Katër kryekuvendarë shqiptarë, udhëheqin Kuvendet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës e tani edhe të Turqisë

Katër kryekuvendarë shqiptarë, udhëheqin Kuvendet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës e tani edhe të Turqisë

Lajmi se kryetari i Kuvendit të Turqisë u zgjodh z. Mustafa Shëntop, me origjinë shqiptare, politikan i partisë, të cilën e udhëheq kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Eredogan pa dyshim se është lajm i ditës, sado që shumë nga mediet në Kosovë, Shqipëri e më gjerë e anashkalojnë, si lajm që “nuk iu bën nder”. Po të zgjidhej ndonjë drejtor apo deputet  me origjinë shqiptare, në Itali, Kroaci apo në ndonjë vend të Evropës, ky do ti ishte lajmi kryesor i ditës për shumë nga mediet shqipshkruese.

Megjithatë, zgjedhja në krye të Kuvendit të Turqisë, të një turku me origjinë shqiptare, nuk është vetëm një lajm, por diçka më shumë. Nuk ishte lajm i parëndësishëm edhe zgjedhja për herë të parë në Maqedoni të një kryetari shqiptar të Kuvendit. Tani kemi tre kryekuvendarë  shqiptarë në tri shtete të pavarura të Ballkanit dhe një shqiptar me origjinë në Kuvendin e Turqisë. Cili popull në Evropë apo në botë ka katër kryekuvendarë, në katër shtete të ndryshme?  Unë nuk njoh ndonjë rast të tillë, por edhe nëse ka do të jetë edhe një kuriozitet më tepër.

Nuk është fjala vetëm për një kuriozitet, por për diçka reale, diçka që rikthehet vetvetiu në historinë e popujve. Rreth 200 vjet më parë, në kuadër të Perandorisë Osmane shumë shqiptarë udhëhiqnin madje edhe shtete që kishin filluar të pavarësoheshin nga Turqia. Mehmet Ali Pashë Kavalla kishte çliruar Egjiptin nga forcat franceze, por e kishte pavarësuar edhe nga Turqia, duke krijuar një shtet modern, në tokën e faraonëve të lashtë. Dinastia e tij qeverisi Egjiptin për 150 vjet deri te Mbreti Faruk, në vitet 50 të shekullit të kaluar.

Në dy deceniet e para të shekullit 19-të, sundimtari i Epirit, Luani i Janinës, Ali Pashë Tepelena qeveriste Greqinë, një pjesë të madhe të Shqipërisë dhe të bullgarisë jugore. Po në atë kohë dinastia e Bushatlinjve të Shkodrës qeveriste veriun e Shqipërisë dhe një pjesë të Vilajetit të Kosovës. Në Pashallëkun e Beogradit  qeveriste Marashli Pasha, shqiptar me origjinë nga Shkodra.  Në vitin 1830,  Ibrahim Pashai, djali i Mehmed Ali Pashë Misirit  ishte emëruar guvernatori i Sirisë.

Nuk ishin vetëm këta katër pashallarë që qeverisnin në tokat e atëhershme të Perandorisë, por kishte edhe shumë të tjerë, të cilët e kishin pranuar bashkëqeverisjen në Perandorinë Osmane, pavarësisht se si mund t’ i gjykojmë, t’ i arsyetojmë apo  t’ i dënojmë sot, krejt kjo varet nga botëkuptimi që kemi për historinë e së kaluarës dhe të sotmes. Po t i ftonte sot Amerika shqiptarët të qeverisnin në vende të ndryshme të botës, mendoj se ata do ta prisnin me padurim këtë dhe do të tregoheshin shumë më të përkushtuar për Perandorinë e sotme Amerikane, sesa stërgjyshërit tanë që treguan për Perandorinë   Osmane.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …