Drejtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka reaguar ndaj sulmeve të drejtuara ndaj deputetes nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe regres të madh për demokracinë në vend. Kryeziu theksoi se Balje ka të drejtë kushtetuese të shprehë vullnetin e saj politik, pa u frikësuar apo ndjerë e detyruar të votojë në përputhje me kërkesat e ndonjë partie apo opinioni publik. Në një demokraci funksionale, deputetët nuk janë të detyruar të votojnë sipas direktivave të partive apo presioneve mediatike, por sipas bindjes së tyre politike”, shkruan Kryeziu. Ai gjithashtu nënvizoi se si grua në politikë dhe si përfaqësuese e një komuniteti pakicë, Duda Balje meriton respekt të dyfishtë për pavarësinë e saj vendimmarrëse. Kryeziu e cilësoi linçimin publik dhe shpifjet ndaj saj si shkelje të standardeve demokratike dhe dëmtim të frymës së përfaqësimit të lirë. Kuvendi nuk po arrin të konstituohet, jo për shkak të një deputeteje, por për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike, përfundoi ai.
