Kastrati: Do të subvencionojmë qumështin që dorëzohet në pikat grumbulluese

“Jam i lumtur që sot po e ndaj këtë lajm me ju dhe ju informoj, se kam marrë vendim për subvencionimin e qumështit nga 3 cent për litër, për të gjithë ata që dorëzojnë qumështin në pikat grumbulluese”, ka thënë kryetari i komunës së Malishevës Ekrem Kastrati, gjatë një takimi informues që e ka mbajtur me fermerët-blegtorët e Komunës së Malishevës. Kryetari Kastrati, gjithashtu ka premtuar se përkrahja në bujqësi nuk do të ndalet, sepse fuqizimi i bujqësisë është një prej prioriteteve të tij qeverisëse.

Në këtë takim informues për blegtorët dhe fermerët e Komunës së Malishevës, krahas kryetarit Kastrati, morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi dhe drejtori për bujqësi, Murat Hoxha, i cili edhe i ka informuar për procedurat e aplikimit për subvencionimin e qumështit.

“Zhvillimi i bujqësisë është prioritet, sepse bujqësia është njëra prej degëve më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Zhvillimi i bujqësisë krijon vende pune, por edhe ne kemi nevojë për mbulimin e tregut me produkte vendore dhe ky është qëllim i yni. Duam dhe synojmë që në tryezat tona të shtrohen produkte vendore dhe ne e kemi këtë mundësi”, ka thënë mes tjerash kryetari Kastrati në fjalën e tij drejtuar fermerëve malishevas. “Kjo nuk është përkrahja e vetme, sepse ne synojmë ta rrisim këtë subvencionim, dhe njëkohësisht të subvencionojmë edhe në pajisjet për ruajtjen e qumështit, me qëllim të ruajtjes së cilësisë së parë të qumështit, por do të përkrahim edhe sektorët tjerë të bujqësisë, duke rritur kapacitetin e fermave, sepse ne kemi nevojë për produkte tona, e jo për produkte të huaja, prandaj ne do të përkrahim të gjitha projektet serioze të bujqve tanë dhe për këtë, zyra ime është gjithmonë e hapur për ju”, ka thënë kryetari Kastrati, para bujqve dhe blegtorëve të Komunës së Malishevës.

Më pas, është zhvilluar edhe diskutim i hapur me pyetje, përgjigje dhe propozime me blegtorët, të cilët i kanë paraqitur sfidat e tyre për rritjen e kapaciteteve të fermave, ndërsa të gjitha pyetjet dhe propozimet e tyre, kanë marrë përgjigje nga ana e kryetarit Kastrati dhe nënkryetarit Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …