 9 vjeç, ishin mbytur në Lumin Ibër, nga një serb i cili i kishte ndjekur me qentë e tij. Disa fëmijë që i kishin mbijetuan dhunës së serbit të moshës madhore po atë natë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe duke ikur për të shpëtuar, dy shokë të tyre kishin humbur jetën në lum. Më 18 mars protestat kishin përfshirë tërë Kosovën. Gjatë atyre dy ditëve në protestat masive u vranë 19 qytetarë, prej tyre 12 shqiptarë dhe shtatë serbë. Revoltat e 17 e 18 marsit ishin pasojë e mbretërimit të anarkisë në vend, të cilën e kishte instaluar dhe kishte lejuar administrata e UNMIK-ut duke stagnuar proceset politike të Kosovë, me qëllim të zvarritjes së shpalljes së pavarësisë së vendit. Protestat i kishin dhënë hov dinamizimit të politikës dhe katër vjet më vonë më 17 shkurt të vitit 2008 ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
Më 17 mars të vitit 1999 në frontet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë duke luftuar kundër forcave serbe dëshmorët: Agim Murat Islami, Rexhep Kukaj dhe Halim Metaj.
Më 18 mars të vitit 1908 u zhvillua Lufta e Mashkullores në krye me Çerçiz Topullin.
Lufta e Mashkullorës ishte një nga betejat më të rëndësishme të çetës së komanduar nga Çerçiz Topulli kundër ushtrive osmane. Pas vrasjes së komandantit të xhandarmërisë së Gjirokastrës, forca të shumta osmane, të dërguara nga valiu i Janinës për të ndjekur çetën shqiptare, e rrethuan këtë në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës. Aty u zhvillua një betejë e pabarabartë dhe e ashpër. Një grup luftëtarësh të çetës u bënë ballë gjatë një dite të tërë sulmeve të pareshtura të forcave turke dhe mundën ta çanin rrethimin. Nga luftëtarët e çetës mbeti i vrarë Hajredin Tremishti, kurse ushtria turke humbi 20 veta.
Më 18 mars 1923 lindi, Rexhep Mulliqi, kompozitor, dirigjent.
Rexho Mulliqi u lind me 18 mars të vitit 1923 në Guci, ishte një kompozitor shqiptar. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941. Pastaj u vendos në Prishtinë, ku qëndroi tre vjet. Më pas u regjistrua në Akademinë e Muzikës në Beograd, në vitin 1946), por nuk i përfundoi dot studimet, sepse, për shkaqe politike, u përndoq dhe u dënua me burg të cilin e ja vuajtur kampin famëkeq të Goli Otokut. Pas vitit 1953 u kthye në Kosovë, ku fillimisht dha mësim në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren. Në vitin 1956 shkoi në Prishtinë, pranë Radio Prishtinës së atëhershme dhe drejtoi veprimtarinë muzikore të këtij institucioni. Së bashku me Lorenc Antonin, Rexhep Mulliqi është njëri ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë. Ai është autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithëmbarshme shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë. Për punë të palodhur, Rexho Mulliqi është nderuar me shumë dekorata dhe mirënjohje. Rexho Mulliqi vdiq më 25 shkurt 1982.
Më 18 mars 1999 delegacioni i Kosovës në Rambuje ka nënshkruar marrëveshjen e përkohshme trevjeçare për Kosovën. Nënshkrues ishin Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja. Pala serbe nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë
Më 19 Mars të vitit 1721 vdiq Papa Klementi i nëntë, Gjon Françesk ALBANI.
Lindi në Urbino, me 23 korrik të vitit 1649. Me 9 tetor 1700 filloi detyrën e Papës dhe e udhëhoqi kishën katolike për 21 vjet. Rreshtohet i katërti për nga vitet në krye të Kishës Katolike mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piut të 9-të, me 31 vjet, Papa Gjon Palit me 26 vjet.
Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit. Mikel pati dy djem Gjergjin dhe Filipin. Të parët e tyre kishin qenë luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut të cilët u vendosën në Urbino, ku Federico dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Gjergji pati dy djem, Altobelin dhe Hanibalin, edhe Altobeli pati dy djem, Oracion dhe Karlin. Karli është babai i Gjon Franceskut, papës se ardhshëm. Në vitin 1660, pas kryerjes së shkollës fillore, shkoi në Romë në kolegjin romak. Studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga Papa Inoçenti i 11-të u emërua sekretar dekreteve papnore. Me 13 shkurt 1690, emërohet kardinal. Me 9 tetor të vitit 1700 zgjidhet Papë i kishës katolike.
Më 19 mars të vitit 1999, sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Olbrajt kishte paralajmëruar se Serbia do të ndëshkohet nga ajri me raketa “Kruz”, meqë nuk e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë dhe kishte intensifikuar sulmet kundër popullatë shqiptare në Kosovë.
Më 19 mars delegacioni i Kosovës në Ramubuje, në krye me Azem Sylën dhe Jakup Krasniqin kishte vizituar Komandën ushtarake të NATO-s, në Belgjikë.
Më 19 mars të vitit 1996 ka vdekur veprimtari i njohur, i burgosuri politik, historiani, Halil Alidema. U lind më 15 mars të vitit 1936, në Pozharan, në një familje të madhe patriarkale e atdhetare. Ka qenë i dënuar me burg të rëndë me një grup intelektualësh në vitin 1982 për pjesëmarrje dhe organizim të protestave e demonstratave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Është dënuar me një organizatë politike, së bashku me Ukshin Hotin dhe disa veprimtarë të tjerë. Gjatë viteve 1993 e 1996 në marrëveshje me faktorë politikë dhe ushtarakë në Shqipëri ai arriti me sukses të krijojë baza stërvitore për luftëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një organizim masiv e kishte mbajtur në Palestrën Sportive “Partizani”, në Tiranë, ku si udhëheqës i grupit stërvitor ishte paraqitur me pseudonimin “Agron Ligata”, pastaj në Qendra e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeu”, po në Tiranë, që kishte qenë njëra nga bazat, ku nën Komandën e Shtabit Operativ të Shqipërisë të asaj kohe dhe në dijeni e bashkëveprim me kryetarin e Shtetit, Ramiz Alia janë stërvitur edhe komandantët Legjendarë të UÇK-së – ADEM JASHARI e ZAHIR PAJAZITI me shumë bashkëluftëtarë.
Meritë e veçantë e Halil Alidemës në fushën e propagandës politike e shkencore është edhe botimi i veprës, “Libri i Bardhë” në 11.000 ekzemplarë, me emrin “Zani i Kombit”. Kjo vepër është botuar në 5 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbisht. Halim Alidema për një kohë të gjatë ka qenë në strukturat e larta të UNIKOMB-it, bashkë me Ukshin Hotin e të tjerë, ku edhe ka dhënë një kontribut të çmuar në shërbim të kombit e atdheut. Studiuesi dhe miku i madh i UÇK-së dhe i shqiptarëve përgjithësisht, Xhejms Petiffer, Halil Alidemën e ka konsideruar si njërin ndër veprimtarët më të dalluar të kohës, së bashku me Shaban Brahën. Halil Alidema Vdiq në Tiranë më 19 mars të vitit 1996.
Më 20 mars 1592 u shkrua libri: “Katekizma Shqiptare e Lekë Matrëngës”, e zbuluar në Vatikan në vitet 30 të shekullit 19-të. Lekë Matrënga, u lind në vitin 1567 tek Hora e Arbëreshëve, vdiq në Piana deli Albanesi në vitin 1619 te Palermo.
Lekë Matrënga ishte prift arbëresh nga Hora e Arbëreshëvet, vendi arbëresh më i madh në Sicili të Italisë. Student në Kolegjin e Shën Athanasiusit në Romë dhe kishës greke bizantine të Eparkisë. Libri i tij me emrin E mbsuame e krështerë, shkruar në vitin 1592, përbën dokumentin e parë filologjik të toskërishtes së shkruar dhe të dytin të shqipes, fill pas “Mesharit” të Gjon Buzukut. Matranga përdor për tekstin e tij gjuhën arbëreshe të folur në Piana deli Albanesi, ndryshuar nga disa tipare fonetike, në mënyrë që të kuptohet edhe nga arbëreshët e kolonive të tjera. Libri përbëhet nga 28 fletë të përkthyera po në gjuhën shqipe.
Më 20 maj 1920 lindi, Qemal Stafa, revolucionar, komunist, Hero i Popullit. U lind në Elbasan ku edhe mori mësimet e para. Ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Shkroi poezi me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës. Qemali ishte nxënës në Kolegjin Saverian të Etërve Jezuitë duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Mbas vdekjes së të atit, familja Stafa shpërngulet në Tiranë ku ai regjistrohet në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Tuk Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës. Në vitin 1938 regjimi i Ahmet Zohur e kishte burgosur dhe e kishte dënura tre vjet burg. Duke qenë kandidat për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Pasi arrestohet nga xhandarmëria U vra më 5 maj 1942, në Tiranë
Më 20 mars 1999, ka rënë dule luftuar përbarrë forcave serbe, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Halil Berisha.
Më 21 mars të viti 1865 lindi, Ibrahim Temo, veprimtari i Rilindjes Kombëtare. Vdiq në Rumani në vitin 1945. Ibrahim Temo u lind në Strugë, në kohën e Perandorisë Osmane. Ishte politikan i shquar shqiptar. Emri i tij i vërtetë ishte Ibrahim Ethem Soljiu. Ka qenë ushtarak, mjek dhe veprimtar politik, atdhetar i shquar, themelues i një gazete. Librat shqip të hartuara nga rilindësit tanë të cilat dërgoheshin nga Ibrahim Temo, hynin në vendin tonë në rrugë dhe forma të ndryshme dhe shpërndaheshin nga atdhetarë si Dervish Hima që ishte nip i tij, Hamdi Ohri, Samiu, etj., në Strugë, në Ohër e në qytete të tjera. Ai kishte edhe dy vëllezër, Abdullah dhe Nuri efendiun. Nga rrethi familjar dolën pjestarë aktiv që ndihmuan me pushkë dhe penë gjatë periudhës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare si, i ati Murat, vëllai Abdullah me fëmijët, vëllai tjetër Nuri Sojliu i cili mori pjesë dhe firmosi në Vlorë më 28 nëntor të viti 1912, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Vdiq në Rumani në viti 1939.
Më 21 mars të vitit 1933 lindi, Odhise Grillo, shkrimtar i njohur i veprave për fëmijë. Lindi në Vuno të Himarës dhe vdiq në Tirane, më 24 shtator të vitit 2003. Grillo studioi gjuhë-letërsi dhe gazetari në Universitetin e Tiranës në vitin 1962. Mbas mbarimit te studimeve punoi si redaktor ne revisten “Hosteni” (ishte vetem 17 vjec), për të vazhduar më tej në Shtëpine Qëndrore të Krijimtarisë Popullore, ku drejtoi revistat “Bota e fëmijeve” dhe “Kultura Popullore” dhe deri sa doli në pension punoi në shtëpinë botuese Naim Frasheri, fillimisht si redaktor, e me pas si shef i redaksisë së letërsisë për femije. Librin e parë me vjersha e botoi në vitin 1954, i titulluar “Shtatë ngjyrat”. Ai kishte lindur për te shkruar letërsi për fëmije, duke qene një krijues i mirëfillte i saj dhe iu përkushtua asaj tere jetën, me talentin, pasionin dhe aftësitë krijuese qe zotëronte. Adaproi për fëmijë “Historinë e Skënderbeut”, sipas veprës së Naim Frashërit, kjo vepër e Grillos hyn në fondin e librave më të mirë të dhjetëvjeçarit të fundit. Odhise Grillo vdiq nga një hemorragji cerebrale më 24 shtator të vitit 2003.
