Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, u prit ngrohtësisht nga diaspora kosovare gjatë vizitës së tij në Shtutgart të Gjermanisë. Në një intervistë për “Politiko” me gazetarin Kushtrim Sadiku, Hamza shprehu mirënjohje për mërgimtarët dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së tyre, si dhe të qytetarëve brenda vendit, për suksesin e partisë në zgjedhjet e ardhshme. Duke folur për energjinë dhe pjesëmarrjen e diasporës në tubimin e mbajtur, Hamza tha: “Shpreh respektin për bashkëatdhetarët tanë dhe për një prezencë kaq madhështore.” Ai shtoi se është i bindur se Kosova mund të përparojë me një ekip të përkushtuar, të pajisur me përvojë dhe dije për të realizuar programin dhe për të arritur rezultate konkrete.
