Kamer Rrukiqi, i lindur në vitin 1934 në Verboc të Drenicës,tani në moshën 85-vjeçare ka një shëndet solid dhe një kujtesë të jashtëzakonshme, edhe pse ka kaluar kohë të vështira qysh nga Lufta e Dytë Botërore dhe në vazhdimësi duke qenë i ndjekur dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav.
Në një bisedë në Studion e TV-Diellit, Kamer Rrukiqi, ka shkoqitur disa nga ngjarjet e ndodhitë e jetës së tij, të cilat lidhen me zhvillimet e kohës dhe me rrugën e gjatë e të mundimshme të Kosovës deri te liria e pavarësia e saj. Edhe pse nuk ishte i organizuar në grupe të caktuara ilegale, fakti se ai ishte pjesëtar i një familjeje, që kishte strehuar e mbështetur luftëtarët e lirisë të Shaban Palluzhës, kishte bërë për të qenë kurdoherë nën vëzhgim, madje edhe me përjashtim nga puna, burg gjatë kohës së izolimeve të intelektualëve në vitin 1981, ndalimi i ushtrimit të profesionit të profesorit të gjeografisë në shkollat e Kosovës dhe sa e sa vuajtje e persekutime deri në fund të luftës, ku ai ka qëndruar, në Prishtinë.
Profesor, Kamer Rrukiqi në Studion e TV-Diellit ka rrëfyer për kohën e fëmijërisë kur mësimet e para i ka marrë në mënyrë specifike, duke i mësuar vetë shkronjat, më pas duke ndjekur një kurs kundër analfabetizmit, pastaj shkollim të avancuar për shkak të moshës, mësues për nevojat e shkollës, ende pa e kryer shkollën e plotë të mesme, pastaj kishte kryer Normalen e Prishtinës e më vonë edhe Fakultetin e Gjeografisë.
Në rrugëtimin e tij jetësor në arsimimin e brezave por edhe në punë e angazhime të tjera, të nevojshme dhe të domosdoshme për kohën, ai ka punuar atje ku kanë vendosur organet e pushtetit, por në radhë të parë e ka dashur punën me ditar në dorë.
Profesor Kameri ka qenë bashkëkohës i mësuesit atdhetar, tani heroi i Kosovës, Fazli Graiçevci, me të cilin për një kohë kanë punuara në të njëjtën shkollë. Ai e ka njohur edhe bacë Adem Demaçin, të cilin e ka çmuar shumë.
Duke qenë i orientuar kombëtarisht dhe me prejardhje nga një familje që konsiderohej jo mike e pushtetit, ai prore kishte probleme me autoritet, me drejtorët e shkollave, me partiakët e kohës edhe pse ishte pjesëtar i partisë.
Duke folur për rrugën jetësore, ai ka veçuar edhe shumë raste kur i ka ikur me mjeshtëri ndjekjeve, për të konstatuar se në mesin e strukturave politike kishte mjaft kuadro që në dukje i shërbenin partisë, por në esencë mbronin bashkë atdhetarët, shokët e kolektivit madje edhe atëherë kur veprimet e tyre binin ndesh me programin e LKJ-së.
Kamer Rrukiqi, ashtu si shumë veprimtarë dhe arsimues atdhetarë, ishte ndër të parët që kishte shpalosur flamurin kombëtar në vitin 1968, në objektin e shkollës së Terstenikut, në Drenicë. Pastaj në kohën e ekskursioneve, nxënësit i kishte dërguar për vizitë në qytetet shqiptare, për t u njohur me bashkëkombësit e vet si në Maqedoni e në Mal të zi.
Kishte qenë i akuzuar se me nxënësit e tij i kishte frymëzuar rininë shqiptare të Ulqinit, të cilët ishin ngritur në protestë për të drejta në shkollim dhe të drejta të tjera kombëtare, me ç rast edhe ishte hapur një procedurë ndjekje nga regjimi.
Në prill të vitit 1981 ishte arrestuar dhe ishte mbajtur në izolim ashtu si qindra intelektualë të tjerë, për të cilët regjimi pretendonte se kishin qenë frymëzues të protestave e demonstratave. Pas lirimit nga izolimi e kishin përjashtuar nga puna në arsim. Me familjen me 10 anëtarë ai kishte mbetur në mëshirë të kohës dhe mezi ia kishte dalë, në radhë të parë falë ndihmës së një atdhetari nga Kërçova i cili e kishte ndihmuar financiarisht. Duke shkruar për këtë ndihmë veprimtari, Skënder Karaçica ka shkruar:
Mahmut Skenderi është nga Veleshta e Strugës. Në Amerikë erdhi para 45 vjetësh si djalë i ri,që jeta dhe regjimi sllavo-maqedonas ia kishte regjistruar rininë e tij në rrugët e mërgimit.
Ma kanë vrarë rininë, thotë veleshtari dhe thinjat e flokëve tregojnë dhimbjen,brengën dhe dashurinë nga larg për Veleshtën e tij.
Për Drenicën kisha dëgjuar dhe kisha lexuar e parë drama e filma dhe, në zemër kisha dëshirën e madhe që të takoj djelmeninë dhe burrat që sikur me dhanë përgjigje malet dhe krisma e pushkëve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
I kisha treguar veleshtarit për profesor Kamer Rrukiqi nga Verbovci i Drenicës, që tërë jetën ishte një zë kryengritës në mbrojtje të shkollës shqipe dhe të popullit të vet.
Me shtatë fëmijët e tij profesor Kamer Rrukiqi shpeshherë regjimi antishqiptar serbo-sllav ia hoqi bukën nga sofra duke e lënë pa punë…!
Njeriu dhe gardiani i shkollës shqipe në Drenicë, me vete kishte amanetin e Mësuesit të Popullit Ali Gashi,i vrarë nga dora e UDB-së që, nëpër vite prof, Kameri ia kishte parë edhe rrobat e trupit të shpuara nga plumbat e dorës vrastare të Serbisë.
Kjo ishte një pjesë e udhës së profesor Kamer Rrukiqi në shpirtin e tij kryengritës për shkollën shqipe, për brezin e ri të Drenicës,ndonëse dija dhe shkolla një ditë do të bëhet arma më e fortë për lirinë e Kosovës.
Veleshtari, Mahmut Skenderi dhe veprimtar i dalluar në SHSHA në Çikago, kishte shprehë admirimin e tij për profesor Kamer Rrukiqin dhe kishte vendosur që të bisedoj përmes rrjetit social (facebook) ku tashti janë bërë shokë të pandarë. Në bashkëbisedim ata kanë rrëfyer pjesë e udhëve të jetës në Drenicë dhe në Amerikë, që të dy në anë të ndryshme të botës, por me angazhimin e palodhur në kërkim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Po, vëlla, veleshtar i kishte thënë profesor, Kamer Rrukiqi tashti në moshën 87 -vjeçare me njërin sy nuk po shoh dhe me vështirësi po ua kthej përgjigjën miqve të mi të shumtë anë e mbanë Atdheut dhe në diasporë. Koha dhe ora e ndërgjegjes po troket para nesh,nuk e kam menduar që do të na vjen kjo gjendje kaq e rëndë, në plan të parë të thyerjes së kurrizit tonë dhe të tjetërsimit, kjo e pengon udhën e shtetndërtimit të Kosovës heroike, kishte thënë ndër të tjera profesor Kamer Rrukiqi me veleshtarin në Çikago të Amerikës së largët.
Për angazhimet tona për Atdhe, asnjëherë nuk e thotë fjalën e fundit historia…!
Çikago,7 dhjetor 2018.
Profesor Kamer Rrukiqi jeton në Prishtinë. Edhe tani në pleqëri dhe pas një jete të tërë në shërbim të arsimit e arsimimit, pas ndjekjeve e vuajtjeve ai qëndron stoik, në shtëpinë e tij në Prishtinë, por ende ndeshet me padrejtësitë që shkakton burokracia aktuale dhe mujsharët e pronave.
(Bisedën me veprimtarin dhe profesorin, Kamer Rrukiqi në studion e TV-Diellit e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)