Katër punëtorët të cilët suspenduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për shkak të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, janë kthyer në punë, në bazë të një vendimi të Komisionit brenda Institutit. Ditor Haliti, zëvendës-drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë. Në pyetjen rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Ditor Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale. Ai sqaroi për RTK-në se policia është duke i shqyrtuar ato, derisa tha se nuk ka asnjë informatë nëse ka ndonjë regjistrim apo ndonjë fakt rreth asaj se kush i ka marr këto mostra. Ne i kemi kamerat të cilat e vëzhgojmë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, tha Haliti.