Më 21 mars të vitit 1999 ka rënë dëshmor luftëtari i lirisë, Shefki Ali Kuleta
Më 22 mars 1878, doli numri i parë i gazetës “Terxhumani shark” ( Kërkuesi i Lindjes) kryeredaktor i parë ishte Sami Frashri. Gazeta ishte vënbë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe ishte bërë zëdheënese e programit dhe kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë gazetë Sami Frashëri ka ndikuar në formësimin atdhetar kulturër dhe arsimor të shqiptarëve.
Më 22 mars shënohet festa fetare e bektashinjve, Sulltan Nevruzi. Nevruzi është emri i vitit të ri iranian, i njohur edhe si Viti i Ri pers. Dita e Sulltan Novruzit e ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Në këtë ditë, sipas bektashinjve dhe shpitëve çdo gjë ringjallerohet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Më 22 mars të vitit 2003 nga pasojat e luftës ka vdekur veprimtari, luftëtari dhe invalidi i luftës së UÇK-së, Rrahman Mehedin Dini, ish i burgosur poltik në vitet 80-të.
Më 23 mars të vitit 1935 vdiq në Vjenë, akroi i madh me origjinë shqiptare Aleksadër Mojsoiu. Lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste Në moshën 19 vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kaincit iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si aktor në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Maks Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermanit dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në shumë nga premierat e pjesëve teatrale
Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morkotesë, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.
Më 23 mars të vitit 1999 ka rënë nëë altarin e atdheut, Asllan Zymer Fazliu nga Gradica, luftëtar i orëve të para të UÇK-së, bashkëluftëtar i komandantit, Fehmi Lladrovci, si dhe epor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 23 mars 1999, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Xhejs Rubin dhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, kanë paralajmëruar kryetarin e Serbisë, Slobodan Milosheviqiq se nëse nuk e pranon marrëveshjen në Rambuje, fare befasisht mund të fillojë sulmi nga ajri mbi bazat ushtrake dhe ekonomike të Serbisë e Malit të Zi.
Më 24 mars të vitit 1937 vdiq Vehbi Dibra, atdhetar, rilindës, klerik mysliman. Haxhi Vehbi Agolli, i njohur edhe si Vehbi Dibra, u lind në Tiranë, më 12 mars të vitit 1867, Ka qenë smyfti, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Pleqësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në Kuvendin e Vlorës u shpreh për njësimin kombëtar se “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”; në frymën e të cilit lëshoi edhe fetvanë për pranueshmërinë e flamurit të Kastriotëve si flamur kombëtar.
Më 24 mars të vitit 1999, rreth orën 20.00 Aleanca Veriatlantike, NATO kishte filluar bombardimin e Jugosllavisë së mbetur, Serbi, Mali i Zi, për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova. Fillimin e bombardimeve e kishte lajmëruar nga selia e NATO-s në Bruksel Sekretai i Përgjithshëm Havier Solana.
Më 24 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, kanë vrarë 14 civilë shqiptarë dhe në mbrojtje të tyre kanë rënë 11 luftëtarë të UÇK-së.
Më 24 mars, në Kotlinë kanë rënë dëshmorë: Adnan Loku, Ismail Kuçi, Salih Vlashi, Nexhadi Kuçi, Xhemajl Kuçi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Cenë Loku, Hamdi Sejdi Sejdiu, Sabit Halim Rrahmani, Fatmir Selmani. Por atë ditë serbët kanë masakruar 14 pjesëtarë të popullatës civile në zonën e Kaçanikut.
Më 24 mars, kanë rënë dëshmor, në luftë kundër forcave serbe: luftëtari i lirisë, Ismet Asllani, Komandant i Logjistikës i Zonës Operative të Llapit
Më 24 mars 1998, shënohet Beteja e Gllogjanit. Gjatë betejës kanë rënë dëshmorë, Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj.
Më 25 mars të vitit 1927 vdiq, Idriz Seferi, atdhetar komandant i çetave kryengritëse për çlirimin e trojeve shqiptare. Idriz Seferi u lind në fshatin Sefer, afër Zhegrës së Gjilanit, më 15 mars të vitit 1847. Ka qenë në mesin e luftëtarëve të njohur popullor të Malësisë së Karadakut. Ishte pjesëmarrës i Lidhjes e Prizrenit dhe i Lidhjes së Pejës. Ishte përkrahës i Isa Boletinit. I priu kryengritjes së viteve 1910 dhe 1912 kundër forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, në Kaçanik. Luftoi kundër serbëve gjatë Luftërave Ballkanike, më vonë edhe kundër bullgarëve.
Më 25 mars 1925 u formua në Vjenë “Komiteti Nacional Revolucionar, KONARE”, në krye me Fan Nolin.
Më 25 mars 1999 pas fillimit të bombardimeve të NATO-s forcat serbe, në shenj hakmarrjeje mbi popullatën civile, kanë vrarë e kanë masakruar rreth 200 shqiptarë në fshatrat: Fortesë, Celinë dhe Brestoc të komunës së Rahovecit.
Më 25 mars 1999, ka rënë dëshmor i UÇK-së, Beqir Nebih Meha vëllai i Tahir Mehës nga Prekazi. Po atë ditë në vend luftime të ndryshme në frontet e UËK-sëkanë rënë: Ragip Ademi, Isyf Mulaj, Rifat Dina, Zeqir Mulaj.
Më 26 mars 1932 vdiq në Paris, Ilaz Vrioni, atdhetar, politikan. Iliaz Bej Vrioni u lind në Berat në vitin 1882 dhe vdiq në Paris. Ai ishte djali i Mehmet Ali Pashë Vrionit, patriotit të shquar shqiptar. Ishte pjesëtar familjes së madhe të bejlerëve të të Beratit, Fierit dhe Myzeqesë. Iliaz Vrioni ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare në vitin 1912. Ai shërbeu tri herë si Kryeministër dhe pesë herë si Ministër i Punëve të Jashtme. Vdiqnë vitin 1932, duke shërbyer mandatin e tij të dytë si Ministër i Plotfuqishëm i Mbretërisë së Shqipërisë në Paris dhe në Londër.
Më 26 mars të vitit 1981, në Prishtinë, u zhvilluan demonstratat e dyta të studentëve me kërkesë për Kosovën Republikë. Atë ditë njësitë speciale të federatës jugosllave kanë maltretuar fizikisht qinda studentë e studente shqiptare sidomos në Konviktin numër 3 të Studentëve në Prishtinë.
Më 26 mars 2001 ra dëshmor, luftëtari emblematik i lirisë, Njazi Azemi, nga fshati Mogillë i komunës së Vitisë, pjesëtar i UÇK-së dhe luftëtar e epror i UÇPMB-së. Njazi Azemi njihet në mesin e protestuesve më të vendosur gjatë demonstratave të vitit 1989, në Ferizaj me ç’ rast ishte plagosur rëndë. Më pas ka vazhduar aktivitetin e tij atdhetar deri në rënien në altarin e Atdheut.
Më 26 mars 1999 Forcat serbe kanë masakruar 243 shqiptarë në fshatin Krushë e Madhe dhe 50 shqiptarë të tjerë të familjes Berisha, në Therandë-ish Suharekë.
Krimet e barbarisë serbe ishin ndërmarrë në shenj hakmarrjeja për shkak të fillimit të bombardimeve që kishte ndërmarrë kundër Serbisë e malit të Zi, Aleanca ushtarake Veriatlantike.
Më 26 mars të vitit 1999 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Osman Rexhepi, Nuhi Rexhepi, Lulzim Rexhepi, Eshim Gashi, Agim Osaj, Ismet Gashi, Shemsi Jusufi, Ismet Spahiu.
Më 27 mars të vitit 1866 lindi, Andon Zako-Çajupi, atdhetar, poet, shkrimtar, dramaturg e përkthyes. U lind Sheper të Zagorisë. Mësimet fillore i mori në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studjoi frëngjisht për pesë vite. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku shkoi në vitin 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin, por ajo i vdiq në vitin 1892.
U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare në atë vend. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”. Vdiq më 11 korik të vitit 1930.
Më 27 mars 1931 lindi Pjetër Gaci, kompozitor, pedagog i muzikës.
Më 27 dhe 28 mars të vitit 1989 në Prishtinë dhe në vise të tjera të Kosovës ranë dëshmorë 28 demonstrues shqiptarë, si dhe ishin plagosur dhe arrestuar nga policia serbe qindra të rinj. Në Prishtinë, ranë dëshmorë: Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj.
Më 27 mars 1999 forcat serbe vranë 10 anëtarë të familjes Rama në Kastriotit, ish Obiliq. Faruk Rama, Agron Rama dhe Albert Rama kanë rënë dëshmorë.
Më 27 mars ka rënë dëshmor, Ramadan Mazreku.
Më 27 mars të vitit 1999, dy aeroplanë bombardues serbë kanë marrë në shënjestër selinë e Radios Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress, në fshatin Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës. Atë ditë në orën 8.20 minuta dy avionë të forcave serbe kishin goditur me tetë arka bomba të tipit kasetë, vendin që shtrihen prej shtëpisë së Riza Asllan Berishës ku ndodhej selia e deri te Shtëpia e Kadri Mehmet Berishës. Nga shpërthimi i bombave është martirizuar, i riu 17-vjeçar, Elbasan Jakup Berisha ndërsa kanë marrë plagë edhe tetë anëtarë të familjes së Kadri Mehmet Berishës. Ndërkohë stafi i Radios dhe i Agjencisë ka marrë të gjitha masat mbrojtëse dhe ishte vendosur te Zabeli, afër selisë. Përmes telefonit satelitor është përhapur lajmi i bombardimit të selisë por edhe vendosmëria e stafit për të mos e ndërprerë transmetimin. Në orën 12.00 Radio Televizioni i Serbisë ka transmetuar lajmin se është bombarduar dhe është shkatërruar selia e Radios së “terroristëve” -Kosova e Lirë. Po atë ditë në orën 16.00, kemi transmetuar programin e reduktuar ditor dhe i është bërë me dije dëgjuesve se në akord me zhvillimet më të reja luftarake, stafi i Radios dhe i Agjencisë kanë marrë të gjitha masat për të mos e ndërprerë transmetimin, por në kushte dhe rrethana të caktuara do të reduktohej programi ditor. Edhe gjatë ditëve në vijim, forcat serbe kanë goditur vend-emetimin në Gurishtë. Radio Kosova e Lirë është themeluar me vendim të SHP të UÇK-së me 13 nëntor 1998. Më katër janar 1999 ka filluar programin në Malet e Berishës ku ka transmetuar deri më 21 qershor të po atij viti.
Më 28 mars 1932 lindi Loni Papa, shkrimtar. Loni Papa, u lind në Bubullimë të Lushnjës. Vdiqë më 22 qershor të vitit 2018. Ka qenë dramaturg dhe autor i letërsisë për fëmijë, i prozës, poezisë, shkrimeve publicistike, rrëfenjës, fabulës etj. Autor i më shumë se 35 veprave lertrare të botuara dhe laureat i Çmimit të Republikës e i disa çmimeve kombëtare. Mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Lushnje, për kontributin e përkushtimin e tij në letërsinë shqipe.
Më 28 mars të vitit 1945 vdiq, Filip Papajani, shkrimtar, publicist dhe dramaturg. Kishte lindur në vitin 1878. Që në vogëli kishte çfaqur tendenca pavarësie dhe mosbesimi në fe. Në Bukuresht të Rumanisë ku kishte mërguar u njoh me familjen e një emigranti nga Korça, i cili kishte ndërruar mbiemrin në Kostandinesku. U fejua me të bijën e tij dhe u martuan, në vitin 1909. Aty, më 1910 lindi vajza e parë Margarita. Si patriot dhe nacionalist i zjarrtë, menjëhere pas shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë më 1912, braktis grua e fëmijë dhe vjen në Atdhe së bashku me Asdrenin, me një delegacion të kryesuar nga Pandeli Evangjeli për të përkrahur vendosjen e Princ Vidit si Mbret të Shqipërisë. Me një grup vullnetarësh kishte luftuar kundra andartëve grekë që kishin zaptuar Korçën dhe kishin vrarë priftin antishqiptar, Ballamaçi. U bashkua me çetën e Mihal Gramenos e Çerqiz Topullit. Luftoi gjithashtu kundra bandave të Esat Pashës. Shkroi tregime të shkurtra, në vitin 1923 në gazetën “Shkumbini” e që më vonë zuri vend në antologjite e leximeve letrare të shkollave 7-vjeçare.
Më 28 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës. Urdhrin për sulm e kishte dhënë komandanti kriminel serb, Lubisha Dikoviq. Një ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, krerët kriminelë në Serbi, kishin paralajmëruar se në rast të fillimit të bombardimit do t’ i shfarosnin shqiptarët. Masakra në Izbicë hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror. Askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit serbë nuk ka dhënë llogari para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.
Më 28 mars kanë rënë dëshmorë: Elez Ramë Geci, Maxhun Berisha, Shefki Thaçi.
Më 29 mars 1925, nga forcat zogiste të Ceno beg Kryeziut dhe Kadri Mehmetit, në fshatin Dragobi të Tropojës u vra në rrethim Bajram Curri, atdhetar, demokrat, revolucionar, udhëheqës i kryengritjeve shqiptare kundër Turqisë dhe Serbisë, njëri ndër personalitetet më të rëndësishme të kohës
Më 29 mars 1944 u vra Mustafa Matohiti, atdhetar, komisar i çetave partizane, Hero i Popullit. Lindi në Lekdush. Ishte Figurë e shquar e patriotike i cili që nga viti 1943-1944 dha kontribut të madh në organizimin e lëvizjes komuniste, për organizimin e luftës NAÇL në krahinën e Kurveleshit, Përmetit e Delvinës, për të cilat dha jetën më 29 mars 1944; u vra gjatë luftimeve të pabarabarta me forcat gjermane.
Më 29 mars 1999 forcat serbe, ekzekutuan dhe masakruan 49 shqiptarë në fshatin Beleg të Deçanit. Ishte edhe kjo një hakmarrje mizore e forcave ushtarake e policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, për shkak të bombardimeve të NATO-s. Një ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, krerët kriminelë në Serbi, kishin paralajmëruar se në rast të fillimit të bombardimit do t’ i shfarosnin shqiptarët
Më 29 mars 1999 në Shishman të Bokës bien 14 dëshmorë nga Zona Operative e Dukagjinit, e Drenicës dhe Pashtrikut. 1. ARMEND (SEFEDIN) QYMYRI, BESIM (ALI) RAMA, BUJAR (BEQIR) SHALA, BUJAR (ESAT) SYLA, FLORIM (ELEZ) SEJDIJA, IBRAHIM (KADRI) ASLLANI JASHAR (ZEJNULLAH) JASHARI – KOMANDANT “DURAKU”, KADRI (MUHAMET) BERISHA, MEHDI (ADEM) ZABELI, MON (MUHAMET) MAQI, NAIM SHIN AVDIU – LATA, NUHI (HAXHI) ELEZAJ XHEMAJL (IDRIZ) AVDULLAHU dhe JAHJA (REHAN) DANUZA.
Më 30 mars 1895 lindi, Anton Ashta, mjek malariolog i njohur shqiptar. U lind në Shkodër ku mori dhe mësimet e para dhe shkollën e mesme, ndërsa në vitin 1921 ai u diplomua për mjekësi, në Universitetin e Romës. Në vitin 1922 kreu një kurs suplementar për dermosifilopatinë. Mbas shkollës megjithese i ofruan të rrinte në Romë, Ashta u kthye në atdhe. Ai filloi menjëherë punën si njeri i përgjegjshëm për problemet e kohës. I bindur në fitoren e luftës kundër malaries Ashta në vitin 1928, shkoi përsëri për një kurs njëvjeçar në Romë Pas përfundimit u rikthye në Shqiperi dhe filloi punën si mjek malaiolog pranë Fondacionit Rokfeler në Tiranë në projektin për zhdukjen e malaries. Në vitin 1932 Ashta botoi punimin “Malarja”. Ashtu sikur kishte parashikuar, në vitin 1962 malarja do të zhdukej, kjo u arrit në shumicën e zonave të Shqipërisë.
Në vitin 1962 Dr. Ashta mbrojti doktoraturën me veprën “Malarja në Shqipëri” me të cilën fitoi “Cmimin e Republikës” Klasi të parë. Dr Anton Ashta mban Titullin “Heroi i Punës Socialiste. Vdiq në Tiranë në vitin 1977.
Më 30 mars të vitit 1945 forcat partizane e çetnike serbe pasi kishin grumbulluar disa mijëra shqiptarë nga viset e Kosovës, veçmas nga Drenica, i kishin mobilizuar dhunshëm me qëllim gjoja për të luftuar forcat gjemane në largim nga frontet e luftës. Pas një rrugëtimi dy javë këmbë, pa ushqim dhe duke i provokuar mizorisht, duke mos i lejuar as për të pirë as ujë, i grumbulluan në qytetin në Tivar të Malit të Zi ku kishin kryer një masakër duke ekzekutuar disa qindra shqiptarë, trupat e të cilëve i hodhën në det. Kjo plojë fashiste e 30 marsitr të vitit 1945 serbe njihet me emrin Masakra e Tivarit.
Më 30 mars të vitit 1999, kryetari amerikan Bill Klinton kishte deklaruar se mbrojtje shqiptarëve të Kosovës nga shafroja që po pretendoin ta bënin serbët, ishte obligim moral i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa kryeministri britanik, Toni Bler kishte deklaruar se lufta e NATO-s kundër caëqeve ushtarake dhe ekonomike të Serbisë nuk do të ndërpritej derisa të dorëzohej kasapi i Ballkanit, Milosheviq.
Më 31 mars të vitit 1999 forcat kriminale serbe në fshatin Pastasel likuiduan dhe masakruan 102 shqiptarë. Një javë pas intervenimit të NATO-s kundër Jugosllavisë prej 25 deri më 31 mars trupat ushtarake dhe policore serbe kanë masakruar e kanë likuiduar rreth 700 pjesëtarë të popullatës civile, ndërsa në luftime kundër forcave serbe kanë rënë më shumë se 100 dëshmorë.
Më 31 mars të vitit 1999, në deklaratën Politike të SHP të UÇK-së ftoheshin forcat shqiptare të konsolidonin radhët rreth UÇK-së dhe të mos përçaheshin nga formacionet të së ashtuquajturës Qeveri e Bukoshit në mërgim, e cila kishte krijuar një forcë paralele të armatosur, të quajtur FARK dhe vepronte në bazat e luftës në Shqipëri. Shtabi u bënte thirrje të gjithë shqiptarëve të luftonin në emblemën dhe uniformën e UÇK-së, si e vetmja forcë çlirimtare e njohur edhe botërisht, në Konferencën e Rambujesë.
Më 31 mars të vitit 1999, SHP i UÇK-së kishte falënderuar Qeverinë dhe popullin e Shqipërisë që u kishte dalë në ndihmë dhjetëra mijëra shqiptarëve të dëbuar dhunshëm nga Kosova nën presion të shfarosjes nga forcat kriminale dhe okupatore serbe.
Më 31 mars 1999, kryetari amerikan Bill Klinton kishte hedhur poshtë propozimin e Serbisë së Milosheviqit, për ndërprerjen e sulmeve nga NATO-ja, pasi Serbia do të pranonte të hiqte nga Kosova një pjesë të kontingjentit ushtarak. Klinton nuk kishte pranuar asnjë kusht të tillë.
Më 31 mars të vitit 1991 – Shqipëria organizoi zgjedhjet e para shumë-partiake pas 45 vjet të qeverisjes së Partisë së Punës së Shqipërisë. Votimet u zhvilluan në dy raunde; Partia e Punës e reformuar në Parti Socialiste, qysh në qershor 1991, fitoi 2/3 e vendeve në Kuvendin Popullor prej 250 anëtarësh.